Ndue Ukaj: Strategjia negative e Serbisë kundër shqiptarëve
Ta pranosh propagandën se për dy dekada në Kosovë çdo gjë ka shkuar keq, kjo domethënë ta përqafosh strategjinë negative të Serbisë kundër shqiptarëve.
Pse?
Sepse – sa për kujtesë – Serbia qëllim themelor e ka që shqiptarëve të Kosovës t’iu rikrijojë një etiketë të re në syte e botës: si të paaftë për t’ u organizuar dhe për të bërë shtet normal.
Serbia pothuajse përgjatë gjithë shekullit të kaluar ka zhvilluar strategji politike negative kundër nesh. Përmes etiketave të ndryshme, intiligjenca serbe, politika, kisha, na kanë paraqitur si popull primitiv dhe të paaftë për t’u organizuar, qe domethënë mbi ta duhej ushtruar kontroll.
Ibrahim Rugova, duke e njohur këtë strategji- si shkrimtar dhe politikan – me dije dhe veprime të organizura i demaskoi këto etiketa, që në vitet 1985, 1988, kur çoi krye hegjemonia serbe. Dhe pastaj, Rugova dhe elita e kohës, përmes veprimeve të mençura e të organizuara demokratike, fituan simpatinë dhe admirimin e vendeve të përparuara, të cilat me kohë e përqafuan kauzën tonë dhe e ndëshkuan strategjinë negative serbe.
Në fillim të vitit 2021, secili lexues i kujdeshëm i zhvillimeve politike e kupton se Kosova ka rrëshqitë në një terren të rrezikshëm dhe është duke i krijuar vetvetes përditë etiketa në sytë e botës, përmes një strategjie tejet negative politike, që rrëfimin për Kosovën e ka reduktuar te disa tema ditore.
Kjo qasje negative është në funksion të atyre që thonë se ne s’ jemi të aftë të organizojmë shtet normal. E ky dëm, realisht, është më i madh se çdo dëm tjetër që lidhet me tema të brendshme politike.
Pra, këto etiketa tani përdoren në Prishtinë nga politikanë delirantë që në rrugën drejt podiumit të pushtetit, në mungesë të ideve dhe vizionit politik, shërbehen me strategji negative, për të hedhë baltë mbi ngjarje madhore të historisë së Kosovës që kanë ndodhë dekadat e fundit.
Me këtë logjikë, mohohet edhe puna e madhe dhe fisnike e bashkëse ndërkombëtare për ta ndihmuar dhe konsoliduar shtetin e Kosovës.
Vërtet, Kosova ka nevojë që të qeveriset më mirë dhe kjo është betejë e përhershme e shoqërive të lira.
Por Kosovës s’i duhen rrëfimet negative e më së paku strategjitë politike negative. Sepse, këto rrëfime gradualisht shëndrrohen në etiketa të rrezikshme, të cilat pastaj vështirë heqen.
Fundja, Kosova ka nevojë që të afirmojë historinë e saj pozitive dhe përmes një strategjie pozitive që i bën jehonë faktit se ne, bashkë me miqtë perëndimorë, ia kemi dalë ta ndalim dhe ta mundim Serbinë hegjemoniste dhe tani kemi shtet dhe shoqëri tolerante.
Historia e re e Kosovë është madhështore dhe atë s’ duhet të lejojmë që të njolloset për shkak të disa batakçinjeve e as për interes të ndonjë politikani nihilist e delirant.
Në Kosovë duhet të luftohet çdo e keqe dhe atë pa kompromos, por me vlera të mira dhe kjo luftë s’ mund të bëhet nga mendjekëqinjtë që udhëhiqen nga strategji negative.
Please follow and like us: