Cikël poetik nga Bledar Koçi
Mesnatë
Pyes vetvetes se ç’mall të ka vrarë?
Ç’foléze të huaj mbështillesh tani?
Kjo hënë shpupurís flokët e larë
E tinëz që sheh, dritares nga ti.
Ashtu e dremitur një dorë të këputet
Orbitës një ëndërr të vjen rreth e qark,
Me zë të flet lehtë në vesh e të lutet
Si lutjet e lëna diku atje larg…
Kur terr i mesnatës të fryn si mëndafsh
Ti, dallgë të florinjtë fytyrës ndez dritë
Diçka e mërguar e kthyer në afsh
Nga prag i folézës, të futej në shpirt.
Pyes vetvetes në ç’mall je venitur?
Të vij e të gjej si erë a furtunë.
Kjo hënëz po qesh ndër flokë shpupurisur.
E tinëz që sheh, dritares nga unë.
2018
Endërr
– Dajos së tim eti, Bedri Vëndresha –
Erdhi, Ja ku erdhi..
Përkulej kryesh portës Shtatlarti, ku shtëpia, muret… tavani, s’ia nxinin zemrën.
As qielli shpirtin.
Erë trëndeline na ka sjellë ketë herë prej bokërrimash, dhe një torbë me mollë të vockla ngjyrë gjaku mbledhur nëpër vjeshtë udhës tek vinte.
Ç’mjaltë pikonte syve…
Ca të vrara mbi shpinë i dhembnin ende siç dukej.
Teksa flinte lodhjen, i vodha një ëndërr…
“ Djalërinë tek hidhte, parmendë mbi supe… “
Dhe ja… iku përsëri,
shkoi tutje pas vjeshtës.
La erë trëndeline te pragu.
Bokërrimat atje lart u bënë më të egra..
Të fundit ndër degë u vyshkën mollët e ëmbla të vockla ngjyrë gjaku.
Gjurmët
– Shokëve të një udhe –
Këmb’ e zbathur mbetur gjurmë,
Dalë e humbur nëpër baltë,
Në ç’gurishtë i mben’ këpucët
Rrugëtarit të pafat.
Varur mjegull n’atë faqe,
Zbret, kaplon ku nget një lumë,
Rend dhe unë në shteg të verbër
Hap më hap në atë gjurmë.
Klithin kreshtat mbi sinorë
Si ulkonjë në errësirë
Trembur, tkurret gjurmë e njomë
Larg atdheut, ftohtësirë..
Ç’vuajtje hoqi kush e di,
Për ku ikur ky i ngratë?
Shkulmon grykës suferinë
Vishet malit një shtrëngatë.
Ç’fat i priu kush e pa,
A, u sos në humbëtirë?
Klithin kreshtat nëpër natë
Si ulkonjë në errësirë.
2017
Please follow and like us: