Vendimi i Gjykatës Kushtetuese rihap debatet për pronat në Shqipëri
Tiranë, 16 shkurt 2021 – Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e shfuqizoi si të papajtueshme me Kushtetutën një nen të Ligjit për Trajtimin e Pronës dhe disa pika të një vendimi që qeverisë që lidhen me mënyrat e kthimit dhe kompensimin e pronave.
Ky vendim rihap edhe një herë diskutimet mbi çështjen e pronave, për të cilat ka një mori konfliktesh në Shqipëri.
Padinë e kishte ngritur disa vjet më parë shoqata Pronësi me Drejtësi, e cila kërkon njohjen dhe kthimin e pronave private të shtetëzuara nga regjimi komunist.
Gjykata Kushtetuese shfuqizoi sot pjesërisht një nen të ligjit për trajtimin e pronave dhe 3 pika të një vendimi të këshillit të ministrave, nga 6 vendime qeverie që shoqata “Pronësi me Drejtësi” kërkoi të hidheshin poshtë si akte që, sipas saj bien ndesh me Kushtetutën.
Gjykata njoftoi se vendimi i plotë do të hyjë në fuqi 6 muaj pasi të botohet në Fletoren Zyrtare dhe plotësimi i ligjit duhet bërë nga parlamenti, pra, është një temë që i takon parlamentit të ri që do të formohet nga zgjedhjet e 25 prillit.
Megjithatë përfaqësues të shoqatës Pronësi me drejtësi pohuan, që edhe pse duhet pritur vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese, në thelb ai plotësoi në masën më të madhe pritshmëritë e tyre me rrëzimin e nenit 7 të ligjit për trajtimin e pronave, i cili është thelbi i ligjit 133.
“Anti-kushtetutshmëria e atij neni qëndron në faktin që edhe pronën e kthyer ta rivlerësonte. Nëpërmjet mekanizmit të përfitimeve të zbritshme shteti kishte një qëllim në vetvete, të cilin e realizoi me zbatimin e ligjit 133, që ishte ulja në maksimum faturën, ose detyrimin që shteti shqiptar kishte dhe ka ndaj pronarëve shqiptarë” – thotë Myrshit Vorpsi, përfaqësues i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”.
Përfaqësuesit e shoqatës “Pronësi me Drejtësi” mendojnë se parlamenti i ri, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, do të riformatojë ligjin për trajtimin e pronës dhe pronarëve të shpronësuar nga diktatura do t’u duhet të presin edhe pas 28 vjetësh një formulë të re për kthimin apo kompensimin e pronave të tyre të ligjshme.
Vendimi i sotëm, pohojnë ata, nuk bie ndesh me vendimin e Gjykatës së Strasburgut, dhe për më tepër kërkon që gjithë vendimet e Agjencisë së Trajtimit të Pronave të rishikohen edhe një herë nga e para, së bashku me llogaritjet e vlerave të pronës.
Ata shpresojnë që të paktën ATP duhet të pezullojë procedurën e cështjeve që përfshin vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese.
“Gjykata e Strasburgut, mbi bazën e këtyre informacioneve të gabuara e të rreme, që i ka çuar Shqipëria, ka marrë vendime kontradiktore, që Gjykata Kushtetuese, kryeministri ose parlamenti i ardhshëm mund t’i korigjojë. Duhet një patriotizëm në këtë mes. Prona do të shkojë tek i zoti, se s’bën. Aty fillon demokracia. Kjo është shumë e thjeshtë të bëhet dhe pa kosto” – thotë Gëzim Boçari, përfaqësues i Koalicionit të Shoqatave të Pronarëve në Bregdet.
Lidhur me vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese “Zëri i Amerikës” kërkoi një reagim nga ministria e drejtësisë, që është institucioni përgjejgës për këtë fushë.
Zyra e komunikimeve pranë saj pohoi se ministria e drejtësisë është në pritje të vendimit të arsyetuar të Gjykatës Kushtetuese dhe deri atëherë nuk mund të japë një opinion ligjor kur dihet vetëm vendimi i shkurtuar.
Kthimi dhe kompensimi i pronave të shtetëzuara nga regjimi komunist është prej afro 3 dekadash një nga temat më konfliktuale në Shqipëri.
Secila qeveri ka marrë një mori ligjesh dhe vendimesh për këtë cështje, e cila shpesh ka shkuar edhe në dyert e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtave të Njeriut.
Qeveria aktuale miratoi një formulë të re për zgjidhjen e saj, por vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese mund të rihapë debatet për pronat dhe të drejtat e pronarëve.
(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)