Portreti i Nanos në librin mbresëlënës ‘Kurbani’ të Edi Ramës
Dalja e fundit në publik, e liderit historik të PS, Fatos Nano po mban gjallë polemikat në shtyp lidhur me piruetën 180 gradë që ai bëri në favor të kryeministrit aktual, Edi Rama. Përpos lavdërimeve për pjekurinë dhe forcën në ushtrimin e detyrës së kryeministrit, Nano tërhoqi vëmendjen edhe me pohimin se, herë pas here, ai e këshillonte pasardhësin e vet. “Unë kam fatin se të kam ty, kurse kur ti ke qenë në vendin tim, nuk ke pasur me këtë të këshillohesh” citoi Nano, Edi Ramën.
Po sa qëndron ky pohim dhe sa beson Edi Rama në aftësinë, përgjegjshmërinë dhe kapacitetin e Fatosit për ta këshilluar?
Mënyrë më të mirë për të kuptuar sinqeritetin e kësaj lidhjeje është ti referohemi atyre që vetë Rama thotë në librin e tij “Kurbani”. Kjo për faktin se ai është shkruar në vitin 2011, pra 6 vite pasi Nano kishte dhënë dorëheqjen, dy vjet pasi ai nuk ishte më deputet dhe një rival në jetën aktive politike.
Pra skicimi që Rama i bën tek “Kurbani”, është i zhveshur nga krahasimet me Robert Çamçakizin, personazhin qesharak të një filmi të realizmit socialist, që vërsillej me duar në xhepa si parazit në kantjer. Ai nuk ka më konotacionin ditor të luftës politike që shpesh i bënë protagonistët të thonë edhe ndonjë fjalë më tpër sesa mendojnë.
E megjithëatë edhe nga këtu, nga ftohtësia e njeriut që hedh në letër kujtime që është shumë e ndryshme nga ajo e sfidantit që ndodhet në betejë, Edi Rama i vizaton një portret tallës, denigrues dhe me aspak vlerësim, Fatos Nanos.
Në “Kurban” Nano përshkruhet si një njeri “me natyrë prej aventurieri gjysëm romantik e gjysëm marifetçi, i dashuruar me veten si askush…i pa lexuar, i vetësigurtë në shfaqe e i luhatur në brendi… i zellshëm për të mos dëgjuar asgjë serioze, sa i dhënë pas pushtetit të tij mbi të tjerët, aq i papërgjegjshëm për shpërdorimin e pushtetit të marë nga të tjerët” (faqe 61).
Duke shtuar se brendja familjes së madhe të socialistëve, ai vetë, Rama pra, e ka të vështirë të gjejë ndonjë kritik më të fortë sesa vetja kundër qeverisjes së Nanos (faqe 247) ai bën një krahasim mes dy liderve historikë të partive të mëdha: “Qeveria e Fatosit mblidhte urrejte ngaqë nuk dinte ti bënte gjërat siç duhet, por nuk mbillte urrejtje, ndërsa qeveria e Saliut mbledh urrejtje ngaqë nuk i bën gjërat siç duhet” shkruan ai në një paragraf ku shton se Fatosi ia punoi keq vetes dhe Shqipërisë.
Kur përshkruan përdorimin që Sali Berisha në pushtet i bëri Fatos Nanos, kundër Ramës dhe gjithë socialistëve kryeministri aktual nxjerr gjithë mllefin, cinizmin dhe përçmimin e tij për paraardhësin. Ao flet për “perversitetet e kthyera në instrumenta të luftës politike”, që në fillim ia zbehën respektin të cilin ia rrënoi përfundimisht “flirti i tij mendjelehtë e zvjerdhës deri në shpërfytyrim me Saliun, që e çoi në pikën e hallit, ku s’di të ketë përfunduar ndonjë herë ndonjë nga liderët e dy forcave politike të një vendi, duke parë syhapur ëndra me këna e krëhër në dorë, para pasqyrës së qenefit të kundërshtarit politik” (faqe 59).
Pikërisht ky Nano, që përfundoi si “karrem në harremin politik të Saliut”, që krijoi një “të majtë që s’ishte e majtë, por hibrit mes të majtës e muhabetit për muhabet”, një narciz që rregullon ato pak flokë të lyera me krëhër para pasqyrës, aventurier, marifetçi, i palexuar, e e me luhatje të brendëshme, është Fatosi që përshkruhet si personazh tek “Kurbani”.
Pandaj, vetëm duke iu kthyer këtij libri të shkruar në 2011, ne mund të kuptojmë më lehtë se sa e sinqertë dhe reale është dashuria e sotme mes dy politikanëve socialisë. Prej këtej mund të zgjidhet kollaj edhe dilema, se me sa seriozitet i pret Rama këshillat e paraardhësit, apo thjesht e përdor “si karrem për harremin” e vet, ashtu sikurse thoshte dikur për Berishën./lapsi.al