Nexhat Halimi: Në kujtim të Jusuf Gërvallës
Kanjushat
I. Lejleku i jg
Lejlek i verdhë i jg copë e qiellit mitik
të flatrosh do të thotë veç të digjesh
gjithnjë me shfaqjen e zjarrit në hi
ja vijë e ujit vetëtin argjendtë nën hënë
e në fotografinë e ëndrrës fle shpirt` yt
është mirë të bësh gjumë aty apo të vdesësh
engjëjt të të prekin me dritë ylli të kaltër
e e diela shenjt` të vij nën kambana
ja pse asgjë s`ndodh jashtë teje aspak
pse asgjë s`ka tjetër rrënjë as tjetër gjak
lejlek i verdhë i jg copë e qiellit mitik.
II. (Kthimi i flakës)
Lejlek i verdhë i jg copë e qiellit mitik
ngrihesh prej ashtit të gurit të kalasë
e ik vetes e ik lart besimit të kaltër
me aromën e bukës e të flakës së ujit
rrënjë e trëndafilit të gjuhës pikë e gjakut
prej zemrës sime të robëruar nga ëndrra
mbart vigun e natës me shi në kodër
me krahun e majtë të thyer e të djathtin
flatrimit që s’vdes pa vdekur etja
pikës së ujit e flakës me aromë bari
lejlek i verdhë i jg copë e qiellit mitik
të digjesh natyrisht varrës të zgjohesh.
III. (Zemra para shiut)
Lejlek i verdhë i jg copë e qiellit mitik
të zgjohesh veç kthehesh në kuptim
i ngroh pullazet që koha i ka vrarë
i nxeh zemrat para shiut të madh
i vret rrufetë e zgjuara mbi barin e iLirisë
me puplën e shtatë të krahut të majtë
me lythin e këmbës së djathtë
roje e barit dhe e pikës së ditës
ti vret e kthjell e bën ç`do me etjen e ujit
bën ç` do me dashurinë e qiellit të fluturës
kaq krahëshkruar nga digjet në qiri
lejlek i verdhë i jg copë e qiellit mitik.
IV. (Fyelli i ashtit)
Lejlek i verdhë i jg copë e qiellit mitik
vjen e e zgjon fushën e shpirtit të ujit
çastit të lojës së fëmijës me fyell ashti
kaq dehur nën molla të kuqe në llap
ndërrohesh kështu në figurë me xhitë
me sqepin e gjatë ta puthësh unazën e artë
nurit të shelgut mjekërbardhë nën yll
aty ku tërë natën era t`i prek puplat
çdo gjë që nuk të ngjet të merr e ik ik
në ag të zgjohesh veç ti e një lule prej hirit
lejlek i verdhë i jg copë e qiellit mitik
kuptim është të jesh patjetër gjak yt im.
V. (Qielli mbi Bunë)
Lejlek i verdhë i jg copë e qiellit mitik
gjak yt im të bart udhës deri te etja
ja e dëgjon ritmin e ujit e të shpirtit
e vetëtima e vesës i prek lart mollët
asgjë tjetër s` është fjalë asgjë tjetër flakë
në rënien e pikës së gjakut në Rozafat
në gjirin e flijuar të çilet qielli mbi Bunë
oh a kjo është ajo kënaqësia e dhembjes
qumështi që e pik gjiri yt në mua
e e zgjon afshin e vet flakës në krua
lejlek i verdhë i jg copë e qiellit mitik.
VI. (Trëndafili në Rrashtë)
Lejlek i verdhë i jg copë e qiellit mitik
e ke matur udhën deri te varri im në ajër
e tash hesht ndërmjet rrufesë e muzgut
dhembja është rrjedhë e thellë e ujit
e vetmja kënaqësi e pashpjeguar gjaku
vjen e digjet e mbetet vdekje e bukur
me ca shpirt në gur me ca qiri në sy
e ky hi i përjetshëm zotIm ky hi ky hi zjarr
me trëndafilin e vet të kaltër në Rrashtë
oh do ta ndez më hiri zjarrin mbi unakë
lejlek i verdhë i jg copë e qiellit mitik
etja i ngjet instinktit të fluturës në qiri.
VII. ( Ta pagëzoj këtë ag)
Lejlek i verdhë i jg copë e qiellit mitik
në qiri pik` loti yt e kthehet në pupël
e unë gjithnjë e kërkoj mallit xhitën
e fundi i javës pa sy sheh në hënë
e kambanat e pëlcasin yllin e ngrirë
e ndër trëndafila gjaku të gjuhës së prerë
fluturojnë dhe bien dhe prapë prapë
udhët e këputura nga mishi im i gurtë
i afrohen pishës me rrënjë në zemër
oh si ta pagëzoj këtë ag kaq në flakë
lejlek i verdhë i jg copë e qiellit mitik
pupla e zgjon shpirtin të ridigjet.
Kujtim për jg
Fjalë për fjalë për të vdekur bukur
në `i këngë për trenat që shkojnë vijnë
në `i fluturim shqiponje kuq kuq e zi
ja ende flutur e shpirtit bie mbi qiri
në djegie përtëritje amshimit të vet
ti s` duhej të vdisje kurrsesi jg kaq i ri
o bilbil o ta bëra benë ta bëra benë
gjakut të atDheut t`ia rikthesh rrufenë
fjalë për fjalë për të vdekur bukur./albspirit.com