Albspirit

Media/News/Publishing

Drago Siliqi: Një jetë në fluturim

Drago Siliqi lindi më 9 qershor të vitit 1930 në Tiranë, në një familje me tradita patriotike. Bir i poetit Bllazho Siliqi dhe nip i rilindësit të shquar Risto Siliqi, Dragoja u lidh fare i ri me Luftën Antifashiste. Në fillim të viteve 1950, ai punoi në shtypin e rinisë dhe të fëmijëve dhe filloi të botojë vjershat e para. Nga viti 1952 deri në vitin 1957 studioi në Institutin e Letërsisë “Maksim Gorki” në Moskë. Në vitet 1957-1958, punoi si korrespondent i gazetës “Zëri i popullit” në Shkodër. Në vitin 1958 filloi punën si redaktor e më pas drejtor i shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, ku punoi derisa humbi jetën më 13 korrik të vitit 1963, në një aksident  ajror në Irkutsk të Rusisë.

Drago Siliqi ishte poet, kritik letrar dhe botues; ai i ka lënë trashëgim letërsisë shqipe poezi të frymëzuara, si dhe një numër artikujsh kritikë. Ai drejtoi me aftësi dhe pasion shtëpinë botuese “Naim Frashëri” dhe bëri të mundur botimin në shqip të shumë kryeveprave të letërsisë botërore. Vëllimi i tij i parë me poezi, “Zgjimi i pranverës”, u botua në vitin 1950 dhe më pas u ribotua në vitin 1965. Krijimtaria e Drago Siliqit është përmbledhur në disa botime: “Kur zemra flet” (1970); “Poezi të zgjedhura për fëmijë” (1976); “Çdo vit agimet zbardhëllojnë” (1977); “Në kërkim të së resë” (1969, 1973, 1987); “Vepra letrare” botuar në dy vëllime (1986) dhe “Poezi të zgjedhura” e “Në kërkim të së resë” në dy vëllime (2000). Drago Siliqi la pas bashkëshorten e tij, Drita Shundi Siliqi (1933-2013), dhe dy vajzat Darina Siliqi Demiri e Laura Siliqi Konda.

—————————-

Parathënie nga Laura Siliqi Konda

 

Unë nuk e kam njohur babain tim. Isha më pak se dy vjeçe kur ai humbi jetën në një aksident ajror. Largimi i tij nga jeta, në imagjinatën time prej fëmije, mori përmasa hyjnore: një supernjeri që shkëputet nga toka drejt qiellit dhe mbetet përherë në fluturim, e unë në pritje që një ditë ai të zbresë në tokë e ta përqafoj përsëri. Me kalimin e viteve, ndërsa njihesha më mirë me tim atë përmes pranisë së tij të përhershme në jetën e nënës sime, e cila e kujtonte vazhdimisht në episode të ndryshme të jetës së përditshme, si dhe përmes historive të miqve të tij të shumtë, që vinin te ne të paktën dy herë në vit (ditën kur lindi dhe në atë të vdekjes) gjithmonë i kam bërë pyetjen vetes: çfarë mund ta bëjë një njeri kaq të dashur dhe të paharruar për të afërmit, miqtë e ish-kolegët? Përse vazhdon të kujtohet me adhurim mbas kaq vitesh njeriu, poeti, kritiku e botuesi Drago Siliqi? Është pamja e tij prej Pegasusi, e ngulur në mendjen e njerëzve, përmasat e tij fizike madhështore, apo ishte temperamenti i tij i zjarrtë, shprehja me guxim e mendimeve, ndjeshmëria e thellë dhe dashuria që ai kishte për njerëzit? Ndoshta të gjitha së bashku…

Ndërsa shfletoj kujtimet e miqve dhe të ish-kolegëve, shoh vlerësimin e tyre të sinqertë, edhe pas shumë vitesh të ikjes nga kjo jetë, për një njeri që, siç kujtojnë ata, gëzohej së tepërmi me suksesin e të tjerëve. E parë përmes lenteve të kontekstit historik, nuk është e vështirë të kuptosh ndikimin pozitiv që Drago Siliqi pati në kohën kur ai jetoi. Në një kohë kur lufta e klasave forcohej vazhdimisht ai qëndroi në anën e progresit: i dha mundësinë për të ushtruar profesionin e përkthyesit intelektualëve me vlerë dhe mjeshtërve të përkthimit, një pjesë e të cilëve kishin vuajtur dënimet e diktaturës dhe ishin izoluar si të tillë, si Lasgush Poradeci, Dhimitër Pasko, Vedat Kokona, Sotir Caci, Gjon Shllaku, Klio Evangjeli, Robert Shvarc… Në vitet kur ai ishte Drejtor i Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, e vetmja në atë kohë, lexuesi shqiptar u njoh për herë të parë me krijimtarinë e kolosëve të letërsisë botërore si Gollsuorthit, Drajzerit, Hemingueit, Eluarit, Remarkut e sa e sa të tjerëve.

Në një intervistë, përkthyesi i mirënjohur i Iliadës, Gjon Shllaku, kujton: “… Dragoja ka qenë promotori i botimit të Iliadës. Sipas meje ai ka qenë një njeri ideal, një mecenat i palodhun”. Lasgush Poradeci, të cilin im atë e vlerësonte shumë si poet, do të thoshte se: “na qeshi fati kur drejtor u vu Drago Siliqi”. Shkrimtari Naum Prifti, me të cilin ishin kolegë në Shtëpinë Botuese, kujton: “Ai solli një frymë të re në fushën e përkthimit. Për Dragon, ruajtja e bukurisë së origjinalit ishte aq parësore sa edhe arritja e këtij efekti te lexuesi në gjuhën e përkthyer”.

Poezia ishte dashuria e tij e parë si shkrimtar. Ndonëse u nda nga jeta kur ishte vetëm 33 vjeç, im atë la pas poezi të ndjera, si “Atdheu”, “Nana”, “Dashunia”, apo poemën filozofike “Kangë e re për dashuninë e vjetër”, një vepër që vazhdon të vlerësohet për analizën psikologjike të personazheve, si dhe për temën e kurbetit që mbetet ende aktuale. Kolegët e tij shkrimtarë e mbajnë mend si kritikun e tyre të drejtë e të paanshëm, që i analizoi e i vlerësoi veprat e tyre, që mbrojti teza mjaft të avancuara për kohën, duke kritikuar skematizimin e formalizmin në art, tendenca që po viheshin re në rritje në atë kohë; ai në analizën që i bënte veprës përmbajtjen e merrte të lidhur ngushtë me formën. Në debatin e fillimit të viteve ’60, kur u vunë përballë dy grupe krijuesish, ata tradicionalë e konservatorë dhe ata të sapoafirmuar, si: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Dhori Qiriazi, Vangjush Ziko e të tjerë, ai vlerësoi dhe doli në mbrojtje të poetëve e shkrimtarëve të rinj, që sollën një frymë moderne në letërsinë shqipe. Në artikullin “Në kërkim të së resë” ai do të shkruante: “… E reja e çan rrugën me vështirësi, por herët a vonë, fitorja e saj është e sigurt. Kështu ngjet veçanërisht me të renë poetike. Elementët konservatorë, shpeshherë s’e kuptojnë kërkimin në këtë lëmë e bile, kur gjenden përballë faktit real të zbulimit poetik, ta quajmë kështu, prapëseprapë ngurrojnë në pohimin e së drejtës së ekzistencës së saj…”. Natyrisht që çdo periudhë historike ka ndikimin e vet tek autori. Por analiza nuk është e plotë, nëse nuk shohim edhe anën tjetër të medaljes, atë të ndikimit të shkrimtarit dhe kritikut në kohën kur ai jetoi. Gjithmonë më kanë vënë në mendime për miopinë e tyre disa njerëz që pretendojnë se “bëjnë kritikë objektive”, duke mohuar gjithçka të krijuar në periudhën e Letërsisë së Realizmit Socialist. E vërteta është që, brenda kornizave të një jete nën diktaturë e shtypjeje të paprecedent të fjalës së lirë, pati shkrimtarë, që falë kurajës dhe talentit të tyre, bënë të mundur që shoqëria shqiptare të mos binte në një terr të plotë intelektual e moral. I tillë ishte edhe im atë, Drago Siliqi.

Kadareja kujton vazhdimisht, krahas me këmbënguljen e mikut të tij Drago Siliqi për ta shndërruar tregimin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në romanin me famë botërore që kemi sot, edhe mbështetjen që ai i ka dhënë në vitet e para të krijimtarisë së tij, sidomos për botimin e vëllimit poetik “Shekulli im”, tepër i avancuar për kohën, duke marrë përsipër me guxim, veç përgjegjësisë si drejtor i Shtëpisë Botuese, edhe detyrën e redaktimit të librit.

Ndërsa kritiku Dalan Shapllo kujtonte: “Ai e thoshte shumë haptazi dhe me çiltërsi shoqërore mendimin e tij mbi veprat e problemet letrare, hynte në polemikë; kur diskutoheshin veprat letrare ose fenomene të veçanta, ai mbante qëndrim dhe e mbronte pikëpamjen e vet sinqerisht…”. Profesor Ymer Çiraku, duke i bërë një analizë artikujve kritikë, shkruan: “Si vëllim, këto tekste kritike të D. Siliqit, nuk janë shumë. Por ato kanë vlerën e madhe se burojnë prej ideve të guximshme dhe këto ide përqendrohen te një vizion/projeksion i palëkundur…”. Në kujtimet e tij, poeti Fatos Arapi shkruan: “Ishim përplasur disa herë, por Dragua ishte nga ata të paktët, me të cilët përplasja ia vlente. Ishte i sinqertë e guximtar… Humbja e Dragos ishte një humbje për të gjithë, për miqtë dhe për kundërshtarët, sepse tek ai kishte vend për të gjithë ne”. Shumë vite më pas, shkrimtari i ri Teodor Keko do të shkruante: “Kur ne i rilexojmë artikujt kritikë të Drago Siliqit, themi me bindje: ‘ja kritiku!’. Atje gjen analizën e hollësishme kritike të një realiteti, të cilin ne e njohëm thuajse siç e parashikon dy dekada e ca më parë kritiku ynë i njohur. Ai e zbuloi artistin që në fazën embrionale, e përkrahu atë dhe as përhapi opinione të rreme ‘S’ka vepra!’, as qëndroi indiferent ndaj botimeve më bashkëkohore”.

Këtë analizë të hollësishme të veprave e gjen edhe në letërkëmbimin e tim eti me bashkëshorten e ardhshme, nënën time, Drita Shundi Siliqi, gjatë viteve 1952-1957 kur ai ishte student në Moskë. Në këto letra mes të tjerash ai jep gjykimet e tij për shkrimtarë të traditës, si Naim Frashëri, Andon Zako Çajupi, Asdreni, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda e Migjeni. Në një kohë kur Fishta kritikohej nga regjimi i kohës, ai do të shkruante se “…

Lahuta e Malcisë” është një vepër patriotike se i këndon heroizmit të shqiptarëve”, apo do të analizonte me hollësi veprën e Migjenit: “Sipas mendimit tim, Migjeni mbetet më i fuqishmi poet e shkrimtar i letërsisë së re shqipe. ‘Vargjet e lira’ dhe prozat e tij janë prodhime vërtet të bukura që e stolisin letërsinë tonë”. Një pjesë e vogël e këtij letërkëmbimi është përfshirë edhe në këtë botim. Është ky letërkëmbim mes dy të rinjve të dashuruar, të cilët që në embrion të lidhjes së tyre të sinqertë, janë të përkushtuar ta ndërtojnë jetën me punë të ndershme, si intelektualë të vërtetë. Por vdekja i ndau ata, duke i lënë Dritës barrën e rëndë të rritjes së të dy vajzave e vetme, duke mbajtur përherë të gjallë dashurinë për Dragon. Gjatë një periudhe 30-vjeçare ajo i botoi disa herë shkrimet e tij.

Synimi im në ribotimin e kësaj vepre përmbledhëse të poezive dhe kritikave të tim eti, si dhe i disa prej shkrimeve dhe kujtimeve të ish-kolegëve e miqve të tij, të botuara në shtypin e kohës dhe shumë vite më pas, është që lexuesi të njihet jo thjesht me Drago Siliqin, botuesin, shkrimtarin e kritikun, krijimtaria e të cilit u ndërpre në mënyrë tragjike në moshën 33-vjeçare, por përmes tij, edhe me kohën kur ai jetoi, duke lënë gjurmën e një njeriu që e dashuroi letërsinë dhe po aq shumë edhe njerëzit. Siç e parashikoi vetë im atë, Drago Siliqi kredon e tij, “Ka zogj që gjithë jetën fluturojnë,/ edhe vdesin duke fluturuar./ Ka dhe zogj që plehrave rrëmojnë/ dhe në çerdhe ngordhin të harruar”.

Please follow and like us: