Albspirit

Media/News/Publishing

Gjen. Piro AHMETAJ: Mirënjohje Kosovë, shembull për zgjedhjet e 25 Prillit, edhe ne si gjithë Europa!

 

Së pari, data 14 Shkurt 2021, ndoshta për konçidence edhe dita e dashurisë do të shenjtërohet në kujtesën e sukseseve në përpjekjet për të ndërtuar mekanizmat e shtetit modern dhe besimin te demokracia funsionale në Kosovë.

Urime të përzemërta vëllezër kosovarë, na keni bërë krenarë, pasi me standardet dhe rezultatet në kohë reale, ia dolët të zhvilloni zgjedhje dinjitoze si në të gjitha vendet demokratike!

Sigurisht, ka patur konsiderata të larta dhe kundërshti të forta rreth vizionit, përqasjes dhe konsistencës në udhëtimin drejt pushtetit të Albin Kurtit.

Ka patur po ashtu pikëpyetje racionale mbi populizmin, por edhe zhgënjime të arsyeshme për aftësitë qeverisëse të tij, si në 2020 dhe jo vetëm.

Dje, sovrani foli fortë, demokracia fitoi, projekti i Albinit dhe të gjithë janë të fituar.

Kështu, ndërsa lutem për perspektivën demokratike të Kosovës, uroj dhe besoj se Albini dhe Vjosa kanë nxjerrë mësimet e duhura nga problematikat e ushtrimit të pushtetit dhe nuk do i zhgënjejnë shpresat e bashkëqytetarëve dhe kombit!

Së dyti, fatëkeqësisht, Shqipëria mbetet i vetmi vend edhe në rajon që ka “dështuar me sukses”, për të realizuar zgjedhje demokratike si gjithë Europa (të mirënumëara dhe gjithëpranuara)!

Nuk ka triumfatorë as lavdi donkishotësh. Të gjithë jemi fajtorë, pasi të drejtën sovrane të votës, e kemi “shitur për një thes miell, ose lejuar të na i vjedhin” dhe ia kemi nxirë faqen Shqipërisë.

Shqipëria është në udhëkryq, të gjithë jemi të humbur, pasi besimi te vota e lirë dhe shteti i së drejtës kanë rënë, shpresat te demokracia funksionale dhe harmonia e pushteteve janë nëpërkëmbur.

Gjithsesi, shpresoj shumë, që zgjedhjet në Kosovë të na shërbejnë si model edhe ne shqiptarëve dhe me referendumin e 25 Prillit të kthejmë besimin, se vetëm me fuqinë e votës se lirë do të mundemi të rikthejmë vendin në shinat e demokracisë funksionale si gjithë Europa.

Nuk do shpikim rrotën, s’ka nevojë fare as për udhëheqës të lavdishëm, as për dëshmorë, as për “marrëveshje bërthamore”, as për negociatorë euroatlantikë, as për dreka te ‘Krokodili” e gjetkë, as për kamikazë dhe as për matrapazë të pushteteve. Asnjerën nga këto dhe as të gjitha së bashku.

Në të kundërt, është fare e thjeshtë, do duhet vetëm që shqiptarët të marrin pjesë në referendumin e 25 Prillit dhe me fuqinë e votës së lirë të realizojmē zgjedhje demokratike si në Kosovë dhe mbarë Europën, si dhe të marrim fuqinë e kontrollit të pushtetit.

#bashkëdojadalim në #25Prill ✌ #ditëmëtëmira

 

Marrë nga faqja personale e facebook e Gjeneral Piro AHMETAJ, Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD, ish-Këshilltar Ushtarak i Presidentit & Perfaqësues Kombëtar në NATO./albspirit.com

Please follow and like us: