Sadik Bejko: Rekuiem për Reshpjen dhe të tjerët…
O ajër i mbrëmjes mbështillmë…
Unë kam qenë trishtimi i botës
Frederik Reshpja iku vite më parë. Lajmi i mirë është se balona me të cilën poeti fluturoi bashkë me trastën e poezive në shpinë, pikërisht nga shkaku i këtyre poezive më shumë se prej çdo gjëje tjetër… vazhdon të ngrihet. POEZITË E TIJ JANË NË THESARIN MË TË MIRË TË SHQIPES.
Me këtë rast dua të them se këtë status ai nuk e gëzoi në gjallje të tij. I vetmuar, pa familje, në skamje të plotë… ditët e tij të fundit në këtë tokë ishin… epilogu në ngritje i trishtimeve të gjithë jetës së tij.
Është rasti të përmenden disa kolegë të tij për humanitetin e tyre. Ata iu gjendën pranë Fredit në ditët më të vështira. I përmend se mbase e kemi harruar atë mirësinë e lashtë që miku i mirë duhet në nevojë. Moikomi, Shpëtim Kelmendi dhe të tjerë e deshën Fredin ashtu siç ishte dhe ai ishte i vështirë si gjithë të pafuqishmit shëndetërisht, si gjithë të moshuarit, shto edhe huqet që Fredi i kishte posaçërisht të vetat.
I Kadare në librin “Mëngjese në Kafe Rostand” i ka kushtuar atij disa nga faqet më të bukura shkruar për një poet. Kadareja shkon edhe më tej se Fredi…
Përmend ashpërsinë e frikshme të Shqipërisë me intelektualët krijues. Shqipëria është e ashpër, sa një mik I. Kadaresë, mik i rinisë dhe i shkollimit në Moskë, u fsheh, u arratis, shkoi të banonte në një kasollë në zonën arktike të Rusisë, vetëm që të mos kthehej në Shqipëri.
E ashpër sidomos me shkrimtarët kjo Shqipëria jonë. Nuk ka mëshirë në këtë vend për Frederikët e co. Mjerë ti, Jerusalem, thotë Krishti, mjerë ti që i vret profetët.
Mbaj mend që më 1998 Moikom Zeqoja, atëhere drejtor i Muzeut Kombëtar, po merrte nga presidenti Meidani dekoratën e lartë ‘Mjeshtër i Madh’. Mes të ftuarve ishte Fredi ulur në rreshtin e parë. Ishte keq nga urinimi i pavullnetshëm. Dola në foto me të. Moikomi e kishte vënë aty që t’u binte në sy autoriteteve shtetërore. Fredi si të ishte me temperaturë ngrinte jakën e xhakoventos dhe e mbante shtrënguar në fyt. Në koktejin e rastit Fredi u takua me kryeministrin Nano dhe me disa nga eksponentët më kryesorë socialistë. Ai po kërkonte një kredi për shtypshkronjën, për biznesin e tij që po rrënohej. Kleptokratët e lartë të asaj periudhe në shtet, nënqeshnin me ironi, mbanin hundët me ndot sa ndaheshin me Fredin. E kuptova se e kishte të humbur… shtypshkronjën. Ashtu ndodhi.
Dikur, në vitet ‘70, ndërhynë në shtet disa shkrimtarë që Lasgushit t’i rritej pensioni. Kryesia e Lidhjes së asaj kohe e hodhi poshtë këtë kërkesë edhe pse M Shehu “i tmerrshëm” donte ta ndihmonte poetin. Shkrimtarët dolën kundër kolegut, kryemjeshtrit të fjalës shqipe. Plak dhe ngushtë nga lekët.
Shqipëria është e ashpër. Mjerë ti, Jerusalemi që i vret profetët!
Këtij Fredit nuk i mjaftokej e rëna e fatit, i duhej dhe goditja prej njeriut. Nuk them se Fredi qe i përsosur. Por ka qenë në burgje,. Ka qenë dhe në nevojë për mbijetesë. Por Shqipëria vazhdon të bëjë politikë edhe me poetin edhe me të burgosurin e diktaturës. Edhe me pabuksin. Dhe turpi i shkon Shqipërisë, Jeruzalemit të shqiptarësisë, atyre që i nëpërkëmbin e i burgosin e i vrasin poetët.
Megjithatë jeta tjetër i ka shpërblyer poetët në këtë vend.
Ne e kujtojmë sot me nderimin me të madh Fredin, i kujtojmë me nderim secilin nga ata ( Imzot Prenushi, E. Haxhiademi, Lasgushi, Mitrushi, Ndre Zadeja, Petro Marko, Vilson Blloshmi, Havzi Nela etj) që nga shteti i tyre janë trajtuar si bij të njerkës, si bij të mallkuar, si fëmijë të mohuar e të kryqëzuar.
Më vjen mirë ta kujtoj sot rininë time dhe të Fredit, me ëndrrat tona për një jetë ashtu si e do dhe e mendon se do t’i vijë i riu.
Dua ta mjegulloj, ta tret përtej vështrimin tim të njomur./albspirit.com