Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Braçe: Dy standardet e SPAK, rasti i arrestimit të dr. Priftit!

Arrestimi në sallën e gjyqit i mjekut të njohur dhe të talentuar Edvin Prifti, ndërthuret me disa kontradikta, që na jep shkas të mendojmë, që edhe kur ndërshkojmë zyrtarë të lartë, ka trafik influence dhe brenda ndëshkimit për korrupsion, ka përsëri korrupsion.
Personalisht, jam për ndëshkimin e cilitdo individi, që përfshihet në korrupsion, cilatdo të jënë vlerat dhe meritat e tij personale, përndryshe, do të na duhet të ndryshojmë kushtetutën dhe të ç’bëjmë një nga parimet e saj themelore, atë të faktit, që të gjithë shtetasit janë të barabartë para ligjit.
Në raportet ndërkombëtare jo më kot, flitet për kriminalitetin dhe korrupsionin sidomos pandëshkueshmërinë e zyrtarëve të lartë, dhe për këtë rekomandohet vazhdimi e thellimi i reformave, organizimi më i mirë dhe intensifikimi i luftës kundër këtyre fenomeneve etj.
Por SPAK, i krijuar posaçërisht për çështje të tilla, ka në sirtarë me dhjetëra dosje, në të cilat faktohet korrupsion i pastër, nga një pjesë e mirë hierarkisë në pushtet, por çuditërisht çështjet ose nuk fillohen asnjëherë, ose fillohen dhe mbyllen për shkaqe, që do të ishte mirë të bëjë trasparencë vetë organi i krijuar me ligj.
Në rastin e mjekut Edvin Prifti, i vlerësuar ndërkombëtarisht për merita profesionale, një aset i mjekësisë, por edhe i inteligjencës shqiptare, kritik përsa i përket pseudoreformave në sistemin e shëndetësisë, por edhe antikonformist me kurajë të spikatur civile, SPAK vepron në mënyrë shëmbullore duke kërkuar masë ekstreme për këtë humanist, që edhe duke qëndruar në izolim pa dashur “vret” të sëmurë, që presin dhe kanë të domosdoshme bisturinë e tij.
Sikur SPAK, të vepronte në këtë formë, me cilindo zyrtar të lartë të dyshuar për krime, natyrisht, që askush nuk do të pipëtinte, por do të duartrokiste, sikurse ishte rasti i arrestimit të gjyqtares së Krujës, në konflikt roli me pozicionin e saj.
Por, kur SPAK, deri tani, nuk ka arrestuar ndonjë zyrtar të lartë në detyrë, na provon se në qëndër të goditjes do të jetë, inteligjenca, dhe për më tepër, ajo e nivelit të lartë dhe antikonformiste, kjo na bën skeptikë, na dekurajon, na provon, se do të kemi përpara ditë shumë të vështira dhe na jep të kuptojmë, që jemi përpara një hakmarrje politike nga sistemi dhe që organi i posaçëm, goditjet i jep në mënyrë selektive, njësoj sikurse akuzohet mjeku i talentuar, i cili është futur në birucë të ftohtë, për të provuar të kundërtën./albspirit.com
Please follow and like us: