Dashnor Kokonozi: Ebay dhe dy ligje europiane për librin
Meqenëse për romanin ‘Portret vrasësish’ në grup pati një ndërprerje të përkohshme të shitjeve (në pritje të furnizimit të radhës), një lexuese nga Spanja më shkruante se e kishte blerë atë libër në Ebay por e kishte gjetur disi të ekzagjeruar si çmimin e romanit ashtu edhe pagesën për dërgesën e tij. (17 dollarë libri dhe 15 dollarë dërgesa)
Në lidhje me çmimet që praktikon Ebay, nuk dua të paragjykoj, por kam të drejtë t’i drejtohem shtetit për të diskutuar mundësinë e dy ligjeve europiane: ligjin e çmimit unik të librit (Fixed Book Price) dhe ligjin (të themi dispozicionin ligjor) francez “për dërgesën e librave dhe broshurave”.
Nevoja për një çmim unik të librit doli dhe u aplikua së pari që në shek. XVI-të kur nuk ishin më shtypshkronjat që i shisnin te dera e tyre librat, por nisi të krijohet një rrjet librarish. Pra, që në fillim doli nevoja e mbajtjes në kontroll të çmimit të librit, si një “mall” jo si gjithë të tjerët.
Ky ligj sot praktikohet në Francë që nga viti 1981, Spanjë-1997, Portugali-1996, Greqi-1997, Itali-2001, së fundi edhe në Belgjikë etj.
Në këto vende askush nuk ka të drejtë të shesë një libër më shumë se sa ai që është vendosur në kopertinë. Pse jo në Shqipëri? Duke e shitur romanin ‘Portret vrasësish’ në grup me më shumë se 50% të çmimit të kopertinës Ebay sigurisht që vështirëson qarkullimin e tij.
Ligji tjetër francez, për të cilin Shqipëria ka më shumë nevojë se Franca është ligji që parashikon tarifa shumë speciale për promovimin e kulturës franceze në botë. Eshtë fjala për dërgesën e librave dhe broshurave me çmim mjaft të lehtësuar.
Ky ligj që e përdorin si entet ashtu edhe individët më ka ndihmuar së tepërmi të këmbej libra me miqtë e mi kudo në botë duke paguar mesatarisht dy euro.
Eshtë e tepër të them se me tarifën prej 15 dollarësh që aplikon Ebay për dërgimin e librave nga Shqipëria as unë vetë nuk e blej librin tim.
Dhe vështirë se tregu i librit do të ekzistonte vetëm me blerjet e atyre që nuk e kanë të nevojshme t’i hedhin një sy çmimit.
Please follow and like us: