Agim Xh. Dëshnica: DY MASAKRA NË KOHË TERRORI
Sipas shtypit shqiptar të Kosovës Masakra e Reçakut e 15 janarit 1999, ishte një ditë kobshme e vrasjes së 45 shqiptarëve të paarmatosur në shtëpitë e tyre, ndër ta dhe një grua, nga ushtarakë të armatosur serbë. Lajmi u përhap kudo. Një ditë pas kryerjes së masakrës, William Walker, ambasadori i OSBE-së në Kosovë, vizitoi vendin e ngjarjes u tmerrua nga kufomat e masakruara. Ai deklaroi: “Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time”. Lajmi i masakrës senzibilizoi opinionin ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë dhe i hapi rrugën bombardimeve të Natos në Serbi.
Masakranë Reçak e vrasjes së shqiptarëve nga ushtarakë serbë, për shumë vetë në Shqipëri zgjon dhimbshëm kujtimin e hidhur të 26 shkurtit 1951, e pushkatimit barbar nga ushtarakë shqiptarë, të 22 shqiptarëve, ndërmjet tyre dhe një vajzë, natën pranë Urës së Beshirit, afër Tiranës. Pak vetë, dëgjuan krismat vrastare. Asnje lajm nuk u dha. 22 qytetarët e pafajshëm nuk u gjykuan nga asnjë gjykatë, sipas ligjeve në fuqi. Kriminelët e vërtetë të natës së përgjakur, fjetën të kënaqur. Askush nuk u ankua, as brenda, as jashtë vendit. Vetëm pas shëmbje së diktaturës shumë vetë mësuan për masakrën mizore pranë Urës së Beshirit. U botuan shkrime në gazeta edhe libra, tashmë vetëm, si kujtim për ata njerëz me kulturë e patriotë, që humbën jetën në moshë të re, pa e ditur përse.
Shqipëria e vitit 1951, brenda telave me gjemba, me roje të armatosur e qenë kufiri, kishte pamjen e një kampi pune, ku dënoheshin ata, që mendonin ndryshe nga diktatori, sepse vetëm ai dinte gjithçka.-
Terror kudo në punë, në kafe, madje edhe në shtëpi
Pas pyetjesh e kërkimesh të shumta, aty nga viti 1993, buzë lumit Erzen, nën një kodrinë afër Urës së Beshirit, u zbulua një gropë me eshtra njerëzish. Ç’qe ajo!? Prania e grave të përzishme dhe e burrave të tronditur, tregonte se nuk ishte gjetur një tumë ilire, por një varr i përbashkët, varr makabër i vitit 1951. Nga shenja të ndryshme ata njohën mbetjet nga trupat e 22 njerëzve të dashur, të pushkatuar në mesnatën e 26 shkurtit 1951, të lidhur tok me tela me gjemba, midis tyre dhe një vajzë. Oh, tmerr! Përse i vranë ata?
Nuk do të mjaftonin vrasjet e shumë patriotëve, pa gjyq e me gjyq, që nisën qysh nga nëntori i vitit 1944, kur sadisti Mehmet Shehu, i njohur për epitetet “terror i bardhë”, “terror i kuq”, në vitin 1949 do të shprehej: “Ne duhet ta ashpërsojmë luftën kundër armiqve të pushtetit tonë, të vrasim njerëz, që të mundemi ta përballojmë situatën”.
Viti 1951 ishte një kohë, kur shumë qytetarë të zhgënjyer shpresonin, se pas prishjes me jugosllavët, do të ndodhnin ndryshime të thella. Ata që kishin radio, dëgjonin Radio Londrën, me sinjalin e njohur “Ju flet Londra!”, apo Ankaranë, me “Burasi Ankara!” Shpresonin më kot! Ndërkohë natën, aktivistët e Frontit Demokratik, kërkonin nëpër rrugët e tarracat e Tiranës fletushkat e hedhura, ndoshta nga qielli, kurse ditën nëpër trotuare, civilë të paguar gjurmonin kalimtarë të dyshimtë. Në mure u dukën pankarta me fjalën e rreptë “Vigjilencë!” Në Durrës, kur qytetarët ktheheshin në shtëpi, gjenin mbi radio letra me shënimin tronditës: ”Mos e hapni në kanalet italiane!” Në bregdet pushuesit porositeshin të ndërprisnin lojën me domino e të hynin ndër fjetore. Nga dritaret dukej në muzg patrulla e rojeve bregdetare me armë në duar. Banorët e majmur të Bllokut, natën shihnin ëndrra të frikshme me sulme të befasishme nga deti e ajri dhe nga malet. Ndaj zgjoheshin të trembur dhe në mbledhje të fshehta, hartonin lista arrestimesh me emra të diktuara nga krerët kryesorë të partisë, disa të njoftuara edhe nga agjentët e sigurimit.
Befas, në krahun e shkretë të oborrit të Ambasadës Sovjetike në rrugën e Durrësit në Tiranë, shpërtheu një sasi e pakët dinamiti, nga e cila u thyen vetëm disa xhama. Dhe ja, brenda një nate, sipas listave të përgatitura qysh më parë, u shoqëruan të lidhur mbi treqind vetë, midis tyre, Sabiha Kasimati, dijetare e Institutit të Shkencave, Jonuz Kaceli, nga familja e madhe e Kacelëve, Fejzi Dika, i lauruar në Montepelier për filozofi dhe pedagogji, poet e mendimtar patriot, Ing. Vasil Noçka, një prej yjeve të Universitetit të Shtutgardit, Prof. Ibrahim Babamusta, personalitet i njohur i kulturës perëndimore, Gaqo Qano, doktor i kirurgjisë dentare, i kthyer nga studimet në SHBA, Gani Strazimiri, inxhinier i shquar i ndërtimit, Rrok Radovani, profesor i kimisë, Tefik Gabrani, ekonomist, zotërues i disa gjuhëve, patriot i kthyer nga Selaniku në atdhe për Kosovën e shumë të tjerë. Nga listat e zeza nën diktatin e E. Hoxhës dhe të M. Shehut, u përzgjodhën për pushkatim 22 vetë,të gjithë banues në Tiranë. Shumë njerëz qenë të bindur se atentati dhe arrestimet u kryen me urdhër nga lart, me anën e shërbimit të fshehtë, me emrin Sigurimi i Shtetit, duke fashitur kështu ëndrrat e shpresat e qytetarëve për shembjen e diktaturës. Asnjë nuk u pyet për ngjarjen e bujëshme me dinamit, por veç për ndodhi e biografi të paraluftës. Madje, pati zyrtarë rusë, që ndërhynë për lirimin e disave prej tyre. Ishte koha, kur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, po bënin hapat e para.
Ata 22 fatkeqë, pasi lindën, u rritën dhe u shkolluan, ecën nëpër udhën e jetës, herë me gëzime të pakta, herë të tronditur nga zhgënjime, apo nga dramat familjare, së fundi do t’i priste një mbarim tragjik, nga dora gjakatare e tiranit komunist E.Hoxha dhe e xhelatit M. Shehu. Pas arrestimit, u pushkatuan në mbarim të pesë ditëve, pa prokuror, pa gjyq e pa asnjë shpjegim zyrtar, në mesnatën e 26 shkurtit të vitit 1951, pranë Urës së Beshirit. Ky veprim u quajt i përligjur, sipas një dekreti mizor me gjashtë nene, për “veprimtari terroriste“, që u hartua me vonesë nga kreu i Ministrisë së Brendshme M. Shehu dhe u miratua rrufeshëm nga Presidumi i Kuvendit Popullor dhe Byroja e PPSH, më 26 shkurt 1951, kur gjithçka, pa gjyq, kishte marrë fund. Ministri i Drejtësisë u përjashtua nga kjo orgji juridike e pështirë. 26 shkurti shënon një datë të zezë të drejtësisë shqiptare që ngjeth jo vetëm çdo jurist në botë, por edhe njeriun më të thjeshtë. Një oficer i lartë i asaj kohe të mbrapshtë dëshmon: “Për pushkatimin e këtyre personave, nuk u bë gjyq! Ata u çuan direkt në vendin e pushkatimit dhe nuk u la kohë për gjykimin e çështjes.“ Pra, asnjë seancë gjyqësore nuk u zhvillua. Nuk u dëgjua as prokurori, as gjyqtari. Mungonin dëshmitarët dhe avokati. Viktimat, të lidhur me tela me gjemba të kohës së luftës, i hipën në një kamion. Jonuz Kacelin të vdekur nga torturat e hodhën nga dritarja. Askush prej tyre nuk u njoh me vendimin.
Ura e Beshirit, xhelatët e natës së kobshme
Në mes të natës, kur era e maleve ulërinte si mallkim, i pushkatuan barbarisht të gjithë ashtu siç qenë, të lidhur tok. Kur krismat e armëve pushuan, u dëgjua britma e dhimbshme e një gruaje: “Ç’i paskam bërë perëndisë!“ Ishte Sabihaja! Plumbi nuk e kishte kapur! Atëherë iu sulën dhe ia shuan jetën, duke e qëlluar egërsisht me kondakët e pushkëve. Pas disa çasteve, britmat e saj pushuan. Ndihej vetëm ulërima e erës dhe rrjedha e tërbuar e Erzenit. Një vetull hëne e pikëlluar rrezëllinte midis reve. Të vrarët, ashtu siç qenë, i mbuluan shkel e shko, në një gropë të përbashkët. Gjithçka kishte marrë fund. U dëgjua një motor që u ndez. Xhelatët, pasi mbaruan detyrën me sukses, u zhdukën si hajna nëpër natë. Të nesërmen nëpër shtëpitë e Tiranës, fshatarët e fshatit pranë, trokitën të tronditur dhe rrëfyen ç’kishte ndodhur në mesnatë.
Vite më vonë, ndërsa punohej për shpyllëzimin e asaj zone, një traktoristi i ra të fikët, kur pa që traktori nxori papritur një kufomë gruaje dhe po e hiqte zvarrë. Qe trupi i patretur i martires Sabiha Kasimati…
Pas ekzekutimit të viktimave, që shkuan drejt vdekjes pa e ditur pse, dokumentet gjyqësore u plotësuan të mangëta. Kur viktimat nuk jetonin më, nga një dokument i vonuar gjyqësor, merret vesh një vandalizëm i paparë, se më datën 27 shkurt 1951, një trup gjyqtarësh fantazmë i përbërë nga tre vetë, pa praninë e prokurorit, kishte dhënë vendimin e dënimit me vdekje për 22 të vdekur! Në atë dokument të turpshëm mungon sërish një nënshkrim.
Pra, bllokmenët, uzurpatorët e Shqipërisë, me atë vrasje, kërcënuan gjithë popullin liridashës, kërcënuan drejtësinë, kërcënuan edhe Zotin. Me këtë rast, E. Hoxha u rek të tregonte dashurinë e madhe për miqtë e rinj sovjetikë, e mbi të gjitha të qetësonte jetën e tij të mbrapsht. As Shekspiri i tragjedive, s’do të mund të gjente fjalë për të treguar, sesi brenda një nate u krye ajo masakër e llahtarshme.
Pas atij akti kriminal, diktatori E. Hoxha do të hakërrehej me grushtin lart: “Reaksioni i brendshëm është strukur si miu dhe po lëvizi, e piu e zeza!”
Ja, cilët ishin ata, shumica në moshë të re, që humbën jetën, pa asnjë faj, nga pushkatimi mizor në natën e ftohtë të 26 shkurtit 1951:
Sabiha Kasimati,
38 vjeçe. E lindur në Edërne të Turqisë, e diplomuar në Itali. Megjithëse iu ofrua një vend pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo vajzë patriote e ditur, dëshiroi vendin e saj, Shqipërinë. Pas kthimit në atdhe, punoi në Institutin e Shkencave, krahas shkencëtarëve të shquar në histori. Si ishte e mundur të dënohej me vdekje dhe të masakrohej një engjëllushe e atillë!? Fajtor për atë krim barbar ndaj asaj vajze të rrallë dijetare, ishte vetë dora e përbindëshit ziliqar E. Hoxha.
Manush Peshkëpia,
39 vjeç, poet patriot, lindur në Vlorë. Analistët e letërsisë e rendisin krahas me Fishtën, Poradecin, Koliqin, Kutelin etj. Ja, si është shprehur intelektuali i shquar Vedat Kokona:“Shumë nga shokët e mi vdiqën zemërplasur pas dekadash me vuajtje dhe mjerime. Një nga këta fatzinj ishe edhe ti, Manush. Askush në këtë sallë dhe jashtë saj nuk të ka njohur si të kam njohur unë, si vëllai, gjashtëdhjetë vjet më parë… Shumë njerëz kam njohur në jetën time, pak kam çmuar, shumë pak kam dashur siç të kam dashur ty. Ti shkruaje vjersha pa e hequr veten poet, të mos jesh poet në vargje, nuk është faj. Faj është të mos jesh njeri. Ti, Manush, ishe poet njeri!” Edhe pas pushkatimit nga terrori i kuq në mesnatën e 26 shkurtit, ky poet njeri mbeti i gjallë në vargje e në dritë.
Tefik Shehu,
39 vjeç, lindi në Gjakovë. I diplomuar në Zagreb për ekonomi, financë dhe drejtësi. Në vitin 1939 u vendos e punoi në Tiranë. Pas pushtimit të Shqipërisë u kthye në Gjakovë. Atje u arrestua nga serbët, por mundi të shpëtonte me ndihmën e nacionalistëve shqiptarë. Më 1945 u arrestua nga komunistët shqiptarë në Tiranë, por me ndihmën e avokatit Koço Dilo, shpëtoi nga pushkatimi. Më 26 shkurt 1951, askush nuk mundi ta mbronte nga kriminelët.
Pjerin Guraziu,
45 vjeç, lindur në Shkodër. Doktor i Shkencave Ekonomike, sportist me arritje të nivelit ndërkombëtar. Pedagog në shkollën tregtare të Vlorës. Drejtor i Doganës së Tiranës më 1938. Pas luftës, shef finance në Ministrinë e Financave dhe në Ministrinë e Bujqësisë. Anëtar i komisionit për organizimin e garave atletike në Ballkaniadën e vitit 1946. Për këto aftësi meritoi pushkatimin.
Jonuz Kaceli,
43 vjeç, lindi në Tiranë, në familjen e madhe patriote të Kacelëve, e njohur për shërbime në dobi të atdheut, në ekonomi, kulturë, art etj. Më vonë, sipas një dëshmitari, për këto vlera, sadisti ministër i Ministrisë së Brendshme M. Shehu e vrau me tortura dhe e hodhi nga dritarja.
Anton Delhysa,
47 vjeç, lindur në Prizren. Specialist ndërtimi, kishte kryer me përfundime të shkëlqyera Shkollën Teknike të Fulzit. Njihet si drejtues i punimeve për ndërtimin e Shkollës Amerikane në Golem të Kavajës, të rikonstruksionit të Shkollës Teknike të Fulzit dhe të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Pas luftës drejtoi punimet për ndërtimin e fabrikës së sheqerit në Maliq, për spitalin eGjirokastrës, për fabrikën e tullave në Vorë, etj. Për punën e tij, u dekorua edhe nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Së fundi, u shpërblye me pushkatim!…
Haki Kodra,
30 vjeç. Lindi në Dibër të Madhe. Pasi u diplomua për ekonomi në Universitetin e Zagrebit, u kthye në Dibër, ku ngriti një biznes të madh, por u luftua nga serbët, ndaj u largua dhe u vendos më 1940 në Tiranë. Pas luftës punoi në sektorin ekonomik. Në vitin e zi 1951 u pushkatua pa mëshirë e pafaj nga terroristët e kuq shqiptarë.
Gafur Jegeni,
41 vjeç. Lindi në Dibër. Ishte një nga përfaqësuesit e shquar të Jegenëve të Dibrës. Kreu studimet e larta në Akademinë Ushtarake në Itali. Nga viti 1935 më 1937, komandant i kufirit bregdetar të Shqipërisë. Në ditët e prillit 1939 në Vlorë, me gradën kapiten, kreu detyrën si patriot për mbrojtjen e atdheut. U arrestua dhe gjyqi ushtarak e dënoi me vdekje, më pas u internua në Ventotene. U lirua nga anglo-amerikanët më 1943. Pas kësaj u tërhoq nga ushtria. Në shkurt të vitit 1951, në vend të plotonit ushtarak italian të ekzekutimit, u ndodh përballë skuadrës së pushkatimit barbar me ushtarë shqiptarë, që mbanin yll të kuq në ballë.
Myftar Jegeni,
36 vjeç. Lindi në Dibër. Kreu Akademinë Ushtarake më 1937 në Itali. Me gradën kapiten më 7 prill 1939, luftoi në Durrës për mbrojtjen e atdheut, më pas edhe kundër ushtrisë gjermane. Kundërshtoi masakrat jugosllave, ndaj serbët, pasi e arrestuan, e dërguan në duart e komunistëve në Shqipëri. Pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, punoi llogaritar në një ndërmarrje ndërtimi në Tiranë, deri në vitin 1951. Nuk mundi të punonte më, sepse në atë mesnatë të zezë e pushkatuan pabesisht.
Reiz Selfo,
lindur në Gjirokastër. U shqua si një nga sipërmarrësit e aftë në tregëti dhe në ndërtim. Disa nga veprat, si Firma “Selfo” në Vlorë, Ura e famshme e Dragotit mbi lumin Vjosë, Ura e Bënçës në Tepelenë, disa shkolla, ndër to, Gjimnazi në Gjirokastër dhe shumë të tjera, janë tregues të qartë të ndihmës së tij për lulëzimin e Shqipërisë. Si njeri bamirës dikur i dha ndihmë financiare edhe vetë E. Hoxhës, por dora e atij diktatori gjaktar, më 26 shkurt 1951, ia rrëmbeu jetën pa mëshirë biznesmenit të madh patriot.
Qemal Kacaruho,
49 vjeç. Lindi në Gjirokastër. Ekonomist, zotërues i disa gjuhëve të huaja. Në vitet 20-40 punoi si kryeinspektor në doganën e Sarandës, më pas drejtor i përgjithshëm i Monopoleve dhe i Tatimeve në Ministrinë e Financave. Ndërkohë, mori pjesë në luftën kundër pushtueve italo-gjermanë. Pas luftës nuk u pranua të punonte si ekonomist në Tiranë, por jashtë saj, në minierën e Rubikut. Së fundi, e lanë jashtë edhe nga jeta, por nuk mundën ta fshinin nga kujtesa e kombit.
Zyhdi Herri,
30 vjeç. Lindi në Tiranë. Mësoi në Liceun e Korçës dhe në Gjimnazin e Tiranës, më pas vazhdoi studimet për drejtësi. Gjatë luftës bashkëpunoi me Frontin N.Çl. Pas luftës, ishte kryeredaktor i gazetës Bashkmi në Tiranë. Më pas e priti nata e ftohtë e pushkatimit pa gjyq e pa faj.
Gjon Temali,
47 vjeç. Shkodran. Në vitet 40 studioi për farmaci në Universitetin e Firences. Nga viti 1946 deri në shkurt të vitit 1951, farmacist në Spitalin e Tiranës. Ky njeri, i përkushtuar në shërbimin human të mjeksisë, u desh të vritej si “terrorist”, pa gjyq e pa faj!
Petro Konomi,
30 vjeç. Lindur në Kajro. Kreu studimet e larta në Turqi, në Robert Kolezh, mandej në Akademinë Ushtarake në Itali. Gjatë luftës përkrahu Frontin N.Çl. Pas luftës u emërua në ATSH. Edhe ky punonjës korrekt, duhej lidhur me tela, për t’u vrarë barbarisht!
Niko Lezo,
50 vjeç. Lindur në Delvinë. Kimist. Zotërues i disa gjuhëve të huaja. Kreu Universitetin e Tuluzës në vitin 1921. Dy vjet më pas, ngriti të parin laborator kimik në Tiranë. Po atë vit zgjidhet deputet i Delvinës. Më 1940 arrestohet e internohet në Ventotene. Pas luftës, punon sërish kimist në laboratorin, që tashmë ishte nën vartësinë e Ministrisë së Shëndetësisë. Ky themelues i paharruar i laboratorit të parë shqiptar, u pushkatua pa mëshirë për kurrfarë faji!
Pandeli Nova,
59 vjeç. Lindur në Opar, në një familje të pasur. Ekonomist. Zotërues i disa gjuhëve të huaja. Deri në vitin 1944 u mor me tregëti dhe njëkohësisht ndihmoi Frontin N.Çl. Pas luftës punoi në një shoqëri tregtare çeko-shqiptare. Prind i një djali partizan. Në mesatën e 26 shkurtit 1951, dëgjoni për herë fundit, zërin e ashpër të komandantit komunist: Zjarr!
Thoma Katundi,
më i “vjetri” në moshë, 64 vjeç! Lindur në Katund të Korçës. Ish Vatran në SHBA. I djegur nga malli, u kthye në atdhe dhe punoi me ndershmëri. I edukuar nga idetë demokratike amerikane, duke përbuzur çdo tirani, humbi jetën më 26 shkurt 1951. Faji i tij nuk ishte vetëm dashuria për lirinë, por edhe malli për atdheun!
Mehmet Shkupi,
58 vjeç. Lindi në Shkup dhe banoi në Tiranë. Ish pronar me arsim të mesëm dhe me profesion mjeshtër kaloriferi. Dyshohej si “agjent” i Legatës Franceze dhe se, gjoja, zhvillonte veprimtari terroriste. Pra, u dënua me vdekje pa asnjë provë e pa gjyq konkrete e pa gjyq!
Ali Qorraliu,
61 vjeç, tiranas i pasur, jurist. Kreu studimet e larta në Kolegjin Juridik të Selanikut. Në kohën e luftës përkrahu Ballin Kombëtar, ndaj edhe u burgos nga regjimi komunist. Si u lirua, e arrestuan së dyti herë si “terrorist“ dhe e pushkatuan pa mëshirë, pa gjyq! Kur u zbulua ai varr i kobshëm masiv, u vu re se para pushkatimit ia kishin shkulur dhëmbët e florinjtë!
Fadil Dizdari,
me origjinë nga Shkodra, lindur në Kavajë. Në kohën e Zogut kishte punuar si sekretar prefekture. I dashuruar pas librave, mbante hapur një librari në qendër të Tiranës. U arrestua dhe u pushktua pa gjyq, i dyshuar si “terrorist”, e “armik i pushtetit popullor.” Në të vërtetë, faji i tij ishte bujaria. Shiste pothuajse falas kryeveprat botërore, të ashtuquajtuar libra “të verdha” të autorëve me famë, si Viktor Hygo, Aleksandër Dyma, Frederik Shiler, etj. Nga ai shpëtoi vetëm unaza e fejesës, që u gjet në gropë, për të dëshmuar krimin e fshehtë e barbar në atë mesnatë të paharruar.
Hekuran Troka,
32 vjeç. Lindi në Kuçovë dhe banoi në Tiranë, me profesion tregtar. Në listën e zezë për atë djalë të hijshëm, ishte shënuar: “tregtar i dyshimtë spekulant”, “agjent i shërbimeve të huaja” dhe “ terrorist.” U pushkatua i dyshuar, pa gjyq. Familja iu internua dhe punoi në punë të rënda për bukën e gojës!
Lluka Rashkoviç,
51 vjeç. Lindur në Mal të Zi. Ardhur në Shqipëri me familjen në kohën e mbretërisë. Merrej me transport udhëtarësh. Ishte jashtë çdo rryme politike. Për jetën e pastër dhe punën e ndershme në shërbim të qytetarëve, e arrestuan dhe e pushkatuan pa gjyq!
Për atë gropë të braktisur në errësirën e ftohtë 70 vjet më parë nga xhelatët e nga fajtorët e shekullit, folën eshtrat, folën edhe gurët, folën arkivat e zbuluara edhe ato si gropa e të vrarëve. Foli kujtesa e njerëzve të ndershëm, e motrave, vëllezërve e nipave, foli kujtesa e një populli të tërë. Ishte një e folur me zë të lartë, që ta dëgjonte bota. për të marrë vesh, se ç’ishte në të vërtetë Republika Popullore Socialiste, ose Komuniste, e E. Hoxhës dhe e M. Shehut, “fanari ndriçues”, burgu e varri i përbashkët i shqiptarëve!
*
*)Agim Dëshnica ka lindur në vitin 1933 në Selanik, ka jetuar në Tiranë dhe pas vitit 1990 jeton në Boston SHBA. Është poet, përkthyes dhe studjues. Ka botuar disa libra me poezi, përkthime e studime. Në diasporë ka marrë disa çmime./albspirit.com