Andi Bushati: Nano, sharlatani që kemi merituar
Rishfaqja pas kaq shumë kohësh e Fatos Nanos vërtetoi sërisht një thënie që sado e rëndomtë të duket, po aq e vërtetë rezulton në çdo rast kur vihet në provë: popujt kanë udhëheqësit që meritojnë.
Dhe këtu nuk e kam fjalën për intervistën e tij banale në “Opinion”, por për çudinë që më shkaktoi dallga e reagimeve ndaj saj.
Një turmë laramane njerëzish, e përbërë nga opozitarë të vendosur, nga ish nanoistë që urrejtja ndaj Ramës i ka hedhur në krahët e PD apo LSI, nga armiq të përbetuar të rilindjes dhe 99-shave që e popullojnë atë, kanë shpërthyer në rrjetet sociale me tallje, sarkazëm e madje edhe me fyerje për liderin e dalë në pension këtu e një dekadë e gjysëm më parë.
Fortuna e shkaktuar është e paimagjinueshme.
Disa i kujtojnë se tani para zgjedhjeve nxitoi ti presë Ramës thonjtë e nxirë, me të cilët e njohu si “refugjat dhe trafikant ikonash në Paris”. Disa e përçmojnë se përdori edhe dhimbjen e nënës së ndjerë, në favor të bizneseve të sotme të gruas. Disa e përbuzin për pozicionin aspak komod të një pijaneci që reket të bëjë alibinë e një drogaxhiu.
I gjithë ky reagim vjen prej faktit të thjeshtë se Fatos Nano vendosi të shplajë Ramën në studion e Fevziut, tani në prag të zgjedhjeve, duke lëpirë në mënyrë të neveritshme gjithçka ka përshtyrë për vite me radhë kundër tij.
Dhe pikërisht këtu qëndron problemi. Sepse të gjithë ata që sot po hedhin gurë mbi liderin e vjetër të PS-së, mëtojnë ta masin përmes vlerash që ai, as nuk i ka pasur, as nuk i ka pretenduar: si koherenca, ndershmëria dhe gjykimi parimor.
Armiqtë e rilindjes që sot po e anatemojnë, dikur e kanë adhuruar për të njëjtat mëkate që tani nuk ia falin dot.
Ai ishte treguar po aq mashtrues dhe i pabesë me soialistët, kur në vitin 2007, u shfaq në krah të të ndjerit Sokol Olldashit në fushatën e tij për zgjedhjen në Bashkinë e Tiranës, kundër Ramës. Ai i nguli një tjetër thikë pas shpine PS, kur i trafikoi gjashtë deputetë nanoistë për të zgjedhur Bamir Topin President dhe për ti hequr Berishës makthin e zgjdhjeve të parakohëshme.
Të gjithë e mbajnë mend se si u rreshtua përkrah doktorit, për të amnistuar njëri tjetrin dhe goditur pasardhësin e vet socialist, në sfondin pompoz të pallatit të Brigadave. Askush nuk e ka haruar shfaqen në ndihmë të Ilir Metës, të cilit qe i gatshëm ti bënte edhe shoferin, në mënyrë që makina e përbashkët të shtypte Edi Ramën.
Pra, që kur është larguar nga politika aktive në shtator të 2005, Fatos Nano është përdorur si një limon i shtrydhur nga sundimtarët e radhës. Berisha dhe Meta e gënjyen në mënyrë të paskrupullt duke u tallur me mirazhin e kandidatit për president, ndërsa pushteti i rililindjes po e telendis në këmbim të ndonjë avantazhi në biznes që i bën familjarëve të tij.
Prej 15 vitesh Nano nuk ka ndryshuar (shih dokumentarin ketu). Ai e ka kthyer në monedhë allishverishesh aureolën e dikurshme të të burgosurit politik dhe mantelin sqimtar të modernizuesit të partisë së dikurshme komuniste.
Dhe në këtë pikë ai është vetvetja. Këtu ai nuk ka zhgënjyer askënd, sepse dhe naivëve apo ëndërrimtarëve më të mëdhej, nuk i ka lënë mundësinë ta gjykojnë me parametra moralë. Cinik, tregëtar idesh, mospërfillës ndaj çdo vlere dhe bindjeje politike, ai nuk mund të akuzohet se është shtirur ndryshe nga ç’është.
Prandaj e gjithë mëria e atyre që bëjnë të mërziturin me piruetat pro Edi Ramës në “Opinion” janë ose naivë dhe budallenj, ose hipokritë dhe maskarenj. Sepse ata janë të njëjtit që i pranonin me duartrokitje shërbimet që dikur Tosi i bënte Saliut. Sepse janë totalisht të ngjashmëm të ata rilindas që dje e mallkonin për thikat mbi shpinë që i ngulte shefit të tyre ndërsa sot e duartrokasin për të kundërtën.
Në këtë kuptim, faji nuk është tek Fatos Nano. As tek përfitimet meskine që ai po të nxjerrë duke vënë në përdoriim grimcat e mbetura të lavdisë së vet të dikurshme.
Këtu problemi kryesor është me ata që e gjykojnë. Me ata që reken ta masin me një metër të ashpër moral, kur sjelljet e tij i bëjnë dëm dhe zënë be për kokën e tij, kur ajo çka thotë u intereson.
Nano është po i njëjti, njësoj pazarxhi e i vogël sa më parë, por edhe ata që bëjnë procesin e tij janë fatkeqësisht të ngjashëm. Edhe ata, qofshin rilindas apo demokratë, rrallë janë munduar ta shohin nën dritën e bindjeve, parimeve, koherencës. Ata e kanë dashur ose përçmuar sipas interesit.
Prandaj dhe ndosha ai është një nga liderët që kemi merituar./lapsi.al