Leonard Olli: Gëzuar Kosove, shteti më i ri i Europës!
17 shkurti hyri në histori si dita e themelimit të shtetit të lirë e të pavarur të Kosovës. Gëzuar!
Një ngjarje e shënuar në historinë e kombit shqiptar, një fitore edhe pse pjesshme kombëtare që i shpëtoi shqiptarët nga 100 vite zgjedhë e huaj e genocidi të pashembullt. Një ditë kur të gjithë përulen me respektin më të thellë e mirënjohjen e pafund për gjithë ata që flijuan jetët e tyre për lirinë. Edhe pse shtet i ri, shqiptarët e Kosovës, përtej problemeve, kanë dëshmuar një pjekuri dhe maturi të pashembullt në ndërtimin e një demokracie jo thjesht funksionale, por shumë të qëndrueshme. Krizat e fundit e vunë para sfidash të cilat u kaluan me sukses jo vetëm në aspektin konstitucional, por edhe në atë zgjedhor. Ata i kanë dhënë kuptimin dhe vlerën e plotë votës! Zgjedhje të lira e të ndershme dhe zero kontestime! Një sistem proporcional kombëtar që i jep vlerë çdo vote dhe çdo individi në garë! Zgjedhje të kohshme apo të parakohshme qofshin sprovat janë kaluar si të ishte Gjermani. Dorëheqje liderësh si detyrime morale apo institucionale pa as më të voglin hezitim!Sa afër dhe sa vite drite larg tyre jemi. Liderët tanë 30 vjeçarë thonë që zgjedhjet janë dështimi më i madh në Shqipëri, por harrojnë të thonë se janë ata dhe vetëm ata aktorët dhe faktorët përgjegjës për këtë dështim spektakolar! 30 vite dështim dhe sërish guxojnë të kërkojnë votëbesimin tonë… E padëgjuar, por e parë tek ne… Pra, Gëzuar ditën e lirisë Kosovë! Dhe vijo pa zig-zage rrugëtimin e bukur të lirisë dhe konsolidimit të demokracisë! Qëndro që të na dëshmosh se edhe Shqipëria bëhet, mjafton të ketë vullnet dhe ambicia e pushtetit të mos dalë mbi interesat e kombit! Gëzuar Kosovë!/albspirit.com