Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. SEIT MANSAKU: Xhevat Lloshi, një zë i veçantë dhe i fuqishëm në gjuhësinë dhe kulturën tonë

 

 

Para se të flas për veprën FJALORËT E SHQIPES ME TURQISHTEN, kam dëshirë dhe kënaqësinë të them pak fjalë për personalitetin e autorit të këtij libri, i cili është tashmë një figurë e shquar e gjuhësisë dhe e kulturës shqiptare, një zë i veçantë dhe i fuqishën në gjuhësinë dhe kulturën tonë me një vokacion shkencor dhe kulturor kombëtar.

Prof. Xhevati, të cilin unë dua ta quaj akademik (në të vërtetë ai është anëtar i Akademisë së Arteve dhe të Letërsisë, por këtu e kam fjalën për Akademinë e Shkencave të Sqipërisë). Falë përgatitjes së tij të hapët shkencore, gjuhësore, kulturore dhe encilkopedike, njohës i mirë i gjuhës shqipe dhe i kulturës kombëtare, njohës i talentuar i disa gjuhëve të huaja dhe falë pasionit të tij si studiues i zellshëm dhe punëtor i palodhur ia ka arritur të zhvillojë një veprimtari të gjerë shkencore e kulturore në disa fusha të dijes: gjuhësi e filologji, leksikologji e leksikografi, stilistikë e pragmatikë, gjuhë standarde e kulturë e gjuhës, histori e albanologjisë dhe histori e gjuhës së shkruar, etj., drejtues i punës për hartimin e ‘Fjalorit enciklopedik shqiptar’, botimi parë, drejtues për disa vite i gazetës letrare artistike “Drita”, pedagog në Universitetin e Tiranës anëtar redaksie në dsa revista e komisione shkencore, pjesëmarrës aktiv në shumë kongrese e konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare me një zë të veçantë.

Fusha kryesore e veprimtarisë së tij kërkimore shkencore është leksikologjia dhe leksikografia me të cilën ka nisur punën si punonjës shkencor për shumë vite në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave. Gjatë kësaj kohe ka botuar shumë studime e artikuj, por mbi të gjitha vlen të përmendet puna si bashkautor dhe redaktor i Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe të vitit 1980, një nga veprat themelore në fushën e gjuhësisë të botuara në gjysmën e dytë të shekullit XX nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë.

Në fushën e studimit të historisë së lëvrimit të shqipes së shkruar ka bërë një sërë studimesh e botimesh për autorë e veprimtarë të rëndësishëm si K. Kristoforidhi, V. Meksi, S. Frashëri, Gjerasim Qiriazi, T. Kavalioti, Marko Boçari etj.; shkrime për albanologë si: Gustav Majeri, Rajho Nahtigali etj.  Meriton të veçohet puna e gjerë dhe e thelluar për studimin e jetës dhe të veprimtarisë gjuhësore, përkthyese, lëvruese të Konstandin Kristoforidhit , lidhjet dhe bashkëpunimi me Shoqërinë Biblike të Londrës. Mundësitë që iu krijuan për të punuar për pak kohë në arkivat e Londrës diti t’i shfrytëzojë në maksimum dhe dokumentet që mundi të gjejë atje arriti t’I përdorë me shumë efikasitet në studime të thelluara me vlera të qëndrueshme e origjinale për historinë e lëvrimit të gjuhës shqipe gjatë Rilindjes Kombëtare e më gjerë të Shoqërisë Biblike të Londrës dhe të drejtuesve të saj etj.

Në fushën e kultures së gjuhës dhe të gjuhës standarde, përveç artikujve të shumtë, meriton të përmendet botimi Mbështetje për gjuhën letrare, botuar në vitin1997 ku vlerësohet dhe mbrohet shqipja standarde e miratuar në Konsultën e Prishtinës të vitit 1968 dhe e vendosur bashkarisht në Kongresin e Drejtshkrimit (Tiranë, 1972). Në këtë botim u bëhet një kritikë pikëpamjeve të Arshi Pipës të shprehura në veprën e tij Politika gjuhësore në Shqipërinë Socialiste, botuar në Nju-Jork 1989, në të cilën ishte shprehur kundër gjuhës standarde të miratuar në forumet e lartpërmendura.

Në fushën e stilistikës gjuhësore është  hartues i kësaj lënde të re, me koncepte moderne të kësaj disipline, cila u përfshi  në programet tona universitare dhe u mirëprit në rrethet shkencore e kulturore. Ai ka qenë pedagog i saj për shumë vite në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës.

Është veçanërisht e admirueshme puna që ka bërë në këta 10- vjeçarët e fundit që kur u shkëput nga veprimtaria politike shoqërore si deputet për një legjislaturë dhe doli formalisht në pension, pension në thojza do të thosha ,se ai ka bërë një varg botimesh të rëndësishme të denja për një institucion të tërë., botime si: Fjalor i emrave të bimëve dhe të kafshëve (anglisht-shqip dhe shqip-latinisht-anglisht (2016), Njohuri për stilistikën e gjuhës shqipe (1987, 194 f.), Stilistika e gjuhës shqipe dhe Pragmatika (1999 ,350 f.); Përkthimi i V. Meksit dhe redaktimi i G. Gjirokastritit, 1819–1827 (2012), 398 f.), Kristoforidhi përmes dokumentimit (2005, 410 f.); Rreth alfabetit të shqipes (2008, 321 f.); Mbështetje për gjuhën letrare (1997, 158 f.); Shqipja gjuhë e hapur dhe dinamike, (2011, 327 f.). Ka përkthyer dhe botuar  një vepër të arkeologut dhe indoeuropianistit të mirënjohur Bosch Gimpera. Ka bërë një botim për veprën e Martin Likut. Ka botuar një varg artikujsh e revistash në shtypin e përditshëm me një përmbajtje të larmishme politiko-shoqërore, shkencore gjuhësore e kulturore, botuar në vitin 2016 nga Shtëpia botuese Argeta LMG me titullin Intervista në vitin 2016. Ai vijon të shkruaj pa u lodhur për kolegë, albanologë, lëvrues të shqipes etj. Vetëm  këto ditët e fundit ka shkruar në gazetën “Dita”për prof.  Shaban Demirajn, me rastin e 100-vjetorit të lindjes, për prof. Emil Lafen, për Mesharin e Gjon Buzukut, një shkrim interesant me ide të reja e origjinale për vlerat, historinë dhe përmbajten e librit të parë në gjuhën shqipe dhe të autorit të saj duke e krahasuar  Mesharin e Gjon Buzukut me mesharë rë tjerë të kohës dhe duke nxjerrë përfundime për origjinalitetin e punës së autorit tonë.

Një nga veçoritë e veprimtarisë shkencore të prof. Xhevat Lloshit është gjerësia tematike e përmbajtjes së botimeve të tij dhe interesi i gjerë shkencor e kulturor që paraqesin problemet e temat që ai ka trajtuar, jo vetëm për specialistët e ngushtë, por edhe për një publik më të hapur, ndërthurja e trajtimit të temave të mirëfillta shkencore më ato kulturore, origjinaliteti në zgjedhjen e temave dhe në mënyrën e trajtimit, qëndrimi i spikatur kritik etj.

Libri më i ri që po paraqesim sot Fjalorët e shqipes me turqishten, botuar nga Fondacioni kulturor ALSAR, nën drejtimin e z. Mehdi Gurra, është një kontribut i veçantë historik gjuhësor e kulturor që sjell autori në fushën e historisë së leksikografisë në përgjithësi dhe të kontakteve të gjuhës shqipe me turqishten në veçanti, duke nisur që nga interesimet dhe gjurmët e para të studiuesve dhe jo vetëm të studiuesve, por edhe të udhëpërshkruesve që ranë në kontakt me gjuhën shqipe dhe bënë përpjekje për të dhënë konsiderata të thjeshta e vlerësime për shqptarët e gjuhën e tyre, gjuhën shqipe. Kjo bëhet në një krye hyrës, të cilin autori e ka titulluar Gjurmët e para.

Tema e marrëdhënieve të shqipes me turqishten, ose më saktë e ndikimeve të turqishtes në gjuhën shqipe, sepse, siç ka vërejtur edhe autori në qendrimet e tij kritike, nuk kemi të dhëna që shqipja të ketë ndikuar në gjuhën turke, ka tërhequr vëmendjen e studiuesve , kryesisht të huaj, albanologë e balkanologë e orientalistë e turkologë që në gjysmën e shekullit XIX, nga që është një ndikim edhe më i gjerë që ka prekur të gjitha gjuhët e Ballkanit. Në çerekun e fundit të atij shekulli studiuesi slloven Franz Miklosiçi botoi në dy vëllime veprën Elementet turke në gjuhët e Europës Juglindore(1884-1885) të cilën prof. Xhevati e ka shqyrtuar në këtë botim . Madje studiuesit, duke e parë ndikimin e turqishtes si problem ballkanik, janë përpjekur të përcaktojnë se në cilat gjuhë të Ballkanit ka qenë më i madh ndikimi i turqishtes. Meqë elementet turke nuk kanë qenë studiuar me hollësi, madje as mjaftueshëm në gjuhët e veçanta të këtij rajoni, ka qenë e vështirë për t’i dhënë një përgjigjje të saktë kësaj pyetjeje, prandaj mendimet e studiuesve kanë qenë të ndryshme. Sllavisti i njohur rus Selishçev, në një punim të botuar në Revue des etudes slaves në vitin  1925, ka pohuar se turqizmat janë më të shumta te sllavët e te shqiptarët se sa te grekët e te rumunët. Eqrem Çabej në Hyrje në historinë e gjuhës shqipe , f.143 ka shkruar: “Ndërkaq që tani mund të thuhet plot gojën që te elementi muhamadan i Ballkanit, ndër shqiptarë, boshnjakë e hercegovinas huzaimet turke janë më të shumta.” Sidoqoftë tema e elemeteve turke në gjuhët e Ballkanit mbetet një fushë me interes për studimet ballkanike dhe për turkologjinë.

Prof. Xhevat Lloshi problemin e turqizmave në gjuhën shqipe nuk e ka trajtuar thjesht si një problem gjuhësor, por si problem gjuhësor e historiko-kulturor duke e lidhur me zhvillimet dhe periudhat historike nëpërmjet të cilave ka kaluar populli shqiptar, të cilat kanë kushtëzuar edhe zhvillimet gjuhësore.

Ai në kreun Kërkesat terminologjike të këtij botimi, ndonëse turqizmat në gjuhën shqipe janë relativisht të shumta, mungesën e fjalorëve dygjuhësh turqisht- shqip apo shqip-turqisht në periudhën e sundimit osman, e ka shpjeguar, besoj me të drejtë, me faktin se me gjithë ekzistencën e një numri jo të vogël shkollash osmane deri në shekullin XX, në ato shkolla nuk mësohej shqipja dhe për pasojë, gjuhët orientale në to nuk mësoheshin në krahasim me shqipen, as nuk bëheshin përkthime  në gjuhën shqipe nga turqishtja, prandaj edhe nuk kishte lindur nevoja e hartimit të fjalorëve dygjuhësh. Kishte sigurisht përkthyes (dragomanë) që shërbenin në administratën osmane, në gjyqe, në xhandarmëri etj. Kështu rezulton që një numër jo i vogël turqizmash në gjuhën shqipe kanë depërtuar me anë të gjuhës së folur, prandaj gjetën përhapje edhe në të folme të ndyshme të shqipes. Pikërisht këtë gjendje, thotë me të drejtë autori, u përpoqën ta ndryshonin Rilindasit me punën e tyre për të pastruar shqipen nga turqizmat dhe fjalët e huaja në përgjithësi. Është me interes ideja se këto përpjekje nuk duhen parë thjesht si lëvizje puriste për të forcuar identitetin e shqipes dhe të shqiptarëve dhe si qëndrim ndaj gjuhës së sunduesve të huaj, por si përpjekje për të lëvruar gjuhën amtare duke gjetur dhe duke krijuar fjalë nga brumi i saj për të treguar se ajo ishte një gjuhë e aftë për të shprehur nocione shkencore e kulturore si edhe gjuhët e tjera. Në këtë mënyrë, pohon autori, filloi dhe përpunimi i leksikut të shqipes në krahasim edhe me turqishten për të gjetur barasvlerësit e turqishtes në gjuhën shqipe. (f. 27-28).

Siç ka vënë dukje me të drejtë autori, pas shkëputjes nga Perandoria Osmane dhe shpalljes së Pavarsisë së Shqipërisë dhe krijimit të Shtetit shqiptar, u bënë edhe disa përpjekje për krijimin e termave të administratës shtetërore dhe të sistemit gjyqësor duke krijuar edhe terma në gjuhën shqipe të përkthyer edhe nga turqishtja.  U hartuan dhe u botuan në shtypin e kohës disa lista me këto terma. Autori i këtij libri i ka paraqitur këto përpjekje duke na dhënë një informacion të vyer. Me rëndësi është të theksojmë se autori, me të drejtë, nxjerr përfundimin se “përpunuesit e këtyre listave synonin të zgjidhnin një detyrë të ngutshme dhe nuk u nisën nga qellime puriste. Nuk u shtrua qellimi për pastrimin e terminologjisë, por për ndërtimin e saj. Sidoqoftë, besoj se ndërtimi i një terminologjie për shtetin e ri shqiptar, nuk mund të mos lidhet edhe me krijimin e një terminologjie në gjuhën shqipe dhe zëvendësimin e termave të huaj.

Pjesën kryesore të këtij botimi e zë shqyrtimi i imtësishëm i fjalorëve dy gjuhësh e shumëgjuhës i veprave dhe i punimeve dialektore që janë të pajisura me leksik dialektor, e fletoreve të fjalëve të rralla që përmbajnë ose jo shënime për prejardhjen e tyre për të evidentuar praninë e turqizmave. Janë shqyrtuar në rradhë të parë fjalorë turqisht- shqip e shqip-turqisht, fjalorë të tjerë dygjuhësh shqip- italisht e italisht-shqip fjalorë e studime etimologjike etj.për të parë se ç’vend zënë turqizmat si fjalë lema, si sinonime, ose si fjalë që përdoren për të shpjeguar fjalët lema etj. etj.

Një vend të veçantë autori u ka kushtuar fjalorëve të hartuar pas viteve 1990, kur lindën kërkesat për fjalorë të mirëfilltë të shqipes me turqishten për shkak të zgjerimit të marrëdhënieve ekonomike tregtare e kulturore me Turqinë. U hapën edhe shkolla turke e shtëpi botuese në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut. Prof. Xhevati ka shqyrtuar nëntë fjalorë tuqisht- shqip e shqip-turqisht të hartuar gjatë viteve 1994-2019 në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, duke dhënë informacion për numrin e fjalëve që përmbajnë, për autorët e tyre dhe duke bërë vlerësime dhe vërejtje për nivelin e tyre. Janë fjalorë  të hartuar kryesisht për qëllime praktike dhe shkollore.

E gjithë kjo punë është shoqëruar me vlerësime e qëndrime kritike për të nxjerrë të vërtetën e me konsiderata historiko- kulturore e enciklopedike. Nga kjo analizë janë bërë përpjekje për të vënë në pah të gjithë problematikën e elementeve turke në gjuhën shqipe: rrjedhën historike e kulturore të depërtimit të tyre gjatë rreth pesë shekujve, rrugët e depërtimit të tyre në gjuhën shqipe drejtpërdrejt nga turqishja përmes kontakteve direkte apo përmes gjuhëve të tjera të Ballkanit, dallimi i turqizmave nga orientalizmat e tjera, nga persizmat dhe arabizmat, përhapja dialektore e tyre, statusi i turqizmave sot, janë fjalë të integruara në shqipen e sotme standarde, apo fjalë dialektore, përpjekjet për zëvendësimin e tyre me fjalë të shqipes dhe mjetet e mënyrat e përdorura për këtë qëllim, mënyra e pasqyrimit të tyre në fjalorët e shqipes etj.

Në shpjegimet dhe në vërejtjet e tij kritike ka edhe qëndrime teorike se ç’duhet konsideruar turqizëm në gjuhën shqipe, a mund të quhen të tilla fjalë të formuara brenda shqipes me një fjalë turke me ndajshtesa shqipe, ka shpjegime  me interes kulturor e historik etj. Autori ka konstatuar se mjaft tjalë që cilësohen si turqizma kanë depërtuar në shqipe nëpërmjet gjuhëve sllave, sidomos përmes serbishtes dhe e ka argumentuar këtë me formën dhe me kuptimin e fjalës në gjuhën shqipe dhe në gjuhën nga kanë hyrë. Ka edhe ndonjë turqizëm që ka hyrë përmes greqishtes si p. sh. fjala cohë “stof i leshtë e i butë”, që sipas E. Çabejt SE III,f.53 ka hyrë në shqipe përmes greq. tsoha, nga turq. coha çuha, që ka hyrë pothuajse në të gjitha gjuhët e Europës Juglindore. Në vërejtjet e tij kritike është krejt e natyrshme të ketë edhe mendime të diskutueshme të cilat kërkojnë hulumtime të mëtejshme.

Kreu më i gjerë i këtij libri është titulluar Fjalorë, fjalës dhe lista turqimash. Pasi vëren se në dokumentin e dytë të shkrimit të shqipes në Fjalorthin e Arnold von Harfit të vitit 1497 dhe të Fjalorthit të vogël etimologjik të Pjetër Mazrrekut të vitit 1633 nuk ka fjalë nga turqishtja, ka ka shqyrtuar e Dictionarum latino-epiroticum, Fjalorin latinisht- shqip të Frang Bardhit i vitit 1635, vepra e parë e leksiklografisë shqiptare, ku bëhet i pari ballafaqim i fjalëve të shqipes me fjalë të burimit turk përmes sinonimeve në pjesën shqipe, në barasvlerësit kuptimorë që u përgjigjen fjalëve latine. Ai gjen. 41 fjalë të burimit turk si fjalë gjegjëse të fjalëve latine si: akshi, begenis,hesap etj. dhe 21 njësi që jepen si isinonime të fjalëve të shqipes si: lajm elçitreg pazarflamur bajrak etj., Këtyre u shton edhe disa fjalë tjera me burim nga turqishtja që dalin në relacionet e mëvonshme të F. Bardhit si aga, pashavakëf etj. Autori përfundimisht gjen 64 turqizma në Fjalorin e Frang Bardhit. Prof. Xhevati bën edhe mjaft komente me interes për punën e autorit të Fjalorit. Rezultatet e shqyrtimit të tij ai i ballafaqon edhe me kërkimet e Kolë Ashtës dhe bën vrejtet përkatëse. Shqyrtime të tilla të hollësishme mbi turqizmat të shoqëruara me vëretje kritike e vlerësime bën autori  për fjalorë e botime me lista fjalësh, punime dialektore etj. të botuara gjatë shekujve XVIII-XX, duke përfshirë fjalorët e gjuhës shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX: Fjalorin e gjuhës shqipe të vitit 1954, Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe të vitit 1980 Në analizat e tij ai ka përshirë edhe fjalorë dygjuhësh, fjalorë dhe studime etimologjike të gjuhës shqipe si: Fjalorin etimologjikk të gjuhës shqipe  të Gustav Meyer-it, (Strasburg 1871), Studimet etimologjike në fushë të shqipes të Eqrem Çabejt në shtatë vëllime, Fjalorin etimologjik të gjuhës shqipe të Kolec Topallit etj.

Më në fund një vend të veçantë i ka kushtuar autori Fjalorit të orientalizmave në gjuhën shqipe me autor Tahir Dizdarin, botim i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam bashkë me Organizatën Islamike për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, ku është bërë një jetëshkrim i autorit, bibliografia e shkrimeve të tij, historiku i botimit të Fjalorit dhe paraqitja e vlerësimi i tij. Botimi në vitin 2005 i Fjalorit të orientalizmave në gjuhën shqipe, shkruan Xhevat Lloshi, përbën një ngjarje për studimin e leksikut të shqipes dhe për ta vlerësuar më tej atë, sjell një citat nga një shkrim i Shaban Demirajt të botuar në revistën “Gjuha jonë”: “Kjo vepër që është fryt i një pune të gjatë, të kryer me një pasion të admirueshëm dhe me një akribi shkencore shembullore, në kushte jetësore shumë të vështira kishte njohur më parë ndonjë botim të pjesshëm qysh në gjallje të autorit”. Disa vërejtje që bëhen ndaj kësaj vepre themelore për orientalizmat, kanë të bëjnë kryesisht me përgatitjen për botim të saj.

Duke pëfunduar do të thosha se ky botim i prof. Xhevat Lloshit shënon një kontribut në historinë e leksikografisë shqipe që nga fillimet deri në ditët e sotme dhe sidomos në historinë e kontakteve të shqipes me turqishten e të ndikimeve të saj në shqipen, për vendin e tuqizmave në veprat leksikografike, për përfshirjen dhe për mëyrën e trajtimit të tyre në këto vepra dhe për vlerësimin e tyre. I urojmë autorit jetë gjatë e shëndet për të na sjellë vepra të reja, vlera të reja për gjuhën dhe kulturën tonë./albspirit.com

Please follow and like us: