Albspirit

Media/News/Publishing

Agron Tufa: Plani hakmarrës i Gramoz Ruçit kundër atyre që rrëzuan shtatoret e Enver Hoxhës

  1. Dokumenti tepër sekret: të gjenden organizatorët

Ky dokument, i shënuar «tepër sekret» publikohet për herë të parë. Dokumenti bën me dije se ministri i sapozgjedhur i Diktaturës, i fundmi në krejt kampin komunist të Europës Lindore, shoku Gramoz Ruçi (ose, siç e kemi dëshmuar me dokumenta, «Cigarja» e Sigurimit), u bën thirrje shokëve të vet të Degëve të Punëve të Brendshme për të nisur një valë arrestimesh pas rrëzimit të shtatoreve të diktatorit Enver Hoxha. Nuk është vetëm shtatorja e diktatorit që u përmbys në Sheshin Skënderbej e mandej u hoq zvarrë drejt Kinoklubit Studenti – trofe për studentët në Grevën e Urisë. Jo, është fjala për përmbysjen e shtatoreve, statujave dhe statuetave të kësaj perëndiçke komuniste në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Shtetit komunist në grahma të fundit i duhet një dorë e fortë, një stalinist i përbetuar, një kriminel, që mund të vrasë pa iu dridhur dora dhe Ramiz Alia e solli nga Tepelena «Cigaren», shokun Gramoz. Fill pas rrëzimit dhe dhunimit të shtatoreve e statujave të diktatorit nëpër tempujt e qyteteve komuniste, në skenë hyn nofullakatrori, spiuni e sekretari i Partisë, për të bërë zap rrokullimën. Ky portret egërshan e tregoi veten menjëherë, sapo mori detyrën, gjykuar nga shkresa e mëposhtme:

DESHIFRIM (TEPËR SEKRET)

  1. 3. 91

D.P. BRENDSHME TIRANË DHE D.P. BRENDSHME

Ju kujtoj se populli pret që organet e punëve të brendshme ta informojnë kush i rrëzoi e dhunoi monumentet dhe bustet e Enver Hoxhës. Porositë e dhëna nuk po zbatohen, puna për këtë problem të rëndësishëm u kufizua tek disa ekzekutues dhe në ditët e para kur kërkohej të zbatohej duke u thelluar për të dalë tek organizatorët. Këmbëngulni të kryeni detyrat. Në një datë të afërt të thirren kryetarët e degëve për të raportuar.

Gramoz Ruçaj

  1. Përbetimi i Gramoz Ruçit dhe përgjakja e demokracisë në Shkodër

Nuk do të kalojë një muaj dhe egërshani fanatik «Cigarja», do të formulojë një urdhër tjetër, që do të sjellë përgjakjen e Shkodrës me 2 prill 1991, duke vrarë katër djem të rinj, heronj të demokracisë: Besnik Ceka, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Arben Broci (ky i fundit një figurë e njohur e lëvizjes studentore që solli pluralizimin). Është interesante se vrasjet e bëra nga snajperët e pozicionuar nëpër tarracat e pallateve, kanë qenë të planifikuara sipas urdhërit të ministrit të brendshëm Gramoz Ruçit. Këto vrasje nuk janë bërë menjëherë, por sipas planifikimit nga ora 8.10 deri në orën 11.00 të datës 2 prill 1991. Ata kanë zbatuar skemën e urdhërit të shtjelluar të dhënë nga Gramoz Ruçi në tekstin e mëposhtëm, të një dite më parë:

“Për të vepruar me forcën e shkopit nuk ka askush arsye të pyes përgjegjësin. Goditni ashpër qysh në fillimet e grumbullimeve. Për të paralizuar ata që nga turmat mund të godasin me armë forcat tona, zini lartësitë dominuese me qitës të përgatitur, forcat tona që përleshen me protestues mos shkojnë të armatosura”.

  1. Një Heinrich Himler në krye të Parlamentit shqiptar pluralist

Për përmasat e Shqipërisë staliniste, brenda shkallës së zvogëlimit dhe kohës së pafavorshme për diktaturën komuniste në grahmat e fundit, roli i Gramoz Ruçit ishte ai i një Henirich Himler-i në qeverinë naziste. Vrulli me të cilën e filloi punën, egërsia dhe etja për masakër ishte e njëllojtë me vendosmërinë e pikut të diktaturës, veçse e tradhëtuar në kohë. Që nga dita kur lëshon urdhërin e paraqitur në këtë dokument e deri në përfundimin e palavdishëm të detyrës së ministrit të brendshëm pas disa muajsh, tregon kontradiktën midis egërsisë së tij dhe rrokullimës që kishte marrë diktatura. Megjithatë, pavarësisht kohës tepër të shkurtër, “Cigarja” që u bë Ministër i Brendshëm, karakterizohet nga etja për arrestime, spastrime, survejime, derisa pas një muaji nga marrja e detyrës e përgjaku demokracinë shqiptare me 2 prill 1991 duke marrë jetën e 4 të rinjve protestues. Nuk është fjala për dalje të situatës nga kontrolli, por për vrasje të planifikuar me snajperë, siç e dëshmon dokumenti i mësipërm. Pavarësisht se i shpëtoi gjyqit të parë, kur çështja u rihap, më 1996, thonë se Gramoz Ruçi kaptoi kufirin shqiptaro-grek i veshur si grua. Pastaj historia e kthimit në vitin 1997 dihet.

E pabesueshmja është se ky himleruc shqiptar mbërriti të bëjë karrierë politike të lartë, aq sa sot e kemi Kryetar të Kuvendit. Një himler shqiptar kryeson Kuvendin ende tash në vitin 2021!

Si është e mundur?

Në një shkrim të 13 shtatorit 2018 në «Panorama» Jan Jansen (ish-vëzhguesi i Amnesty International përgjatë 14 vitesh (1990-2004) shtron pyetjet e tij thelbësore dhe shpreh habinë për karrierën marramendëse të Gramoz Ruçit. Habia e Jan Jansenit ka të bëjë me lidhjet midis Diktaturës I (komuniste) dhe Diktaturës II (diktatura e dollarit). Pse vallë dhe si është e mundur, që në krye të shtetit janë po ato figura të diktaturës komuniste? Si shpjegohet? Po e sjellim të cituar habinë e këtij eksperti me përvojë të «Amnesty International»: «Duhet të pyesim zotëri Gramoz Ruçin. Ka qenë ministër i Punëve të Brendshme, d.m.th. përgjegjës për Sigurimin, për Policinë, për sistemin gjyqësor dhe sistemin e burgjeve. Në praktikë, përgjegjës për vrasje, tortura, maltretime, burgosje, internime, ridënime, shkurt, për krejt sistemin shtypës të diktaturës I. Tani është në majën e demokracisë, kryetari i Parlamentit shqiptar. Në thelbin teorik, ai duhet të mbrojë demokracinë në Shqipëri, sistemin demokratik. Pyetjet e mia do të kishin të bënin me ndryshimet midis sistemeve dhe për tiparet që ata i kanë të njëjta”.

Sigurisht në këtë kohë gazetari me përvojë i “Amnesty Internatonal”, Jan Janseni, nuk kishte si ta dinte që Gramoz Ruçi kishte kaluar sprovën e Sigurimit të shtetit me pseudonimin “Cigarja”. Po habia e tij është krejt e ligjshme për të gjithë ata njerëz që e kanë trurin në vendin e duhur dhe e fusin sadopak në punën e tij, siç e ka jeratisur perëndia.

Ajo që e habit më së shumti ekspertin europian, është Rrugëtimi i këtyre njerëzve. Në vend të Gjykatave shqiptare apo Tribunalit të Hagës si i akuzuar për krime politike të çdo lloj shkalle, “Cigarja” vetëm se ka ngjitur shkallët e karrierës, madje më fort se gjatë diktaturës I (komuniste). Po si është e mundur? Çfarë udhe mistike i ka prirë kësaj race? Kush kanë qenë prijësit e tij, dyert sekrete që i janë hapur si me magji? Cili medium, cili sekt i fuqishëm satanik e ka bartur lart e më lart përmes mjegullave të rënda të tymtajës shqiptare? Sigurisht do të na duhet t’i zbardhim këto kthesa, këto zgëqe e llagëme të nëndheshme, këto lakadredha kacavjerrëse, të cilat pas 30 vitesh nga rënia e Komunizmit na e ngjiti antropoidin tonë në majë të piramidës shtetërore. Dhe ne rrimë e dëgjojmë, udhëhiqemi, i bindemi, sikur kjo të ishte diçka më se normale.

Habia e ekspertit hollandez të Amnesty International shprehet e troçët, e tillë e thjeshtë, siç nuk kanë pasur kurrë guximin ta shtrojnë parvenytë e shtypit tonë me mëditje:

“Si holandez, banor i vendeve të ulëta, nuk e kuptoj. Ne nuk kemi male, d.m.th., nuk kemi maja malesh. Një udhëtim nga maja në majë nuk mund ta kuptoj. Ai mund të ma mësojë se si ka udhëtuar nga maja në majë është vetë Gramoz Ruçi. Supozoj se në mes të maleve ekziston diçka që e quajmë “luginë”? A ka udhëtuar zotëri Ruçi nëpër luginë? A ka marrë përgjegjësi për çfarë ka bërë? Ka kërkuar ai ndjesë? Sipas sistemit të Afrikës së Jugut (pajtimi); apo sipas ndonjë sistemi tjetër? A ka folur për çfarë ka përgjegjësi? Apo unë jam i gabuar, sepse nuk ka “luginë” në mes të maleve? Unë si person jam shumë kureshtar, prandaj pyes: si është e mundur të shkojë nga një majë mali në një majë tjetër pa probleme psikike, a nuk ka ai ndonjë brengë të madhe? Ju lutem, zotëri Ruçi, ma shpjegoni”!

Sigurisht Jan Jansen nuk ka fort parasysh, që këta antropoidë të Diktaturës I (komuniste) që janë në krye të piramidës së pushtetit të Diktaturës II (të dollarit), kanë rreth vetes avatarët e bandave të krimit, korrupsionit dhe trafiqeve. Avatarët e Gramoz Ruçit kanë bëma të mëdha që nga viti 1997 dhe tashmë janë klan familjar me tentakula të forta: ata vrasin, shtypin, dhunojnë, drejtojnë hartat e trafikut dhe janë të gatshëm të veprojnë ngjashëm sikur e ka pohuar vetë Ruçi në një video: “Pushteti fitohet me grykën e pushkës dhe mbrohet me grykën e pushkës”. Pushteti pra, jo liria. Pushteti i mafies i përbërë nga avatarët e tij të bandës familjare.

https://gazetamapo.al/plani-hakmarres-i-gramoz-rucit-kunder-atyre-qe-rrezuan-shtatoret-e-diktatorit/?fbclid=IwAR21IP3crbkogXi9RJ9nVxYMPXyrZNvBAg6SLZx6ERiMXD9jkKo2mXKEFwU

http://www.zemrashqiptare.net/news/56455/agron-tufa-plani-hakmarres-i-gramoz-rucit-kunder-atyre-qe-rrezuan-shtatoret-e-enver-hoxhes.html

Please follow and like us: