Shpëtim Emiri: TEK VËLLIMI “LIRIDONA” GJEN SHUMË SHQIPËRI
Shpëtim Alizot Emiri
Mbresa nga leximi i librit me tregime e novela “Liridona” të Avdulla Kënaçit
Miku ynë, Avdulla,
Librin tënd të fundit me tregime e novela “Liridona”, pata kohë ta lexoj me nge e vëmendje. Po e theksoj qysh në fillim, titulli është mjaft i qëlluar, simbolik, i gjetur bukur, “LIRIDONA” dhe i përgjigjet nivelit artistik të përmbajtjes. Stili narrativ i rrëfimit, në shoqëri me dramacitetin dhe të papriturat e njëpasnjëshme të ngjarjeve, të merr zvarrë dhe të detyron ta lexosh deri në fund me dëshirë e kërshëri. Realiteti i jetës dhe fantazia e autorit janë bërë njësh, një trup dhe ç’është më e rëndësishmja, në këndvështrimin tim, të besueshme. Kjo e lejon lexuesin të shijojë në vijimësi gjithë vlerat artistike të lëndës së paraqitur.
Edhe pse, kryesisht, tregimet i kushtohen jetës së emigrantëve shqiptarë në një kontinent tjetër, Amerikën e Veriut, në Kanada, aty, në ngjizjen e tregimeve, gjen shumë Shqipëri e kjo të gjallëron, të emocionon. Thuajse në të gjitha subjektet shpalosen natyrshëm zakonet, cilësitë më të mira njerëzore të popullit tonë, traditat patriotike të shqiptarëve në Kosovë dhe Shqipëri. Të gjitha këto përmes ngjarjesh e karakteresh të skalitura.
Në libër gjen, zbuluar lakuriq, jo më femra, të cilat rrallë mund t’u mungojnë tregimeve tuaja, por sidomos sjellje e tipare njerëzore që në Kanada, në një botë tjetër, përtej kontinentit tonë, nxjerrin cilësi e tipare të panjohura më parë në vendin e origjinës.
Të mahnitin përshkrimet, ku spikatin sidomos ato për natyrën, sikundër edhe portretet e personazheve, të cilët ti nuk harron t’i veshësh e t’i mbathësh siç e “meritojnë” për rolin që kanë në shtjellimin e ngjarjeve që shpalosen gjatë rrëfimeve. Tabllotë plotësohen me përshkrimin e ambienteve, ku jetojnë personazhet e ku “i ka kapur syri i autorit” gjatë shtrimit të subjektit. Të gjitha këto detaje plotësojnë atmosferën që i shërben më së miri temës, idesë që përcjell secili tregim, ose novelë.
Përshkrimet përbëjnë pasuri të veçantë e të përhershme të shkrimeve, ku spikat njohja e thellë e larmisë së jetës me të gjitha elementët, të dukshme e të padukshme, deri në imtësi befasuese, veçanërisht në fshat. Madje, të bën përshtypje, si është e mundur të mos ndihet aspak përsëritje nga tregimi në tregim! Ndryshojnë lulet, bari, moti, gurgullima e përrenjve, llojet e shpendëve e gjer cicërimat e zogjve. Unë vetëm tani mund t’u thërres në emër zogjve, përveç dallandyshes dhe gushkuqit, që i kam njohur fëmijë në qytetin tim të lindjes, Gjirokastër. Falë përshkrimeve të tua, në mirëbesim me to, sot ua njoh portretin. Nuk po shtyhem më tutje tek grimi i vajzave dhe grave, jo për gjë, por nuk mund të mos turpërohem që unë, medemek qytetari, i mësoj këto njohuri të holla feministe, nazike e të fshehta kozmetike, nga një ish-fshatar golëmas i maleve të Labërisë.
Në përshkrime të tilla kuptohet qartë se Avdullai është gazetar i lindur nga Zoti. Profesioni i gazetarit, që ti e ke ushtruar me dekada, dhe mundësia që të është dhënë për t’u ballafaquar me natyrën dhe botën, thjesht të ka mprehur shqisat, vëzhgimin dhe të ka kultivuar dhuntinë për të shfaqur e publikuar talentin tënd natyror nëpërmjet veprave artistike që po boton një pas një, sidomos në këto vitet e fundit.
Po humori? Të kap në befasi, por krejt natyrshëm, përgjatë tregimit. Dallon se është “bulmet vendi”, vjen era origjinalitet dhe trëndelinë e Golëmit të Kurveleshit. Është një humor të cilin unë e njoh mirë sepse kam punuar me ndërtues nga fshati yt, madje më pëlqen nganjëherë të flas golëmçe.
Nuk mund të mos vësh re në libër fjalorin e pasur të Labërisë, fjalët e rralla që ka “nxjerrë” nga sënduku i “ligove”, një krahinë ku mbijnë e gjallërojnë poezitë e thurura aty për aty, të lindura njësh me natyrën.
Përveç vlerave artistike, tregimet e vëllimit “Liridona” bëhen si një udhërrëfyes për emigrantët shqiptarë në Kanada, si për ata që shkojnë në rrugë legale, por sidomos për ata që shkojnë me njëmijë telashe e marifete, duke synuar ëndërrën amerikane. Brenda tregimeve gjendet Kodi, Rregulloria, Manuali, si kanë mundur të kapërcejnë e ua kanë “hedhur” pengesave ligjore që të bëhen të pranueshëm, duke fituar lejen e qëndrimit të përhershëm, plus çfarë duhet të dish, të shpëtosh nga gjoba e penalitete që nuk i ke hak e nuk ua ke takatin.
Në libër të befasojnë shprehje e figura letrare mjaft të goditura, nga më të çuditshmet, sidomos krahasimet me natyrën e fshatit, … por ç’e do, e rrëmbeva lapsin për shënime me vonesë, pas ultimatumit të doktor Selamit, mikut tonë golëmas, që na i vuri këmbët në një këpucë, kur na porositi se vërtetë librin e kishim falas, po nuk do shpëtonim pa dhënë përshtypjet.
Po sjell këtu disa shembuj figurash letrare që më kanë mbetur në kujtesë: “…flokët shpupurisur si fole mëllënjash, …përplaseshin buzët sikur putheshin… shkolla si shpellë ku strehoheshin lakuriqët e natës…lumi përhapej si një erashkë mbi zallin e bardhë… (Çfarë krahasimi! Si të jesh rritur në pallate mbretërore, në jetën mondane të Parisit, o Golëmas i Labërisë!)
Tregimi “At e bir”, shumë interesant dhe i vizatuar bukur e me finesë, i mbrujtur edhe me historinë që mban mbi shpinë vend-vendosja e caktuar për vllehët, me arkeologjinë e gjurmët e saj… Përshkrime të imta, njohje e natyrës si të jetë vetë një zog a gjallesë natyrore. Që në moshë fëminore i shquan cilësia e veçantë e vrojtimit të gjithçkaje që e rrethonte, të kuptimit, të domethënies, të jetës së shpendëve, të instikteve vetmbrojtëse të tyre, instiktet e mbijetesës në luftën e përhershme gjigande në natyrë, etj. Shumë e bukur dhe mbreslënëse përballja e njohurive të fëmijëve fshatarë, që i takonin dy etnive të ndryshme, vlleh e lebër.
Tregimi “Gjurmuesi popullor” të mahnit. Kisha idenë se ju kam dërguar me email përshtypjet e mia, pas leximit të këtij tregimi, po nuk i gjeta dot. Krijim fantastik. Madje, më kujtohet se kam menduar që me këtë cilësi të veçantë, të gjurmuesit të subjektit të tregimit, ju ka pajisur Zoti, fatmirësisht, edhe ju, i dashur mik.
Në tregimin “E përdhunuara” autori të rrëmben në vorbullën e dramës së vajzave e grave kosovare, të përdhunuara kafshërisht nga pushtuesit serbë. Shtjellimi i ngjarjes të “detyron” ta ndjekësh së bashku me autorin, gjurmimin e të vërtetave tronditëse. Në përshkrimin e shprehjes së fytyrës të një gruaje të rrënuar psikologjikisht, lexon dhëmbjen, tronditjen, tmerret e një kombi të tërë.
Me opinione letrare, gjer akademike, besoj, i dashur mik, jeni deri në grykë, qysh nga ballina e librit dhe parathënia për të, ku spikatin emra të njohur si studjuesi e kritiku letrar, prof Ymer Çiraku, shkrimtari Sadik Bejko, prozatori Faruk Myrtaj e poetja Vllasova Musta, ndaj unë po i bie muhabetit monopateve, larg autostradave, këndej nga më takon si këmbësor, pa lënë mënjanë edhe ndonjë “gozhdë” për të mos u marrë më sysh. Kujdes me skeletin, i dashur mik, me konstruksionin e tregimit…
Me që je larg, nuk po t’i bëj publike të gjitha rezervat që kam, (unë si inxhinier nuk të fal as të qindën e milimetrit nga që dua që godinën që ndërtoj e inspektoj, të mos ta tundë asnjë tërmet), ama mos mendo se nuk do t’i them. Ato do t’i diskutojmë në rrethin tonë të ngushtë, që ti e njeh mirë….
Le të na i bëjnë “gjyqin” profesor Ymer Çiraku, doktor Selam Shkurti dhe Ibrahimi Emiri, (këtë të fundit e kam në këmbë të babait).
Edhe një herë, shumë urime për librin e bukur e të këndshëm me tregime e novela “LIRIDONA”!
Ju uroj shëndet sa më të mirë për ju dhe familjen tuaj, suksese në krijimtari të tjera letrare dhe mirutakofshim sa më shpejt, të vaksinuar, në Shqipëri!
Tiranë, më 11 shkurt 2021.