Albspirit

Media/News/Publishing

Çapajev Gjokutaj: In memoriam, Ben Fagu…

Lajmi për ikjen e Ben Fagut erdhi tronditës: ikje para kohe e njeriut të mirë. Pasi kalojnë çastet e para ndjen se keqardhja nis e merr trajtën e trishtimit, diçka e hapsirtë, me shtrirje të gjerë e të butë. Dhe të ngjan se, edhe duke ikur, Beni bën kujdes të mos të të lëndojë.
Rasti e solli të punoja disa vjet me të në fondacionin Soros, ku menaxhonte një program sporti. Në fillim, kur hasa emrin e tij në listën e punonjësve, supozova se marrëdhënien nuk do ta kishim dhe aq të lehtë.
Sportist, njeri me emër e popullaritet të gjerë, gjykova. Atëhere kisha përshtypjen iluzore se njerëzit e sportit dhe të spektaklit, të rrethuar nga admirimi e duartrokitjet, priren t’i japin vetes më shumë vlera se ç’kanë dhe kjo nuk para e ndihmon marrëdhënien e punës.
Shumë shpejt do të bindesha për të kundertën, në sjelljen dhe punën e Benit nuk dalloje kurrfarë ndikimi nga emri dhe fama. Përcillte mirësi dhe dëshirë për afrim me gjithë qënien e tij, me buzëqeshjen gati të përhershme, me shikimin e ngrohtë të stërpikur nga një tis i lehtë trishtimi, me qasjet praktike dhe me gatishmërinë për ta lehtësuar punën dhe komunikimin.
Të jesh njeri me emër dhe të mbetesh përherë modest deri në kufijtë e përulësisë, është dëshmi vlerash njerëzore të rrënjosura thellë nga familja e rrethi shoqëror, por mbi të gjitha nga prirja dhe zgjedhja jote.
Njerëz si Ben Fagu, me praninë por edhe me mungesën e tyre, të kujtojnë se në kohën tonë, kur televizionet dhe rjetet sociale e kanë shndërruar shumëçka në shfaqje e shtirje, njerëzillëku, natyrshmëria dhe modestia janë bërë shumë më të çmuara./albspirit.com
Please follow and like us: