Haris Vongli: Unë të dua…
Unë të dua nga lumturia, me sytë plot lot.
Unë të dua nga pastërtia, e sytë plot lot.
Unë shtrihem në damarët mes qafës e duarve të tua e kam frikë,
Se bota ime larg atyre pëllëmbëve të mëdha
Do coptohej e bëhej thërrime a pleh një ditë,
Pak nga pak, me krenari të sëmurë nga njëçikë;
Do shndërrohej në gjithçka ndofta, kush e di?
Ndofta në pemë ulliri, ndofta në limonë a qershi,
Mbase në kodra, mbase erë furtune a liqen me shi,
Përveçse në paqen madhështore të shtratit tonë
Ku tërë jastëkët ia marr përbri trupit të ngrohtë
Që kokën të struk në krahët e tu, me dhe pa lot.
E ku ka si krahët e tu?
E ku ka si damarët e tu?
E ku ka si lotët e tu?
E si shpirti yt prej zjarri e integriteti, ku ka?
Tërë personalitet çdo gjymtyrë e jotja.
Unë vdes për to.
Gjymtyrë që më falin mijëra jetë ku më duhet gjithnjë të zgjedh,
Dhe unë zgjedh ty
Sot, nesër sikurse dje,
Lëvizjen e duarve të tua gjithfarë filozofi.
Unë të dua nga lumturia, me sytë plot lot.
Unë të dua nga pastërtia, e sytë plot lot.
Ti më zhvendos në hapësira të pazbuluara.
Ti më vesh tërë forcat –
Tek më zhvesh tërë dobësitë.
Unë të dua nga lumturia, me sytë plot lot.
Unë të dua nga pastërtia, e sytë plot lot.
“Ç’t’i bëj yjet kur ti s’je këtu”?
Janis Ricos sikur e ka shkruajtur këtë për ty./albspirit.com
Please follow and like us: