Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Vota e harruar e emigrantit

 

 

Sipas gjasave edhe në zgjedhjet e 25 prillit 2021 emigrantët shqiptarë nëpër botë nuk do të votojnë. Kushdo që supozon në një Komision zgjedhor të suksesshëm, është palë e regresit plot 30 vjeçar të politikës në Shqipëri. Madje është një turp intelektual që shtypi nuk ka asfare presion mbi reduktimin e borxhit që kasta politike ka ndaj qytetarit të saj. Madje kur dëgjon si justifikim se mënyra se si votojnë emigrantët shqiptarë të Kosovës, me postë dhe që supozon probleme etj., bashkëpunon fuqishëm me regresistët.

Në raport me Kosovën ne jemi vite dritë mbrapa. Qytetaria e shqiptarëve të Dardanisë është tërësisht ndryshe nga ajo e shtetit amë. Kuptohet ne po e ndërtojmë demokracinë me mendësinë e diktatit. Shqiptarët emigrantë të Dardanisë votojnë thjeshtë, e gjeni mënyrën e aplikuar në faqen e KQZ-ës së Prishtinës. Për ta kuptuar, emigrantit nga Dardania i duhet të regjistrohet online. Dhe komisionerët e KQZ-së në Prishtinë bëjnë verifikimin përmes telefonit. Më tutje ky qytetar printon fletën e votimit, voton dhe e nis atë të mbyllur në zarf përmes postës. Dhe kjo ka një afat të paracaktuar, që domethënë voton më herët, pasi posta do ditë të çojë në destinacion votën tuaj. Kësisoj votat e emigrantëve mblidhen mënjanë në seksionin përkatës dhe numërohen në fund. Pasi ka mbaruar votimi dhe numërimi i votave në gjithë vendin. Kaq dhe nuk ka se ku vej më thjeshtë.

Kurse në Shqipëri ka një heshtje humnerë në lidhje me këtë çështje. Madje ca mjekrrosha me kollare nëpër studio ia hedhin fajin KQZ-ës në Tiranë. Qeveria e ka bërë të sajën, e nxorri ligjin, i mbete KQZ-së të operoj më tej. KQZ-ja ngre supet dhe kërkon konsensus politik. Opozita ia hedh fajin të dyjave, kurse shtypistat analizojnë lart e poshtë mbi teknikat efikase dhe jo efikase apo problematikat në vendet e tjera mbi këtë çështje. Ndaj borxhi moral karshi gjakut nëpër botë është bërë një mur ndarës i tipit të Berlinit. Aq të forta janë përplasjet për politikë sa mbas një dopio raki të heqin edhe qafe. Kësisoj pavarsisht rrahjes së gjoksit jemi vendi më bullist në botë karshi qytetarit tonë.

Emigrantët shqiptarë sot qofshin kushdo e kudo ku janë nuk e kanë të drejtën e votës. Dhe kjo është e kuptueshme. Asnjëra nga palët nuk e do votën e tyre. Nuk e duan njëshat, nuk e duan as sejmenët e tyre. Nuk e do as fuqia intelektuale që aludon me argumenta pa fund mbi firot e votës me postë, biometrike, elktonike etj. Tek ne faji nuk ka qënë asnjëherë i njëshave, madje rreziku më i madh janë dyshat e treshat anës, mbrapa, para dhe sipër… Dhe kjo është e kuptueshme, kultura e diktatit të diktaturës. Ndaj edhe çështja e votës së emigrantit sot është temë e mbyllur. Kontigjent i burokracisë. Shkurt nuk na duan. Regjistrat, kartat e identitetit, fletoret me emra tashmë janë kopsitur. Emigrantët pa diskutim që i do i prishin balancat. Dhe sa për dijeni, thuajse 85% e emigrantëve nëpër botë votojnë në shtetin amë. Sigurisht bëjnë përjashtim vendet e Afrikës, Shqipëria, Bolivia dhe Koreja e Veriut./albspirit.com

Please follow and like us: