Bardhyl Londo: THELLË, ATJE KU JANË PERLAT…
Për vëllimin me poezi PENGJE TË GURËVE
1.
Për vite me radhë qyteti sfinks i Gjirokastrës, ai qytet krejt i veçantë për shumëçka në Shqipëri dhe ndoshta edhe më gjerë, dukej sikur po kalonte një menopauzë të stërzgjatur poetike, ose një lëngatë poetike, po të flasim me vetë gjuhën e qytetit. Në të nuk po dilnin më poetë që të tërhiqnin vëmendjen në Shqipëri. Dhe ishte qyteti nga i cili të gjithë prisnin, sepse ishte pikërisht atje, rrëzë asaj kalaje me emër të madh, ku gëlonte një mjedis, një histori dhe një mentalitet krejt i veçantë jo vetëm në Shqipëri, por ndoshta në gjithë Ballkanin.
Pas ikjes së Ismail Kadaresë, Jorgo Bllacit dhe Agim Shehut dukej sikur qyteti ishte shterruar poetikisht. Kjo ndodhte edhe nga ajo që ata ishin poetë të mëdhenj që kishin lënë gjurmën e tyre në historinë e letërsisë shqipe. Dhe çfarë gjurme! Për më tepër, poezia e tyre ishte bërë jo vetëm kombëtare, por edhe ishte ndërkombëtarizuar. Kam këtu parasysh poezinë e Kadaresë. Dhe të tre këta autorë Gjirokastrën e kishin në shpirtin krijues, e kishin në themel të ngrehinës poetike, natyrisht sipas stilit dhe konceptimit vetjak poetik.
Gjirokastra në poezitë e Kadaresë shfaqej si një sfinks i vërtetë, por edhe me një fytyrë të veçantë, të bukur, por pak të çuditshme njerëzore. Kujtoni poezitë “Babai”, “Kinema e vjetër, kinema e braktisur” etj. Më vonë në prozën e Kadaresë, Gjirokastra do shfaqej e magjishme, por edhe e çuditshme, ose e fantaksur deri në marramendje.
Poezia e Jorgo Bllacit, me elegancën dhe humanizmin e vet të pashoq, të bënte të ndjeje gjithmonë ato këngët dhe vallet e papërsëritshme lunxhiote, atë natyrën plot gjelbërim dhe luleshumë të Lunxhërisë, ato fshatrat mbushur plot kisha të shenjta e të bukura, me ato kambanat që tingëllonin aq ëmbël dhe dukej sikur përpiqeshin t’ia zbukuronin jetën njeriut dhe çdo ditë t’ia kthenin në një të kremte të shënuar, në një festë të bukur dhe të paharruar.
Poezia e Agim Shehut, sidomos baladat, ngjanin më tepër me temperamentin e këngëve labe, shkrepëtinin dhe nxirrnin xixa si gurët e strrallit të Labërisë.
Dukej, pra, sikur Gjirokastra “i kishte larë duart me poezinë”, sikur gjithçka ishte thënë e ishte stërthënë deri në shterrim. Ndërkaq, në disa qendra të vogla të banuara që kishin guximin të quheshin qytete, poezia lulëzonte duke mbajtur gjallë dhe duke pasuruar dhe oksigjenuar edhe poezinë shqipe. Në Tepelenën fqinje, jo më shumë larg se 20 – 30 km nga Gjirokastra, një grup i talentuar poetësh po vërtetonin se poezia nuk ka të bëjë me përmasat gjeometrike të qytetit apo vendit, madje ndoshta nuk ka të bëjë shumë as me traditën, sepse sa mund të jetë nxitëse, aq edhe frenuese mund të bëhet ajo në raste të veçanta. Fola për Tepelenën, por po të njëjtat fjalë mund të përdorja edhe për Lezhën, Tropojën etj. Dukej sikur qytetet e mëdha, ose metropolet, po të përdorim një fjalë pak të fryrë ishin dorëzuar dhe ua kishin lenë stafetën e poezisë qyteteve të vogla.
Por a e kishte dorëzuar vërtetë stafetën e poezisë Gjirokastra, a ishin shterur burimet e saj poetike, a kishte përfunduar portreti i saj poetik, me fjalë të tjera, a ishte kthyer më në fund ajo traditë aq e pasur dhe frymëzuese në një pengesë për brezat e ardhshëm poetikë duke injektuar me madhështinë e saj frikën se gjithçka është thënë, madje është thënë aq mirë sa askush nuk guxon më jo vetëm të vargëzojë, por as të belbëzojë poetikisht?
Por ja që libri i ri me poezi i Odise Kotes dëshmon të kundërtën. Ai sjell një Gjirokastër tjetër, të vetën, origjinale. E megjithatë, Gjirokastra e Odise Kotes është po aq Gjirokastër, po aq e bukur dhe e veçantë, sa ajo e paraardhësve të vet. Duke njohur dhe respektuar gjithçka është krijuar para tij, në të njëjtën kohë, ai bëhet dhe një “atvrasës”. Ai është një poet krejt i veçantë, origjinal, unik.
Me paraardhësit e tij të mëdhenj poetikë Odise Koten e lidh eleganca e vargut, qartësia, komunikimi i menjëhershëm dhe gati i shenjtë, e lidh mentaliteti dhe psikologjia e një qyteti krejt unikal, e lidh magjia e këtij qyteti. E, megjithatë ai mbetet një poet krejt i veçantë, madje i papërsëritshëm, i paimitueshëm.
I kisha lexuar poezitë e Odise Kotes që kur isha redaktor te “Drita”, i kisha pëlqyer dhe më tepër se talentin kisha dalluar dëshirën e madhe dhe vullnetin e hekurt për t’u marrë me poezi. Por kur lexova poezitë e fundit dhe sidomos librin që po i paraqitet lexuesit, u habita dhe u mrekullova njëkohësisht.
Tani Gjirokastra ka një poet tjetër që mund të rrijë denjësisht krahas emrave të poetëve më të njohur të saj, ka një poet që e pasuron traditën letrare të atij qyteti aq të veçantë, ka një pikë referimi, një majë dhe lartësi të re që të imponon ta lexosh dhe t’i referohesh patjetër kur duhet të flasësh për poezinë shqipe.
2.
Po cila është Gjirokastra e Odise Kotes?
Nuk kemi të bëjmë më me një Gjirokastër gjysmëreale, gjysmësurreale, gjysmësfinks, gjysmënjeri, gjysmë të vërtetë, gjysmëfolklorike, një këmbë veshur me opingë, tjetrën këpucë llustrafinë. Gjirokastra e Odisesë jeton dhe frymëmerr si gjithë krijesat e veçanta njerëzore.
Ajo është e bukur për deri sa ka jetë, ka njerëz që lëvrijnë në të, që frymëmarrin si gjithë njerëzit e botës. Do të ishte e mangët poezia e çdo poeti pa pasur koloritin e vendlindjes brenda. Vendlindja ne çdo epokë ka qenë dhe do të jetë gjithmonë një thesar për poetin, një burim frymëzimi, një pikë ku vendos levën e Arkimedit për të lëvizur pastaj krejt botën. Vendlindja për poetin ka qenë një start prej nga ai ka arritur më vonë në vendet e tjera, qofshin këto vise të vetat, ose në botë.
Në këtë kuptim vendlindja e poezisë së Odisesë nuk është thjesht një ekzotikë, megjithëse këtë ekzotikë e ka me shumicë. Vendlindja është një derë që hapet për të arritur, për t’u futur në botën e madhe. Ndryshe ajo nuk do të kishte interes për lexuesin, do të mbetej një relikë, një kujtim i ëmbël vetëm për poetin. Pleqtë që presin vdekjen, të moshuarit që vuajnë nëpër zheg, kukurecaxhiu etj etj., kanë vlerë dhe marrin vlerë kur trajtohen jo më si një kuriozitet provincial, jo si një ekzotikë turistike, por kur shpalosin vlera të vërteta mbarënjerëzore. Dhe ajo që e dallon poezinë e Odise Kotes është se arrin lehtësisht dhe natyrshëm nga provincialja, tek universalja, nga e veçanta tek e përgjithshmja, nga individualja tek mbarëkombëtarja. Dhe këto janë vlera të vërteta artistike jo vetëm të poezisë, por krejt letërsisë dhe, pse jo gjithë artit. Prandaj poezia për të cilën po flasim nuk është një poezi me tingëllim lokal dhe provincial, por nëpërmjet këtyre temave arrihet tek universalja dhe tek e përjetshmja. Ndonëse shkruan shumë për Gjirokastrën, Odiseja është një poet i gjithë shqiptarëve dhe vjen për të zënë vendin e merituar në letërsinë tonë.
“Shtëpia ime e vjetër –
muze shpirti me shumë alfabete
si shkrimet e shenjta katalehe…”
Shikoni me sa kujdes gërshetohet lokalja me universalen dhe individualja me të përgjithshmen vetëm në dy vargje. Dhe kjo është shenjë e artit të vërtetë, art që e ka të spikatur Odise Kote në librin e ri.
Duke qenë thellësisht një poet gjirokastrit, Odise Kote është thellësisht edhe një poet mbarëkombëtar. Të dyja këto jo vetëm që nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën, por e fuqizojnë dhe kushtëzojnë vetveten, nuk bëjnë dot të ndara veç e veç.
3.
Poezia e Odise Kotes është në kuptimin e vërtetë të fjalës një poezi e kohës, një poezi moderne. Larg thjeshtëzimit, ajo është një poezi e thellë. Larg konstatimit të jashtëm (tipari më i thjeshtë, por edhe më i përhapur te poetët me pak talent, ose me talent mesatar), ajo kërkon thellësinë që mund të lëshojë fenomeni. Kote gjen shkakun që e shkakton këtë fenomen. Ai shkruan jo se shikon, por se ndjen. Ai nuk përshkruan, por zbërthen. Ai nuk noton në sipërfaqe, por zhytet në thellësi për të kërkuar perlat e vërteta. Në sipërfaqe, ose afër saj mund të kapësh shumë – shumë ndonjë peshk të zakonshëm, ndërsa perlat e vërteta ndodhen thellë, shumë thellë ujit. Aq thellë sa disa as nuk marrin mundimin ta provojnë të zhyten, të tjerë që guxojnë arrijnë deri në mes dhe kthehen menjëherë. Odiseja guxon dhe arrin të notojë deri në fund. Ai është poet i thellësive, atje ku gjenden perlat e vërteta poetike. Dhe vërtetë poezia e Odise Kotes, sidomos lirikat më të arrira të kujtojnë perlat e vërteta. Perlat e vërteta mund të të mahnisin me guaskën e tyre, mund ta mbash në duar, ta vërtitësh nga të gjitha anët, të psherëtitësh i mahnitur: “sa bukur!”
Por ti prapë nuk ke arritur te perla, nuk ke arritur te thelbi. Poezia e Odise Kotes mund të të habisë dhe të të krijojë një gjendje të përcaktuar shpirtërore me tingëllimin, harmoninë dhe delikatesën e saj, por sidoqoftë kjo është vetëm guacka, perla ndodhet brenda kësaj guacke. Rrezatimi i kësaj perle është unik, sa nganjëherë ndodh të të verbojë për pak çaste, ose dhe të të hutojë.
Ja, një poezi tipike për individualitetin e Odise Kotes!
Në fakt doja të citoja një poezi perlë në thjeshtësinë dhe homogjenitetin e saj, “Fushat e pambjella”, por po e lë lexuesin ta shijojë vetë, t’ia zhveshë vetë guaskën asaj perle.
KOHA, KJO ZONJË E NDERUAR
Mos vrit mendjen nga shkon udha, kujdes hapin e parë,
në botën e Zotit lindja, vdekja këmbehen përjetë.
Koha, kjo zonjë e nderuar nuk lë borxhe pa larë,
thjeshtësia nuk është kurrë diçka e thjeshtë.
E kaluara – kosh i stërmadh për tradhëtitë,
për lotët, gjuhën e heshtur të dhimbjes së mirë.
E sotmja – rrip toke kacafytur bërrylat, xhelozitë,
errësira nuk mund të dëbohet kurrë me errësirë.
Ëndërr e mjaftueshme ajo që netët lë pa gjumë,
pa rrëshqitur në kremra rehatie, normalitet e lëmim.
Fitues doemos ëndërrtari që s’dorëzohet kurrë,
rritet kur dorëzohet, shpëton nga vrasja heshtur, rutinë.
Gënjeshtër fillestare e mjaftë, dyshim për çdo të vërtetë,
dashuro sa nuk je përsosur, dashuro, diellit hak mos i lë!
Mister si vdes njeriu, si lind frymë e përjetësisë në jetë,
se koha – zonjë e nderuar borxhet na i kthen një për një.
Një poezi në pamje të jashtme që duket fillon me tone alla Omar Khajam, vazhdon me metafora brilante, nganjëherë me tone moralizuese ndoshta të tepëruara, më vonë me një frymë që të kujton predikimet kristiane, me vargje që kthehen thuajse në aforizma, të gjitha këto mund ta hutojnë, bile mund ta trondisin lexuesin. Por ai duhet ta kuptojë se këto janë vetëm guaska, perla ndodhet brenda tyre.
Odise Kote, ashtu si gjithë poetët e vërtetë dhe të talentuar, është poet atmosfere, ai nuk të jep asgjë të gatshme, por të parapërgatit, të përgatit, të fut në një botë të caktuar, të lë të mendosh dhe të interpretosh vetë. Nuk e përmbledh moralin e asaj që do të thotë në dy vargjet e fundit të vjershës siç ndodh jo rrallë. Letërsia e vërtetë, duke përfshirë edhe poezinë, nuk të dikton, por të jep mundësi të ndjesh, të mendosh dhe interpretosh sipas gjendjes tënde shpirtërore.
E tillë është poezia e Odise Kotes.
4.
Nganjëherë duket sikur poezia e Odise Kotes, nga mënyra si shkruhet, të paktën nga pamja e jashtme, vizive, mund të duket pak uniforme. Dhe këtu ka diçka të vërtetë. Pothuajse e gjitha strofike, me vargje katërshe, mund të të krijojë një ndjesi monotonie vizive. Por vargu i tij, jo më brenda së njëjtës vjershë, por brenda së njëjtës strofë ka thyerje të çuditshme, të befta që të bëjnë të mos e ndjesh kurrë monotoninë. Megjithatë një thyerje më e madhe, një kombinim më i ndjeshëm i teknikave të ndryshme të vjershërimit do të ishte i mirëpritur dhe I këshillueshëm. Edhe Naim Frashëri ka thyerjet më të çuditshme brenda vjershërimit të tij, i ka provuar të gjitha llojet dhe teknikat e vjershërimit.
Poetët e mëdhenj nuk mbeten kurrë skllevër të një teknike apo të një rreshtimi poetik. I them këto sidomos se Odiseja ka provuar nganjëherë të dalë nga vetja, të shkruajë ndryshe dhe ia ka dalë me shumë sukses. Ja disa vargje nga poezia “Gur i fundit” ku aliteracioni gjen një mjeshtër të vërtetë:
Mësyn misteri mërinë memece,
e shkreh, e shqep, e shkul…
Në prym e pezm pikëllon paniku,
guri i grindjes, gër-gëri gur…
U shkul e shakull shembet shpresa,
çatia, çastet, çardaku, çmimet…
Baresin brengat, bërr-bërr babëzia,
vraga vetmie, vetëflijime vegimesh.
Vetëm këto vargje mjaftojnë për të nënvizuar edhe një herë se Kote mund të shkruajë në shumë forma e mënyra, por dëshmojnë edhe diçka tjetër tepër të rëndësishme. Gjuha e poetit është jo vetëm gjuhë e pasur dhe e pastër, por ai shfrytëzon me mjeshtëri thesarin e pasur e shumëllojshëm të qytetit të tij, jo thjesht si krahinarizma, si ornamente herë me vlerë e herë pa vlerë, por arrin t’u japë atyre funksion të rëndësishëm dhe t’i bëjë ato pjesë aktive të gjuhës kombëtare.
Odise Kote tani është një realitet kombëtar poetik.
Nuk na mbetet tjetër gjë për të bërë veç ta lexojmë, ta shijojmë. Pse jo edhe të diskutojmë për të./albspirit.com
Please follow and like us: