Blerina Ruka: A po neglizhohet rëndësia e votës së diasporës?
Diaspora e mbi 150 vendeve të botës, mbi 40 nga të cilat ndodhen në Evropë, është e përfshirë ne procesin politik nëpërmjet votës. Fatkeqësisht, Shqipëria jo vetëm nuk është një nga këto vende, por sapo mori edhe leksionin e rradhës nga shteti më i ri shqiptar, Kosova. Që prej shpalljes së pavarësisë, Kosova e ka përfshirë dy herë Diasporën e saj në zgjedhje.
Gati gjysma e qytetarëve të Shqipërisë me banim jashtë kufijve, janë të përjashtuar deri më sot nga ushtrimi i të drejtës së votës, të garantuar në Kushtetutë. Kushti i deritashëm i pranisë fizike ditën e zgjedhjeve në një qendër votimi, është thjesht një mënyrë e tërthortë për ta përjashtuar Diasporën nga kjo e drejtë themelore. Nuk ekziston vota me korrespondencë, dhe as logjistika e duhur për ta mundësuar këtë.
Pas shtrimit të kësaj çështjeje në Samitin e Dytë të Diasporës dhe premtimeve të bujshme të qeverisë, përpjekjet konkrete të shtetit shqiptar për ta përfshirë politikisht Diasporën në zgjedhje filluan vetëm në 18 shtator të vitit 2019, pas një urdhëri të brendshëm të kryeministrit Rama për “ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës për hartimin e paketës ligjore për garantimin e të drejtës së votës për shtetasit shqiptarë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”.
Kur Ministri i Diasporës Majko, në zbatim të pikës 5 të atij urdhëri (“grupi ndërinstitucional i punës mund të kryejë konsultime e të marrë mbështetje nga përfaqësues të shoqërisë civile, ekspertë të jashtëm apo përfaqësues të organizatave ndërkombëtare”) filloi kontaktet me shqiptarët jashtë vendit, shqiptarët e Kanadasë u përfshinë të parët dhe ndoshta më herët së pjesa e Diasporës në vende të tjera. Kjo, ndoshta se në Kanada krahasuar me vendet e tjera ku ndodhet Diaspora e re shqiptare, ka një përqëndrim shqiptarësh të mirëarsimuar, për shkak edhe të sistemit të emigracionit kanadez, që përzgjedh më të shkolluarit nga gjithë bota. Shqiptarët e Kanadasë, kontribuan drejtpërdrejt në përmirësismin e Kodit Zgjedhor qoftë si pjesë e Këshillit Koordinues të Diasporës[i], qoftë edhe si shoqëri civile.
Është i njohur dhe publik tashmë fakti që Shoqata e Avokatëve me orgjinë shqiptare në Toronto (ACLA), përgatiti një raport “Për Ndryshimet e Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë për Votën e Diasporës”, me sugjerimeve konkrete, bazuar në një studim të plotë krahasues me legjislacionin kanadez lidhur me votimin e qytetarëve kanadezë me banim jashtë Kanadasë. Anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës në Kanada, organi i parë në historinë e shtetit shqiptar që përfaqëson interesat e shqiptarëve të larguar nga vendlindja, luajtën një rol tejet të rëndësishëm në koordinimin e këtij kontributi.
Raporti i ACLA, iu dorëzua Ministrit të Diasporës, Majko, në nëntor të vitit 2019 (pra rreth 1 vit e gjysmë më parë), dhe tashmë mund të thuhet me bindje se kontributi juridik tejet profesional i kësaj shoqate juristësh me origjinë shqiptare në Kanada, ndikoi që në Kodin e Ri Zgjedhor të garantohet e drejta e zgjedhësve shqiptarë me vendbanim të përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për të votuar në zgjedhjet për Kuvendin.
Bazuar në këtë Kod të ri Zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka kërkuar që emigrantët të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Edhe pse parashikohen risqe të larta në lidhje me sigurinë e votës, grupi i punës në KQZ ka kërkuar që Diaspora shqiptare të votojë, nëpërmjet njërës prej tre mënyrave: me postë, votim në konsulatë dhe votim elektronik.
Zgjedhësit që kanë vendbanimin e përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë të drejtë të votojnë, kur (i) kanë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile adresën e vendbanimit të përhershëm jashtë vendit dhe (ii) kërkojnë nga KQZ-ja që të pajisen me dokumentacionin e votimit nga jashtë.
Sipas faqes zyrtare në Internet “KQZ, në konsultim edhe me përfaqësues të organizatave të diasporës është në procesin e hartimit të rregullave të detajuara për të mundësuar votimin e bashkatdhetarëve tanë në diasporë” dhe ky shënim i thatë s’mund të quhet aspak shterrues, kur zgjedhjet parlamentare të dekretuara më 25 prill 2021 janë vetëm disa javë larg dhe ndërkohë që në datën 25 shkurt, Diaspora duhet të ketë zyrtarizuar praninë e saj në zgjedhje me anë të votës.
Siç shihet, hapat e mëtejshëm në implementimin e asaj pjese të Kodit Zgjedhor që përfshin ligjërisht Diasporën në zgjedhje, nuk ndoqën po atë vrull të fillimit, kur hartohej me urgjencë Kodi i Ri Zgjedhor. Në një bisedë telefonike me Albanian Montreal Press, anëtarja e Këshillit Koordinues i Diasporës, Dr. Adriana Bejko, shprehet se prej pothuaj 3 javësh, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hesht përkundrejt interesimit të vazhdueshëm të anëtarëve të KKD-së me argumentin se të regjistruar pranë Gjendjeve Civile nga Diaspora rezultojnë vetëm 921 shtetas shqiptarë të larguar?!?
PO SI ËSHTË PROCEDURA E REGJISTRIMIT?
Zgjedhësit shiptarë me banim të përhershëm jashtë vendit duhet, së pari të deklarojnë vendbanimet e tyre jashtë shtetit përmes portalit e-Albania dhe më pas të shfaqin interes për të votuar në faqen zyrtare të KQZ-së. Pasi indentiteti i tyre të konfirmohet, emri do të hiqet nga lista në Shqipëri dhe do të vendoset në një regjistër të posaçëm. Më pas fleta e votimit mund të shkarkohet online dhe pasi të plotësohet, mund të niset me postë në Shqipëri.
Mesa duket, puna e nisur me ngut në fillim, si shumica e nismave-fasadë të qeverisë shqiptare, ngeli në mes. Qeveria lau duart dukë përfshirë thjesht në Kodin e Ri Zgjedhor, një të drejte që shqiptarëve ua jepte tashmë Kushtetuta. Ndërsa për përfshirjen konkrete të Diasporës,u bë shumë pak ose asgjë. Kjo që nga mungesa e një plan veprimi të mirëkoordinuar e deri tek sensibilizimi i munguar nëpërmjet përfaqësive diplomatike shqiptare nëpër botë. Mbi 1.4 milion qytetarë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit u privuan kësisoj nga mundësia praktike për të votuar. Ndërkohë që përfshirja reale e tyre në votime, thjesht do të rriste legjitimitetin demokratik të Parlamentit të ardhshëm në Shqipëri. Votimi është forma më themelore e pjesëmarrjes politike dhe mënyra më e mirë për të dëgjuar zërin e diasporës shqiptare. Pa votimin e diasporës, ka më pak nxitje që diaspora të forcojë veten e saj dhe që Diaspora dhe të gjitha institucionet brenda Shqipërisë të punojnë së bashku për një Shqipëri më të mirë. Ndryshe nuk do të mund të ndodhë dhe vetëm një naiv do të besojë se do të mund të ndodhë.
Për më tepër, duke marrë parasysh mungesën e varësisë ekonomike të Diasporës shqiptare nga partitë politike të Shqipërisë dhe pozicionin e saj të fortë kundër korrupsionit (përfshirë këtu edhe Kosovën), votimi i Diasporës do të ushtronte presion të nevojshëm për reformën demokratike. Do të ndihmonte për të nxitur ndryshimet demokratike, ekonomike dhe sociale që do të kërkohen nga Shqipëria kur të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
Shembulli më i fundit i Kosovës tregoi se, kur ka vullnet politik megjithë procedurat e komplikuara, sërish mbi 100 mijë shqiptarë, me banim jashtë, votuan me korrespondencë, në zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti.
Pra hapi i parë që duhet synojë KQZ, nëse është ende në kohë, është të rrisë pjesëmarrjen në votime të Diasporës, për të konkretizuar përfshirjen e saj, jo thjesht simbolike. Mund të ndodhë edhe që megjithëse e paktë në numër, vota e Diasporës të numërohet “pas pilafit”.
Edhe ne Kosovë, njerëzit votuan, pavarësisht se votat e tyre ende nuk ishin numëruar disa ditë pas shpalljes së rezultateve, por të paktën përfshirja është një hap në drejtimin e duhur.
Kur ka ngelur edhe fare pak javë deri në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri, natyrshëm lind pyetja: A ka rëndësi reale vota e Diasporës? Apo është thjesht një dekor politik, për të kënaqur kalimthi presionet në rritje të lobeve shqiptare me banim jashtë trojeve?!
[i] [i] *Kush është KKD?
Këshilli Koordinues i Diasporës është organizim, i pari në historinë e shtetit shqiptar për të përfaqësuar interesat e shqiptarëve të larguar nga vendlindja.
Shtrirja e tij është 3 përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 6 përfaqësues nga Bashkimi Europian, 2 përfaqësues nga Britania e Madhe, 2 përfaqësues nga Kanadaja, 1 përfaqësues nga Turqia dhe 1 përfaqësues nga Australia.
Këshilli Koordinues i Diasporës është i pavarur nga interesat politike. Ai synon të krijojë ura lidhëse me vendin amë dhe të kontribuojë në konsolidimin e një Diaspore të vetëdijshme për misionin e saj atdhetar, të ruajë, kultivojë dhe përhapë gjuhën, kulturën dhe traditat më të mira shqiptare, të mbështesë dhe orientojë potencialet intelektuale të Diasporës në shërbim të zhvillimit shoqëror, politik dhe ekonomik të kombit, të jetë zëri i së vërtetës në shërbim të interesave të popullit dhe çështjeve kombëtare.