Mehmetali Rexhepi: ZEJNULLAH HALILI NË TRI PAMJE
Shkrimtari Zejnullah Halili u lind në fshatin malor në Kokaj, Malësia e Maleve të Zeza, Komuna e Gjilanit, më 5 nëntor 1945, vdiq në moshën 59 vjeçe në Prishtinë, më 24 shkurt 2004. Pos Normales të profilizuar për mësuesi, në Gjilan e Prishtinë, ai e kreu edhe SHL Pedagogjike. Jeta e sprovoi në disa profesione: ishte mësues në Pogragjë dhe në disa fshatra të rrethinës së Gjilanit, pastaj punoi në tetëvjeçaren me emërtimin sllav “Vuk Karaxhiq”, tashti “Thimi Mitko” në Gjilan. Ka vijuar në Radio Prishtinë, në emisionet për fëmijë; në Gazetën e Pionierëve-GEP. Ishte kryeredaktor në revistën letrare për fëmijë e të rinj “Pionieri” dhe së fundmi u përzu nga puna publike prej okupatorëve…
PAMJA E PARË
Me Zejnullah Halilin rastisi të jetonim në të njëjtën lagje të qytetit, por nuk ishim fqinj. Atëbotë Zejna jetonte në një hapësirë të ngushtë me bashkësinë e tij familjare. Ai shkruante dhe publikonte vjersha në faqet e gazetave dhe të revistave për fëmijë dhe unë ia lexoja. I shkoja në shtëpi i shtyrë nga kureshtja për t`iu afruar botës tij. Shkoja thjesht për të shkëmbyer diçka të papërcaktuar… Nuk e perceptoja kohën, as hapësirën e ngushtë të shtëpisë së vjetër përdhese të tij, të dendësuar me prindërit, vëllezërit e motrat. Ndoshta shkuarjet e mia dhe ndejat orë-gjata e kishin bezdisur?… Vrulli im rinor, ëndrrat, kureshtjet, mësymjet, mëtimet nuk kishin një peshore… Zejnën mund ta kem bezdisur, ngase atë bezdi nuk e frenoja, por për mua kishte diçka joshëse tek ai… Çka? Pikërisht pse Zejna e ngufaste bezdinë time dhe të vetën brenda vetvetes. Si? Ashtu. Asnjë vranësirë nuk binte mbi fytyrën e kthjelltë të tij…
Zhvendosja nga rrugica e pjerrtë e lagjes ku banoi, i dha një mundësi hapësire për shtrirje, paksa më të gjerë në shtëpinë e re, por sërish të përbashkët. Shtëpia ishte vendosur në periferi të qytetit tashmë të zgjeruar, rrugës për në fshatin Livoç i Epërm; mandej përfundimisht u zhvendos nga Gjilani në Prishtinë.
DORËSHKRIMI
Për dorëshkrimin e librit të parë të Zejnullah Halilit “Ylberi”, kisha një hise të vogël; meqë ai ma dha rastin, madje u pajtua t`i bëja përzgjedhjen e vjershave sipas shijes time. Sumbulla djersësh përshkuan ballin tim, ngase ende nuk kisha përvojën, as emrin e një recensuesi të shquar. Përfitoja një kulturë të leximit kritik nga shkrimet e Hasan Mekulit; i qasesha themeleve teorike të letërsisë nga Gani Luboteni, Milivoj Solar; shqyrtimeve kritike të Mensur Raifit, Gaetan Picon-it; kundrimeve estetike të Alfred Uçit; mëtoja ndërtimet e drejta sintaksore të fjalëve në fjali dhe të fjalive në periudha, sipas dijes së Mahir Domit… Lexoja Henri Beyle-Stendal-in, Aleksanër S. Pushkin-in, Sergei Yeseni-in Rabindranath Tagore, “Rubairat” e Khayyam-it, L.N. Tostoi-n, Franz Kafka-n, Albert Camus… Më dendur merresha me Dritëro Agollin, Ismail Kadarenë, Anton Pashkun, Rexhep Elmazin, Teki Dervishin, Beqir Musliun… E doja letërsinë e përkthyer për më të rinjtë: Hans Christian Andersen-in, Vëllezërit Grimm, Gianni Rodari-in, Alphonse Daudet… I preferoja autorët e paktë shqiptarë të këtij lloji: Anton Çetta, Rexhep Hoxha, Mark Krasniqi, Bedri Dedja, Gaço Bushaka, Adelina Mamaqi, Qamil Batalli, Rifat Kukaj… Në këtë vijimësi do të radhitej, madje denjësisht, edhe Zejnullah Halili…
Zejnës nuk i pëlqeu kur recensuesi propozoi të mos i merrej për hyrje në libër, njëra nga poezitë e titulluar “Në grunore.” Ndaloi Autori, ndalova dhe unë… Çfarë kishte ndodhur? Heshtja mes nesh mbylli shtigjet e fjalës, andej e këndej rrjedhës tyre… Dukej se Autori ia kishte lëshuar frerët imagjinatës së largët… Pak çaste më vonë ia pash sytë e lagur… Enigma e lotëve të Tij mbylli tek unë shtegun e ngacmimit të arsyes…
– Vëllai im! – pasoi dëftimi foljor i autorit:
– Ishte skamje në Karadak për bukën e gojës! – duke sjellë dromca rrëqethëse të jetës:
– Ishte mes-qershori. Duke u ngjitur për në shtëpizën time, rrëzë malit ku përthyhej pjerrtësia e relievit me tokën bukanike, jam ulur buzë arës me grurë. Në sytë e mi gruri u bë det! Mua mu mbushën: sytë dhe zemra! Këtu buruan ato vargje të asaj vjershe…
– Mirë, mirë Zejnë i dashur! – po i thoshte recensuesi fillestar.
– Ajo situatë është prekëse, por vetëm për vetën tënde!
Recensuesi iu kthye vetës, u përmend… Intonacioni i pohimit tij iu duk cinik.
– Si pra? – reagoi i zverdhur Autori.
– Ashtu…
Autorit iu duk se recensuesi kishte shije të ngatërruar…
– Për të më prekur edhe mua poezia jote, nuk mjafton vetëm përshkrimi emocional brenda vetvetes. Këto vargje, të dashura për ty, kanë përshkruar një gjendje të grurit, por nuk janë thelluar në gjendjet tjera të shpirtit tënd, si do të reflektonin ato në morinë e shpirtrave të tjerë… Vargjet nuk janë veshur me figura më të qëmtuara se sa kësosh të përsëritura. Mungojnë metaforat, simbolet, krahasimet e qëlluara, kontrastet… Si të tilla, duhej të ishin edhe më të ndjeshme, edhe më prekëse, edhe më joshëse, edhe më premtuese, edhe më të bukur, jo veçse për shijen tënde, por edhe për mua dhe lexuesin anonim.
Megjithatë, Autori u pajtua të mos renditej ajo poezi në librin e ardhshëm të tij. Ai i kapte shpejt reflektimet. Përjetimi ishte themeli i godinës poetike, mirëpo, ndjenjës duhej t`i jepeshin edhe përbërës impulsesh tjera… Ajo lypte një mjeshtri të arrirë arkitekturore; hapësira për hyrje, për prehje, dritore për ngjyrat e stinëve, mprehtësi mendjesh për zvogëlimin e brengës, mençuri për esëllti të jetës, bukuri për reflektime të sotme, për të djeshmen dhe të nesërmen.
Nga kjo largësi kohe, prej gjashtëmbëdhjetë vitesh, e mungesës fizike të Zejnullah Halilit, mund të pohoj me çiltërsi se poeti ynë kapërcej vetveten. Gjithsesi, Ai shkrimin poetik e pati vokacion të pandalshëm shpirtëror… Meqë arti i të shkruarit i ngërthen sakrificat, nazet dhe huqet e veta, Zejna ishte i gatshëm për t`ia dhënë tërë dashurinë, tërë përkushtimin atij pasioni… Andaj, për ngadhënjimin e të bukurës, ai shkeli edhe mbi kohën, thesarin më të çmuar të jetës së vet!
PAMJA E DYTË
E takoja në Tregun e Gjelbër të Gjilanit, duke pritur shitjen e ndonjë libri, në periudhën më të pështirë e më të pakëndshme për librin. Faqet e librit sado të këndshme për sy, as përtypeshin, as gëlltiteshin, as i bluante lukthi i njeriut. Ndoshta ndodhte pos në shikimet e përfytyrimeve të mia, Ai ishte pikturuar me ngjyrat më të ndezura, sepse në atë mozaik ngjyrash veçse dy sy, sytë e tij kishin shkëlqimin më të fortë… Ai ndizej i tëri… Ndaj e perceptoja si një oazë pranvere në të hirtën e vjeshtës. Një irnosje ia përshkonte estetikën, por nuk ndjehej i përulur autori zë-ëmbël i emisioneve me cicërima e kore zogjsh shkrirë me të fëmijëve në Radio Prishtinë. Nuk iu irnos buzëqeshja… Buzëqeshte si dinte vetëm Ai të buzëqeshej, kur ndonjë libër-blerës i rrallë, i pasionuar ia lehtësonte trastën me libra.
E veçanta e Zejnës ishte përqafimi. Dashamirit, që nga larg, ia shfaqte të ylbertat buzëqeshje. Ujëvara e buzëqeshjeve të tij të sillte freski, por dhe zbrazje të katarzës kur të përqafonte me faqe e krah-hapur, shtrëngueshëm deri në dhimbje. Buzëqeshjet i dilnin nga një krua i cemtë mali dhe, i rridhnin sikurse ujëvarë e shelgut vajtues të blertë.
SYTË
Dy liqene vezulluese me katarakte shkallaresh lozonjare, shkreptijnë mes ujërash të kulluar. Përherë më joshnin ata sy magjikë të Zejnës. Edhe sot në çdo shpalim faqesh libri, në çdo varg e strofë, në secilën figurë e apostrofë, në secilin kontrast, në simbole, në metafora, krahasime, epitete, ofshama, heshtje, hiperbola, litota, ritme, pikëpyetje, pikëçuditje, frymëmarrje lulesh, ngazëllimesh, lot të vakët e të ftohtë vocërrakësh, varfanjakësh; në pranverat e ndezura me ngjyra e mynxyra, në qëmtime kompozitash, në tipare personazhesh, në krye ose në fund shtjellimesh, i shoh sytë e tij, magjinë e syve të Zejnës!…
Zejnullah Halili ishte një libër i gjallë. Dallimet mes Zejnës e librit të tij, i kishte përzgjedh e lumja natyrë, i kishte bekuar e madhërishmja Hyjni! Zejna ishte libër i hapur, edhe kur nuk e hapnim ai të shpalohej vet.
Libri i mbyllur i Zejnës i kishte përgjumur të gjitha shtrëngatat e ndërrimit të stinëve e të regjimeve çnjerëzore, rivalitetet e drerëve për drenushat, heshtje e zukama bletësh, lulet ngrinin kundërmimin, ngjyrat i kishte gëlltitur nata, simpatisë s`ia nxirje dot thesaret dhe Dielli i qeshur, Zoti i jetës ishte fshehur…
Libri i shpirtit të Zejnës ishte i hapur ose prore hapej për t`u shfletuar për çdo mes, për çdo shtresë… Asnjëherë nuk mbyllej për të lumen shpresë, ngase aty thureshin trajta të dukshme e të imagjinuara të dashurisë. Ai libër i gjallë, për dallim nga librat e fletëve, kishte temperaturë dhe ethe… Herë furrë e nxehtë kur piqte ndjenja, herë akull e ftohtë kur ngrinte hareja në buzët e sytë e një vocërrakeje flokëverdhë, ose tek një çun flokëkaçurrel.
Libri i gjallë i Zejnës harronte gjumin në letër… Lapsi shkruante vet… Vetëm atëherë liqeneve të tij u stisej e kuqremta ngjyrë e gjetheve për lamtumirë… Shpirti i poetit u shkri në variantet e librave të mbyllur. Ato i ofrojnë freski çdo shtegtari të etur për ujë guri dhe ahu… Aty zgjohet bota engjëllore e fëmijëve… Të hysh në këtë botë librash dhe të njëzohesh me poetin, prej një varianti në variantin tjetër, janë:
Ylberi, 1969; Shitësja flokartë, 1971; Ç`thonë pulëbardhat, 1973; Eshkë e dritë, 1977; Lamtumirë shkurtabiqë, 1983; Vendlindja shihet me zemër, 1984; Përralla lozonjare, 1987; Qirinj të ndezur, 1988; Pikaloshja, 1988; Mollëkuqja, 1989; Ylli t`na hyj në mes, 1990; Udha kah agu, 1993; Luleshqiponja, 1993; Si u bë pikalorja bletë, 1997; Dallga, 1998; Djaloshi brenda mollës, 1999; Ëndërr e këputur, 2000; Pres orën tënde, 2001; Unazë, 2004…
PAMJA E TRETË
Kurdo shfaqej ylberi trajta harkore binte mbi liqenet e Zejnës. Unaza e fijeve ujore të ylberit dhe “Ylberi” libror, gjithnjë ma sillnin përfytyrimin e gjallë të figurës së poetit kërkimtar. Zejnullah Halili i mjedisit urban ishte një oazë lëvizëse, që bartte kudo mozaikun e Maleve të Zeza: freskinë e hollë malore, gurgullima përrenjsh, rrjedhjen e kujtesës dhe të krojeve, oshtimat e fëshfërima lisash, aromën e kozmetikën e majit, përralla gjyshesh për tjerrje të imagjinatës, vatrën e zjarrit dhe mbrumet misërishte; konceptime të së mirës, shtrëngime darësh skamnore migjeniane; orë të kurdisura gjelash, net përpirës kandilash, plima zogjsh të trazuar, vaje qyqesh, bukureza xixëllonjash, ëndrra të këputura, virgjëri e egër, mall i një djalërie me gjemba, ikje e pakthyeshme…
Poeti ngërtheu dhe mëtonte t`i zbërthente pamjet më të holla të dritës, pikëllimin që ia fshehte akëcilit ose akëcilave jetë-buluruar lumturinë me frymë të zënë në fyt, derdhur në një përrua; yllin e mëngjesit që i zbret në ballë pikaloshes, luleshqiponjat, pritjet e dallgëve, pikaloren e mëtuar të bëhej bletë, Mirbanin; djaloshin brenda mollës, duke pritur orën e shpresës për t`ia vënë unazën e besës…
GURI
Se si shihet vendlindja nga rrëmuja urbane e thotë libri i shpaluar i Zejnës “Vendlindja shihet me zemër.” Dashuria për vendlindjen nuk mbeti thjesht një titull libri; ajo u përtrollit në amanetin e fundit: t`i mbulohej korubja e trupit atje me dheun e barit, ku kishte derdhur këmbëzbathur hapat rinor, bredhërin shtalpake… Për amshimin e korubes së vet, ai la edhe një amanet, amanetin e vendosjes tek koka të gurit të prejardhjes: me lutje e shkronja burimore… Guri t`i bëjë roje kreshtës ilirishte, pa korin e lutjes e të lamtumirës në arabishte!
Në këtë anames me dogmën në mes, emri i vërtetë në gurin e Zejnës, ashtu sikur ia lypte bindja dhe, asisoj si ia diktonte liria vetjake e mendimit, u bë sakrilegj?! Disa herë ia thyejnë gurin, shenjën identifikuese të poetit për të cilin “Vendlindja shihet me zemër!…”
Gjilan, më 12 dhjetor 2020.
https://www.botasot.info/kultura/1503350/zejnullah-halili-ne-tri-pamje/
https://fjala.info/zejnullah-halili-ne-tri-pamje/