Albspirit

Media/News/Publishing

Yzedin Hima: Fatos Nano, si doktor Fisheri i Gjenevës

Duke ndjekur një pjesë të intervistës së Fatos Nanos në studion e TV-Klan, kupton se sa inkoherente është politika shqiptare, gjithashtu kupton se me këta lloj politikanësh për inerci kemi mbërritur deri këtu. Fatos Nano shfaqet në publik dhe në media në çastet kur ka treg trafiku influence dhe mund të fitojë diçka. Para disa kohësh u shfaq si shofer i Ilir Metës, duke përbaltur Ramën, ndërsa kohët e fundit si këshilltar i Ramës duke duke hedhur baltë mbi kundërshtarët e Ramës. Nesër… kush e di se si do të shfaqet. Po sjell një tekst të shkruar e botuar në vitin 2004, ku Nano tallej me vartësit e tij, tallej me postin e tij, tallej me votuesit e tij…

Fatos Nano, si doktor Fisheri i Gjenevës
Kryeministri shqiptar Fatos Nano u shfaq fundjavën që kaloi në Berat. Ai mori pjesë në konferencen e zakonshme të degës së PS-së. Ai i la gojëhapur “kongresmenët” e pranishëm kur nisi të ironizonte me një cinizëm prej sulltani vartësit e tij, figura kryesore të pushtetit vendor në Berat. E nisi me kryetarin e Qarkut duke i kujtuar furgona dhe vota të blera, e vazhdoi me qafën masive të ish- kryetarit të Bashkisë, duke i kujtuar korrupsionin e bërë, ironizoi fjalimin e kryetarit aktual të bashkisë dhe vazhdimisht u duartrokit nga “kongresmenët” e pranishëm për fyerjet që shpërndante për krerët e pushtetit vendor sa majtas, djathtas. Po pse ndodh kështu? Si shpjegohet kjo mani për t’u bërë interesant në kurriz të vartësve? Si shpjegohet ai nënshtrim pa kushte si në KPD, në korridoret e Parlamentit, në sallat e selisë rozë? Si shpjegohet që njerëz me kontribute e autoritet në PS dhe në fushat përkatëse nuk bëjnë gëk, kur shefi u thërret lavatriçe, pilaf me qofte, furgon, qafëderr, të korruptuar etj. etj. madje edhe me fyerje që shkojnë më larg se personi të cilit i drejtohen dhe reagimet ose mungojnë ose janë fare të dobta?
Për shpjegimin e kësaj dukurie na vjen në ndihmë një tregim i mrekullueshëm i shkrimtarit të njohur anglez Graham Grin me titull “Doktor Fisheri i Gjenevës”. Personazhi kryesor i veprës, doktor Fisheri, njeri i kamur, fton në vilën e bukur dhe kopshtin e saj, mjaft të njohur. Në vend të koktejlit u servir për të ngrënë bollgur, në kausha të mëdhenj. Të pranishmit duhet të hanin detyrimisht bollgurin dhe më pas do të merrnin dhurata surprizë. Ai që nuk hante bollgurin e pështirë nuk kishte të drejtë të merrte dhuratën. Rituali i ngrënies së bollgurit, stërmundimi njerëzor, nuk e prek fare doktor Fisherin. Kur ai sheh se natyra njerëzore me pangopësinë e saj është gati të bëjë çfarëdo sakrifice në emër të përfitimit, shkon më tej. Në dhuratat surprizë ka disa mijra franga, por njëra prej tyre ka një bombë. Në dhjetë persona që do të luajnë, 9 do të fitojnë, ndërsa njeri do ta pësojë. Dhe nis loja makabër. Të gjthë pranojnë të marrin pjesë në lojë duke vënë në rrezik jetën për shumën e madhe të të hollave. E merni me mend se si e tërheq i pari shiritin e dhuratës. Kur nuk u dëgjua asnjë zhurmë, tmerri i tij u kthye në gëzim të pafund. Për çudi loja nuk u braktis as kur mbetën dy pako dhe bomba ende nuk qe zbuluar. I ftuari i fundit rrezikoi 50 me 50 %. Kur tërhoqi shiritin as vetë nuk e besoi që ishte ende gjallë. Shiritin e bombës së fundit e tërhoqi vetë doktor Fisheri i Gjenevës, duke qeshur e duke u tallur me natyrën e pangopur njerëzore. Nuk kishte asnjë bombë, por Doktori vërtetoi se deri ku shkon makutëria e njeriut, tjetërsimi i tij, shpersonalizimi i tij. Dhe në këtë lojë ndihej sovran, argëtohej deri në kënaqësi biologjike.
Me siguri që z.Nano e ka lexuar tregimin e famshëm dhe duke njohur natyrën e atyre që e rrethojnë, sillet, eksperimenton, tallet në të njëjtën mënyrë si doktor Fisheri i Gjenevës. Vartësit durojnë edhe bollgurin edhe sprovat e tjera, mjaft që të pasurohen sa më shpejt, ndryshe…
Në Berat, z.Nano pas ironisë në mjedise të lira, sulmoi egër kundërshtarët politikë brenda dhe jashtë partisë së tij. Alternativa e tij qe ajo kundër. Kundër ish kryeministrit Meta, kundër kreut të PD-së Berisha, kundër opozitës që “po erdhi në pushtet do të ndalë reformat!?”, kundër… Kreu i PS-së u bëri thirrje socialistëve të bashkohen për të ruajtur pushtetin. Lideri i partisë më të madhe në pushtet, kryeministri i vendit nuk iu drejtua për asnjë çast qytetarëve të Beratit, por vetëm militantëve të partisë së tij dhe meraku më i madh qenë zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Asgjë nuk tha kryeministri kundër varfërisë në rritje, kundër papunësisë, kundër vjedhjeve në tendera, etj. Nga diskutantët askush nuk kritikoi qoftë edhe një ministër apo drejtor drejtorie. I gjithë problemi qe se si të ruhej pushteti vitin e ardhshëm.
Me ç’duket në partitë politike shqiptare qytetarët e përgjegjshëm po bëhen një specie e rrallë. Një ndimesë të madhe ka dhënë edhe vetë z.Nano në këtë drejtim, i cili me joshjen me poste, me teorinë se më i mirë është ai që është me mua, e çmineralizoi PS-në. Për shkak të kontrollit të numrave ai krijoi një kabinet të “fyerish e të poshtëruarish”, pikërisht nga ai vetë. Dhe duhet të kemi parsysh se në gjithë përcaktimet që u kishte bërë Baçit, Naçit, Pilafit etj. z.Nano kishte plotësisht të drejtë. Kur u ofroi “kaushin me bollgur” dhe pas tij postin ministror, të ashtuquajturit disidentë në PS, e hëngrën “bollgurin” me aq babëzi sa që z.Nano iu mbush mendja se ata edhe para sprovave shumë më poshtëruese nuk do ndaleshin, ndaj nuk kishte pse të humbte kohë. Ndau dhuratat (portofolet ministrore), krejt si doktor Fisheri i Gjenevës, por me një ndryshim jo të vogël: Ndërsa doktor Fisheri eksperimentonte në vilën e me paratë e tij dhe tallej me pak të njohur, Nano tallet e eksperimenton me të sotmen dhe të ardhmen e një populli, në institucionet e shtetit shqiptar, me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Një tallje dramatike që e lë shumë pas ironinë e shkrimtarit anglez Graham Grin.
2004.
Please follow and like us: