Albspirit

Media/News/Publishing

Wildife: Lejleku i Zi (Ciconia nigra) -një ndër mrekullitë e rralla!

Shkrimi dhe fotografitë nga Edmond Kaceli, Itali

Për mua personalisht fotografia e natyrës është këmbëngulje, është shumë sakrificë, është pak mjeshtëri e në rastin më të mirë është fat!
Sa herë që realizoj ndonjë fotografi të një subjekti të pa fotografuar më parë unë e quaj fat!
Fat, sepse mund të ndodhë që ke pritë gjatë gjithë ditës në temperaturë të ulët, nën 10 gradë a më shumë! Ke ecur kilometra të tërë, apo je pozicionuar nga njëri vend në tjetrin, më kot, duke pritur rastin fatlum të një shkrepjeje të sukseshme.
Kështu më ka ndodhur në rastin e fotografimit të Lejlekut të Zi, specie që shihet krejt rrallë në Itali, por edhe në Kosovë apo Shqipëri.

Në Shqipëri, sipas guidës së specializuar në jetën e egër, Altin Hila, mund të ketë një ose dy çifte të Lejlekut të Zi. Por që nuk ka të dhëna të sakta se ka folenizuar apo thjeshtë ka kaluar nëpër rrugën e tij të emigrimit.
Ndërsa në Kosovë, sipas fotografit të natyrës së egër Arian Mavriqi, është vërtetuar vetëm një çift, (i dokumentuar për herë të parë me fotografi e filmim nga ai) në proces emigrimi gjatë vitit 2020!
Ndërkohë sipas AOS- Albanian Ornithological Society: Lejleku i Zi është ndeshur gjatë vrojtimeve te tyre në vite, në numra te rrallë,  në zonat e lumenjve Vjosë, Drinos, Drin i Zi, Bunë etj. Por nisur nga fakti qe ky lloj lejleku folenizon larg zonave të banuara është e vështirë të përcaktohet saktësisht folenizimi i tij.
Për të kuptuar se sa i rrallë është ky shpend me një bukuri të pazakontë, vlen të theksohet se në Itali llogariten rreth 20 çifte që kanë folenizuar rregullisht vitet e fundit në Itali. Folenizimi i parë është shënuar në vitin 1994!
Pikërisht për këtë e quaj fat fotografimin e një specieje të tillë të rrallë e të bukur, në Racconigi, Piemonte, Itali.
Lejleku i Zi (Ciconia Nigra, ose Black Stork) bën pjesë në familjen e lejlekëve. Është pak më i vogël se lejleku i bardhë. Pesha mesatare rreth 3 kg, e gjatësi 95 cm, me një hapje krahësh rreth 2 metër! Ngjyra e puplave, kryesisht e zezë, por që në varësi të ndriçimit merr nuanca nga jeshilja në manushaqe metalike.
Ushqimi i preferuar janë peshqit, amfibët dhe reptilët. Depoziton nga 3 deri në 6 vezë.
Gjatë historisë vende të ndryshme e kultura të ndryshme, e kanë mbrojtur lejlekun e bardhë dhe lejlekun e zi me ligje të veçanta dhe tepër të ashpra!
Në botën e simbologjisë dhe spjegimit të ëndërrave: E zeza presupozon në thellësi të nën ndërgjegjes, të vërteta të fshehura që kur shoqërohet me figurën e lejlekut kthehet në një pozitivitet dhe kontraste shumë interesante që flasin në vijim për ndryshime të rëndësishme e të mira në jetën tuaj!
Please follow and like us: