Haris Vongli: Pasioni përtej dashurisë…
Ese
“Është mirë të duash shumë gjëra, sepse aty qëndron forca e vërtetë dhe kushdo që dashuron shumë, ai edhe bën shumë, përmbush shumë dhe çfarëdo që bëhet me dashuri, bëhet mirë”, – Vincent Van Gogh.
Të arrish të bëhesh një me dikë nuk është thjesht trupore. Madje, ta përgjithësosh të bërit një duke u nisur nga fizikja e kimikja është thellësisht padrejtësi ndaj shpirtërores dhe vlerave, vizionit e jetëgjatësisë që përfaqëson ajo. Dy persona që ndajnë veten me njëri-tjetrin, vlen të bashkojnë rrugët e tyre në një, rrugë të cilat mund të jenë me kthesa, me gropa, të drejta, të rrëshqitshme, të ngrira, në ultësira e lartësi të mëdha, por janë në fund të ditës të përbashkëta.
Tessa Virtue dhe Scott Moir nuk janë veçse partnerë në patinazh, por edhe në jetë. Performanca e tyre, në mënyrë fare të dukshme, bën dallim nga shumë shfaqje të tjera të baletit në akull, pikërisht për ndjenjën që ata i bashkon.
Pra, suksesi e prestigji s’mund të jenë veçse të ftohta. Ato mund të jenë qëllim në vetvete, por kur në mes hyn pasioni për profesionin e gjysmën tjetër me të cilën ndan humbjet e fitoret dhe kur marrëdhënia nuk është veçse njerëzore e profesionale, por është gjithashtu dashurore, shumëçka bën sens. Prandaj bota ka parë partnerë shumëherë më të suksesshëm, kur veç profesionit kanë ndarë edhe ndjenjën, dashurinë.
Nuk është rastësore se si vizioni mbi dashurinë, truporen e shpirtëroren, gjatë rrugës ka predikuar ide, mendime, guxim, ëndrra, plane, përkushtim e çmenduri të përbashkëta, të ngjashme, të së njëjtës filozofi për jetën.
Karl Jung ka folur hollësisht për procesin në të cilin personi krijon “veten”. E duke krijuar veten komportohet në marrëdhënie me tjetrin me të cilin krijon çiftin. Personalitetet (introversioni vs ekstversioni) dhe funksionet, të cilat mendohen – ndjenja dhe ndjesia e intuita, janë të gjitha brenda nesh që na plotësojnë e po ashtu, në bashkëveprim shpirtëror e dashuror, krijojnë kultin e unitetit njerëzor, familjes, kultin e vazhdimësisë, kultin e përjetësisë.
Carl Jung shpjegoi se sinkronizmi ishte “njëkohësia e dy ngjarjeve të lidhura me sens, por në një mënyrë shkakësore”.
Kur e duam dikë, shumë rreth tij, rreth vetes, rreth dyshes, thjesht merr kuptim; kuptim për të cilin ia vlen të jetosh.
Please follow and like us: