Albspirit

Media/News/Publishing

Pirro Fotiadhi: In memoriam, Liza Laska, ikona e teatrit dhe kinematografisë

LIZA LASKA, E MADHJA AKTORE, EMBLEMA E SKENËS DHE EKRANIT, QË U ADHURUA DHE DASHURUA NGA GJITHË SHQIPËRIA!

Portret i paautorizuar në përvjetorin jubilar të 95-vjetorit të ditëlindjes së divës artiste, aktores Liza Laska.

Në vend të prologut…

 

Teatri është diçka e jashtëzakonshme dhe e mrekullueshme,  e si një prej arteve  më të vjetra në botë që harmonizon fjalën e interpretuar, muzikën, artet pamore dhe të tjera elemente artistike, ka ekzistuar për mijëra vjet dhe do të ekzistojë përgjithmonë. Pikërisht sepse  të gjithëve na pëlqen të dëgjojmë histori, por edhe t’i shohim ato të  paraqiten dhe shfaqen para nesh. Dhe është mëse e natyrshme, që një teatër cilësor dhe me nivel të lartë artistik, konfigurohet prej aktorëve më të mirë  ashtu sikundër edhe prej  individëve të pasionuar dhe të përkushtuar. Veçojmë në këto aradha modeste, një prej prej simboleve të skenës dhe kinematografisë shqiptare siç ishte dhe do të mbetet në përjetësi,aktorja brilante potenciale, Liza Laska.

Liza Laska njëra prej pioniereve të artit dramatik dhe kinematografinë shqiptare, ishte një hyjneshë e përkorë dhe aktore e jashtëzakonshme plot shkëlqim, sqimatare dhe e përkushtuar, e dashuruar dhe pasionuar me profesionin e saj, një prej ikonave me shumë talent të teatrit dhe kinematografisë, një  figurë shpërthyese me një  botë shpirtërore të shqetësuar

Aktorja e zellshme legjendare Liza Laska, farëmbjellësja me performanca interpretuese tepër admiruese, me angazhimet e saj shumëdimensionale, gjatë rrugëtimit të saj artistik, ofroi një galeri tepër të pasur me role dhe figura të cilat janë memorizuar në kujtesën e mijëra e mijëra artdashësve, duke u vlerësuar për nivelin e lartë  të realizimit,për mjeshtrinë dhe forcën interpretative e shprehëse, duke merituar me të drejtë  një vend nderi, në analet e teatrit dhe të filmit shqiptar.

Loja interpretative skenike e aktores Liza Laska, me talentin e saj unik, përveç performancës artistike, dallohej edhe për emocionalitetin, për aspektet tërheqëse, për profesionalizmin e një shkalle sipërore. Sepse jeta e saj reale, startonte në momentet kur ndizeshin dritat e skenës dhe hapej perdja.

Rrugëtimi jetësor dhekarriera artistike…

Si sot shumë mote më parë në një ditë dimri të ftohtë, pikërisht më 6 Shkurt të vitit 1926, në familjen e Josif Skramit dhe bashkëshortes së tij, Maria Kona, erdhi në jetë Liza Laska. Familja e saj spikaste për kulturën dhe fisnikërinë, ati i saj kishte mbaruar me rezultate të larta gjimnazin «Zosimea» e në vijimësi përfundoi studimet e larta pranë Universitetit të Athinës e me t’u kthyer në atdhe, angazhohet fillimisht si drejtor shkolle në qytetin e Beratit e më pas si Drejtor i Doganës në Vlorë.

Qysh në hapat e para të fëmijërisë së brishtë, Liza Laska shfaq prirjet dhe talentin për artin,e duke ndjekur hapat e të atit,i cili isht një violinist i jashtëzakonshëm, e nxit dhe e motivon të këndojë dhe recitojë. Ndonëse në moshë të  njomë, ajo u shqua fillimisht  për zërin  e mandej për veçanësinë e shpirtit artistik që e mbisundonte. Kësisoj hapat e para i hedh në veprimtaritë kulturore-artistike të Shkollës Tregtare  të Vlorës, ku studionte, duke  u  prezantuar si drejtuesja e grupit të valleve e mandej si pjesëmarrëse aktive  në shfaqjet teatrore të shkollës,duke lënë  mbresa dhe përshtypje shumë të mira. Madje në këto veprimtari aktive të asaj periudhe kohore, duhet nënvizuar fakti se Liza Laska kishte pasur fatin të luante me bashkënxënësit e kësaj shkolle si Lef Sallatën, Azis Sharra, Niko Skrame, Petrit Velo, Nedime Kasëmi… duke dëshmuar një interpretim mjeshtëror në dramat e shfaqura.

Pas përfundimit të shkollës Tregtare, sistemohet dhe angazhohet për një periudhë kohore si ekonomiste dhe në periudhën e pasçlirimit të vendit,me iniciativat  e ndërmarra për krijimin e teatrove, pasioni dhe dëshira pr teatrin, e nxiti dhe motivoi në vitin 1946, të angazhohet pranë Teatrit Popullor në Tiranë së bashku me Besa Imamin apo Violeta Manushin, por për mungesë fondesh në vitin 1947, pezullohet përkohësisht nga kjo trupë. Paralelisht ndoqi kurset dhe trajnimet respektive për aktorë që u zhvilluan në shërbim të talenteve të reja të kohës.

Por me riorganizimin dhe krijimin e trupës së Teatrit të Ushtrisë angazhohet për dy vite rradhazi si aktore pranë kësaj trupe profesioniste. Në vijimësinë e  kësaj periudhe kohore, duhet nënvizuar fakti se Liza Laska, spikat duke luajtur në rolin kryesor në shfaqjen e premierës më 30 Prill të vitit 1955, të operetës së parë shqiptare «Agimi», të kompozitorit Kristo Kono, me libret të Kolë Jakovës, me regji të Pandi Stillut, nën dirigjimin e Kostandin Trakos dhe piktorit skenograf Hysen Devolli. Mandej zhvendoset dhe emërohet pranë Teatrit Profesionist të Shkodrës, duke u angazhuar në një sërë rolesh të ndryshme nën drejtimin regjisorial të Andrea Malos. Por mosnjohja e dialektit të gegërishtes gjithsesi ndikoi si një problematikë paksa zhgënjyese, duke u larguar përfundimisht prej këtij qyteti dhe transferuar tanimë në qytetin e  Korçës.

Përvoja fillestare e fituar në kryeqytet, e mandej në Shkodër, e ndihmon realisht Liza Laskën, që në vijimësinë e vitit 1955, të angazhohet si aktore themeluese e teatrit profesionist të këtij qyteti, në trupën e Teatrit të Korçës. Duke u strehuar dhe jetuar në familjen e Dhimitër Trajçes, njërit prej ideatorëve dhe krijuesve që mbajti gjithë peshën e organizimit dhe funksionimit të Teatrit të Korçës, Liza Laska ndeshet dhe bashkëpunon me një kast të mrekullueshëm aktorësh,  si Vangjush Miho, Vangjel Grabocka, Vani Trako, Lefter Sofroni, Andrea Thano, Koço Qendro, Neki Shkaba, Stavri Shkurti, Qani Nevruzi, Qefsere Trako (Kushe) e në vijimësi edhe  Pandi Raidhin, me personalitete si edhe me regjisorë të njohur për kohën, siç ishin Sokrat Miho, aktorin dhe regjisorin e përkushtuar Aleko Skalin, e në vijimësi për pak kohë edhe me Pirro Manin. Deri në harkun kohor të vitit 1962, Liza Laska debuton me sukses dhe afirmohet duke luajtur fillimisht role dubluese e mandej edhe me role kryesore në një sërë premierash me Trupën Profesioniste të Teatrit të Korçës, ku admirohet dhe vlerësohet për lojën e saj të spikatur e realiste të karaktereve të spikatura, duke ndikuar dukshëm në ravijëzimin dhe konfigurimin e fizionomisë së kësaj trupe teatrale.

Në vitet e qëndrimit në qytetin Korçës, fati e donte që aktorja Liza Laska, të njihej edhe kurorëzohej edhe me martesë, duke lidhur jetën e saj në vitin 1955 me vunjotasin Pirro Laska, (pinjollin e Dhimitër Laskës, një prej mjeshtërve gurëskalitës tepër të njohur dhe ndër më të mirët e trevës së bregdetit dhe  bashkëshortes së  tij, Mare Andonit) i cili në atë periudhë kohore, ndonëse i ri në moshë, shërbente si Komandant i Regjimentit të Korçës. Madje aty lindin edhe dy prej fëmijëve të Liza Laskës, e cila gjatë gjithë jetës së saj, ruante impresione dhe një simpati të jashtëzakonshme e një dashuri krejt të veçantë për Korçën dhe bijtë e saj.

Prej datës simbolike të 27 Nëntorit të vitit 1962, aktorja Liza Laska i përket tanimë trupës së teatrit profesionist të porsakrijuar të qytetit të Vlorës, ku së bashku me kolegët e tjerë si, Vangjel Panozaqi, Astrit Hasho, Pirro Sava, Myqerem Fera, Vasillaq Godo, Ali Roshi, Evgjeni Shtrepi, Andon Qesari, Dudi Hasho, Kristo Shkurti, Vasil Beqari, Luan Toto, Zyhdi Kapo, Ana Neko, Haxhire Myrto, Reshit Mehmeti, Orian Hajro e të tjerë, në sallën e kinoteatrit «7 Nëntori», çelin siparin historik duke  realizuar dhe prezantuar shfaqjen e parë, me veprimtarinë muziko-letrare «O flamur gjak, o flamur shkabë», duke legjitimuar profesionalisht ekzistencën e një trupe teatri profesioniste.

Për  aktoren Liza Laska, startojnë vite sfidash dhe betejash serioze, për të lartësuar artin  teatral në nivele të larta, duke dëshmuar njëherazi përkushtim, talent dhe një performancë artistike tepër admiruese. Ε pasionuar dhe e dashuruar me skenën, me aktrimin, me seriozitet e kmbëngulje duke interpretuar fillimisht në premierën e parë të Trupës Profesioniste në dramën «Fundosja e skuadrës» të dramaturgu rus Korneiçuk, ngjitur në skenë prej regjisorit Kujtim Spahivogli, me skenografi të Shaban Hysës dhe ndriçimin e realizuar nga ana e Dhimitër Anagnostit. Μandej me shfaqjen e komedisë «Kush qesh i fundit» të autorit rus Konrad Kapriva, me regjisor Nazmi Bunjaku, me dekorin e realizuar prej Pandeli Shamos, nën interpretimin impenjues dhe me nivel të lartë të kolegëve aktorë si Myqerem Ferra, Albert Verria, Vangjel Panozaqi, Astrit Hasho, Zyhdi Kapaj, Haxhire Myrto etj.

Profili dhe rrugëtimi artistik i aktores protagoniste Liza Laska, nga viti në vit, nga dekada në dekadë, pasurohet duke u dhënë jetë e gjallëri, duke mishëruar personazhe origjinale me një mjeshtëri të rrallë interpretative, si në dramat «Fundosja e skuadrës», «Sinjali i kuq», «Lidhur si fishekë gjerdani», «Fytyra e dytë», «Jatagani», «Familja e peshkatarit», komedinë «Luani i shtëpisë», «Rruga Budi 723», «Nëntori i flamurit», «Κristali Blu», «Sakrifica», ku meritonte respektin dhe mirënjohjen e artdashësve të shumtë, si suksese në karrierën e saj artistike.

Me thjeshtësinë dhe modestinë e saj, Liza Laska, e cila në skenë demostronte gjithë performancën e saj, nuk përmonte rolet dytësore, përkundrazi me frymëzim e vizion, ajo ravijëzoi artistikisht një gamë rolesh të dyta apo episodike, të cilat janë vlerësuar për forcën shprehëse, për impaktin dhe origjinalitetin e spikatur, të lojës së saj aktoriale.

Madje edhe pasi doli në pension, Liza Laska nuk u largua asnjëherë prej skenës së teatrit, duke qenë aktive dhe pasionante në misionin e saj shumëdimensional. Kësisoj si një Zonjë e Madhe e Teatrit, si një aktore shumëprofilëshe që i përkiste plejadës së brezit të aktorëve të suksesshëm të pasluftës, me vullnet e këmbëngulje, me stoicizëm e kërkesa të larta në skenat e teatrit, duke u dëshmuar si protagoniste në rolet e grave, ajo realizoi mbi 100 role të arritur e të papërsëritshëm.

Në vitin 1971, aktorja Liza Laska  debuton në kinematografi duke  interpretuar  në filmin «Malet me blerim mbuluar» dhe në vijimsi për të pasuar mandej angazhimin e saj në një sërë fimash të suksesshëm, si në filmin «Brazdat», «Shtigje lufte» (plaka e Rremës), «Lulëkuqet mbi mure» (shërbyese e Strehës Vorfnore), «Dimri i fundit», «Kthimi i ushtrisë së vdekur», (1989) «Gurët e shtëpisë sime» (1985) «Vendimi», (1984), «Dritat e qytezës», (1983), « Në prag të lirisë», (1981), « Plumba perandorit», (1980), « Liri a vdekje», (1979), «Gunat mbi tela», (1977), « Dhe vjen një ditë», «Familja ime», «Vdekja e burrit», 1991 e së fundi në filmin «Një ditë e mrekullueshme», prodhim i vitit 2002 etj.

Si një aktore e mrekullueshme, si një emblemë e gjallë e artit skenik shqiptar, Liza Laska realizoi 22 role në kinematografi, të cilat  mishëronin talentin e saj, realizmin e përkryer dhe një interpretim të veçantë perfekt. Ajo ishte një artiste e vërtetë që dinte të magjepste audiencën dhe artdashësit e shumtë që e ndiqnin me kureshtje dhe interesim.

Por që  natyrisht, kurrësesi nuk u mbështet vetëm në talentin  e saj, por pas çdo suksesi, në rolet e arrira, mishërohej një përpjekje e madhe, një punë këmbëngulëse, një perfeksionim impenjues, larg standartizimeve dhe shabllonizmave krejt pa vlera.

Si një prej yjeve të artit shqiptar, artistja me vlera origjinale dhe të papërsëritshme Liza Laska, do të  shuhet përfundimisht duke lënë frymëmarrjen e saj të fundit më 1 Shtator 2014, në moshën 88-vjeçare. Por aureola dhe prezenca e saj, ndodhet e pranishme në skenën e studiot e Teatrit «Petro Marko» në Vlorë. Në karriget e sallës së shfaqjeve,në  gjithë ato mjedise që ajo shpalosi talentin e saj, që me pasion adhuroi, aty ku ajo lindi,kontribuoi me vetëmohim dhe mandej u shua. Si një prej figurave vezulluese ku u shkruajt pjesëza e historisë së ndritur të Teatrit Dramatik Vlonjat. Tek familja e saj e mrekullueshme,tek biri dhe bijat,tek dhëndrri dhe nuset,tek nipërit dhe mbesat,tek gjithë të afërmit e saj,tek gjithë artdashësit shqiptarë.

 

Në vend të epilogut…

Princesha e aktrimit Liza Laska, e ngjizur prej natyrës me një zë kumbues, e përkushtuar në mjeshtërinë aktoriale mbresëlënëse, simboli i artistes me një kontribut madhor e të jashtëzkonshëm në fushën e kulturës së vendit e veçanërisht në teatër dhe kinematografi, përcjell tek të gjithë emocione të rralla të pashlyeshme. Duke sendërtuar dhe skalitur një art të pavdekshëm, falë dhuntive dhe aftësive të spikatura artistike, me kthjelltësi reale, me mjeshtëri të rrallë e një finesë shprehëse, mundëson realizimin e një mozaiku të pasur personazhesh dhe figurash artistike, të cilat janë fiksuar në memorien e gjithë publikut artdashës.

Ndonëse sot ajo nuk mund të jetë fizikisht e pranishme në këtë Përvjetor Jubilar të Ditëlindjes, por gjithsesi Liza Laska, me magjinë e artit të saj shprehës që ofroi për afro 7 dekada sistematikisht  në skena dhe ekranin e filmit, ndodhet e pranishme në kujtesën e gjithësecilit, në memorjen e gjithë bashkëkohësve

Aktorja legjendë Liza Laska, ndonëse na mungon fizikisht, në realitet i përket përjetësisë dhe do të mbetet e gjallë dhe e pavdekshme. Si një misionare e Shenjtë dhe Hyjnore, ajo ndodhet përherë mes nesh, duke ndriçuar jetët tona, me  gjallërinë dhe dinamizmin e saj, siç shfaqet në rolet e saj të ngjizura me mjeshtri e përsosmëri. Ajo ndodhet në bisedat e diskutimet tona për filmat e saj të realizuara, për ekspresivitetin, origjinalitetin, për  tragjizmin dhe emocionalitetin, për magjinë e shkëlqimin që i ofroi pambarim skenës dhe ekranit, si një  thesari i vyer i kulturës tonë teatrore dhe kinematografike.

Ndonëse në karrierën e saj të suksesshme dhe brilante, Liza Laska u vlerësua me «Medaljonin e Festivalit», (1976) për angazhimin dhe interpretimin e saj në filmin «Dimri i fundit», e ndonëse është kurorëzuar me titullin «Artiste e Merituar», është fare pak dhe krejt e pamjaftueshme për një artiste me dimensionin dhe përmasat e saj.

Mundet prej kohësh autoritetet zyrtare shqiptare si ata të Tiranës, por veçanërisht ato vendore të Vlorës dhe Himarës, enkas ta kenë harruar. Por asnjëherë nuk harrohet prej njerëzve të thjeshtë, prej artdashësve që ajo u përkiste… Sepse Liza Laska u ngjit në majat dhe lartësitë e suksesit, duke gdhendur me gërma të arta emrin e saj në Panteonin e Përjetësisë të Artit dhe Kulturës shqiptare.

Gjithsesi është krejt i pashpjegueshëm absurdi që një prej ikonave të gjalla e të pavdekshme të artit vlonjat e mbarëshqiptar, të mos vlerësohet dhe nderohet ashtu siç e meriton kjo artiste e përkorë. Është krejt i pajustifikueshëm absurdi që përse të memorizohet  me emrin e saj një studio, skena e teatrit apo diku tjetër ku mjeshtëria e aktores së jashtëzakonshme është ende e pranishme. Është krejt absurde të mos nderohet e vlerësoht me titujt e lartë një misionare artiste si Liza Laska, që gjithë jetën e saj ia përkushtoi Teatrit dhe Kinematografisë.

Dallkaukët meskinë, interesaxhinjtë dhe pazarxhinjtë liliputë, marionetat e bindura partiake pa asnjë meritë e kontribut, vrastarët dhe varrmihësit e kobshëm të artit e kulturës vlonjate, lipset të zgjohen prej letargjisë së turpshme që mbizotëron në ditët e sotme.

Legjenda Liza Laska, si një kolose e skenës shqiptare, si një prej aktoreve dhe figurave më të rëndësishme të teatrit tonë bashkëkohor, kapërceu me famën e saj, me kontributin e çmuar që ofroi, jo vetëm kufijtë e Vlorës, por edhe të vetë Shqipërisë.

Si bashkëkohës, me respekt e veneracion, përulemi, para madhështisë dhe gjenialitetit artistik të veprës dhe kontributit të Ikonës së Skenës dhe Ekranit, të papërsëritshmes, Liza Laska.

Kujtimi yt është i përjetshëm, aktorja e pavdekshme Liza LASKA!

Faleminderit përjetësisht!

Athinë, 06.02.2021

 

 

Please follow and like us: