Lamtumirë doktor Fatos Zaçe!
Koronavirusi ka shkaktuar sërish viktima në radhët e bluzave të bardha. Mjeku, Fatos Zaçe është ndarë nga jeta pas një “lufte” të vështirë me COVID-19 në një nga spitalet e Madridit.
Lajmi është bërë i ditur nga Urdhëri i mjekut Durrës i cili përmes një postimi në Facebook shkruan: “Me dhimbje të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të mjekut ligjor, doktor Fatos Zaçe, pas një lufte të vështirë për të përballuar Covid -19, në një nga spitalet e Madridit.
Një lajm i hidhur për bluzat e bardha, na dërgon bashkëshortja e tij, doktoreshë Dhurata Zaçe.
Doktor Fatos Zaçe u lind në një familje qytetare korçare. Mbaroi fakultetin me rezultate të larta. Më pas filloi profesionin e bukur të mjekut, larg Korçës, në Kukësin e largët. Aty punoi me përkushtim dhe humanizëm të lartë, për 11 vite radhazi në Pediatri.
Dashuria dhe mirënjohja e qytetarëve të Kukësit do e shoqëronin gjer sa dha jetën. Aty krijoi dhe familjen me bashkëshorten, doktoreshë Dhuratën. Më pas u specializua në shërbimin e Mjekësisë Ligjore. Ai punoi në spitalin e Elbasanit dhe për gati 20 vitet e fundit në Durrës. Para një viti doli në pension dhe shkoi të banojë në Madrid tek vajzat e tij.
Doktor Fatosin do ta kujtojmë si një mjek të përkushtuar, studiues e pasionant në detyrë, i ndershëm në specialitetin e vështirë të mjekut ligjor. Ai ishte bashkëshort e prind shembullor, i dashur me kolegët. Urdhëri i Mjekut, Durrës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta bashkëshortes së tij doktoreshë Dhuratës, fëmijëve, kolegëve.
Covidi i frikshëm na rrëmbeu një nga specialistët tanë të shkëlqyer. Lamtumirë doktor Fatos Zaçe.
U prehsh në paqe! I paharruar qoftë kujtimi i tij”!