Albspirit

Media/News/Publishing

Rifat Ismaili: NË LEKSIONIN E SHIUT

Tregim
Studentët e atij auditori të madh prisnin të hynte profesoresha, që përveç së sotmes, në të gjitha rastet e tjera kishte qenë e përpiktë. Ajo tregohej shumë e rreptë me ata studentë që në orët e leksionit të saj mungonin. Ishte ende e re, fytyrë butë dhe me një vështrim fisnik. Sapo hyri, vuri çantën e saj mbi katedër. I përfshiu të gjithë të rinjtë me një vështrim sikur t’u kërkonte ndjesë për vonesën e atyre minutave që e kishte penguar shiu.
Jashtë vazhdonte të binte ende shi dhe të qullte rrugët e Tiranës. Por ishte një shi i shtruar, saqë nga brenda auditorit nuk mund ta vije re rënien e tij të pafajshme. “Nē Tiranë bie gjithnjë një shi i bukur”- mendoi ajo dhe u përgatit të niste leksionin e të sotmes që ishte një studim mbi karakteret njerëzore. Zëri i saj ishte aq i lehtë dhe i ëmbël, sa dukej sikur shuhej pa arritur ende të përfshinte gjithë hapësirën e auditorit.
Një student, Iliri, ndjente një lloj mpirjeje dhe dëshironte me mendje diçka që t’ia bënte më të lehtë shpjegimin. Herë pas herë mbante shënim në një bllok të veshur me një lëkurë të kafenjtë, por nuk dukej shumë i përqëndruar. Përballë tij ai kishte sytë e një vajze që e vështronin papushim. Duket që Iliri është shumë i paqetë. Ai ishte student i një klase tjetër, por kishte hyrë për të ndjekur këtë leksion vetëm prej Lindës. Në gjithë qenien e Ilirit ka depërtuar vështrimi i saj, që e shpon si një majë heshte. Ata janë dy sy që si thonë ende asgjë.
I kujtohet ajo ditë tek Muzeu Kombëtar, ku e kishte pare Lindën per herë të parë pas asaj që kishte ndodhur. Atje, prej ditësh rrinte hapur ekspozita e Arteve të bukura. Binte një shi i imët nëntori, si tani. Iliri pasi ishte qullur rrugëve, nuk dinte nga të shkonte më. Makinat ecnin si të shkalluara. Çadrat e kalimtarëve kishin mbushur gjithë udhët. Iliri vendosi të hyjë në sallën e ekspozitës. Ca njerëz të ulur nëpër kolltukë ndiqnin nga një videokasetë pjesë baleti nga Çajkovski. Kur kompozitori i madh kishte shkruar këtë muzikë , ishte vetëm 28 vjeç dhe shumë vajza të bukura dëshironin të martoheshin me të.
Iliri u ul pa zhurmë në një karrike në fund të sallës. Shkundi dy-tri herë me dorë flokët e lagur dhe vështronte nga ekrani i televizorit balerinat që vraponin nëpër qilimin e blertë të një parku natyror. Muzika e Çajkovskit i hyri thellë në shpirt sa e harroi të ftohtit. Në atë kohë pranë tij afrohet një vajzë me flokë të qullur, të cilën Iliri e njohu menjëherë. Ishte një vajzë që e kishte parë dhe herë të tjera, që studionte në vitin e tretë për violinë. Edhe ajo e pa dhe i buzëqeshi lehtë si për ta përshëndetur. Pikat e ujit ranë nga flokët e saj në dysheme. Po ta vije re me kujdes kishte një lloj ndjesie trishtimi. Rrinin pranë njëri-tjetrit pa folur. Kur muzika e Çajkovskit mbaroi, të dy kaluan nga vitrinat ku ishin vendosur punime floriri, piktura të vjetra kishash dhe peisazhe të vjetra. Pastaj u afruan në një vitrinë tjetër. Atje ndodhej një vajzë e re që rrinte e ulur në një karrige të vogël druri. Vajza ishte shumë tërheqëse. Ajo u ngrit të vendoste një kasetë në manjetofonin e saj të vogël, por duke u përkulur, nga fustani i kuq dhe i shkurtër, iu zbuluan kofshët ngjyre qumështi me një ndjellje të butë. Iliri bëri sikur s’i vuri re, ndërsa Linda në atë kohë po shikonte një vepër të mrekullueshme porcelani. Ciceronia e re u ngrit përsëri, drejtoi trupin dhe me një buzëqeshje të pafajshme në drejtim të tyre, shtriu fustanin me duar poshtë. Pa e shuar buzëqeshjen, ajo u tha;
– Êshtë Napoleon Bonaparti me të dashurën.
– Oh, sa e bukur! – pëshpëriti Iliri.
– Të gjithë këto objekte që shihni, u janë marrë njerëzve që i kanë pasur më parë duke ua blerë apo sekuestruar. Objektet u përkasin shekujve të kaluar dhe janë kryevepra të artit botëror.
– Ashtu?- u interesua ende Iliri, të dinte diçka më tepër.
– Francezêt na e kanë kërkuar dyqind mijë dollarë, por ne nuk e japim.
– Faleminderit – i thanë ata cicerones së hijshme dhe kësaj here shkuan përpara statujës në porcelan të një gruaje lakuriq. Ajo dukej sikur vraponte dhe duart i mbante tek gjinjtë si për ti mbrojtur nga era.
“O zot, sa e mirë!- mendoi Iliri, por edhe Linda i përngjan tani asaj, me ato flokët e lagura, disa prej fijeve i kanë mbetur ende nëpër buzë  dhe në qafën e bardhë dhe të hollë.
Ai e vështroi ende dhe pa iu duruar më i tha;
– Linda, s’ të kam parë ndonjëherë kaq të bukur sa sot.
Por ajo si foli, dhe u nis të shkonte drejt daljes.
Ishte drekë. Ekspozita në atë orë mbyllej për tu hapur prapë në mesditë. Ata dolën mes shiut që binte. Ndaluan dhe vështruan qiellin vetvetiu. Askush s’ po fliste. Linda jetonte me një ankth që e mundonte dhe Iliri ndjehej ngushtë për atë që i kishte ndodhur asaj. Më pas Linda diçka i belbëzoi, një si përshëndetje dhe papritur ata u ndanë.
Iliri e ndoqi me sy për një kohë të gjatë. Ajo ecte kokulur nëpër shi, me lëkundje të lehta supesh, si një mjellmë. Ngjante tmerrësisht e lodhur nën këtë shi, por ai e donte dhe kishte vendosur të harronte gjithçka që kishte ndodhur…
Tani në këtë leksion, shiu bie si atë ditë. Iliri e kupton se s’mund të shkruajë më asgjë. Nga dritarja e auditorit shquhet një selvi dhe një ndërtesē bojëhiri pothuajse e braktisur. Iliri me Lindën vështronin nga njëri-tjetri me një përgjumje të lehtë.
Ndërkohë që profesoresha flet për Balzakun, asnjëri prej studentëve nuk është i përqëndruar. Njē djalë ka vënë kufiet në vesh dhe dëgjon muzikë nga një kasetofon i vogël të cilin e ka fshehur brenda në pallto. Miranda, shoqja pranë Lindës, ka mbështetur kokën mbi çantë. Dy vajza pranë Ilirit, shohin fshehurazi një fotografi. Eshtë një djalosh me pamjen e një divi dhe ato i buzëqeshin me kuptim njëra- tjetrës: “Eh, është ai, ai pra, ha ha ha…”.
 – Balzaku- thotë profesoresha – vetëm nëpërmjet buzëqeshjes, mund të gjykonte mbi karakterin e një njeriu. Provoni si qeshni ju, për të njohur njëri-tjetrin.
Auditori i studentëve u shkund papritur nga heshtja. Disa qeshën me të vërtetë, të tjerët qeshnin me zor për të bërë humor. Dhe kërkonin në fytyrat e njëri-tjetrit për të zhbiruar në gjetjen e së vërtetës së tyre, që s’ do të ishte “të njohësh karakterin” , por të zbulosh një tipar komik për të shtyrë orën e mërzitshme të leksionit. Ndërsa studentët vazhdonin të qeshnin, shiu përjashta s’pushonte mërmërimën e tij.
– Tolstoi thoshte- vazhdoi profesoresha  mes rrëmujës,- që ka njerëz që qeshin vetëm me sy, ata janë më dredharakët, ata që qeshin vetëm me buzë janë frikacakë.
Iliri u drodh dhe iu shua ajo pak e qeshur nëpër buzë. “Mos jam frikacak”- mendoi. – Sa qesharake të mendosh njëqind herë ç’ka ndodhur mes meje dhe Lindës”.
E kupton që tani ka marrë një pamje prej idioti. Nuk ka më forcë të vështrojë Lindën. Atë mbrëmje ajo ushtrohej si zakonisht në violinë. Klasa ishte e vogël sa për të punuar një student vetëm. Në korridorin e ngushtë qe bërë errësirë. Nuk kishte llambë elektrike. Nëpër errësirë dëgjoheshin zëra djemsh. Pastaj njē “Urra-a-a”! Një shok kishte pirë. Ishte tip i hedhur, kishte qenë edhe tre muaj në Jugosllavi tek njerëzit e tij, për të tërhequr me vete ca plaçka sa për t’u kapërdisur. Që nga klasa e Ilirit, ku ai i binte flautit, dëgjoheshin sharje të ndyra. Por pastaj studenti i pirë kishte hyrë në dhomën e Lindës. Ai kishte dashur ta përqafonte, por ajo duke i shpëtuar nga duart doli përjashta duke klithur. Iliri kishte ngrirë i shtangur nga habia e asaj që po ndodhte dhe s’kishte mundur t’i shkonte në ndihmë. Që prej asaj dite Iliri dëgjonte në gjumë ulërimën e saj. Tani kur ndesheshin përballë korridoreve, sytë e saj të trishtuar dukej sikur e akuzonin. Pas çdo leksioni ajo zhdukej andej nga parku në një xhiro të vetmuar. Iliri e ndiqte fshehurazi nga pas, por pa guxuar kurrë t’i afrohej. Flokët e saj i ngjanin lodhjes së vjeshtës. Ishte e pamundur ta harronte atë mbrëmje, dhe kjo në vetvete, ndonëse Linda nuk dinte gjë, e torturonte.
Profesoresha e kupton që dalëngadalë leksioni po bëhet tërheqës dhe vazhdon t’i provojë studentët duke u folur vazhdimisht. Por edhe shiu vazhdon të bjerë pa u lodhur. Ndërsa Polifemi prapa Lindës s’i ka hequr akoma kufjet. Dhe pranë Ilirit dy vajzat vështrojnë ende fotografinë. “Eh, është ai…”. Përjashta dëgjohen tingujt e një oboje. Profesoresha bëhet nervoze dhe del nga klasa. Studentët shpërthejnë në të qeshura të mbytura. Ndërsa Iliri dhe Linda janë të vetmit që s’kanë qeshur asnjëherë në kētë leksion.Ata vështrojnë herë pas here nga njëri-tjetri  dhe Iliri nuk e kupton, nëse sytë e saj e duan apo e përbuzin. Atë e vret thellë në shpirt drama e heshtur e kësaj vajze. Përderisa nuk mund të zbulojë të fshehtën e atyre syve, nuk mundet të shkruajë asnjë muzikë. Do të donte të shkruante një muzikë për Lindën, ashtu si Vincenso Belini në rini të tij. Por ajo i ngjan tani e largët, larg përfytyrimeve, si një re e bardhë në një qiell të errët. Ajo është fyer dhe tronditur dhe ai s’mundet të bëjë asgjë për ta ndihmuar, por vërtet nuk mundet? Kjo ndrydhje që po e mundon, s’është tjetër veç kurthi që i ka ngritur dashuria e tij.
Papritur tingujt e oboes jehojnë më shumë në auditorin e përgjumur. Profesoresha bëhet akoma më nervoze dhe i lëshon disa minuta përpara mbarimit të leksionit.
Fundvitet ’80./albspirit.com
Please follow and like us: