Foto ekskluzive/Frank Shkreli: KËSHTU E GJETËM SHQIPËRINË E ENVER HOXHËS…
KËSHTU E GJETËM SHQIPËRINË E ENVER HOXHËS… DHE TË RAMIZ ALISË, 30 VJET MË PARË
Ishte fillimi i dekadës së ndryshimve të 1990-ës. Vetëm disa javë na ndajnë nga 30-vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, pas një ndërprerjeje prej gjysëm shekulli. Besoj se Ambasada e SHBA-ave në Tiranë e shënon çdo vit datën e rivendosjes së marrëdhënieve midis Washingtonit dhe Tiranës, më 15 mars, 1991, ashtu siç e kujtojnë shumë shqiptaro-amerikanë, përfshirë edhe autorin e këtyre rreshtave, si një ngjarje historike dhe një ditë, që më në fund bëri të mundur bashkimin eventual të mijëra familjeve shqiptare të arratisura ose të dëbuara nga atdheu prej regjimit komunist enverist, që sundoi Shqipërinë me dorë hekuri prej pothuaj gjysëm shekulli. Unë dhe disa shqiptaro-amerikanë të tjerë ishim ftuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) të merrnim pjesë në ceremoninë historike të 15 marsit 1991, për nënshkrimin e memorandumit të mirëkuptimit, i cili rivendosi marrëdhëniet diplomatike midis SHBA-ve dhe Shqipërisë, pas një ndërprejeje prej gjysëm shekulli.
“Kujtim nga vizita e delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit në Shqipëri, Mars/Prill 1991″.
Për më tepër, unë kam patur nderin dhe privilegjin të isha edhe anëtar i delegacionit të parë diplomatik të Shteteve të Bashkuara, i cili disa ditë pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit në Washington midis dy vendeve tona, u nisëm për në Shqipëri për të ndërmarrë masat e para për hapjen e ambasadës amerikane në Tiranë dhe njëherazi për të marrë pjesë në zgjedhjet e para “pluraliste” në Shqipëri.
I kujtoj ato ditë si ndër më shpresëdhënëset për komunitetin shqiptaro-amerikan se më në fund diçka po ndryshonte në atdheun e të parëve tanë. Ishte e vështirë ta merrnim me mend, por Ministri i Jashtëm i Shqipërisë në atë kohë, Muhamet Kapllani dhe dy përfaqësues të opozitës së re demokratike të posa formuar në Shqipëri, Sali Berisha dhe Gramos Pashko ishin të pranishëm në Departamentin e Shtetit, për të nënshkruar memorandumin për rivendosjen e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, të ndërprera aq brutalisht nga Enver Hoxha, pothuaj 50 vite më heret. Në komunitetin shqiptaro-amerikan, në atë kohë, në raste festash ose takimesh të ndryshme gjatë sundimit komunist, njerëzit përshëndeteshin duke uruar njërin-tjetrin “Në Shqipërinë e lirë!”
“Antarët e delegacionit të DASH (autori i pari nga e majta) ditën e parë në Tiranë, ballë për ballë me yllin e kuq, simbolin e komunizmit, dhe ndërtesa e Ambasadës Amerikane, që në atë kohe okupohej nga legata italiane”.
Nënshkrimi i memorandumit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Washingtonit dhe Tiranës zyrtare nga Ndihmës Sekretari i atëhershëm i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Kanadeze, Rejmond G.H. Saitc dhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Muhamet Kapllani, (më 15 mars 1991) ishte prova më e mirë se dëshira e madhe e shqiptaro-amerikanëve, për një “Shqipëri të Lirë”, më fund dukej se po realizohej. Diplomati amerikan, Seitc në fjalën e tij me atë rast pasqyroi pritjet e gjata dhe shpresat e komunitetit shqiptaro-amerikan të shekullit të kaluar, duke theksuar se, “marrëdhëniet midis vendeve tona fillojnë me vitet e hershme të këtij shekulli, kur Presidenti Udrou Uillson i ofroi mbështetjen amerikane shtetit të ri shqiptar. Marrëdhënia nuk u harrua kurrë nga mijëra amerikanët me origjinë shqiptare, disa prej të cilëve janë sot në këtë dhomë, të cilët nuk e harruan atdheun e tyre gjatë gjithë këtyre viteve”. Fatkeqësisht, kontaktet për shumë shqiptarë të Amerikës me nënën Shqipëri ishin vetëm në kujtimet, në mendjen dhe në shpresat e tyre, si dhe në besimin në Zot se një ditë, do të ndodhte ndryshimi i madh, se do të vinte dita e do të ribashkoheshin me familjet dhe të afërmit e tyre në Shqipëri. Hapi i parë i realizimit të kësaj dëshire u hodh, pikërisht 30-vjet më parë, më 15 mars 1991.
“Rrugët bosh të Tiranës – ku ishin shqiptarët”?
Në të kaluarën, unë kam reflektuar në disa shkrime të mia tepër modeste dhe nepërmjet disa intervistave mbi rivendosjen e marrëdhënive diplomatike midis dy vendeve tona dhe mbi rëndesinë e tyre për të tashmen dhe për të ardhmen e Kombit shqiptar. Prandaj nuk dua të përsëris ato që kam thenë më përpara, në përvjetore të tjera të kësaj date historike, për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Por, kësaj radhe deshta vetëm që të kujtoj këtë datë në kuadër dhe në pritje të 30-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri – një datë tepër e rëndësishme në jetën time profesionale — për mua edhe si indidvid dhe për shumë bashkombas shqiptaro-amerikanë që gjatë dekadave kemi patur fatin të sigurojmë strehim politik në Shtetet e bashkuara të Amerikës. Kësaj rradhe po ndaj me lexuesit vetëm disa foto të përzgjedhura nga vizita e delegacionit të parë të DASH në Shqipëri në mars/prill 1991, për të kapur sadopak atmosferën dhe rrethanat në të cilat, me kolegët e nderuar të Departamentit Amerikan të Shtetit, e gjetëm Shqipërinë komuniste, 30-vjet më parë.