Albina Deda: Dështimi dhe përpjekjet e Rilindjes për ta mbuluar atë!
Numri i rasteve që raporton komiteti i Rilindjes ka kohë që ka kaluar mbi 1000 në një ditë të vetme dhe humbjet e jetëve na rendisin në vendet e para në Europë për numër banorësh, pasi alarmi i ngritur nga specialistët dhe opozita duhej të konsideroheshin, por ranë në vesh të shurdhër dhe i lanë qytetarët në mëshirën e virusit!
Situata në spitale është rënduar akoma më shumë dhe nuk po flet askush nga komiteti.
Të afërmit e të sëmurëve të terrorizuar nga monstruozitetet që po ndodhin atje!
Jo vetëm shtretërit e spitaleve Covid, por dhe ata të pavionëve të infektivit apo pathollogjisë në disa spitale rrethesh e rajonale janë mbushur!
Nuk raportohen vdekjet në spitalet rajonale të rretheve dhe as ato në shtëpi dhe nga ana tjetër e kanë zhvendosur vëmendjen drejt vaksinës për të cilën s’dihet nga vjen, pra s’ka transparencë!
Situata reale në vend në fakt është shumë më keq se shifrat që jepen!
Fshehja e numrit të rasteve është djallëzore dhe papërgjegjshmëri e strukturave të ministrisë dhe komitetit, implikimet e së cilës nuk janë thjesht paaftësi apo mungesë profesionale dhe etike, por janë skandale të mëdha dhe shkelje të rënda me natyrë ligjore.
Edhe rritja e pagave të personelit shëndetësor pas tetë vite qeverisje gjithkush e kupton se është bërë qartazi për arsye elektorale, nga një qeveri e papërgjegjshme dhe e pashpirt që i la ata të përballeshin të vetëm me virusin, pa mjete mbrojtëse!
Hapja e gropave për ndërtimin e spitalit të Laçit e të Levanit po përdoren si një kartë elektorale nga pushteti aktual, duke mos lënë pa përmendur dhe atë që këto projekte kanë edhe defekte të mëdha në konceptim dhe zbatim.
Për nga pozicioni ata mund të ishin fare mirë spitale suprarajonale të përzgjedhur strategjikisht dhe jo spitale elektorale ku s’dihet akoma çfarë do ofrojnë, ku mund t’u shërbënin përkatësisht 7 qarqeve të Fierit, Vlorës dhe Gjirokastrës e Kurbinit, Lezhës, Shkodrës dhe Kukësit, duke bërë që spitalet rajonalë të këtyre qarqeve të kthehen gradualisht në struktura autonome të lehtësuara nga ngarkesa që kanë dhe ofrojnë!
Gjithkush e kupton që Rilindja po përpiqet që në dy muajt e ardhshëm elektoralë të mbulojë dështimin me premtimin për shëndetësi falas, dështimin në menaxhimin e pandemisë dhe katastrofën shëndetësore, njerëzore e ekonomike që u shkaktoi shqiptarëve!
Dy spitalet që po propagandon Rilindja janë dhe mbeten fasada elektorale, projekte gjysmake të Rilindjes mashtruese pa një planifikimin strategjik në kontekstin e një zhvillimi afatgjatë.
Rilindja duhet dhe do të përgjigjet për të gjitha mashtrimet, hajdutëritë dhe keqmenaxhimin që i ka bërë sektorit shëndetësor, situatës së pandemisë, jetës dhe shëndetit të qytetarëve!/albspirit.com