A do vijë Rusia në Igumenicë? Pse duhet të ketë Shqipëria një ndjenjë alarmi nga harta e pranisë në rritje të flotës ruse në portet detare të Greqisë
Shaban Murati
Qëndrimet e flotave luftarako-detare ruse në portet e Greqisë, një shtet anëtar i NATO-s, po bëhen një fenomen shqetësues. Në 8 shkurt gazeta greke “Ekathimerini” njoftonte se fregata ruse “Admirali Kasatonov” bashkë me një numër luftanijesh shoqëruese qëndruan disa ditë të shkurtit në portin e Pireut. Interesant është se kjo gazetë e mirëinformuar greke shkruan se e ka burimin e lajmit të saj nga njoftimi i ambasadës ruse në Athinë i shpërndarë në rrjetet sociale, pra as nga ministria greke e mbrojtjes dhe as nga ministria e jashtme greke. Gazeta vetëm jep shpjegimin se fregata ruse ankoroi në portin e Pireut, që kontrollohet nga një kompani shtetërore kineze, gjë që krijon mendimin se ka qene kompania kineze, që ka dhënë lejen e qëndrimit të flotës ushtarako-detare rusë në portin e Pireut.
Mirëpo ky nuk është rast i veçuar, sepse jo shumë larg, por në 19 tetor 2020 agjencia ruse e lajmeve “TASS” njoftonte se luftanija e madhe ruse anti-nëndetëse “Admirali Kulakov”, bashkë me luftanije të tjera shoqëruese, bënë një qëndrim disa ditor në portin grek të Pireut, ku ndaluan për furnizime me ushqime dhe karburant, si dhe për një vizitë pune.
Kemi kështu vizita njera pas tjetrës të flotës ushtarako-detare ruse në portet greke, të cilat vijnë herë pas here si flotilje, pra në grup luftanijesh. Këto forma lëvizjesh dhe qëndrimesh të rregullta periodike të flotës ushtarake ruse në portet greke në mënyrë të heshtur sanksionojnë të drejtën apo licencën e flotës ushtarake ruse për të përdorur portet greke për nevojat e tyre të furnizimeve apo të shërbimeve. Me një fjalë, në mënyrë të pashpallur zyrtarisht flota ushtarake ruse ka siguruar një formë të një baze të saj në portet e një shteti anëtar të NATO-s, Greqisë. Zyra e shtypit e Flotës Ushtarako-Detare Ruse, siç raporton agjencia “TASS” në 5 shkurt 2021, deklaroi në një komunikatë të saj lidhur me qëndrimin e flotiljes ushtarake ruse në portin e Pireut se ajo “përmbushi misionin luftarako-diplomatik për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar”. Mirëpo as Zyra e shtypit e Flotës Ushtarako-detare të Rusisë dhe asnjë zyrë shtetërore greke nuk dhanë ndonjë shpjegim se çfarë misioni luftarak dhe diplomatik kishte realizuar me autoritetet greke flotilja ushtarako-detare ruse në portin e Pireut me një shtet anëtar të NATO-s.
Fenomeni i qëndrimeve të rregullta të flotës ushtarako-detare ruse në portet greke, si pjesë e qëndrimit të përhershëm dhe e veprimtarisë së flotës ruse në Mesdhe, nuk mund të mos ngjallë shqetësim në NATO dhe në shtetet anëtare të NATO-s në Mesdhe, përfshirë edhe Shqipërinë. Një nga format kryesore, që përdor Rusia për praninë e saj ushtarako-detare në detin Mesdhe është që në mungesë të një baze të përhershme detare siç ka në Siri, të sigurojë leje-qëndrimet e kohëpaskohshme në portet e shteteve mesdhetare. Kjo formë e re kompenson pamundësinë ruse për të patur një bazë të përhershme detare në shtetet e Mesdheut. Në mënyrë të veçantë kjo formë e sofistikuar e pranisë së rregullt periodike të flotës ushtarako-detare ruse në shtetet e NATO-s dhe të BE është planifikuar nga Moska si mënyrë për të patur hapësirë qëndrimi dhe penetrimi edhe në shtetet anëtare të NATO-s dhe të BE. Pikërisht këtë formë të pranisë së rregullt periodike të flotës ruse e shohim të konkretizuar në portet greke dhe qipriote, ku kemi vazhdimësi qëndrimesh të flotiljeve ushtatarako-detare ruse për furnizime dhe shërbime.
Është e qartë se qëndrimet e rregullta të përkohshme në portet greke dhe qipriote janë një ndihmë e madhe për flotën ushtarako-detare ruse në detin Mesdhe, e cila shmang detyrimin e rikthimit në detin e Zi në portet ruse për furnizime apo shërbime, kurse me këtë formë i realizon gjatë qëndrimeve në portet greke. Kuptohet se qëndrimet në grupe të luftanijeve ruse në portet greke nuk janë as protokoll miqësie dhe as për misione diplomatike, siç pretendon Flota Ushtarako-detare Ruse. Ato duhen parë si pjesë e lojërave gjeopolitike të Rusisë në detin Mesdhe për të ndryshuar ekuilibrat e forcave dhe të influencës. Qëndrimet e rregulla periodike të flotave ruse në portet greke janë një ndihmë e madhe në funksionimin e aktiviteteve ushtarake dhe të patrullimit mesdhetar të flotave ushtarako-detare ruse në kuadër të politikës detare apo ndërhyrjes ruse në vendet e ndryshme të Mesdheut. Flota ushtarako-detare ruse në detin Mesdhe, që nga viti 2015 i ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Siri, është pjesë e detyrave luftarake të pjesëmarrjes së forcave të armatosura ruse në konfliktet e Sirisë dhe të Libisë. Në këtë kuadër strategjik duhet parë qartë lidhja e dëmshme midis qëndrimeve të rregullta të flotave ushtarako-detare ruse në portet greke dhe strategjisë së kësaj flote dhe të politikës detare ruse në detin Mesdhe për ndërhyrje në zonat e tensionit dhe të konflikteve në atë rajon.
Pikërisht se ekziston kjo lidhje detare ruse, e dëmshme për interesat e NATO-s dhe të Perëndimit, SHBA kanë kritikuar ashpër qeverinë e Qipros greke për lejen, që u ka dhënë luftanijeve ruse për qëndrimin e tyre në portet qipriote. Në 2 maj 2020 zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Metju Palmer, deklaroi se “SHBA vazhdojnë t‘i bëjnë thirrje Qipros për ndalimin e qëndrimit të rregullt të luftanijeve ruse në portet e Qipros”. Shqetësimi amerikan është mëse i drejtë, sepse buron nga lidhja direkte midis qëndrimit të luftanijeve ruse në portet e Mesdheut me politikën destabilizuese, që ndjek Rusia në Mesdhe dhe në Lindjen e Mesme. Greqisë ia tërhoqi vëmendjen për bashkëpunimin me Rusinë edhe ambasadori amerikan në Athinë, Geoffrey Pyatt, i cili në simpoziumin e “Shoqatës Greke të Atlantikut” në 17 dhjetor 2020 deklaroi: “Do të doja të theksoja kërkesën për ne të gjithë t’i hedhim një vështrim të thellë aktiviteteve malinj, ku Rusia është angazhuar këtu, edhe në Mesdheun Lindor, edhe në Ballkanin Perëndimor”.
Një formë tjetër, që po përdor Rusia për të siguruar praninë e saj detare në Greqi, është angazhimi i intensifikuar i kompanive të mëdha ruse për blerjen e porteve greke. Në 2 shkurt 2021 u njoftua se kompania e madhe ruse “Belterra”, me pronar oligarkun e njohur rus Ivan Savvidis, bleu 47 për qind të aksioneve të portit të Selanikut, të cilat i posedonte një kompani gjermane. Kompania ruse i kishte më parë të sajat 20 për qind të aksioneve të portit të Selanikut dhe tani ajo ka nën kontrollin e vet 67 për qind të aksioneve, duke u bërë zotëruesja e portit grek të Selanikut. Pronari i kompanisë ruse, që mori në pronësi portin e Selanikut, Ivan Davvidis, është një nga oligarkët e rrethit të ngushtë të presidentit rus Putin dhe ai ka qenë deputet në Dumën Ruse në vitet 2003-2011. Në veprimtarinë e tij investuese jashtë Rusisë Savvidis njihet për gërshetimin e interesit financiar me interesat e politikës së jashtme ruse. Roli i tij në ketë drejtim doli hapur në vitin 2018 në sponsorizimin dhe në organizimin e protestave të forcave politike proruse dhe proserbe në Maqedoninë e Veriut, që u ngritën kundër marrëveshjes së Prespës për emrin me Greqinë dhe që kërkonin të realizonin objektivin e Kremlinit për ndalimin e hyrjes së Maqedonisë në NATO. Duhet shënuar se dhe partia greke “Nea Demokratia” e kryeministrit të sotëm Kiriakos Micotaqis ka qenë kundër marrëveshjes së Prespës dhe ka qenë pjesë e protestave dhe e lëvizjeve politiko-fetare të organizuara nga shërbimet sekrete ruse në Greqi kundër marrëveshjes për emrin, që hapte rrugën e anëtarësimit të Shkupit në NATO.
Kompania e madhe ruse e oligarkut Savvidis ka përfshirë në ambicien e saj detare edhe porte të tjera greke, që nga Aleksandropulli e deri në Igumenicë. Porti i Igumenicës është aktualisht në tender ndërkombëtar dhe rusi Ivan Savvidis ka shprehur interes të veçantë për këtë port, duke hyrë në tender me emrin e portit të Selanikut. Siç shkruan gazeta “Ekathimerini” në 8 shkurt: “Grupi “Savvidis” ka dy strategji. Nga një anë do që Selaniku të bëhet porti i parë për rajonin e Ballkanit të gjerë. Nga ana tjetër kërkon akses në detin Adriatik, gjë që ia ofron Igumenica”. Pra kompania ruse dhe Rusia i kanë vënë syrin edhe portit të Igumenicës si një platformë për prani dhe shtrirje detare në detin Jon dhe në detin Adriatik. Kjo përkon me strategjinë detare të Rusisë, e cila po përpiqet me të gjitha mënyrat që të realizojë një prani të saj në detin Adriatik, ku Moska ka kërkuar bazë ushtarako-detare në Mal të Zi që në vitin 2013. Tani me realizimin e suksesshëm të komplotit ruso-serb të prurjes në pushtet në Podgoricë të forcava proruse dhe proserbe, janë shtuar shanset ruse për bazë ose për lehtësira portuale ruse në portet malazeze. Interesi rus për detin Jon dhe detin Adriatik u përsërit kohet e fundit kur jo rastësisht Rusia u bë shteti i vetëm në botë,(përveç Shqipërisë së mjerë), që përkrahu zgjerimin e ujërave territoriale greke në detin Jon dhe në ishujt grekë të Jonit nëpërmjet një deklarate të ministrit të jashtëm rus, Sergej Lavrov.
Igumenica duket konsiderohet në planifikimet ruse si trampolina e penetrimit dhe e shtrirjes ruse në detin Jon dhe në detin Adriatik. Format dhe mënyrat se si kompania ruse dhe Rusia do ta realizojnë këtë operacion ndërhyrje në detin Adriatik nuk janë bërë ende të qarta. Por gazeta e mirëinformuar greke paralajmëron qartë për perspektivën që Rusia të jetë e pranishme në portin e Igumenicës për të kapur edhe Adriatikun.
Nuk është e nevojshme të jesh strategjist për të kuptuar që kontrolli i plotë i porteve detare nga një shtet i huaj, siç është Selaniku nga Rusia, i nxjerr këto porte jashtë sovranitetit të shtetit mëmë, dhe me dashje apo pa dashje i vë në dispozicion të interesave të afërta dhe të largëta të shteteve, që i blejnë dhe i kontrollojnë ato. Strategjitë detare civile dhe ushtarake janë të ndërvarura. Naivitetet propagandistike të shitjes së porteve për “nevojat e integrimeve rajonale” janë budallallepsje të atyre liderëve lokalë, që duan të mbulojnë pazaret që bëjnë me interesat detare dhe tokësore të shtetit.
Fenomeni i qëndrimeve dhe i furnizimeve të rregullta të flotiljeve ushtarako-detare ruse në portet e një shteti anëtar të NATO-s përbën një zhvillim, i cili nuk mund të kalohet në heshtje, sidomos në kushtet kur pellgu i Mesdheut karakterizohet nga konflikte në zhvillim e sipër në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut. Qëndrimet, furnizimet, shërbimet dhe lehtësirat, që u jepen flotave ushtarako-detare ruse në portet e Greqisë, nuk i bëjnë më paqësore misionet dhe strategjinë detare të Rusisë në detin Mesdhe. Ka një teori naive në disa gjeopolitikanë grekë sipas së cilës Greqia, duke u dhënë portet fuqive të mëdha si Rusia dhe Kina, i siguron ato porte në eventualitetin e një lufte me Turqinë. Është një teori autosugjestionuese, sepse praktika botërore tregon që në rastet e luftërave palët ndërluftuese nuk i kanë në refene investimet apo aksionet, që një shtet i tretë ka në njërin nga palët ndërluftuese. Çdo shtet anëtar i NATO-s e ka garancinë e sovranitetit dhe të integritetit të tij te NATO dhe nuk mundet kurrë ta ketë te Rusia.
Prania dhe funksionimi i flotës ushtarako-detare ruse në detin Mesdhe dhe lehtësirat, që njeri apo tjetri shtet mesdhetar si Greqia apo Qipro u japin flotave ushtarake ruse, nuk mund të konsiderohet një zhvillim normal. Ato krijojnë dhe duhet të krijojnë shqetësim te shtetet fqinj anëtarë të NATO-s. Anëtarësimi në NATO nuk përputhet me dhënien e lehtësirave portuale për luftanijet ruse nga Greqia, siç nuk përputhet as anëtarësimi në BE me lehtësitë portuale, që u jep Qipro flotave ushtarake ruse. Ndaj mendoj që Shqipëria duhet të ketë një ndjenjë alarmi nga harta e pranisë dhe e lakmisë ruse për portet greke, që nga Selaniku e deri në Igumenicë. Të gjithë shqiptarët e kuptojnë se çfarë don të thotë për Shqipërinë që të vijë Rusia në Igumenicë./gazeta dita