Yzedin Hima: Udhëtimet në letërsi si sfida për t’u përballur më të bukurën
Udhëtimet në letërsi si sfida për t’u përballur më të bukurën
“O bukuri, shpëto botën…” Dostojevski
…Udhëtimi i shtatë është një nga më interesantët në letërsinë botërore dhe vjen përmes një vepre të mrekullueshme siç është “Fausti” i J. V. Gëtes. Në dallim nga udhëtimet pararendëse, udhëtimi i personazhit të tragjedisë “Fausti”, krahasuar me udhëtimet e personazheve të Homerit, Virgjilit, Dantes, Servantesit, Shekspirit, zgjat gjatë më shumë se një jetë njerëzore.
Fausti udhëtoi në shtratin e lumit të dijes dhe në fund të jetës vuri re se nuk kishte depërtuar në misteret e natyrës as me dijet shkencore, as me magjitë. Ndërkohë që kishte ndriçuar mendjen, kishte lënë pas dore shpirtin. I zhgënjyer nga jeta e njëanshme vendosi t’i japë fund jetës. Në atë të ditë të lume të Pashkës e shpëtuan nga vetvrasja tingujt e kambanave që lajmëronin ringjalljen e Jezu Krishtit. Më tej jeta e tij do të vazhdojë në kurbën midis baltës dhe qiellit, midis djallit dhe Zotit, si bast i tyre se kush do ta fitojë shpirtin e Faustit.
Fausti, me udhëtimin e tij, shënoi gjurmët njerëzore në kohë, gjurmë të pashlyeshme, si shenja të rrugëve që lipset të ndjekë njeriu i ardhshëm për të arritur sublimen në fund të jetës së tij. I vetdijshëm që ishte gjeni, Gëtja e gjeti për detyrë që me një vepër të përkryer artistike t’i jepte qytetërimit botëror “guidën” që duhet të ndiqte për t’u realizuar në të gjitha përmasat njerëzore. Vetë vepra dhe jeta e Gëtes janë shembull i shkëlqyer i mundësive njerëzore, punës së mundimshme dhe arritjes në lartësi të tilla, ku njeriu ndihet njeri dhe prek lumturinë. Jeta e Faustit dhe jeta e Gëtes ngjajnë si dy pika uji.
Te ky udhëtim nuk mungon edhe gruaja që bëhet ylli polar në rrugën e heroit drejt përsosjes. Ajo grua-dritë është tepër lart dhe tepër larg, ndaj personazhi do të përballet me sfidida të njëpasnjëshme për t’u ngjitur lart dhe për t’u përballur me të. A ka ngjashmëri midis udhëtimit të Faustit dhe udhëtimit të Dantes? Ngjashmëria është domethënëse. Edhe Fausti si Dantja e shikon udhëtimin jetësor si sfidë për t’u përballur me të bukurën. Të dy personazhet kujdesen për t’u përsosur në të dy përmasat, shpirtërore dhe intelektuale.
Ka një përgjasim midis Beatriçes së Dantes dhe Margaritës së Gëtes. Janë të dyja burim i pashterrshëm energjie shpirtërore dhe virtyti. Edhe udhëtimi i Faustit i ngjet udhëtimit të Dantes. Të përbashkët kanë edhe çastin e rilindjes, ditën e Pashkës kur nis udhëtimi dantesk dhe në këtë ditë rilind në një dritë të re Fausti. Shoqëruesit e tyre ndryshojnë. Virgjili plot dritë dije dhe Mefistofeli plot drithma terri. Dante shkon te Ferri, ndërsa Ferri (Mefistofeli) vjen te Fausti. Nëse Virgjili e merr për dore Danten dhe i tregon të fshehtat e përtejbotës, Mefistofeli nuk e lë të prehet asnjë çast Faustin, duke e nxitur drejt sfidave të reja. Ai është nata që e shtyn Faustin drejt dritës:
…unë nuk jam veçse një copë nga ajo copë
e cila në fillim qe e gjitha
Një copë e errësirës që ka pjellë dritën…
Janë fjalët e prezantimit të Mefistofelit te Fausti. Nëse Virgjili hedh dritë te skutat e errta të padijes së Dantes, Mefistofeli nxit pa ndalim energjitë krijuese dhe vepruese që flenë te Fausti. Në fakt, të dy personazhet janë vetja e dytë e Dantes dhe Faustit. Virgjili, poeti i madhërishëm, me veprën e tij poetike, është vetëdija e Dantes, frymëzuesi i tij për zbulim, njohje, dije dhe përsosje mendore, ndërsa Mefistofeli është vetja djallëzore e Faustit, e keqja e domosdoshme për t’u ndeshur dhe për t’u ngjitur drejt sublimes në luftë më të ultën, vulgaren, limontinë.
Kur shfaqet Helena, ikona e përjetshme e bukurisë femërore, Fausti gurëzohet nga bukuria: Kam ende sy? Në shpirtin tim a s’derdhet / më i pasuri burim i Bukurisë? / Udhëtimi i frikshëm më pru lumturinë, / përpara bota s’ish për mua asgjë /… Ty t’i kushtoj fuqitë e shpirtit tim, / ngjalljen e ndjenjave të zjarrta / dhe dashurinë, lutjet, adhurimin. / (Fausti, fq. 371).
Nata e Valpurgës klasike e përgatit Faustin për t’u përballur me Helenën e Spartës. Ndërsa prek truallin klasik, Fausti fiton energji të pazakonta:… Ky ësht’ ajri që thithte zën’ e saj / këtu jam, si për çudi, në tokën greke! (Fausti, fq. 403).
Takimi me Hironin, mësuesin e Akilit, Jazonit, Herakliut dhe Asklepit i jep përvojën e artit që nga lashtësia e largët deri te periudha e ndritshme klasike greke. Në dialogun me Hironin për Helenën, Fausti thotë: Vajzë – e rrëmbejnë; plakë – e dashurojnë. / Poetin nuk e lidh askurrë koha! /… E pe qëmoti ti, sot e pashë unë. E bukur sa hirplotë, sa joshëse aq e bukur.
Bukuria, me ç’duket, është materiali më i qendrueshëm. Nuk e zbehin shekujt. Ajo është pikturë e mrekullueshme në kanavacën e kohës. Doktor Fausti e ndërton, e materializon shtatin e saj me mallin dhe adhurimin e tij për të bukurën. Natyrisht, Nata klasike e Valpurgës e ka paisur mendjen dhe shpirtin e tij me të gjitha instrumentat e perceptimit dhe krijimit të së bukurës: Si s’mundem unë me mallin tim të zjarrtë / ta sjell në jetë shtatin e pashoqtë? / Atë krijesë hyjnore, të amshuar. /(Fausti, fq. 421).
Udhëtimi i Faustit është udhëtim progresiv dhe digresiv. Ai shkon nga mesjeta në antikitet, me lehtësinë e “vrapit” të mendjes së njeriut, pa asnjë pengesë. Ai e fiton sfidën për t’u përballur me të bukurën, falë eksperiencës së tij intelektuale dhe shpirtërore: Oh, mos e përçmo, o zonjë e madhërishme, / dhuntinë tëndë aq të rrallë, / se vetëm ti ke fatin më të ndritur, / lavdinë e Bukurisë që sundon gjithçka./… Por edhe më kryeneçi burrë përkulet / para gjithmonëngjadhnjyeses Bukuri. / (Fausti, fq. 473).
Shigjetat e dashurisë që shpërndan Helena e kanë plagosur rëndë shpirtin e Faustit. Ato shigjeta kanë udhëtuar në kohë, apo Helena jeton te çdo grua e bukur, në cilëndo kohë?! Helena është aq e bukur, sa i shiton njerëzit që janë në rrezen e saj të bukurisë. Linkeu, symprehti, i goditur nga bukuria, harron të lajmërojë ardhjen e Helenës. Njihet te folklori ynë magjepsja nga bukuria e zanës. (“Të shitoftë zana” – mallkojnë në Veri
Përballja me të bukurën kërkon energji të mëdhe. Faustit, në përballjen me Helenën, i ikën fryma, i ikën zëri, humb vetëdijen, çorintohet deri në atë masë sa humb përmasën hapësinore dhe atë kohore: Mezi marr frymë, fuqi të flas nuk kam; / si në endërr, s’di në ç’vend e kohë jam. ( Fausti, fq. 511).
Nga fundi i tragjedisë shfaqet edhe një mesazh i drejtpërdrejtë i Gëtes:…Veç ai e meriton hirin e grave / i cili di t’i mbrojë trimërisht. /
Po atë dritë bukurie zjarrmuese të Helenës e hijezon vetëm një grua për syrin e mprehtë të Faustit, Margarita. Po cila është “arma” e saj? Energjia e bukurisë së Helenës e ka burimin te pamja, ndërsa energjia e bukurisë së Margaritës është shumë më e thellë dhe shumë më e qëndrueshme dhe depërtuese. Ajo buron nga shpirti i saj. Drita vjen së brëndshmi dhe depërtin jo vetëm te syri, por pushton mendjen dhe zemrën e burrit. Bukuria e jashtme e lë zemrën të ftohtë, ndaj Fausti, i cili nuk ia shiti shpirtin djallit, pra Mefistofelit, i denjë për t’u përballur me bukuri shpirti, ngjitet lart në parajsë dhe bashkohet me Margaritën, sikurse Dantja me Beatriçen.
Kur i shfaqet Margarita, zbehet bukuria drithëruese e Helenës:…Ajo lëshonte dritë më fort se çdo thesar… (Fausti, fq, 541.) Bukuria e Margaritës nuk është thjesht bukuri, por mbart edhe vlera virtyti, ndaj Fausti e shikon dritën e saj si dritë thesari.
Pas punës në dobi të njerëzve, Fausti njohu lumturinë që sjell altruizmi te mendjet dhe shpirtrat e kultivuar. Kjo lumturi kurorëzihet pikërisht me bashkimin e shpirtit faustian me Margaritën:Ajo që s’arrihet / Veç këtu gjen plotesi. / Gjithçka e pashpjegueshme / këtu është krejt e qartë: / e amshueshmja femërore / na tërheq gjithnjë lart. / ( Fausti, fq. 635)./albspirit.com
Marrë nga libri i ri me ese letrare “Të mallkuarit me art” të Yzedin Himës.
Please follow and like us: