Çapajev Gjokutaj: Politikanët, virusi, votat…
Covid-19 po përhapet si zjarri në kallamishte, çdo ditë po shtohen nga njëmijë e kusur të infektuar. Një pjesë e mirë e qytetarëve lëvizin pa maska, në kafene e bare njerëzia rri kokë më kokë si bagëtia në mriz, në urbane ngjishen si sardelet në kuti.
Dhe, si të mos mjaftonte kjo moskokëçarje e injorancë masive, vjen darka e na fanepsen ekraneve politikanë që takojnë qytetarë, të gjithë pa maska e grushtbashkuar, dmth ngjitur njeri me tjetrin. Ç’kuptim ka ta takosh tjetrin e të mos e ndjesh pranë, të komunikosh me të e gjysmën e fytyrës ta ketë të mbuluar me maskë?
Me të drejtë mediat thonë se kjo skotë politikanësh po japin shembull të keq se shkurajojnë masat anticovid dhe i dalin në krah virusit për një grusht votash.
Mbase duhet shtuar edhe diçka tjetër. Vërtet në takime të tilla si politikanët edhe qytetarët janë njësoj të ekspozuar, por në rast infektimi pamja ndryshon kryekëput.
Politikani i hipën çarterit e shkon të kurohet në klinika të huaja, kurse qytetari dergjet ditë me radhë në pritje të tamponit dhe pastaj shkund xhepat e hyn në borxh, që të përballojë tregun e zi të ilaçeve dhe sidomos atë të shërbimeve mjekësore në shtëpi që, edhe kësaj pandemie, si në çdo emergjencë e luftë, u krijua tak fak. Natyrisht për t’i ardhur në ndihmë fukarasë./albspirit.com
Please follow and like us: