Albspirit

Media/News/Publishing

Ruben Avxhiu: Urime Vetëvendosjes!

 

Urimet më të mira për Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje. Një parti që premton ndryshime, një frymë të re në institucionet e Kosovës, një brez më të ri e më të arsimuar intelektualësh e veprimtarësh ka marrë më në fund mundësinë historike për të provuar veten në sytë e kombit.
Ky ndryshim duhej të kishte ndodhur të paktën pesë vjet më parë. Demokracia punon më mirë kur ka ndryshime në pushtet që nuk zgjasin një dekadë. Ndonëse ka pasur kalime të pushtetit nga PDK te LDK, Vetëvendosja ka ndenjur në opozitë shumë gjatë dhe duke pasur parasysh potencialin e madh në përbërje, Kosova ka mbajtur njëfarësoj për gati një dekadë e gjysëm, shumë prej talenteve më të mira në stolin e rezervave.
Nuk ka nevojë të jesh me Vetëvendosjen që të gëzohesh për këtë fitore. Një parti që qendron shumë gjatë në opozitë rrezikon të humbasë besimin te demokracia dhe fillon të bëhet e dëmshme për shoqërinë.
Po kështu, një parti apo elitë që qendron shumë gjatë në pushtet fiton bindjen se qendron mbi demokracinë, se nuk ka ndonjë përgjegjësi apo nevojë për llogari publike dhe bëhet e rrezikshme për shoqërinë.
Këto ndryshime në fund u shërbejnë të gjitha palëve dhe mbi të gjitha demokracisë dhe shoqërisë kosovare.
Megjithatë, kjo fitore vjen përsëri në një moment të favorshëm. Ajo rastis me ndryshimin e pushtetit në SHBA, me zëvendësimin e një administrate në Washington me të cilën Vetëvendosja (kësaj here jo për faj të saj) u vendos në rrethana të pazgjidhshme. Incidentet që sollën rrëzimin e qeverisë së Vetëvendosjes vitin e kaluar dhe roli i Ambasadorit Grenell në to është një epërsi plus në marrëdhëniet e qeverisë së ardhshme të Kosovës me Administratën Biden.
Në një farë mënyre mund të thuhet se Richard Grenell i bëri një favor të madh Vetëvendosjes me ndërhyrjen e tij jo shumë diplomatike vitin e kaluar e cila trimëroi klasën politike për përmbysjen e parakohshme të qeverisë Kurti I.
Tani Vetëvendosja do të ketë vota për të qeverisur më mirë dhe me kapacitetet e nevojshme. Kurti shpëtoi nga një ballafaqim i sikletshëm me Presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë, që mund të mos e kishte shmangur dot. Në vend të këtyre, ai dhe Vetëvendosja patën një raund të dytë zgjedhjesh, që u kthye natyrshëm në referendum. Tani nuk do të ndajnë pushtetin me LDK-në, nuk do të vrasin mendjen se si do të gjejnë votat në Kuvend për çdo ligj dhe kanë mandat të madh për të shndërruar Kosovën.
Sigurisht, do të ishte gabim nëse Vetëvendosja imagjinon një fillim nga pika zero me SHBA-në. Megjithë pakënaqësitë dhe dyshimet e shqiptarëve për qendrimet e Ambasadorit Grenell, mes dy administratiave do të ketë një kalim të natyrshëm stafetash. SHBA do të risjellë rolin e BE-së, të shmangur nga Presidenti Trump, në procesin me Serbinë, por duke ruajtur rolin aktiv dhe intensiv të praktikuar nga Grenell.
Se si do të marrë formë në praktikë ky gërshetim i ri mbetet për t’u parë.
Vetëvendosja pritet që të sjellë një frymë të re, një rifreskim të skenës politike në Kosovë. Në një vend ku korrupsioni dhe abuzimi i detyrës nga njëra anë dhe pabarazia ekonomike, depresioni, dhe dëshira për të emigruar nga ana tjetër duket se ishin bërë elementë të pandryshueshëm në republikën më të re europiane.
Nuk ka zgjidhje magjike dhe të mënjehershme dhe rreziku më i madh që do të hasë Vetëvendosja ashtu si dikur PDK kur erdhi në pushtet gati bashkë me pavarësinë është zhgënjimi nga shpresat e ekzagjeruara.
Vetëvendosja duhet të dëshmojë modesti dhe vetëpërmbajtje që nuk është lehtë kur ke pritur gjatë në opozitë, kur ke ndjesi superioriteti moral dhe intelektual, dhe kur je bekuar me një shumicë të sigurtë parlamentare.
Nga ana tjetër, qeveria e re meriton durim dhe besim nga shoqëria dhe opozita e re, që të ketë kohën e duhur për të kryer reformat dhe për të zbatuar vizionin e saj. Ideale do të ishte që Kosova të mos kishte më zgjedhje politike në katër vitet e ardhshme që të Vetëvendosja të gëzojë një mandate të plotë qeverisës. Kjo do ta ndihmonte edhe atë po ashtu edhe opozitën që të rigjejë forcën e saj politike.
Hapin e patë e kanë bërë shumë mirë. Urimet që erdhën nga opozita përpara se të mbaronte numërimi i votave duhet të na bëjnë krenar për shëndetin e demokracisë në Kosovë. Ky shtet që ka ardhur i fundit në hartën politike të rajonit ua ka kaluar të gjithë fqinjëve për cilësinë e demokracisë dhe nivelin e zgjedhjeve.
Në fund, nuk ka dyshim se një rol për fitoren e Vetëvendosjes ka luajtur edhe diaspora. Ashtu si dikur ka qenë vendimtare në qëndresën e madhe të LDK-së rugoviane dhe ndërkombëtarizimit të kauzës kosovare si dhe në mbështetjen për UÇK-në dhe figurat kryesore politike që dolën prej saj si Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj, edhe sot diaspora është bërë motor i ndryshimit duke besuar se Kosova ka pasur nevojë për një ditë të re e një kapitull të ri historik./ylliria press

Please follow and like us: