Albspirit

Media/News/Publishing

Yzedin Hima: Opozita si shpresë

…Qartësisht pasqyra e pozitës së sotme është sjellja publike e kryeministrit Edi Rama. Tek ai shfaqet, (herë – herë në mënyrë të pavetdijshme), e gjithë arrogance e këtij pushteti, dhuna si nënvetëdije e vetëdijes së dikurshme diktatoriale. Kryeministri i vendit më të varfër të Europës, është kryeministri më narcist i Europës. Kompleksi i superioritetit në dukje e ka burimin pikërisht te kompleksi i inferioritetit, shkaktuar nga mosrealizimet e tij personale në art dhe shkenca. Gjatë tetë viteve ai asnjëherë nuk qe në të njëjtën valë me hallet e qytetarëve të varfër, kurrë nuk u pa në sytë e tij trishtimi i një vendi të trishtuar, por shkreptinte kërcënimi dhe dhuna ndaj të varfërve dhe të pambrojturve, hareja, ironia dhe stërmundimi për të prodhuar batutën e radhës, ku përqeshej opozita… Implementimi në qeverisje i thënies së formalistëve në art se përmbajtja është formë dhe forma është përmbajtje, e ka kthyer gjithë veprimtarinë e qeverisjes së tij në dukje pa substancë, në fasadë ku mungon edhe forma edhe përmbajtja…
Zgjedhjet parlamentare po afrohen. Të dy frontet janë vendosur përballë njëri- tjetrit. Në njërën anë partia qeverisëse gjatë tetë viteve, ndërsa në anën tjetër koalicioni opozitar. Nëse do t’i hedhim një sy resurseve të të dy palëve, lehtësisht vërejmë se qeveritarët aktualë kanë epërsi të dukshme materiale: Të gjithë pushtetet e mundshme: pushtetin qendror, pushtetin lokal, parlamentin, pushtetin gjyqësor, më së shumti pushtetin mediatik, hartën administrative, të kopsitur bukur mirë në favor të tyre, paratë e hequra për këtë ditë nga tenderat, paratë e mbledhura nga dividendi i kultivimit masiv të drogës, financimet e oligarkëve, të punësuarit në të gjithë piramidën e punësimeve publike, të punësuarit në firmat private (Ka kohë që kanë filluar presionet ndaj pronarëve), mijërat e punësimeve të paligjshme të militantëve, realizuar kohët e fundit. Në një farë mënyre, pushteti sotëm i ngjet mjaft pushtetit të dikurshëm të partisë së punës, por shumë më i pasur, shumë më hipokrit, shumë më kredibël se ai në mardhëniet ndërkombëtare. Madje, dy vitet e fundit pluralizmi politik, i fituar në vitin 1990, për shkak të dhunës bolshevike, u shndërrua në pluralizëm mendimi, siç predikonte Alia në fund të viteve ’80, ndërsa partia ekologjike e Vehbi Fadile Hotit u shfaq në formën e grupit parlamentar të kërpëratës, shakaja më e neveritshme politike e shekullit XXI.
Po krahas “armatimit” të rëndë prej pushteti, qeveritarët kanë si gur në qafën e tyre skandalet e mëdha, që me një lehtësi të hatashme papërgjegjshmërie i shkaktuan gjatë qendrimit në pushtet për dy mandate: mbylljen e mijërave sipërmarrjeve, shkatërrimin e vendeve të punës, përqëndrimin e pasurive të vendit në duart e pak oligarkëve, që i ndanin këto pasuri me qeveritarët, varfërimin e pandalshëm të qytetarëve, krijimin e mjedisit mbytës në vend për të rinjtë dhe shkaktimin e hemoragjisë së emigrimit të banorëve, kanabizimin e të gjithë territorit me pasoja fatale për ekonominë e ligjshme dhe jetën e mjaft banorëve, krijimin e organizatave politiko-kriminale për vjedhjen e votave, shkatërrimin e institucioneve demokratike të ngritura me mjaft mund, ku keqbërës të rrezikshëm u vendosën në drejtim të këtyre institucioneve, kriminalizimi i parlamentit, ku mandatet e përfaqësimit të popullit partia në pushtet ua dorëzoi delikuentëve. Një faturë me pasoja qe zbatimi i luftës së klasave, duke pushuar nga puna të gjithë kundërshtarët politikë dhe mbështetësit e opozitës, ose edhe të pazotuarit politikisht. Qindra miliona euro u paguan për të dëbuarit me urdhër gjyqsor. E gjitha përvoja e çmuar e mijëra specialistëve, llogaritur në miliona e miliona euro për kualifikimin e tyre, u flak me një të rënë të lapsit.
Qartësisht pasqyra e pozitës së sotme është sjellja publike e kryeministrit Edi Rama. Tek ai shfaqet, (herë – herë në mënyrë të pavetëdijshme) e gjithë arrogance e këtij pushteti, dhuna si nënvetëdije e vetëdijes së dikurshme diktatoriale. Kryeministri i vendit më të varfër të Europës, është kryeministri më narcist i Europës. Kompleksi i superioritetit në dukje e ka burimin pikërisht te kompleksi i inferioritetit, shkaktuar nga mosrealizimet e tij personale në art dhe shkenca. Gjatë tetë viteve ai asnjëherë nuk qe në të njëjtën valë me hallet e qytetarëve të varfër, kurrë nuk u pa në sytë e tij trishtimi i një vendi të trishtuar, por shkreptinte kërcënimi dhe dhuna ndaj të varfërve dhe të pambrojturve, hareja, ironia dhe stërmundimi për të prodhuar batutën e radhës, ku përqeshej opozita. Implementimi në qeverisje i thënies së formalistëve në art se përmbajtja është formë dhe forma është përmbajtje, e ka kthyer gjithë veprimtarinë e qeverisjes së tij në dukje pa substancë, në fasadë ku mungon edhe forma edhe përmbajtja.
Opozita është shpresa e ndryshimit të madh: kthimin e pluralizmit politik, ringritjen e institucioneve demokratike, rigjallërimin e ekonomisë dhe ndërtimin e tregut, aq të deformuar nga paligjshmëria. Resurset e partisë qeverisëse, bëhen qesharake para vullnetit dhe energjisë së qytetarëve për ndryshim, që po i bashkohen opozitës. Natyrisht, opozita, me vendosjen e përfaqësuesve politik të qarqeve e dha mesazhin e parë te qytetarët: nuk do të përsëriten gabimet e së kaluarës dhe përballë të ndoturve nga pushteti aktual, vendosi politikanë të pastër e me integritet si Tomorr Alizoti, Mark Marku, Jorida Tabaku, Gazmend Bardhi, etj etj. si garanci e rikthimit të legjitimitetit të parlamentit nga burojnë të gjitha pushtetet./albspirit.com
Berat, më 9 shkurt 2021
Please follow and like us: