Albspirit

Media/News/Publishing

Biden: Marrëveshja Kosovë – Serbi duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë

Uashington / Prishtinë, 16 shkurt 2021 – Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se në rrugën e saj evropiane Kosova duhet të punojë për një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse normalizimi me Serbinë, e cila ka në qendër njohjen e ndërsjellë.

Këto komente janë pjesë një letrë me të cilën presidenti Biden përgëzoi ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani me rastin e përvjetorit të pavarësisë.

Në letrën e shpërndarë nga zyra e zonjës Osmani thuhet se “lidhjet ndërmjet popujve tanë mbeten të fuqishme, të mbështetura në përkushtimin e përbashkët për zhvillimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe qëndrueshmërinë tuaj si një vend sovran, i pavarur, shumetnik dhe demokratik”.

“Mezi presim të punojmë me qeverinë e ardhshme për ta çuar përpara Kosovën në rrugën e saj evropiane”, thuhet në letër.

“Ka punë për të bërë, përfshirë edhe sigurimin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse normalizimi me Serbinë, që ka në qendër njohjen e ndërsjellë e cila forcon sundimin e ligjit, përballjen më pandeminë globale të COVID-19 dhe nxitë rritjen ekonomike, që mundëson një të ardhme përparimtare për të gjithë qytetarët e Kosovës”.

Duke theksuar se Shtetet e Bashkuara mbeten partner dhe mik i përkushtuar i Kosovës në këto përpjekje, presidenti Biden ka thënë se Kosova ka një vend të vecantë në familjen Biden.

“Kosova vazhdon të ketë një vend të veçantë për familjen Biden, në shenjë respekti për periudhën kur djali ynë i ndjerë, Beau Biden, punoi për ta siguruar paqen, drejtësinë dhe shtetin e së drejtës për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka shkruar ai.

Ditë më parë presidenti Biden, i bëri thirrje presidentit të Serbisë që të punojë drejt reformave evropiane dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Kosovën të përqendruar në njohjen e ndërsjellë.

(Zëri i Amerikës)

Please follow and like us: