Albspirit

Media/News/Publishing

Ilmi Kasemi: Shkurti shkurton urët, por jo artin…

Ismail Kadare dhe Ilmi Kasemi
R A B U S T I
Shkurti shkurton urët.
Shkurt 20 i vitit ’90 të shek. XX, nuk shkurtoi vetëm urët, shkurret, drurët, fabrikat, pronat, etj… U pakësuan drutë, se i premë, muret se i rrëzuam, rrugët dhe trotuaret i holluam, se i zumë me ndërtime, tregje dhe kafene. Ra doktrina e barazimit në çdo ndeshje. Ra edhe dogma e Fitorjeve me botën e vjetër. Por bota e vjetër humbi thellë dhe rrëzimi nuk e shëroi dot. Ranë huqet, të kuqet, heshtja, gënjeshtra. Janë shumë gjëra që studiuesit i numërojnë e i vënë në rradhë më mirë nga unë.
Në këtë epok rëniesh, rrëzimesh e schisma-sh dhe për datën 20, s’ka dyshim që bëhet fjalë për buste diktatorësh.
Rënia, rrëzimi, thyerja apo shkulja, të çojnë tek pema dhe pema e ndaluar o duhet goditur për mollën o duhet ç’ngulur.
Studiues të ndërgjegjes thonë që rënia është falliche dhe konsekuencë kënaqësie.
Në fakt ndodhi krasitja e kumbullës me gjethe të kuqe, që Junta i kish xhuntuar në rrugën e Kavajës. Andaj Kavaja u bë simbol i demokracisë.
U krasit ideologjia e Horizontal-izmit, unitar-izmit, ugualitar-izmit dhe diktat-izmit.
I shkruajta me krasitje nga latinishtja për të mos pasur vështirësi në leximin shqip.
Dhe u tha: ra monizmi kur ra busti.
Bust do të thotë: pjesa sipërore e trupit njerëzor. E dinë dhe rrobaqepësit.
Në skulpturë është gjithashtu, i njëjti kuptim, vetëm portreti me trungun, volumi i kafazit të kraharorit, pa krahë, por mund të jetë ndonjë dorë e prerë që shoqëron portretin (sa për meze rakie). Gazetarët, historianët, politikanët dhe gjithë të tjerët që merren me edukimin e lajmit duhet ta dinë se më 20 shkurt ’90, ra statuja (monument), jo busti i Enverit.
Por mbase ata e kanë mirë, por ne nuk e kuptojmë se çfarë u vidhis, ra një copë apo e tëra. Nga pema e vidhit, thonë që bëhet rrush i mirë për raki.
E zgjata pak me hyrjen, sepse zakonisht fillimin e rrëfimit e lexojnë shumica, siç ndodh rëndom me librin voluminoz.
Historia e rënies dihet, se shumë e kanë përjetuar dhe po ashtu të shumtë janë ata që e shohin në ekrane për 30 vjet.
Historia e ngritjes dihet pak. Madje aspak, sepse zakonisht për monumente të tilla ka shumë konspiracion.
S’kam tentuar asnjëherë të bëj dredha me historinë. Të fsheh apo zhduk gjëra që për një kohë quhen të moralshme dhe për një tjetër jo. Sepse arti është “imoral”, nuk e njeh kohën e kufizuar. Është etern. Sepse thonë që edhe koha ka frikë; nga Piramida e Keopsit. Shikoni kontemporanët sa e vuajnë kohën. Janë meteorologë. Mbajnë çadra me vete:
Si në diell dhe në shi, për të bërë pak prokopi.
Shumë artistë kanë krijuar në disa epoka politike. Sidomos shek. xx qe më i pasuri në ndryshime e metamorfoza.
Në vitin 1986-87 u realizua monumenti i Enver Hoxhës. Në atë kohë unë modeloja një statuet të Hoxha Tahsimit. Por edhe në këtë kohë, dmth momentalisht po realizoj, sipas atij modeli të statuatës së dikurshme, statujën (monument) të Hoxha Tahsimit, jo Enver Hoxhës. Thonë që ka interes, për bustin e Verit, por mua nuk më janë afruar në këtë kohë, si në atë kohë. E dinë që unë e bëj mirë. Por ATA tani nuk kanë hallin që të dali mirë. Si në çdo monument që bëhet sot, s’çan kokën njeri se si e qysh. Mjafton të bëhet e të dalë në dritë.
Kur thashë që unë e bëj mirë, e kisha si për atë kohë si edhe për këtë. Sepse nuk vuaj nga contemporanza. Nuk e kuptoja në atë kohë, por edhe në këtë, se çdo të thotë për një skulptor, të mos jetë i aftë të bëjë baltën që t’i ngjajë një njeriu. Të kapë në karakter një person, siç thuheshe mos me ra në sy si katunar, në atë kohë në sallonet e soc-realizmit. Ka disa teori në qarkullim. Njëra e spjegon pamundësinë e kapjes në karakter ngaqë Enveri ishte pa karakter. Por këtë teori e rrëzon O. Paskali, me bustin e tij.
Një tjetër teori thotë se bënin gjasme si të paaftë me bo ngjashmërinë. Kjo ka të vërteta, por paaftësia e tyre është homogjene, se të tillë artistë gjejnë strehë tek abstraksioni. Shkurt janë të pa zotë. Edhe një artist mimesist (ngjajshmërisht), nuk mund ta shajë abstraksionistin si i asgjësë dhe asgjëkundit, sepse pazotësia kërkon justifikime.
Për teorinë tjetër që thotë se disa artistë, bënin sikur nuk dinin, por nuk donin, ka vend për të vërteta. Dhe nëse kanë qenë në atë kohë e rrojnë hala, unë do blej kapele që ta heq para tyre.
Tek kategoria e fundit bëj pjesë edhe unë, por pa të drejtën historike të antagonit. Sepse unë e bëra që në shkollë bustin e Enverit. Ashtu qe për dreq, programi në akademi. Mesa duket dija të bëja ngjashmërinë. Madje çuditesha me skulptorët e popullit dhe të merituarit sidomos, që shfaqnin shenja diarreje në fushën e mimesist.
Pale të paaftët, mediokrët, militantët, spiunët, për ta s’ka teori që i mbërthen.
U turrën tek monumenti i Verit, si Ver Llapa, kush e kush ta bënte. Se u sëmur autori kryesor, që ishte skulptor, u paralizua dhe i mbeti bashkautorit, që ishte piktor i zoti, por jo si ata të renesancës, që ishin dhe skulptorë dhe arkitektë etj.
Një nga dëmet e Realizmit Socialist është bashkautorësia. Fëmijën e pjell një nënë.
Monumenti kishte një tufë ndihmësash të kualifikuar, por çiraku nuk duhet ta kalojë sinorin.
Kriza filloj me paralizën e skulptorit të ndjerë.
Pra, monumenti qe në dy bashkautorët, fizikisht të paaftë. Biroja nuk e kish parashikuar që mund të vinte kjo gjendje.
Populli priste Enverin në bronz.
Verllapaqenët, biroja i kish kaluar në sitë dhe ata i kishin dalë jashtë, se figuronin me mangësi në biografinë karakteriale.
Prapë erdhi dreqi si dikur në shkollë. Ai e dinte mirë punën, por kishte shkuar tek Paskali dhe i thanë se kish ndërruar jetë një vit pas Enverit.
Dreqi më gjeti mua. Isha 26 vjeç në atë kohë. Thonë numerologët se ku është 6-ta ai gjuan në thembër. Të isha 27 edhe mund të shpëtoja. I vajti edhe Mikelanxhelos në ditën e lindjes më 6 mars.
Ti më tha dreqi vet me gojën e vet, je dreqi vet për t’i dhënë dorën e fundit Verit, je djalë i zoti, me karakter, di të kapësh në karakter dhe mbi të gjitha nuk aderon në shoqatën e Verllapizmit. E njeh Verin, modelon me finesë dhe pikërisht finesa jote i duhet monumentit.
Nuk ma tha copë, por unë ja njihja gjuhën dreqit dhe e kuptova ku qe llafi. Sepse Naimi thotë që ‘flas gjuhë perëndie, jo vetëm unë’.
Duhej kapur Enveri në karakter dhe me që unë i figuroja me karakter, pa llapë, pa tendenca shoviniste do ta kapja karakterin.
Po dreqi kish një problem tjetër, që shoqata i kërkonte të drejtën e autorit.
Ai nga lajkat dhe epitetet që m’i dha me tepri, u sigurua nga unë që nuk do kisha pretendime territoriale.
Vajta te monumenti, që u rrëzua nga unë, se vërtet s’kish verizëm tek Veri.
Tallava estetike, tallava komunikimi ndërmjet dy autorëve gjysmakë dhe dy gjysmave të çirakëve, shokëve të mi, kolegëve të mi që edhe ata qenë ndarë nga prozelitizmi.
Me urdhër të gjysmës së Birosë Politike dhe të djallit vetë unë shkova si ‘cjapi te kasapi’ me këmbët e mia.
Urdhrin ma përcollën shokët e mi bashkëvuajtës. Më erdhën në studjo e më thanë: E hongre plako. Do vish te ne.
Urdhri: Kush është ky djalë. Është asistent pedagog në akademi, i patën thënë.
T’a lëri punën atje dhe që nesër të vijë këtu.
Kjo ishte bisedë në studjo përballë statujës pa karakter, e 6 anëtarëve të birosë, me prezencë të ministrave e komisionerëve të artit që pranuan unanimisht: që unë duhet të merrja frenat në dorë. Shkova si Salvatore.
Fillova ku e kishin lënë bashkautorët dhe bashkçirakët. Unë isha kryeçiraku që ngjita të çarat dhe shërova plagët e monumentit, që u bë mirë që u rrëzua se u bë me miell hua.
Këtë të fundit vazhdoj ta kem bindje.
Punova dhe ndihmova diktaturën. Ajo u tregua korrekte. Më dha rrogën që kisha si pedagog. Më dha mundësinë të shikoja muzetë e artit në Greqi, më dha çmimin Naim Frashëri të klasit të parë. Nuk më dha as titullin artist i mertium, as shtëpi, as studjo.
U ktheva prapë në akademi.
Të gjitha i meritoja, më takonin se njihja karakterin, sidomos Greqinë e Fidias dhe Frashërin e Naimit i meritoja më shumë, por si ka mundësi sot, jo në diktaturë, jo si çirak por si autor i monumentit të At Gjergj Fishtës me investim shtetëror, shteti të mos japë një letër me kornizë, si njoftimet e vdekjeve, me dekore me lule. Naim të klasit të tretë të paktën. Se këtë e di mirë sa më vlen lëkura.
Por sa herë dal nga studjoshtëpia në fakt, kam pranë një shtyllë betoni neoni, me sfond dekorativ natyral me gjethe jeshile, dimër verë, të oborrit të studjos me gjethe, ku ngjisin me vinovil njoftimet me arabeska të të ndjerëve të lagjes.
Në vitin ’90 kur ra busti u kërkua të binte dhe komunizmi, por mesa duken bathët e priftit paskërka rënë dhe shteti.
Ka shumë për të folur për ndërtimin e monumentit dhe mbase kjo do t’i shërbente më mirë kuptimit dhe përkujtimit të rrëzimit të tij.
Një gjë për ta mbyllur. Kur shkova 35 vjet më parë në studjon e madhe, se harroj një meso burrë që rrinte roje, jo jashtë por brenda në studjo. I gjori pinte duhan me të dredhur dhe lëkurën e fytyrës e kishte të holluar e të rreshkur nga dielli. Kuptohej që ai qe informatori. Nuk dukej se përbëhej nga materje inteligjente. Kushedi çka rrëfyer në ditarët e realizmit socialist. Ku dinte ai se ç’bëja unë dhe ne. Ai ditar nëse hapen dosjet do jetë një kryevepër.
Disa nga këto rrëfenja i kam shprehur edhe në intervista e libra.
Në raport me të vrarët, të burgosurit të internuarit e të persekutuarit në përgjithësi, kjo është një lloj ndjese si njeri, e bërë edhe më parë, por tani e formuluar si meaculpa ka më vlerë. Në raport me artin s’ka meaculpa.
Punën kudo jamë përpjekur t’a bëjë mbi parimet HIPOKRATIKE, JO HIPOKRITIKE.
Ndërgjegja humane mallkon kohën e shkollimit ku programet merreshin me figura diabolike.
Por ajo artistike më detyron të mallkoj kohën e sotme më shumë nga ajo e djeshmja, mungesa e seriozitetit kalon çdo limit të rendit normal të hierarkisë së vlerave.
Nga artistët s’duhet të prisni të thonë ‘poshtë dhe rroftë diktatura’, me ta nuk duhet aplikuar gjuetia e shtrigave, por gjuetia e vlerave.
Please follow and like us: