Libri ‘Mëngjeset në kafen Rostand” i Kadaresë përkthehet në rumanisht
Vjen në një gjuhë që tanimë, për autorin është shumë popullore. Vepra “Mëngjeset në kafe Rostand” e Ismail Kadaresë është përkthyer në gjuhën rumane. Ky përkthim vjen nga shtëpia botuese “Humanitas” në Rumani, pas veprave “Kalorësi me skifter” dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.
Pas frëngjishtes, tanimë rumanishtja është gjuha ku shkrimtari ynë i madh është përkthyer më shumë.
Marius Dobrescu (Marius Dobresku) është i vetmi specialist i gjuhës shqipe, që gëzon besimin dhe miratimin e shkrimtarit për t’ia përkthyer veprën. Duke e vlerësuar punën, Ismail Kadare është shprehur se ai është “përkthyesi më i mirë dhe më besnik i tij”.
“Culture Tops“, shkruan: “Kadare e sheh jetën atje ku është: përtej mizorisë së diktaturës, censurës, ideologjisë, përtej zhdukjeve brutale, tradhtive të njerëzve dhe historisë, marifeteve të tmerrshme për mbijetesë. Intelektualët, të rinjtë, njerëzit e zakonshëm luajnë absurde duke marrë frymë në ajër të hapur. Filluar me qetësinë parisiene, kjo arratisje shpërndahet në një kronikë të shumëfishtë kujtimesh të shumta, në të cilën, ndër të tjera, Makbeth përballet me zyrën politike të stilit shqiptar.
Ndërsa, sipas “The Guardian”: “Kadare është një shkrimtar që shkëlqen në përshkrimin e gabimeve njerëzore dhe tmerreve. […] Lindur në Shqipëri, por i vendosur gjatë në Paris, ai është një nga të paktët autorë me famë ndërkombëtare që ka arritur të shmangë grackat dhe shkurtesat e rehatshme të një letërsie të pabesë postmoderne dhe ndërkulturore, dhe librat e të cilit, mbeten vërtet origjinalë, specifikë, të pakëndshëm”.
“Një tjetër kryevepër e Ismail Kadaresë, vjen për lexuesin rumun – “Mëngjeset në Kafe Rostand”. Kënaqësi, të merrja një prej kopjeve të para të botuara nga “Humanitas”, pikërisht prej Marius Dobreskut, përkthyesit të Kadaresë. Falë tij, rumanishtja, pas frëngjishtes, është gjuha e dytë në të cilën është përkthyer më shumë, shkrimtari i madh shqiptar”, – shkruan ai, në ‘Facebook’.