Albspirit

Media/News/Publishing

Leonard Olli: Një kërkesë publike për kryeministrin Rama!

Vetëm pak minuta më parë po lexoja në media se kokëministri ynë kishte shpjeguar në media se kishte disa arsye shumë të forta që kërkonte mandatin e tretë. Këto arsye lidheshin me të mirën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve se sa për atë ishte gati të kthehej në shtëpi dhe të shndërrohej në një baba dhe bashkëshort shembullor. Arsyeja e parë ishte se dëshironte të strehonte çdo shqiptar që tërmeti i kishte prishur shtëpinë, e dyta ta na vaksiononte të gjithëve e treta që të bënte taksën progresive të funksiononte plotësisht e ndoshta e ndonjë tjetër dhe të gjitha këto do të shërbenin për të çuar Shqipërinë në një nivel tjetër, po që nuk e sqaronte më lart apo edhe shumë më poshtë nga sa e ka çuar…
I nderuar kokëministër, më lejo shumë modestisht të të rendis të paktën një duzinë arsyesh që jo vetëm pse nuk ke sy e faqe që të kërkosh një mandat të tretë, por që nuk duhej të kishe marrë as të dytin e, nëse kishe vetëm një grimë shpirt patrioti, duhej të ishe dorëhequr me kohë e të kishe hapur rrugën për zgjedhjet e parakohshme!
1- Rindërtimi pas tërmetit tragjik të nëntorit 2019 është një dështim i plotë në menaxhimin e fatkeqësisë, në trajtimin e njerëzve të mbetur mes katër rrugëve në ndërtimin e banesave të reja, të paktën sipas premteve që bëtë dhe e fundit dhe po kaq kryesore shpëtimi nga gjetja e provave dhe fakteve për të çuar para drejtësisë të gjithë personat apo kompanitë përgjegjëse për vdekjen e 51 shqiptarëve, ku 10 familje u shuan tërësisht.
2- Menaxhimi i situatës së Coid-19 ishte një maskaradë e plotë, ku shteti ra dhe funksionimit vetëm ju në FB. Ndërkohë që asistenca për biznesin apo shqiptarët ishte një mollë e ndaluar. E pa dëgjuar më parë, por institucionet shqiptare nuk zbatonin as VKM, as akte ligjore që duhet të dilnin në Fletoren Zyrtare, por vetëm faqen tuaj të FB, si organi i vetëm zyrtar e ligjor në Republikën e Absurdistanit… sa për vaksinimin mos flas më shumë se është e freskët situata tragjikomike e pritjes së tyre në Rinas si dikur udhëheqësit komunistë rusë apo kinezë, në sasi dhe cilësi…. me këtë ritëm as në mandatin e 50-të nuk na vaksionon dot…
3- Taksimi progresiv jo vetëm ishte dështim absolut si në filozofi ashtu edhe në zbatim, duke mbyllur me mijëra biznese dhe larguar nga Shqipëria rreth 600 mijë vetë nga 300 mijë vende pune që premtove solemnisht. Sot Diktatura e Urisë është regjimi i vetëm që sundon.
4- Rendia dhe siguria publike është në nivelet e saj më të ulëta. Sikur mos mjaftonin hallet e mosmenaxhimin e territorit e aksidentet automobilistike, iu shtua dhe përfshirja e shumë drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit në kanabizmin e vendit dhe korruptimit e saj në nivele dramatike. Kthimi i saj në një detashment politik, e ka kaluar Shqipërinë në kuadrin de facto dhe de jure të një shteti policor.
5- Sistemi i edukimit dhe arsimimit në të gjitha nivelet është në kolaps total dhe kjo është kaq e dukshme sa nuk ka nevojë për shpjegime të tjera.
6- Sistemi shëndetësor, e ke parasysh vetë keq e mos më keq. Ajo shpikja me medikamentet gjenerikë, gjeneroi megakorrupsion dhe rrënim të shërbimit në tërësi. Sa për urgjencën e di shumë mirë tallavanë që mbizotëron apo mungesën e investimeve se paratë u bënë rrush e kumbulla në Chek up dhe sterilizim.
7- Të famshmin sistem të adresave e mori lumi e bashkë me të dhe milionat e eurove të taksapaguesve shqiptarë, ndërkohë që sistemin elektronik të mirëmbajtjes se Gjendjes Civile dhe digjitalizimin e saj ia ke besuar atyre që nuk kanë haberin fare.
7- Reforma administrative dhe territoriale është një ndër dështimet spektakolare në të gjitha parametrat, me përjashtim të faktit që përveç kokëministër tashme je edhe kapokryetar i gjithë bashkive.
8- Korrupsionin e shndërrohej në institucion më të rëndësishëm në Shqipëri ku parullat, gjasme për të tjerët KÇK e ktheve në mënyrë qeverisje dhe PPP-të si format më të evoluara të privatizimit të gjithë Shqipërisë. 20 mln euro për një kilometër nuk do të kushtonte as hapja e një tuneli në Himalaje.
9-Bujqësia? Lemeri, e ke kthyer në epokën e pas Luftës së Parë Botërore.
10- Mjedisi? Nocion inekzistent për ty, thjesht një tjetër hapësirë për grabitjen e parave publike (të famshmit inceneratoreve) dhe dëmtime e lumenjve të mbrojtur.
11- Prej 8 vitesh pensionistët që të qan shpirti jo thjesht i ke braktisur, por tashmë ua ke bërë të pamundur të ushqehen se pjesa e kujdesit ndaj brezit të tretë është një ëndërr në dollap.
12-Jo vetëm dështove të hartohet një kuadër ligjor për zgjedhjet të lira e të ndershme sikundër u premtove shqiptarëve, por ke ngritur sistemin më anakronik dhe primitiv që garanton vetëm kthim pas në kohë dhe mungesë të plotë demokracie. Sot, shteti më i ri i Europës, Kosova të tregoi ty dhe gjithë politikës shqiptare sa i dështuar je!
13- Politika e jashtme? Një katastrofë me efekte të pallogaritshme në të ardhmen dhe një tradhti e pamat ndaj interesave strategjike dhe ekonomike kombëtare.
14- Nëse jep një shembull real, përtej demagogjisë se ke përmbushur vetëm një nga premtimet e tua elektorale të vitit të mbrapshtë 2013 kur shqiptarët bënë gabimin më të madh e të besuan, publikisht do të të kërkoj ndjesë edhe në CNN.
Mund të rendis pafund dështimet e tua timonier dhe rilindistëve të tu, por nuk dua të lodh shqiptarët me zullumet e tua të pafund. Prandaj përulësisht hiq dorë nga pretendimet për mandat të tretë dhe bëj një të mirë për gjithë shqiptarët, ik në drejtim të paditur se nuk e merr malli kërkënd për ty…/albspirit.com
Please follow and like us: