Blinken: Marrëveshja mes Kosovës e Serbisë kërkon gatishmëri për kompromis nga të dyja palët
Uashington, 17 shkurt 2021 – Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, i ka uruar qytetarët e Kosovës në 13-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, në emër të qeverisë së SHBA-së.
Blinken, në mesazhin e tij, ka thënë se SHBA-ja “është krenare për rolin e saj të hershëm dhe të vazhdueshëm në mbështetjen e Republikës së Kosovës të pavarur, për t’u zhvilluar në një vend multietnik“.
Zoti Blinken ka përsëritur qëndrimin tashmë të njohur të administrates së Prrsidentit Biden se marrëveshja përfundimtare mes Kosovës e Serbisë duhet të përqendrohet në njohjen reciproke të të dy vendeve.
Por, ai ka shtuar se kjo “do të kërkojë fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromis nga të gjitha palët“.
Deklarata e plotë e sekretarit Blinken:
Në emër të Qeverisë së SHBA-së, dua ta uroj Kosovën që feston përvjetorin e 13-të si shtet sovran dhe i pavarur. SHBA-ja është krenare për rolin e saj të hershëm dhe të vazhdueshëm në mbështetjen e Republikës së Kosovës të pavarur, për t’u zhvilluar në një vend multietnik, gjithëpërfshirës dhe demokratik. Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm drejt një të ardhmje më të begatshme, të qëndrueshme dhe të sigurt. Ne përgëzojmë vendosjen e marrëdhënieve zyrtare diplomatike me Izraelin dhe i përshëndesim përpjekjet tuaja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, të përqendruar në njohje reciproke, do të kërkojë fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromis nga të gjitha palët. SHBA-ja e vlerëson lidhjen e fortë mes njerëzve tanë dhe do të vazhdojë të përkrahë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit Euro-Atlantik. U uroj siguri dhe shëndet të mirë njerëzve të Kosovës, ndërsa vazhdojmë të punojmë së bashku për të tejkaluar sfidat e paraqitura nga pandemia COVID-19.