Albspirit

Media/News/Publishing

Leonard Olli: Për histerinë anti-Nano pas daljes në ‘Opinion’

Kjo histeri pas daljes së Fatos Nanos në tregun mediatik është një nga aspektet më qesharake të jetës sonë publiko-mediatike… palët u ndërsyen ta shajnë apo ta lavdërojnë, bazuar mbi akuzat apo lëvdatat që Fatos Nano hodhi ndaj shefave të rinj që ata kanë përzgjedhur të kenë mbi kokë, jo për badiava kuptohet… Po realisht është situata më tragjikomike që kanë hedhur mbi tavolinën e sherrnajës politike të stërezaurur të balozëve politikë… Personi i vetëm që sot ka shijuar gjithë këtë tallava, duke qeshur me lot ndërsa thith puron e stërmadhe e duke gjerbur ngadalë-ngadalë xhin tonik pa fund, është vetë Fatos Nano.
Ju lutem të gjithëve, gjeni në internet lajmet mbi reagimet po për Fatos Nanon, pas një dalje në ‘Opinion’, në ditën e fundit të dorëzimit të listave të kandidatëve për deputetë, në fundmajin e vitit 2009. Asokohe, Edi Rama i çoi listat në KQZ vetëm pasi u mbyll emisioni, duke shkelur afatet ligjore, ndërkohë që gjithë ata që e shajnë sot e shpallën hero, e gjithë ata që po e heroizojnë sot, nuk lanë llaf pa i thënë… madje edhe siç e do zanati i analistit të “përkushtuar” deri në libër shtëpie… Mjafton të rrëmoni pak në arkiv e do të gjeni xhavahire në 180 gradë, krahasimisht me ato që shkruhen sot, nga po të njëjtët emra… Të qeshësh apo të qash me oi…. Nejse, deri të hënën do e shtyjmë jetën tonë me debatin frytdhënës, Nano hero apo Nano- zar i Edi Ramës… Ndërkohë mijëra jetë rrezikohen nga Covid -19, të tjera nga aksidentet, të tjerat nga armët e bandave që lajnë hesapet mes vedi e jo pak të tjerë nga uria…
Ndërkohë Nano qesh sepse, pasi mbylli marrëveshjen edhe për 4 vitet e ardhshme, do të vijojë “vuajtjet” në Vjenë, madje duke harruar të lexojë qoftë edhe një rrjesht on line se çfarë ndodh në atdheun e tij…
5 shkurt 2021.
Please follow and like us: