Albspirit

Media/News/Publishing

Rexhep Alimema – ushtaraku model dhe burrë i shquar i Labërisë

 

In Memoriam për birin e Rexhinit të Kurveleshit Rexhep Alimema, që u shua këtë mes shkurti të 2021-it, që fluturoi mbi majëmalet e bardhësisë dimërore të Rexhinit dhe krejt Labërisë, duke lënë një emër të mirë dhe të paharruar në këtë jetë

Prof. Asoc. Zaho Golemi

Na iku në përjetësi një burrë lab, një ushtarak model, një inxhinier i talentuar, një familjar i përkushtuar, një njeri thelbësisht në gjithë qënien e tij nga më njerëzorët, i thjeshtë dhe i papërtuar, i aksionit, i vëmëndshëm, një babaxhan i vërtetë. Shoqata “Labëria” Nderi i Kombit, e kishte në gjirin e saj si një patriot e mëmëdhetarë të flaktë dhe një lis me rrenjë labërie që ishte ideator, drejtues veprimtar i nëndegën e Labërisë në zonën e Rrugës së Elbasanit, ish- ushtaraku model dhe ish-inxhinieri i talentuar Rexhep Alimema. Shfletoj fondin dokumentar arkivor, një fond dokumentar krejtësisht i posaçëm në Arkivin Qendror të Forcave të Armatosura me biografi të njohur si ushtarak, që vinte nga fshati i Birbilenjve. Ai dokumentonte me shkrimin e tij: “Jam lindur më 18 mars 1937, në linjë atërore nga Rexhini i Kurveleshit. Jetën dhe fëmijërinë e kalova në fshatin e lindjes; arsimin fillor në qytetin e Elbasanit; shkollën shtatë vjeçare dhe gjimnazin e kreu në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”. Ndoqa më vëmëndje rrugëtimin e tij arsimor dhe karrierën ushtarake dhe në fakt rezulton se në vitet 1956-1961 ndoqi studimet në Shkollën e Lartë Ushtarake në Kiev të Ukrahinës në Ish-Bashkimin Sovjetik, ku u titullua oficer tankist në fund të vitit 1961. Pas studimeve kthehet në Shqipëri dhe shërben për 35 vjet në Ushtrinë Popullore. Ka kryer studimet në Akademinë ushtarake “Mehmet Shehu” në vitet 1972-1975, ka qenë pedagog për tanket në shkollën ushtarake të tankeve, ku ka spikatur me vetitë e tij. Ai ka demonstruar vetitë më të mira të oficerit shqiptar në organizim e drejtim, ka qenë mjeshtër i mirëfunksionimit të armës së tankeve, por ka marrë pjesë edhe në mjaft sesione shkencore për armën e tankeve dhe më gjerë, një inxhinier i talentuar. Karriera e tij ushtarake është vlerësuar me dekorata si: “Medalja e shërbimit ushtarak”, “Urdhëri i shërbimit ushtarak i klasit të tretë, “Urdhëri “Ylli i kuq” i klasit të dytë etj. Gjatë karrierës ushtarake ka shkruar mjaft artikuj në gazetën “Luftëtari”, revistën “Për mbrojtjen e Atdheut”. Ka botuar më pas edhe 10 libra ku mund të dallohen: “Të shkosh në fshatin Rexhin..”; ”Familja Alimemaj”, “Në luftë për shkollën, alfabetin dhe gjuhën shqipe”, “Rexhini në gjurmë lashtësie”, etj. Rexhepi ka tre fëmijë të mirëedukuar dhe që i kanë dhuruar familjes e shoqërisë krenari. Rexhep  Alimema është një veprimtar i shkëlqyer dhe frymëzues edhe për brezat e rinj, si në Organizatën e Veteranëve të Luftës së lavdishme Antifashiste ashtu edhe në atë të Shoqatës më kuptimlote që ka shoqëria shqiptare: “Shoqata kulturore-atdhetare Labëria”. Mbresëlënës në cdo veprimtari. Në nëndegën e minibashkisë nr.2 ku Rexhep Alimema ka qenë për një periudhë relativisht të gjatë kohore kryetar, kemi qenë me dhjetra herë jo vetëm në mbledhje, por edhe në takime të lira, jemi takuar në veprimtari të Shoqatës “Labërisa” nderi i kombit, që janë pothuaj të përmuajshme. Mes gjithë këtyre ndryshimeve e lëvizjeve që njerëzit kanë pasur në këtë një çerekshekullin e fundit, burri i shquar i Rexhinit ka ngelur stoik, i qëndrueshëm, me mendimin e tij të qelibartë, që nuk bën kompromis me parimet, i rregullt dhe i vetdisiplinuar, shumë i dashur e gjithmonë mirëbërës, konstuktiv dhe që di të falë dhe të ofrojë mirësi e bardhësi shpirtërore. Të tillë e kam njohur gjithmonë të papërtuar si një veprimtar i klasit të parë si mik e shok të të gjithë brezave të Labërisë, burrin që nuk ja hante “qeni shkopin” dje në punë dhe as më vonë si veprimtar shoqëror”. Është më se evidente dhe krejt e sigurtë, se ushtarakë si Rexhep Alimema kanë qenë nder i ushtrisë shqiptare të viteve 1960-1990, që për periudhën që shërbyen e përmbushën me nder e krenari misionin e shenjtë të mbrojtjes së vendit, prandaj merituan plotësisht nderim e respekt të përhershëm të të gjithë brezave. Nuk ka njeri që e ka njohur në Tiranë, në Rexhinë, në Labëri dhe kudo ku ka punuar që mos shprehin konsideratat më të larta për këtë ish ushtarak që rezatonte vetëm mirësi, që nuk hezitoi kurrë të ishte mjaftë aktivë në gjithë veprimtaritë e shoqatës dhe të udhëheqë edhe për nëndegët e tjera. Egjiptianët e vjetër gjatë historisë së tyre tentuan shumë herë të gjenin ndonjë mënyrë të kthimit të rinisë së përjetshme, të fshinin pleqërinë si dhe “metoda” të tjera, por kurrë nuk arritën sukses. E provuan në qytetërimet e tyre edhe Indianët e vjetër, të cilët bënë përpjekje të tilla, por nuk ishin më fatlume se egjiptianët e vjetër. As kinezët dhe as popujt tjerë të Lindjes, qofshin ata të Lindjes së afërt apo të largët, nuk ia dolën kësaj. Popujt e Europës u interesuan për një bar adekuat për shërimin e pleqërisë. Qysh prej kohës së pellazgëve, ilirëve, grekëve e romakëve interesimi për këtë temë ishte prezent. Meqenëse kjo tematikë kishte lidhje me shëndetin e njeriut, atëherë ajo nuk kishte si të mos ishte në agjendën e tij. Shkrimet e vjetra greke flasin për përpjekjet e Justinianit, i cili besonte në një lum rinie, i cili ndodhej diku në planetin tonë nëpër botë. Nëse plaku hyn në atë lum, atëherë do të dali prej tij i ri. Hulumtuan shumë për këtë lum, madje deri në mesjetë, kur për herë të fundit kësaj pune iu përvesh Ponce de Leon me 1512 por kurrë nuk ia arriti qëllimit. Por cikli jetësor kështu ka qenë dhe kështu do të jetë. Përtej ditëve të mugëtirës së burrërisë është bota e parajsës dhe ish-ushtaraku fort i disiplinuar dhe mjaft korrekt në jetë nuk ja doli përballë “ligjit natyral” të jetës njerëzore, edhe pse marsin e ditëlindjes së tij e priste gjithmonë optimist dhe me gëzim. Shkencëtarët edhe sot e kësaj dite përpiqen të zbulojnë ilaçe kundër pleqërisë dhe për rikthimin e rinisë por suksesi është gjithësesi në dyshim dhe njerëzit e mirë sikurse thotë maksima e popullit, “i thërret perëndia” pranë. Dr. Ana Aslan nga Romania, në shekullin e kaluar bëri një zhurmë të madhe mediatike që përfundimisht rezultoi me asgjë konkrete dhe që në fakt shtyri shkencëtarët të mendojnë se nuk ka ilaç kundër pleqërisë, sikurse nuk ka “ilac” dhe as “melhem” për më shumë ditë, më shumë vite e më shumë dritë. Edhe inxhinier Rexhepi e dinte mirë se, pleqëria është rezultat i ndryshimeve biologjike në trupin e njeriut që rezultojnë të paevitueshme. Një studim amerikan citon të krishterët dhe çifutët të kenë kërkuar prej mjekeve zgjidhje me çfarëdo çmimi, por edhe ata nuk kanë gjetur derman dhe si duket kjo betejë do të vazhdojë. Rexhep Alimema e mbante veten ashtu sikurse ishte deri në ditët e fundit të jetës i ri në mendime, në mentalitet, në ndjesi dhe përqafimin e së resë. Ai i referohej K. Bovi-t, se: “Të jemi të gëzuar në pleqëri po aq sa edhe në rini” dhe se “Rinia, ashtu si lauresha, ka këngët e mëngjesit, pleqëria ashtu si bilbili, duhet të ketë këngët e mbrëmjes”; ndërsa për krijimtarinë dhe merakun për Vendlindjen dhe Labërinë, Rexhep Alimema i referohej S. Batler-it kur thotë se, “Meloditë e bukura luhen në violinë të vjetër” dhe i referohen të gjitha kohrave që njeriu kalon në jetë. Çdo njeri ka moshën e tij që në fakt është një shkallë ku ngjitemi më këmbë dhe zbresim me kokë”, sipas B. Franklinit. Çdo ditë të jetës sonë duam apo s’duam rritemi, dmth, plakemi dhe kjo ndodh tek të gjithë ne, edhe tek ish-ushtarakët. Por kur ikja është e parakohshme sepse të tetëdhjetat sot janë vetëm numra. Forma fizike dhe lëvizja i jepte jetë Rexhep Alimemës, ndërkohë që kur takohej me miq dhe me shokë bëhej me krahë. Ai nuk e pranonte plakjen por thoshte se është një moshë e bukur, që bën plotësinë shpirtërore tek njeriu, prandaj ne duhet t’i hapim derën asaj. Ai e jetoi rininë e tij, si një copëz jete, të cilën e jetoi vrullshëm, si një rini të pjekur shpejt nga hallet e kohës, që nuk kishte kohë për filozofi poetike si një “mbretëreshë e jetës”. Ai fliste edhe për jetën e pjekur para kohe për vuajtje e derte, që i përjetoi gjithë brezi i tij. Por ky ishte fati i gjithë brezit. Në jetën e gjithëkujt, edhe të labit nuk ekzistojnë produkte “çudibërëse” që të ndalojnë kohën dhe se shkuarja në moshën e tretë është një arritje për të cilën duhet të jemi krenarë dhe duhet ta “përqafojmë” ashtu sikurse vjen, u thoshte miqeve të vet përherë në takime. Në jetën tonë, edhe të labit me rrënjë çdokush ka pasur mijëra preokupime: fëmijëria, shkollat, punët, ndërgjegjia politike, sigurimi i banesës dhe mjeteve të jetesës, martesa, krijimi i familjes, fëmijët, një “telash” i domosdoshëm dhe një detyrim i jetës. Në mugutirën e burrërisë vijnë natyrshëm edhe çështjet e përkujdesjes, respektit, pasionit, vetëdijes, gjendjes së brendshme, dobësive, debulesave, reflektim ndaj ambicieve, kotësive, mëkateve, qetësisë shpirtërore. Çdo aktivitet për Rexhep Alimemën ishte i tillë si përtëritje dhe e ndjente veten gjithmonë si i ri dhe mes të rinjve. Kështu do ta kujtojnë përherë miqtë e shokët ish-ushtarakun, që nuk fshihte as moshën dhe as vitet sepse krenohej me to duke thënë se: “Kur burri mbush tetë dekada vite jete është si një frut i pjekur i jetës, ku hovet djaloshare zvogëlohen në thinjat shtohen si dëborë e maleve të Labërisë në stinën e fundit të vitit, që zakonisht vjen me mendime si degë të rënduara nga frytet”. Kështu kapërceu vitet Rexhep Alimema vital dhe krenar për një jetë dinjitoze, por plot sakrifica, një njeri që nuk ju sosën kurrë shpresat, që të gjitha ditiët donte t’i shikonte ditë të bardha, që vitet e jetës t’i “peshonte”, sipas mënyrës së vet, duke ofruar mirësi dhe lumturi për gjithë miqtë, shokët e familjarët, duke mos e ofruar kurrë të keqen. Profesor Bernard Zotaj në ditën e largimit nga jeta të ushtarakut madhor, birit të Rexhinës, do shkruante: “Lamtumirë Rexhep G. Alimemaj! Na iku dhe një veteran, anëtarë i Shoqatës “Labëria”, një lab i përkushtuar, një rexhinas i Kurveleshit, një shok dhe mik i mrekullushem, një burrë fisnik dhe familjar shembullor”! Ish-oficeri model që flutoroi me studime deri mbi malet e Kievit të Ukrahinës në ish-BRSS, përmbushi aktivitetin misionar në gjithë Shqipërinë, la mbrapa pasardhës të denjë, sot fluturon mbi retë e maleve të Labërisë, në bardhësi dhe në përjetësi.

 

 

Please follow and like us: