Laura Skënderas: Unë, ajo vajza…
Eh… Unë jam ajo vajza e çmendur… Ajo vajza pakëz e ndrojtur…. Ajo që beson te vetja edhe kur të tjerët e humbin besimin tek ajo, apo më mirë të them thjesht nuk duan të besojnë….
Jam ajo vajza që i vë emër çdo ylli e i thotë gjithsecilit sekrete që njerëzve asesi nuk do ua thoshte. Jam ajo vajza gjysmë e marrë që lumturinë më të madhe e gjen të fshehur mes copëzash poezie… Ajo që ditët e shiut i nis me një strofëz aty-këtu të Kadaresë, me takime të gjata me dritaren edhe aromën e tokës së lagur… “ca pika shiu ranë mbi qelq… për ty unë befas ndjeva mall…”. E ja, ndjeva vërtet mall, mall për të gjithë ata që kam njohur, për të gjithë njerëzit që aty-këtu humbën, për të gjitha kujtimet që më lanë, për të gjitha momentet që i jetova pa e ditur sa e lumtur isha. Për të gjitha çapkënllëqet e fëmijërisë, për ata gjunjët e gjakosur nga lojërat e vrapi, për atë lisharësen ku vallëzoja me erën, për pëllëmbët e kthyera në një ylber nga ngjyrat e vizatimet, për flokët e pabindur, për atë buzëqeshjen që buronte nga diku brenda meje që asesi nuk e di prej nga. Për ato mëngjeset, kur mezi prisja të lindte dielli që të vrapoja pas tim gjyshi për t’iu ngjitur pas këmbëve derisa të më vendoste mbi biçikletën e tij e të më sillte ca herë rrotull. Për ato mëngjese, kur shtrati i prindërve të mi kthehej në një trampolinë, jo, tani që e mendoj ajo ishte skena ime, piedestali im, atje ku unë jepja shfaqje duke u sjellë rrotull e duke kënduar me krehërin tim si mikrofon. Për atë sfilatën gjatë korridorit pak minuta para se të ikja në kopësht.
Ah… kopështi, ai vendi ku ndodhte që zemra të të gufonte nga e qeshura dhe të prisje pushimin e madh për të luajtuar “Topa djegës”, e kuptuat besoj prej nga vinin gjunjët tim të gjakosur. Edhe pasditet, sidomos pasditet kur vrapoja për në shtëpi… Në fakt , vrapoja për tek im gjysh, që t’i tregoja atij të parit yllin mbi dorë, sepse, hej, isha kujdesur gjithë ditën që ai, i vizatuar me stilolaps të kuq, të mos fshihej. E dini pse? Sepse e adhuroja atë buzëqeshjen e syve të tij, që megjithëse të lodhur, gjenin gjithmonë kohë për mua, e adhuroja ta shihja të buzëqeshte, ndërsa më thoshte se e kisha bërë krenare, e adhuroja kur largohej për pak që unë të mos ia shihja sytë e tij të përlotur nga gëzimi, edhe atëhere nuk e kuptoja… E pasi largohesha prej tij, vrapoja drejt burimit të ujit, ngjitur me zejtarinë e tij… Edhe pse jam 20 vjeçe, ende e adhuroj atë burim, a thua mban me vete një pjesëz time, të asaj që ishte imja, fëmijërisë sime?
Për të gjitha pasditet e rrëmujshme në kuzhine, edhe për gjithë lodhjen që i shkaktoja sime gjyshe… Hej, ëngjëll, më vjen keq! Për ato tekat e vogla, për ato shëtitjet përdore me time më, edhe për gjithë mundin që i shkaktoja tim eti duke e pyetur për çdo detaj që syri mund të kapë. Për ato ditët e pranverës kur unë dhe Irisa, nuk linim dy gurë bashkë. Për ato netët e ftohta të janarit kur lumturia më e madhe ishin grimcat e zjarrit që fluturonin nga oxhaku, faqet e mia të përskuqura nga e ngrohta e mendja duke vozitur në përrallat që im gjysh më tregonte, ndërsa jashtë dëbora zbardhte tokën. E më pas për ato mëngjeset, kur ime gjyshe më zgjonte duke më thënë që kishte rënë dëborë, nuk mbaj mend ndonjë ditë tjetër të jetës sime të mbushur me më shumë lumturi. Për ata pleqtë e borës që kaloja orë t’i ndërtoja e që për dreq ajo karrota nuk u ndenji që nuk u ndenji mirë në fytyrë… Për ato ditët me shi, kur duhet të mësoja tabelën e shumëzimit, ndërkohë që mendjen e kisha fluturimthi edhe unë bashkë me zogjtë. Për ditët e nxehta të verës kur lumturia më e madhe ishte një shkop akullore që thoshte se kishe fituar një tjetër. Për gjithë muzgjet e kaluar duke luajtur symbyllazi. Për të gjitha ëndrrat e thënë qiellit, ok edhe për ato bretkosat që mendova se do bëheshin princa po t’i puthja, betohem se nuk e dija që ishte thjesht thashethem… Edhe për atë ditën, atë ditën që dola të luaj, edhe thashë se do të kthehesha të nesërmen, por nuk u ktheva më kurrë, sepse endrrës së një moshe të tëre i kishte ardhur fundi, për të nisur një tjetër…/albspirit.com