Raport-informacioni dërguar Ramiz Alisë për aktorët dhe artistët me biografi të keqe
I n f o r m a c i o n
RRETH PERBERJES POLITIKE TE DISA KUADROVE QË PUNOJNË NE INSTITUCIONET ARTISTIKE QENDRORE
Pas pleniumit të 4-të të Komitetit Qëndror të Partisë janë marrë një sërë masash për përmirësimin e përbërjes politike të kuadrit që punon në institucionet artistike qëndrore si në Kinostudios, Teatrin e Operas e të Baletit, Teatrin Popullor etj.
Në fillim të vitit të kaluar, gjatë diskutimit për luftën kundra burokratizmit, ky problem u shikua dhe më gjërë. Organizatat bazë ngritën disa çështje që duheshin shikuar.
Gjatë kësaj periudhe u evidentua edhe njëherë i gjithë kuadri me përbërje të keqe politike.
Komiteti i Partisë së Rrethit vendosi që për përmirësimin e gjendjes të ndjekë këto kritere:
Në rradhë të parë të hiqen ata që kanë përbërje politike të keqe, janë më të kompromentuar dhe nuk mund të dalin në skenë.
Gjithashtu gradualisht, të hiqen ata që s’kanë përbërje të mirë dhe nga pikëpamja ideoprofesionale nuk kanë vlera të rëndësishme.
Për disa artistë që kanë njolla në përbërje politike, po që së shpejti mbushin moshën e pensionit, të largohen kur të dalin në pension.
Ndërsa disa artistë që s’kanë problem në biografi, të dalin në pension në bazë të punës bindëse me ta. Largimi i tërë këtyre do të pastrojë institucionet artistike dhe do t’i hapë vend elementit të ri e të përshtatëshëm në trupat tona qëndrore.
Për të larguar kuadrot me përbërje të keqe, u patën parasysh që të shikohej jo vetëm ana biografike, por dhe puna e veprimtaria e tyre në atë institucion.
Kriteret e vendosura ne na duken të drejta. Gjatë kësaj pune u larguan nga këto institucione disa nga këta njerëz.
Në Teatrin e Operas dhe Baletit, u larguan 6 veta: (Donika Miluka, Llazar Morçka, Lenka Zotëria, Diana Keqja, Adivije Alibali dhe Jeta Nase).
Në Teatrin Popullor u hoq Ferial Alibali, Lazër Vlashi.
Në Kinostudjo, u hoqën 3 veta; Genc Rruzhdiu, Xhemal Broja dhe Zhak Vituli.
Por shihet se në këto institucione kemi ende njerëz me përbërje të keqe politike. Kështu si të tillë në listën e hartuar vitin e kaluar, organizatat bazë kanë evidentuar në Teatrin Popullor 14 veta, në Teatrin e Estradës një vit më parë kemi pasur rreth 15 veta, por tani kemi vetëm 2, në Teatrin e Operas dhe Baletit 22. Nga Komiteti i Partisë janë duke u marrë masa për largimin edhe të disa të tjerëve.
Për t’i pastruar këto institucione duhen ndjekur disa rrugë. Ka që janë më të kompromentuar dhe pa talent dhe duhen hequr shpejt. Kështu p.sh., në Teatrin e Operas kemi hequr disa që kanë babën ose vëllanë të pushkatuar për qëndrim armiqësor gjatë Luftës ose pas çlirimit, si: Haki Bejleri, Thoma Nova. Megjithëse këta kanë nga 20 vjet në këto institucione, mendojmë se duhen larguar menjëherë nga ky institucion qëndror.
Disa aktorë të Teatrit Popullor, gjatë luftës nuk kanë mbajtur qëndrim të mirë politik. Kështu Prokop Mima gjatë luftës ka qenë me rininë e Ballit. Ndrek Shkjezi gjatë luftës ka qenë me Partinë Fashiste, (por gruaja e tij është anëtare partie, kryetare e orgaizatës së gruas së rajonit). Me që këta janë në prag të pensionit, do të mbahen një deri në dy vjet sa të dalin në pension.
Një grup më i gjerë kuadrosh kanë ndonjë pjestarë të familjes së tyre bashkëpunëtorë me armikun apo me organizatat tradhëtare. Të tillë mund të përmendim Ermelinda Pemën, (i ati i saj gjatë luftës ka qenë oficer, mbas çlirimit i burgosur, një vëlla dënuar për tentaivë arratisje).
Bujar Lako (baba i tij gjatë luftës ka qenë nënkomisar policie dhe komisar i çetës balliste të Safet Butkës).
Roza Anagnosti, (i ati para çlirimit ka qenë oficer dhe në vitin 1950 është dënuar për veprimtari armiqësore). Me njerëz të familjes të dënuar për qëndrim të keq politik janë dhe Vilhelm Konjari, Brixhita Xhepa, Jorgji Kareco etj.
Për këtë është menduar që gradualisht të hiqen nga institucionet artistike qendrore dhe të venë në trupat artistike të rretheve, ose në ndonjë klub të Bashkimeve Profesionale, shtëpi ose vatër kulture ne Tiranë.
Disa të tjerë kanë pjestarë të familjes të arratisur, të dënuar për tentativë arratisje, ose të ikur jashtë shtetit gjatë luftës.
Kështu Robert Ndrenika (ka vëllanë të arratisur në vitin 1961 dhe dajën armik). Sheri Mita (i ati ka ikur jashtë shtetit për studime dhe s’është kthyer) Gëzim Kaceli, (vëllanë të arratisur, xhaxhanë të pushkatuar). Ndërsa Manushaqe Çekani, Kristaq Rada, kanë vëllezërit të dënuar për tentativë arratisje. Përbërje të tilla kanë dhe Zef Ndoci, Ilia Shyti, Miltiadh Papa.
Edhe për këtë mendohet të hiqen nga këta institucione qendrore dhe të çohen në institucione të tjera, ndërmarrje, kooperativa bujqësore ose në rrethe.
Një numër tjetër artistësh kanë të afërm të tyre të dënuar ose të implikuar në veprimtari armiqësore. Përmendim si shembull: Luiza Papa, (është gruaja Gaqo Çakos), e cila ka pasur të dënuar politikë tre dajat e saj, Valter Bablusha, (xhaxhai dhe daja me Ballin).
Me përbërje të tillë ka dhe të tjerë si Sami Bakalli, Luigj Gurakuqi, dajën të pushkatuar etj. Ne përmendëm vetëm aspektet negative, por në përbërjen familjare këta kanë dhe të dhëna pozitive. Mendohet që këta duhet të lëvizin, por pak më vonë, gradualisht dhe sipas rastit e duke pasur parasysh tërë përbërjen familjare e sjelljen e tyre.
Komiteti i partisë i Rrethit dhe i rajonit, po merr masa për largimin gradual të këtyre kuadrove, por mendoj se është nevojë pa e kthyer në një fushatë, të veprohet me një ritëm më të shpejtë, sidomos me Teatrin e Operas e Baletit.
Nga ana tjetër për largimin e disa prej tyre ka vështirësi, se përbërja familjare është komplekse, krahas anëtarëve të familjes, ose të afërmve me përbërje politike të keqe, kanë dhe një qëndrim shumë të mirë.
Nga organizatat ka edhe raste që nuk e shikojnë në kompleks problemin, duke përfshirë në këtë përbërje të keqe edhe njerëz që kanë ndonjë kushëri të arratisur, ose xhaxhanë armik, kur dihet se prindërit i kanë anëtarë partie.
Në të gjitha rastet do të veprohet duke pasur parasysh punën dhe sjelljen e secilit gjatë kohës që punojnë në këto institucione. Mendohet se atyre t’u sigurohet një punë më e përshtatëshme me profilin. Një pjesë e madhe e tyre do të sistemohen në institucionet artistike të rretheve.
3. 4. 1976
SEKTORI I ARSIM-KULTURËS
Letra e Çajup Rusmalit për Pirro Lakon
Dokumenti sekret i përgatitur nga sektori i Arsim-Kulturës në Komitetin Qëndror të PPSH-së, me emrat e artistëve dhe aktorëve me problem biografike u shikua fillimisht nga ana e Çajup Rusmalit dhe më pas iu dërgua për miratim edhe Komitetit të Partisë së Tiranës. Kjo gjë shihet qartë dhe nga letra e Çajup Rusmalit, ku shkruhet:
Shoku Pirro
Lidhur me këto çështje biseduam edhe me shokët e Komitetit të Partisë së Tiranës, të cilat janë dakord. Mendojmë se mund t’i kalohet edhe shokut Ramiz.
8. 4. 1976, Çajup Rusmali.
Letra e Ramiz Alisë me porositë për largimin e aktorëve dhe artistëve me biografi të keqe
Njëkohësisht me Komitetin e Partisë së Tiranës, dokumenti sekret i përgatitur nga sektori i Arsim-Kulturës në Komitein Qëndror të PPSH-së, me emrat e artistëve dhe aktorëve me problem biografike, është dërguar për miratim edhe Ramiz Alisë, i cili me shkrimin e tij ka shënuar: “Ky informacion është tepër eklektik edhe do të largohen, edhe duhen parë në kompleks problemi. Edhe do të kihet parasysh sjellja e secilit. Po çdo të behet konkretisht? Kush ikën dhe përse? E kush nuk do të iki? Kush tani dhe kush më vonë?
Ramiz
Ramiz Alia: Jam dakord, bëni një program se si do të veproni
Siç shihet dhe nga shënimi që Ramiz Alia ka bërë mbi dokumentin në fjalë me emrat e artistëve dhe aktorëve me problem biografike të cilët duhet të hiqeshin nga pozicionet e tyre të punës, të transferoheshin, apo të dilnin në pension, fillimisht ka pasur një hezitim nga ana e tij, se çdo bëhej me këta njerëz dhe si do veprohej me ta? Por ky hezitim i tij duket se nuk ka zgjatur shumë, pasi ai është detyruar ta pranojë atë dokument dhe të jetë plotësisht dakord me të. Këtë gjë e tregon mësëmiri edhe letra e nënshkruar nga Jakup Mato, funksionar i sektorit të Arsimit e Kulturës në Komitetin Qëndror të PPSH-së. Në shënimin e tij thuhet: “Ky informacion u pa nga shoku Ramiz. U tha përsëri të bëhet një program si do të veprohet për përmirësimin e gjendjes: kush hiqet, ku venë, cilët hiqen menjëherë, cilët gradualisht. Këto porosi ju thanë shokut Sotir Kamberi më datën 14. 4. 1976.
20. 4. 1976, Jakup Mato.