Albspirit

Media/News/Publishing

Fatos PUTO: Mbresa nga puna prej 3 dekadash në Radiotelevizionin Publik «Gjirokastra» 

Ka qënë një ditë vjeshte e vitit 1979, kur unë, djalë fare i ri, hyja në ndërtesën ku ndodhet edhe sot «Radio-Gjirokastra» dhe përballja ime e parë ishte zyra e drejtorit të atëhershëm, Hysen Pojani. Në atë kohë kjo ndërtesë më ngjante si një këmbanë e madhe, e kristaltë, që përhapte në atmosferë papushim dhe pafundësisht zëra njerëzorë dhe tinguj muzikorë. Qysh atëhere ka kaluar një kohë e gjatë, por ndjesia që unë kam patur vazhdimisht ishte e tillë që, sa më shumë i jam larguar Radiotelevizionit «Gjirokastra», aq më shumë më ka marrë malli për të dhe, sa më shumë i jam afruar, aq më shumë e kam dashur.
“Ju flet Radio-Gjirokastra”! Ky zë i dashur, i ngrohtë, i njohur. Flasim për të dhe mendimi na shkon larg në ato vite, kur ajo niste veprimtarinë e saj.
…Ku janë sot studiot e para pa akustikë, të ngritura në odatë e thjeshta gjirokastrite? Ku ndodhet magnetofoni i parë gjerman trofe-lufte me të cilin përgatiteshin emisionet radiofonike? Ku janë kuadrot e parë? T’i kërkosh e t’i gjesh ata sot, është e vështirë. Por diçka mbetet, megjithatë, në kujtesën e ish punonjësve të radios, në përfytyrimet e tyre: kronika ngjarjesh, festash, përurimesh, kronika nga jeta e përditshme… Dhe ja: Në Qershorin e vitit 1959, kur do të përurohej Kanali i Cukës në Sarandë, u mblodh gjithë populli i Vurgut, i Mursisë e Vrinës. Ajo ditë do të mbetej në kujtesë, jo vetëm të popullit të asaj zone, por edhe të grupit të xhirimit të Radio-Gjirokastrës. Ishte radio-reportazhi i parë, direkt nga terreni. Siç kujton tekniku i vjetër i të asaj kohe, Ali Shehu, magnetofoni që u përdor peshonte 19 kg dhe u mor në krahë nga Saranda në Çukë.
Ishin vitet e vështirësive të jashtëzakonshme teknike. Fillimisht, të gjithë grupet muzikore vinin e këndonin direkt në studio. Më të dëgjuarit ishin grupi i sazeve të qytetit, orkestrina “Mastora”, grupi popullor i Xhevat Abdallit, i këngëtarëve: Hajro Skreli, Majnure Kadëna, Rustem Asqeri, Maliq Çomo, Arta Babaramo. Më vonë u shtuan me dhjetra grupe e këngëtarë të njohur në të gjithë vendin. Kronika e kohës thotë se si studio e parë e Radio-Gjirokastrës shërbeu shtëpia e Kokobobëve, pastaj shtëpia e Çelo Kales dhe më pas shtëpia e Aleks Çaçit në Lagjen Varrosh.
Ndërsa në vitin 1974, institucioni u vendos në godinën ku ndodhet edhe sot. Mirënjohje në këtë ditë për gazetarët, redaktorët, folësit, inxhinierët, teknikët, montazhierët, drejtuesit në vite të Radio-Gjirokastrës. I kujtoj me respekt e mirënjohje si një pasuri e rëndësishme dhe shumë e vyer e historisë së Radio – Gjirokastrës.
Të paharruara do të mbeten në kujtesën e dëgjuesve të atyre viteve rubrikat: “Radioposta”-“Programi me muzikë sipas kërkesave të dëgjuesve”, ”Gjëmon historia”,”, “Teatri në Radio”, “Familja- shkolla-shoqëria”, “Ora gazmore”, ”Fjala artistike në mikrofon”, pa përmendur këtu transmetimet direkte të festivaleve folklorike lokale e kombëtare, apo festivalet e muzikës së lehtë për fëmijë e të rritur.
Në këtë ditë, fijet e kujtimeve na cojnë larg në vite. Këto çaste na i përtërin një ngacmim kujtese, një regjistrim në magnetofon, një varg kenge.
Janë punonjësit e saj, njerëz kurajozë, të dashuruar pas radios e televizionit dhe magjepsjes së tij, ata që sot bëjnë Radiotelevizionin Publik, tempullin e kulturës dhe të emancipimit njerëzor në Jug të vendit. Ndaj, në këtë ditë, natyrshëm, për stafin e RTV “Gjirokastra” më dalin fjalët: “Mos harro të kaluarën, çmoje të sotmen, ruaj identitetin tënd”!
Këto ishin disa mbresa të miat, si gazetar dhe kryeredaktor, me një kontribut prej gati 3 dekadash (1979-2007) në krijimin e një fytyre të vetën, origjinale të RTV“Gjirokastra”.
Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Radios!
Fatos Puto-Tiranë më 13 Shkurt 2021.
Please follow and like us: