Albspirit

Media/News/Publishing

Agim Neza & Çerçiz Loloçi: Krime serbe në Kosovë (4)

 

I.

KRIMET PA KOMENT TË REGJIMIT TË MILLOSHEVIÇIT

 

 

  1. Gjymtime të adoleshentëve

 

Një plakë nga Krysheci i Pejës

 

Pasi na bombarduan me avionë dhe artilieri, jemi nisur me çfarë kemi mundur për të marrë arratinë. Gjatë rrugës kemi ndeshur në një grup të rinjsh që ishin sakatuar e vrarë nga militarët serbë. Disa prej tyre, që ishin gjallë, na kërkuan që t’u shërbenim me ujë. Ishin jo më shumë se 18-20 vjeç. Pa duar, pa këmbë, pa sy, pa pjesë të tjera të trupit dhe nëse i ndihmoje do merrje ndëshkimin serb. As kanibalët nuk do t’i bënin këto krime.

Ata bëheshin rreth 20 persona. Ushtarët serbë kishin bërë çfarë kishin dashur me ta dhe më e tmerrshmja ishte se të plagosurit rrinin së bashku me kufomat e tjera, që po kalbëzoheshin dalë ngadalë. Një djali 19 vjeç i kishin thyer të dy këmbët dhe ai nuk mund të lëvizte dot, ndërsa një tjetër e kishin rrahur egërsisht, i kishin nxjerrë krahun saqë edhe nëna e vet nuk e njihte dot më.

Aishe Qerreti, 40- vjeçare

Kur kaluam mbi Deçan me zetorët ku kishim hipur, na kanë ndaluar forcat serbe. Lart kishte vetëm gra, fëmijë dhe disa djem të rinj, që nuk kishin arritur të fshiheshin në mal bashkë me pjesën tjetër të fshatit. Ushtarët serbë na kërkuan dokumentet dhe na i kanë grisur në vend, më pas na plaçkitën nga të gjitha sendet e çmuara. Djemtë e rinj që nuk ishin më shumë se 13 vjeç, i ndanë prej nesh dhe filluan t’i rrihnin; disa prej tyre i vunë para gomave të mëdha të zetorit dhe i thoshnin shoferit që të ecte mbi trupat e tyre. Shoferi nuk pranoi dhe ata e vranë me breshëri automatiku.

Ramadan Kuçi, komuna Suharekë

Ushtarët serbë e kanë sulmuar menjëherë shtëpinë e fqinjit tim, duke shqyer derën e jashtme të saj. Më pas është dëgjuar një zhurmë e madhe nga brenda. I kanë nxjerrë të gjithë pjestarët e familjes jashtë dhe para oborrit të shtëpisë kanë qëlluar me pistoletë në ballë ndaj një vajze 19-vjeçare.

Ne u larguam nga fshati dhe diku në mes të rrugës na ndaluan disa forca të tjera ushtarake. Na kërkuan që t’u jepenim nga 7 mijë marka. Një plak që kishte vetëm 10 marka e gjymtuan nga të dy këmbët dhe e vranë.

Shpëtim Sulaj, komuna Suharekë

Mbi 200 njerëz në komunën time janë vrarë jo nga forcat ushtarake, por nga njerëzit e Arkanit. Trupat e tyre janë djegur dhe për të humbur gjurmët e kanë përzier me mbeturinat e fabikës së gomës. Edhe serbët që kanë jetuar me ne u përfshin në masakra.

 

  1. Zetorët mbushur me kufoma varrosen në gropa masive

 

Kronikë e agjencisë ‘Kosova press’

 

Dëshmia e një masakre të përbindshme vjen nga Prishtina, ku tre zetorë të mbushur me kufoma janë përcjellë nga policia serbe për t’u varrosur. Dje, më 7 prill, në orën dhjetë të paradites, policia serbe ka varrosur kufoma të tjera në varre masive. Masakra më e tmerrshme vjen nga zonat e Celinës, krahina e Rahovecit, ku është kryer një masakër në kohën e pushtimit të fshatit nga forcat ushtarake serbe. Vrasjet masive janë bërë në datat 24-25 mars dhe trupat e pajetë janë gjetur nga luftëtarët e UÇK-së. Në këtë masakër janë vrarë kolektivisht 51 shqiptarë, 12 prej të cilëve janë fëmijë, vajza e gra e të moshuar. Të vrarët janë nga familjet Zeqiri, Salihu, Fetahu e Kastrati. Misteri i masakrave dhe varrosjeve masive është shtuar edhe më nga karvani i humbur i shqiptarëve që iknin jashtë trojeve të tyre.

 

  1. Serbët ekzekutojnë edhe klerikët

 

Flet Shefqet Rragami, 35-vjeçar nga Gjakova

 

Në periferi të Gjakovës, në ditët e shenjta të festës së Bajramit, te stacioni i elektropompave kam parë 18 vetë të pushkatuar, njerëz të vrarë që llokoçiteshin mbi valët e lumit Drin. Anës këtij lumi kishte gjithashtu kufoma të pade-kompozuara, mes tyre edhe gra e femra pa asnjë veshje në trup. Në teqenë e Baba Zenelit ushtarët serbë vranë babain dhe 8 klerikë të tjerë, mes tyre at e bir, Arif e Urimi Bytyçi. Teqenë e kthyen përmbys duke hedhur përtokë libra dhe sende të tjera të besimit musliman. Kur kemi dalë në Reçak kemi parë trupat e mbi 100 të vrarëve. Edhe në fshatin Mushtrishtë, 8 kilometra larg Suharekës, kishte mjaft të vrarë, madje 9 persona ishin të familjes Berisha.

Po në këtë fshat serbët vranë një grua, vetëm sepse ajo nuk kishte t’u jepte 500 marka. Ne ecnim të gjithë me vrap për t’i shpëtuar masakrave dhe forcat serbe na ndiqnin për të na grabitur e poshtëruar.

 

  1. Rrugët e Podujevës mbushen me kufoma

 

Tregon Valide Selmani, 50 vjeç nga fshati Bllanik

 

E kam shumë të vështirë të flas sepse ushtarët serbë më vranë djalin 24 vjeç. Kam tre muaj që jam larguar nga banesa dhe fshati. Atje më kanë vrarë djalin e madh që ishte luftëtar i UÇK-së. Një granatë serbe u mori jetën tre vetëve, tim biri dhe dy shokëve të tij, gjithashtu luftëtarë të UÇK-së.

 

Mustafa Selmani, 40-vjeç nga Podujeva

Të vrarët shqiptarë nga forcat ushtarake serbe janë të panumërueshme në rrugët e Podujevës. Era e kufomave të pavarrosura dhe të lëna në mëshirën e fatit është e padurueshme dhe vatër infektive për njerëzit e tjerë. Kam para kufoma me kafka të thërmuara, me sy të shqyer dhe me gjymtyrë të hedhur sa andej-këtej.

 

  1. BBC: Përdhunimi i vajzës në sytë e babait

 

Kronikë përdhunimesh

Një grua, që nuk do të zbulojë identitetin e saj, ka treguar se forcat serbe atë dhe 7 vajza të tjera i kanë ndarë me dhunë nga familjarët e tyre dhe më pas i kanë përdhunuar.

Më pas, 4 prej tyre janë vrarë nga policët serbë dhe mes tyre ishte edhe një grua shtatzanë në muajin e katërt. Nisën të qëllojnë me armë zjarri dhe na thanë të braktisnim shtëpinë.

“Katër ishin të maskuar, njëri prej tyre ishte oficer nga fshati ynë. Ai më njohu, më pa në sy dhe filloi të më godiste ku të mundte. Këtë bëri edhe me femrat e tjera. Pastaj i tha babait tim se këtë vajzë do ta martojmë me një serb.

Të katërt m’u hodhën përsipër dhe më rrëzuan përtokë, njeri prej tyre më përdhunoi në sy të të gjithëve, një tjetër më gjuajti me kondak pushke, ndërsa një i tretë më përqafonte dhe më puthte.

Kur je ashtu e shtrirë përtokë dhe e goditur nuk ke mundësi as të lëvizje, por edhe nëse do ta bëja këtë do të dhunohesha sërish. Në ato momente nuk e doja më veten dhe dëshiroja të më jepnin një plumb në kokë”, tha vajza. Një grua tjetër ka dëshmuar se “është përdhunuar së bashku me disa femra të tjera, rrëzë një rruge, ndërsa familjarët shikonin skenën, por nuk mund të bënin asgjë sepse ishin rrethuar e lidhur nga policë dhe ushtarakët serbë”.

Njëri prej tyre u tha vajzave: “Ju jeni të bukura, ju jeni për ne, ne nuk duam t’iu qëllojmë, por duam që familjarët tuaj të binden për t’u larguar ndaj po e bënin këtë para syve të tyre”.

Gruaja shtoi se “ushtarët e kishin shtrirë një adoleshente në tokë dhe kishin filluar t’i shqyenin me thika rrobat e trupit”.

Edhe një burrë i moshuar tha për BBC-në se “policët serbë i përdhunuan një të afërmen e tij. Nuk kisha çfarë të bëja, po nëse do kisha një armë do të kundërveproja kundër këtyre monstrave. I pashë vetë dhe m’u errën sytë nga kjo skenë e tmerrshme agresorësh”.

 

  1. Të rinjve u shpërthejnë fytin me kaçavidë

 

Flet Sanije Ulluri, fshati Mahali, komuna Malishevë

 

Tmerrin e kam parë me sy kur paramilitarët serbë masakruan para grave dy djem 20-23 vjeçarë. Fillimisht ata u kërkuan të rinjve marka dhe valutë të huaj, i kontrolluan duke mos pasur besim në thëniet e tyre dhe më pas u kanë shpërthyer fytin me kaçavida dhe i kanë qëlluar me pistoletë. Pasi i kanë vrarë, ata filluan të luanin me kufomat e tyre me një tërbim shtazarak.

 

 

Ismet Gashi, fshati Kodraliç, komuna Pejë

Të hënën, më 5 prill, të gjitha fshatrat përreth Lugut të Buranit janë shpërngulur dhe janë zhvendosur për të gjetur strehim në malet e Turjakës, duke menduar se aty do t’i shpëtonin ofensivës së armatës serbe. Gjatë rrugës, në mesnatë kemi rënë në pritën e ushtrisë serbe, e cila ka gjuajtur në mes të marshuesve prej më shumë se 1 mijë vetësh, mes të cilëve edhe gra, fëmijë e të moshuar; arsenali i goditjeve përmbante goditje me artilieri, me tanke dhe me mitralozë. Të vrarët ishte vështirë t’i numëroje, grupe njerëzish këputeshin nga autokolona e gjatë nga breshëritë e plumbave.

Në atë moment jemi ndarë në tri grupe: njëri ka udhëtuar në Turjakë, tjetri për në Lëbushë dhe i treti në bjeshkët e Strecllit. Kolona që u nis në drejtimin e tretë u godit sërish nga helikopterë serbë ka kanë mbetur të vrarë edhe 18 persona të tjerë. Rrugës nga Prizreni në Zhurë kemi parë dhjetra varreza të freskëta.

Natën kur mbërritëm nga Peja në Prizren, ushtria serbe na rrethoi dhe na grumbulloi në një kazermë. Aty na mbajtën dy ditë e dy net sepse kishin dijeni që ajo mund të goditej nga sulmet ajrore të NATO-s.

 

Muhedin Muharremi, fshati Vërmicë, 75 vjeç

Rreth 100 vetë na përzunë nga banesat tona dhe na detyruan të shkonim në Shqipëri, nëpërmjet pikës së kalimit kufitar, në Morinë të Kukësit. Kur kishim edhe 2 kilometra rrugë na dolën para të mobilizuarit e Arkanit. Isha bashkë me familjen time, 4 djem e 3 vajza. Dy prej nuseve të djemve ishin shtazanë, por kishte edhe gra të tjera që prisnin të lindnin fëmijët.

Të mobilizuarit e Arkanit i ndanë veç femrat shtatzanë dhe pyetën secilën prej tyre se kush kishte djem për të lindur. Asnjë prej tyre nuk foli për gjininë e bebes së vet. Të shtrira në tokë ishin 12 gra; një bishë prej tyre vrau 7 femra duke dyshuar se ato kishin djem. Njërën nga nuset e djemve ma vranë, ndërsa tjetrën ma lanë të lirë. Pas kësaj na lanë që të vazhdonim rrugën.

 

Jonuz Muharremi, fshati Vërmicë

Serbët na mblodhën në një fushë të madhe duke ndarë burrat nga femrat e fëmijët, grupi i meshkujve ishte më i madh në numër. Një patrullë policie, që kishte urdhëruar të dilnim nga shtëpitë, na mori të gjitha dokumentet dhe na i grisi; disa ushtarë shtinin mbi kryet e grave dhe fëmijëve. Një patrullë tjetër na tha se duhet t’u jepnim nga 5 mijë marka secili që të shpëtonim kokën, por jo të gjithëve u ndodheshin me vete. Ata që nuk dhanë marka u pushkatuan në vend, ndërsa unë arrita të shpëtoja duke dhënë 1 mijë marka.

Kur mbaruan vrasjet dhe plaçkitjet filluan të torturonin meshkujt që mbetën gjallë. Kjo skenë vazhdoi disa orë dhe pastaj na lanë që të vazhdonim udhëtimin për t’u larguar nga Kosova. Kur po afroheshim në kufi, disa çetnikë të tjerë na bllokuan sërish dhe po na grabisnin. Të indinjuar që grabitja e tyre nuk shkoi siç e mendonin, ata vranë edhe 17 shqiptarë të tjerë.

 

Petrit Gllozhani, 31 vjeç, fshati Mëhalla e Gjylit

Te dera e jashtme e shtëpisë serbët vranë Skënder Gashin me vëllain dhe djalin 1 vjeç, ata e thirrën për të dalë jashtë dhe sapo e panë ia këputën me breshëri plumbash. Nuk mjaftuan me kaq, por edhe u prenë kokën të treve. Po te dera e shtëpisë vranë edhe Xhevdet Ratkocin.

Tri bashkëfshatarët e mi u vranë jo sepse kishin pjestarë me luftëtarët e UÇK-së, por sepse kishin hapur banesat e tyre për misionin e OSBE-së. Në të njëjtat rrethana ata vranë edhe Naser Prushin, 80 vjeç, bashkë me të birin, Gëzimin. Ata kanë vrarë shumë njerëz me emër në fshat dhe në krahinë sepse i konsideronin shumë të rrezikshëm. Në intervalin dyditor numërohen dhjetra të vrarë, pa përmendur gjymtimet, vjedhjet dhe bastisjet e shtëpive.

 

Jeton Lamabegu, 42 vjeç, komuna e Gjakovës

Lagjia ime quhet ‘Tito’ e ‘Can Dushan’, por ne i thërrasim të gjithë ‘Çlirimi’. Serbët hynë te ne me autoblinda dhe rrafshuan dyer e dritare. Seria e dytë e sulmit ishte me breshëri mitralozi e automatiku mbi xhamat e shtëpive dhe mbi kryet e fëmijëve. Në lagjen afër nesh vranë Nazim Nagovcin, atij i prenë këmbë e duar. Tek shtëpia e Enver Shkupit, ditët e fundit të marsit, serbët vranë futbollistin e ekipit ‘Vllaznimi’, Bujar Tetrica.

Tek stacioni i autobuzëve në Gjakovë ishte kryer një masakër e pashoqe: gra e fëmijë të vrarë, të masakruar, të hedhur sa andej-këtej si në një thertore, koka të prera, gjymtyrë të shqyera, një lemeri e vërtetë. Kam mundur të identifikoj 17 kufoma nga personat që i njihja, megjithëse kishte një mishmash trupash të pajetë. Nuk kishim mundësi të bënim asgjë se ishim kapur në befasi dhe ishim të paarmatosur.

 

  1. Të vrarët në kampin e Lezatit

 

Dëshmon Vlora Maka

 

Kemi qëndruar të izoluar në kampin e Lezatit për 5 ditë rresht dhe nuk kemi ngrënë pothuajse asgjë. Të paktën mbi 40 vetë kanë vdekur nga masat shtrënguese. 30 persona kanë vdekur nga uria dhe të ftohtit në kampin 10 hektarësh mes kufirit Kosovë-Maqedoni, ndër të cilët edhe 20 fëmijë. Kur kemi marrë arratinë për të ardhur në Shqipëri kemi dëgjuar mjaft tmerre të kryera nga serbët. Rruga e Suharekës ishte mbushur me kufoma nga të dy anët e saj, që ndoshta janë zhdukur më pas duke i djegur; nuk them dot një shifër të saktë, por kanë qenë rreth 100 persona. Një kilometër në të dalë të Suharekës kemi parë të gjymtuar e të vrarë familjet e vëllezërve Gashi, me profesion arsimtar, që bëheshin rreth 40 vetë.

 

Familjari Doda nga Peja

Serbët në fshatin e Pejës kanë fillluar të eleminojnë edhe fëmijtë e vegjël duke i djegur në banesat e tyre. Jemi këtu në Durrës mbi 20 persona që kemi ende shenjat e dhunimeve në trup.

 

Dashuria Elezkurtaj, 32 vjeç, Prizren

Ushtria serbe mësyu fshatin Zhurë duke qëlluar me automatikë e mitralozë mbi shtëpitë dhe kasollet e bagëtive. Në fshatin Muratdema, forcat serbe dhe policia qëndroi gati një javë; ata veçuan meshkujt nga femrat dhe të parët i morën me vete. Bastisën edhe shtëpitë dhe vranë 4 lopë dhe 300 dele. Në fshatin Demjan predhat serbe vranë at e bijë, Dullë Guci i moshës 64 vjeç dhe Besa Guci e moshës 26 vjeç. Po nga predhat serbe kanë vdekur një vajzë 11 vjeç, një tjetër 6 vjeç dhe një foshnje 3 vjeç. Pati edhe mjaft të plagosur apo të murosur në bodrume dhe askush nuk mori mjekim sepse nuk lejoheshin nga ushtarët serbë. Disa nga të plagosurit jemi munduar t’i tërheqim dhe t’i fshehim nëpër zetorë. Fshati Podrimë është djegur plotësisht.

 

Familjari Emërllahu nga Krusha e Vogël

E premtja e Krushës së Vogël mund të quhet e premtja e zezë. Atë ditë u vranë mbi 100 burra, mes tyre edhe Sejdi Emërllahu, 56 vjeç me 6 fëmijë. 20 të vrarë u sollën para nesh dhe u dogjën me benzinë.

 

Flet Enver Muharremi

Ushtarakët serbë na detyruan që të largoheshim. Nuk kishim rrugë tjetër, masakrat vazhdonin, shtëpitë digjeshin, shqiptarët vidheshin nga të gjitha anët. Arritëm të fshehnim disa burra në automjetet tona. Shtëpitë e padjegura filluan të populloheshin me serbë të ardhur nga vise të tjera.

 

  1. Serbët mbajnë pengje shqiptare kundër bombardimeve të NATO-s

 

Rrëfimi i një gjakovari që kërkon të mos identifikohet

 

Shtabi kryesor serb asnjëherë nuk e besoi se do të bombardohej nga avionët e NATO-s; ndoshta shpresonte se do të mbroheshin nga Federata Ruse e ndonjë shtet tjetër që kur filluan bisedimet e Rambujesë ishin reshtuar pro tyre.

Në raundin përfundimtar kur atyre u mbeti vetëm Rusia dhe patën kundër vendosmërinë e SHBA, Gjermanisë, Anglisë, Francës, Italisë dhe të pothuaj gjithë bllokut perëndimor, sërish nuk e firmosën marrëveshjen e Rambujesë dhe prapë besuan se nuk do të bombardoheshin.

Por bombardimet nisën dhe Beogradi u përfshi nga flakët, madje u bombarduan edhe shumë vendstrehime të ushtrisë dhe të arsenalit të madh të armëve. Kur kaluan disa netë bombardimesh, një urdhër i Ushtrisë Jugosllave porosiste forcat në terren që të mbanin peng mijëra shqiptarë. Jo vetëm kaq, por grumbuj të mëdhenj shqiptarësh mbaheshin me forcë në vendqëndrime ushtarake dhe pika strategjike që të mos bombardoheshin.

Kështu në Gjakovë janë mbajtur peng mbi 100 mijë persona, në Jug të Gjakovës mbi 25 mijë veta, në Pec janë mbajtur 100 mijë të tjerë, në Dobërvil mbi 200 persona, etj. Nuk mund të thuhet me siguri për shifra të sakta, nuk mund të pohohet se të gjithë pengjet janë vrarë, port ë dhënat që japin vetë autoritet serbe thonë se janë mijëra të vrarë.

 

  1. Përgjakje e burimit të Javiçit

 

Flet Halil Morina, fshati Javiç

 

Në fshatin tonë janë mbajtur nën kërcënimin e tytave të armëve të ushtarakëve serbë rreth 62 vetë. Përpara këtij grumbulli njerëzish, disa persona më maska vranë 19 persona

  1. Milazim Alushi
  2. Isuf Alushi
  3. Dane Imeri
  4. Shaq Paçarizi
  5. Rifat Paçarizi
  6. Hamit Paçarizi
  7. Can Amrushi
  8. Tafil Musa
  9. Beqir Musa
  10. Rrahman Veseli
  11. Idriz Nuha
  12. Liman Nuha
  13. Shaban Osmani
  14. Qazim Demiri
  15. Rexhep Hamza
  16. Gruaja e Rexhep Hamzës
  17. Rifat Hasani
  18. Arif Tahiri
  19. Jahir Krasniqi

 

Përgjakja e këtyre njerëzve të pafajshëm erdhi për shkak të dyshimeve serbe për lidhje e tyre me UÇK-në, por edhe për të na frikësuar që ne të brakrisnim shtëpitë tona.

 

  1. Ushtarakët serbë: Do t’iu djegim të gjallë

 

Flet Besim Berisha, fshati Guri i Bardhë, komuna Malishevë

 

Serbët pushkatuan Rexhep Hajdar Paçarizin me bashkëshorten e paralizuar Zyle Paçarizin. Erdhi djali i tyre për t’i marrë trupat për t’i varrosur, por serbët nuk e lanë, madje i dogjën edhe makinën.

 

Flasin Isa Rexhepi dhe doktor Xhemal Dana

“Krusha e Vogël është dëshmia e një prej masakrave më të përgjakshme ku serbët janë sjellë si qënie jonjerëzore. Vetëm një histeri kolektive mund të vrasë gjakftohtësisht 110 persona, t’i djegë kufomat e tyre dhe t’i vëjë flakën krejt fshatit”, thotë Isa Rexhepi. “Mehmet Uk Ujëmiri është një prej të shpëtuarve të masakrës dhe i mjekuar prej meje. Në katet e para të shtëpive gjendeshin të vrarë e të djegur, pa përmendur të plagosurit”, pohon doktor Xhemal Dana.

 

Dëshmon Beqir Morina, 39 vjeç, komuna Gjakovë

Pas sulmit të parë ajror të NATO-s, në fund të marsit, një numër i madh forcash serbe hynë në fshat dhe na nxorrën me forcë prej shtëpive. 174 persona na rreshtuan për dy para shkollës dhe dogjën godinën. “Ju jeni shkaktarë që po na bombardon NATO, do t’u djegim të gjallë”, thanë disa prej tyre. Pas kësaj filloi keqtrajtimi me të gjithë të grumbulluarit, na goditnin ku të mundnin, përdhunuan disa gra dhe shtinin në ajër si të tërbuar.

 

Muhamet Musliu, luftëtar i plagosur i UÇK-së

Jam plagosur në një betejë të drejtpërdrejtë të luftëtarëve të UÇK-së me forcat ushtarake serbe. Nuk është e vërtetë se nuk po rezistojmë, por mungon informacioni. Beogradi dhe shtabi i tij ushtarak numëron mjaft të vrarë, por këto nuk transmetohen në kanalet e tyre zyrtare; ka të vrarë serbë prej nesh siç ka edhe nga bombardimet ajrore të NATO-s, kryesisht ata që rrinë pranë objekteve strategjike.

Deri tani nuk ka të dhëna se bombardimet ajrore perëndimore të kenë vrarë formacione ushtarake serbe sepse ato janë përqëndruar më shumë te poligonet me armatime. Edhe nga radhët tona ka të vrarë, ka raste që jemi zënë në befasi dhe është luftuar deri në frymën e fundit. Unë nuk di ndonjë rast që një luftëtar i UÇK-së të ketë vrarë serbë të pafajshëm ose të pa armatosur.

Në të kundërt, serbët kanë kryer masakra në krejt Kosovën, por sidomos në fshatra sepse atje mendonin se qëndronim ne. Në Kotlinë kanë futur në një varr masiv 22 civilë, në Pejë ka mbi 150 të vrarë, ndërsa në Kaçanik janë torturuar dhe vrarë 50 vetë.

 

  1. Kronikë krimesh

 

Nga mizoritë serbe vdiqën 8 vetë, 3 fëmijë 1 vjeç dhe 16 vetë të plagosur rëndë, thonë prokurorët e Kukësit

 

Grupi hetimor pranë qyteti të Kukësit bën me dije se janë grumbulluar mjaft dëshmi të shqiptarëve nga Kosova, që provojnë mizoritë serbe mbi shpinën e tyre.

Vetëm në 8 prill, në spitalin e qytetit të Kukësit kanë vdekur nga dhimbjet 8 persona, midis të cilëve 3 fëmijë të moshës 1 vjeç; ata u transportuan nga familjarët e tyre dhe nuk arritën të marrin ndihmë mjekësore.

Po në këtë spital, thonë prokurorët, gjenden në kushte të rënda shëndetësore edhe 16 persona, ku në trupat e tyre dallohen gjurmët e dhunës së ushtruar me mjete të forta, thika e kaçavida e goditje me hunj.

 

Varr masiv në periferi të Prizrenit

 

Luftëtarët e UÇK-së kanë zbuluar në 20 prill 1999 një varr masiv të zbrazët, që ndodhet në ish-poligonin e ushtrisë serbe, mes fshatrave Kodrishtë e Lubrizhdë, në periferi të komunës së Prizrenit.

Varri ka pasur përmasat 5 metër x 4 x 2.5 dhe atje janë gjetur mbeturina flokësh të burrave e grave, sende të viktimave dhe dëshmi të tjera.

Viktimat e këtij varri janë nxjerrë prej andej dhe janë rivarrosur diku tjetër, në një territor të kontrolluar ende nga serbët.

 

Nënoficeri serb Matiç: Koloneli urdhëroi që të qëllohej mbi turmat!

 

Oficerët serbë na hipën në disa vetura private dhe na dërguan për të luftuar në Mitrovicë të Kosovës. Ne na kishin thënë se duhej t’u prisnim rrugën disa komandove guerrile, pra luftëtarëve të UÇK-së, por kur kemi mbërritur në zonën e caktuar nga shtabi në fshatin Travnik nuk kemi gjetur asnjë luftëtar, përveç popullsi shqiptare, gra, vajza, fëmijë e njerëz të pamundur, që ishin të gjithë nën ankthin e bombardimeve serbe.

Pashë me sytë e mi rreth 25 gra dhe fëmijë që vraponin të lebetitur. Fëmijtë e vegjël, pas çdo granatimi, fshiheshin nën fustanet e nënave të tyre. Kur jemi drejtuar në rrugën kryesore, një kolonel serb, eprori im na urdhëroi që të shtinim mbi turmat.

Unë e kundërshova këtë urdhër, por ai më vuri pistoletën në sy. Kishte edhe të tjerë që nuk donin ta zbatonin këtë urdhër. Gjeta një mundësi dhe u arratisa në Londër, ku jetoj edhe aktualisht, por jam në ankth për gruan dhe dy fëmijtë e mi që i kam lënë në Beograd.

 

  1. Letra e togerit serb: Jam krenar që u nxorra sytë 10 fëmijëve

 

Flet një gazetar i pavarur nga Prishtina

 

Në arsenalin e dokumenteve fajësuese për barbarizmat e makinës ushtarake serbe, që ndodhen pranë shtabit të UÇK-së, janë edhe disa letra ushtarësh për prindërit ose familjarët e tyre.

Përkundër gjendjes së vërtetë, pra të panikut që ka pushtuar radhët e ushtrisë e policisë serbe, përkundër ngushtimit të lakut e të dorëzimit shkallë-shkallë nga sulmet ajrore të NATO-s, letrat e mësipërme tregojnë se deri ku mund të shkojë një doktrinë shovinist-komuniste, që shplan nga trutë një masë të konsiderueshme njerëzish, qofshin në radhët e ushtrisë, të policisë, të paraushtarakëve, madje edhe të popullsisë.

Nëse mund të konsiderohen humbje, rrëzim i një avioni amerikan dhe piloti tërhiqet nga marinsat amerikanë, kapja rob e tre ushtarëve të NATO-s që dorëzohen më pas, kjo është thjesht retorikë. E vërteta është se bombardimet ajrore të vendeve perëndimore detyruan dorëzimin pa kushte të ushtrisë jugosllave dhe pranimimin e marrëveshjes për t’u tërhequr nga çdo cep i territorit të Kosovës.

Fakti që trupat e NATO-s bënë vetëm bombardime ajrore dhe nuk ndërhynë me trupa në terren i favorizoi ata për të mos patur humbje të përfillshme. Përballjet e vërteta forcat serbe i patën me luftëtarët e UÇK-së, ku kanë fituar dhe kanë humbur në beteja të drejtpërdrejta, megjithëse jo në forca të barabarta, ndërsa pas ndërhyrjes së trupave të Atlantikut Verior u detyruan të dorëzojnë armët.

Megallomania serbe dhe disa mendje të ftohta të Beograd kërkuan menjëherë armëpushimin. Por nuk mendon kështu një toger serb që i shkuan familjes së vet si më poshtë: “Kam qenë në të gjithë territorin e luftës në Kosovë, por jam krenar se u kam nxjerrë sytë 10 fëmijëve shqiptarë, ne do të fitojmë”.

 

Gruaja e Shyqyri Gashit: 3-vjeçarit i prenë kokën në sy të nënës

Serbët më kanë vrarë 37 veta nga familja dhe farefisi. Milicia serbe hyri në fshat dhe filloi masakra të tmerrshme. Më vranë burrin Shyqyri Gashi, 50 vjeç, 3 djemtë, motër Ajmonën, motrën Hyra me 4 vajza, kunetërit Bahri e Hamza, nuset e fëmijët.

Se si shpëtova përmes plumbave, as vetë nuk e di. Eca me vrap e tmerruar për në fshatin Dusharovë te vajza e martuar, së bashku me djalin 16 vjeç. Rrugës më zunë disa policë serbë dhe më vranë djalin. Më e tmerrshme ishte kur një foshnje nga Suhareka i prënë kokën para nënës dhe 9 motrave.

 

  1. Qindra-mijëra banorë, nën goditjen e artilierisë

 

Në orën e mesditës së 20 prillit, qindra forca paraushtarake serbe dhe kriminelë ordinerë, të nxjerrë nga burgjet, kanë bastisur dhe shpopulluar banorët e disa fshatrave përeth Prizrenit; ata i kanë grumbulluar të gjithë banorët dhe i kanë transportuar për në qytet. Kolonës së gjatë me 30 mijë persona, të shtuar edhe nga banorët e tjerë të fshatrave të Gjakovës, prej gati 20 kilometra, u është thënë që të largohen nga trojet e shtëpitë e tyre dhe të shkojnë ose në Shqipëri, ose në Maqedoni e Mal të Zi.

Në gjendje tepër të rrezikshme është edhe popullsia e grumbulluar në zonën e Llapit, në liqenin e Batllavës ku nuk reshtnin sulmet ajrore dhe goditjet me artilieri. Lagjia ‘Bajram Curri’ e qytetit të Prizrenit, pasi u spastrua nga familjarët e mbetur, është populluar menjëherë me ushtarë, tanke, autoblinda dhe mjete të tjera ushtarake e policore. Në Prizren vazhdon zbrazja sistematike e qytetit ku lagjet merren me radhë për t’u boshatisur nga paramilitarët dhe ushtarët serbë.

Mbi 20 mijë banorë në malin e Zariqit ku qëndronin përkohësisht për t’iu shmangur ofensivës jugosllave në qytete e fshatra, janë goditur me artilieri të rëndë; të njëjtin fat kanë pasur edhe 200 mijë shqiptarë në malet e Golakut. Nga goditjet e artilierisë kanë mbetur të plagosur 50 persona, ndërsa 3 veta vdiqën në fshatin Bradash.

Në bjeshkët e Rugovës ndodhen 45 mijë persona nën goditjet e vazhdueshme të avionëve serbë dhe të artilierisë, ndërsa në zonën e Dukagjinit popullsia e fshatrave është tërhequr nëpër male dhe vazhdon udhëtimin drejt Rrozhajës; kjo kolonë ka rreth 50 mijë njerëz, ku 70 prej tyre janë vrarë nga goditjet nga ajri.

 

Adelina Gjakova: Kam humbur burrin dhe djalin 11 vjeç

Kam humbur burrin dhe djalin 11 vjeç. Gjakova është kthyer në një vend gërmadhash e rrënojash. Pellgje gjaku gjen pothuaj në çdo vend, kufoma të pavarrosura gjithashtu.

 

Mirdita Barbica nga fshati Barbicë: Prenë foshnjen në bark të nënës

Çetnikët serbë na kanë marrë nga shtëpitë, na kanë tërhequr zvarrë dhe kush nuk bindej e vrisnin me pistoletë. Pasi na kanë grumbulluar te stacioni i autobuzit, na kanë ndarë nga burrat. Atyre u thoshnin të jepnin marka, përndryshe i vrisnin.

Pasi i kanë kontrollluar dhe zhvatur na janë kthyer edhe ne duke na kontrolluar në çdo pjesë të trupit. Disa nga vajzat dhe nuset e reja i hoqën prej nesh dhe i hipën në një kamion. Pranë meje ishte një grua shtatzanë që burrin e kishte luftëtar të UÇK-së. Kur e kanë kontrolluar i kanë gjetur një unazë floriri dhe një palë vath, që ia shkulën prej veshëve. I ulërinin me thikën në fyt. Ajo e shkreta nuk dinte çfarë t’u jepte më dhe ata, pa pikë mëshire, e prenë në bark me gjithë foshnjen. Disa gra nga ne klithën, humbën ndjenjat dhe janë rrëzuar përtokë.

 

  1. Fëmijë të vrarë e të varur në shtylla telefoni

 

Nihat Zherka, komuna Gjakovë

 

Kujtonim se gratë dhe fëmijët nuk do t’i ngacmonin ushtarakët serbë. Qysh kur kishte filluar spastrimi etnik (ne kemi pasur edhe më parë shpërngulje popullsie, por bota perëndimore nuk na besonte) ne burrat e kuptuam se nuk mund të rrinim më. Jo se nuk donim që të mbronim vatrat tona, por këtë herë ishim kapur në befasi dhe nuk kishim me çfarë t’i mbronim.

Megjithatë policët dhe ushtarët serbë ishin po aq të pamëshirshëm sa ndaj nesh, aq edhe ndaj femrave e fëmijëve. Kuptohej mashkulli që kapej prej tyre vritej menjëherë. Gjëma e parë që kam dëgjuar ishte në familjen e Xhemil Cekës. Brenda shtëpisë së tij çetnikët dogjën gruan me 3 vajzat.

Atë natë janë vrarë më shumë se 80 veta, ku 21 prej tyre ishin foshnja. Por nuk mjaftonin me kaq, ata i merrnin foshnjat e vrara dhe i varnin në shtyllat e telefonit për t’u kallur tmerrin të gjallëve. Fëmijë të copëtuar, të sakatuar me thika e mjete të forta prerëse, kokë e këmbë të thyera-kjo ishte panorama që shfaqej nga të dy anët e rrugës automobilistike.

Më të pamëshirshëm u bënë serbët e Gjakovës, ata që deri dje kishin jetuar bashkërisht me ne, pavarësisht se nuk e donim pushtetin shovinist-komunist.

Në qytet, në kohën e ish-Jugosllavisë nuk kishte shumë popullsi serbe dhe megjithëse ndihej prania e strukturave serbe, ne ishim sërish shumë në numër dhe askush nuk guxonte që të krijonte incidente.

Gjithmonë ata i druheshin kundërshtimit tonë dhe nuk ishin sjellë asnjëherë si këtë radhë. Një grua u pre me thikë gjatë shtegtimit tonë për t’u larguar nga qyteti i rrafshuar. Ishte edhe burri i saj që e pa këtë skenë, por nuk kishte se çfarë të bënte.

Megjithatë shkoi dhe mblodhi në heshtje të gjitha pjesët e copëtuara të trupit të saj, madje edhe foshnjen e porsalindur dhe i futi në një torbë. Burri u lut që ta varroste trupin e pajetë, por ata i vunë thikën në fyt. E mori trastën me vete dhe kur qe ndarë prej tyre e varrosi në një monopat.

 

  1. Djem perëndimorë përkrah UÇK-së

 

Flet Braker Sikov, 25 vjeç nga Franca, që merr ndihmën e parë në spitalin e Tiranës

 

U nisa vullnetarisht në Kosovë kur pashë masakrat serbe mbi popullsinë e pafajshme, që shfaqeshin në të gjitha kanalet europiane. Kam parë vetë çfarë ka ndodhur në Kosovë nga serbët dhe mund të dëshmoj në çdo gjykatë për krimet serbe dhe për mijëra vetë që largoheshin nga trojet e veta nën kërcënimin e armëve. Kisha pak ditë që u përfshiva në radhët e UÇK-së, hyra nga Tropoja dhe një granatë më ka prekur këmbën e djathtë. Në një gjendje më të rëndë është një vullnetar nga Gjermania. Nuk kemi qenë vetëm ne që u përfshimë me luftëtarët, ka shumë të tjerë nga Italia, Danimarka, Norvegjia, Finlanda, Belgjika, SHBA e vende të tjera.

 

  1. Krim serb ndaj pesë të rinjve

 

Flet Selami Elshani, 37 vjeç, fshati Ret

Pesë policë serbë ishin vënë përballë grupit të njerëzve dhe vranë me disa breshëri 14 shqiptarë. Me krismën e parë unë jam përplasur në tokë, një plumb më ka përshkuar krahun e majtë, gjaku i shokëve më spërkati trupin dhe një i vrarë më ra përsipër. Mezi e kam mbajtur frymën gjallë. Serbët morën miell misri dhe e hodhën sipër kufomave. Një komandand urdhëroi të sillej disa litra benzinë për të djegur kufomat.

Një minutë e gjysmë kam duruar trupin e pajetë dhe të përfshirë nga flakët të shokut tim. Kam dalë më në fund, por shpejt u bllokova sepse ajrimi ishte ndërprerë nga flakët. Kam ecur barkas për të gjetur një gllënjkë uji. Kur jam freskuar, kam ecur drejt shtëpisë, duke kaluar mbi kufoma të hedhur sa andej-këtej.

Në banesën time gjeta babain 74 vjeç, një grua të paralizuar dhe dy dajat; asnjë prej tyre nuk më njohu ngaqë isha shpërfytyruar. U detyrova të them se jam djalë i kësaj shtëpie. Kam ndjenjur 7 ditë e 7 net pa mjekim po edhe në një gjendje të rëndë shëndetësore, ethet më vinin e më iknim sipas mahisjes së plagëve. Kasaphana më e madhe ka ndodhur në 26 mars, në mëngjesin e saj dite 400 burra e gra shqiptare janë rreshtuar dhe kontrolluar nga ushtarakët serbë, duke mos pasur veshur asnjë rrobë në trup.

Grave dhe vajzave u kanë shqyer bluzat, u kanë rrëmbyer sendet e çmuara dhe i kanë lënë të largohen. Të 200 burrat, të lidhur me duar prapa, i kanë strehuar në një shtëpi të madhe dhe atje i kanë rrahur e torturuar për orë të tëra. Katër-pesë djem të rinj i masakruan para grumbullit të burrave dhe askush nuk mund të kundërshtonte apo të bëntë ndonjë gjë.

 

  1. Mbi 100 varre masive në Kosovë

 

Fotografim satelitor i forcave të NATO-s dhe i televizioneve të huaja

 

Shtabi i NATO-s paraqiti më 12 prill 1999 një fotografim ajror të lokalitetit Pusto Selo, pranë Rahovecit, në jug të Kosovës, të marrë më 9 prill, në të cilën duken gjurmët e atij që mund të quhet ‘varri i përbashkët’. Dy pamje të treguara, në një konference shtypi, nga koloneli gjerman Konrad Frajtag, zëdhënës ushtarak i NATO-s tregojnë një terren të rrethuar me ndërtesa boshe e me gjurmë të vrarësh.

“Kjo mund të tregojë praninë e shumë të vrarëve. Duhet të jemi të matur, por dyshimet janë për nja varr të përbashkët. Forcat ushtarake serbe kanë vepruar në këtë zonë. Ne kemi shumë informata mbi mizoritë e kryera në Kosovë dhe ne po kryejmë me kujdes misionet tona të zbulimit ajror për të marrë informata më të detajara”, tha koloneli gjerman.

Kanali televiziv ‘ABC’ njoftoi të shtunën se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë siguruar pamje satelitore që provojnë egzistencën e varreve të përbashkëta në Kosovë. Këto pamje tregojnë rreth 100 varre të kohëve të fundit, të ngjashme me varret e gjetura në fund të luftës në Bosnje-Hercegovinë.

SHBA disponon pamje të qarta satelitore që tregojnë praninë e varreve të përbashkëta në jugperëndim të Rahovecit; ato janë hapur gjatë dy javëve të fundit në dy radhë të madha dhe ngjajnë me varret boshnjake.

Ato përkojnë me dëshmitë e shumta që janë dhënë nga refugjatët shqiptarë në Mal të Zi, Maqedoni, e Shqipëri, të cilat flasin për ekzekutime në masë të strukturave serbe ndaj popullsisë civile e të pambrojtur në këtë rajon.

Strategët ushtarakë amerikanë si dhe ata të Aleancës së Atlantikut të Veriut shfrytëzojnë pamjet satelitore për të ndjekur lëvizjet e ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë dhe shpërnguljet e popullsisë civile.

Fotot e marra nga sistemet satelitore amerikane janë të një saktësie mjaft të lartë dhe mundësojnë deri leximin e shkronjave dhe të shenjave të gradave të ushtarakëve serbë.

 

  1. Djem dhe burra shqiptarë, rezerva gjaku për të plagosurit serbë

 

Rrëfim i zonjës Kabashi nga Prizreni

Një nga mizoritë më të egra në Kosovë është shfrytëzimi i fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë që u marrin gjak dhe krijojnë rezerva për ushtarët e plagosur serbë. Vëllai ynë është arratisur nga spitali civil i Prizrenit, që ishte vënë nën kontrollin e ushtarakëve serbë.

Aty mbahen 70 të rinj shqiptarë, të cilëve u merret sistematatikisht gjak për të plagosurit serbë nga bombardimet e NATO-s, por edhe nga betejat me luftëtarët e UÇK-së. Vëllai ishte zhdukur pa lënë gjumë dhe pas një jave morëm vesh se ishte gjallë dhe se ishte arratisur nga spitali. Ai na tha se çfarë bëhej me shqiptarët, ku disa prej tyre kanë humbur edhe jetën.

 

  1. Nëna serbe i shkruan djalit: Mos më eja gjallë pa më sjellë një kokë shqiptari!

 

Letra që u gjend në çantën e ushtarit serb Dragan K. nga Shumadija

 

“Bir i dashur, të uroj të jesh mirë me gjithë shokë dhe luftëtarë të një çështjeje për jetë a vdekje. Ne jemi racë sipërore, por na kanë mundur ata që kanë ardhur nga mali. Ne i kemi pasur poshtë për mbi 100 vjet, me ushtri, me polici, me administratë, me mercenarë, por ata na mundnin me diçka tjetër, bënin shumë fëmijë dhe na kthenin në pakicë. Mos u kthe në shtëpi pa më sjellë një kokë shqiptari nga Kosova ose nga luftëtarët e UÇK-së”, i shkruante nëna serbe djalit të saj të përfshirë në ushtrinë serbe dhe që luftonte në Kosovë.

Kjo letër u gjet në çantë e shpinës të ushtarit Dragan K. nga Shumadija e zonës së Kralevës në republikën e Serbisë, i cili është kapur rob nga luftëtarët e UÇK-së. Pas përshëndetjeve të rastit për shëndetin dhe për shokët, nëna vijon me kërkesën që ai të mos kthehej i gjallë në shtëpi pa pasur me vete një kokë prej Kosove. Ushtari Dragan K. bënte pjesë në trupat speciale të Beogradit, që kanë bërë spastrime të mëdha etnike, por edhe një sërë barabarish.

 

  1. Skica kriminale e kapterit Radko Mirkoviç

 

Rrëfim nga një i plagosur në spitalin e Kukësit

 

Kapteri Radko Mirkoviç dokumentohet si një ndër më aktivët në masakrat serbe, të kryera herë nën petkun e forcave speciale, herë të ushtrisë e policisë, herë të paraushtarakëve apo të mobilizuarve të Arkanit e Sheshelit. Prej kohësh ky emër figuron si ndër më të kërkuarit nga tribuali i Hagës, për krime e kryera fillimisht në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë, në republika të tjera të ish-Jugosllavisë, por edhe në Kosovë. Një i plagosur në spitalin e Kukësit tregon se Mirkoviç ia hoqi me forcë shaminë një shqiptareje të besimit musliman dhe ia përplasi në tokë foshnjen 4-muajshe. Ai e grabiti gruan e mjerë, i preu kokën foshnjes dhe ia hodhi asaj para këmbëve.

 

Ibush Berisha nga Fushë Kosova: 130 njerëz të vrarë, mes të cilëve 5 nga familja ime!

Në 16 prill morëm ultimatum nga ushtarakët serbët që t’i linim shtëpitë, pa mundur të marrim asgjë. Dolëm rrëmbimthi, por jo të gjithë i braktisën banesat. Serbët nuk pritën gjatë dhe i vunë flakën. Nga familje ime mbetën të vrarë 5 persona, por të vrarët e tjerë shkonin rreth 130 vetë.

Please follow and like us: