Albspirit

Media/News/Publishing

Margarita Kola: E drejta për një proces jo vetëm të rregullt ligjor, por edhe brenda një afati të arsyeshëm kohor

E drejta për një proces jo vetëm të rregullt ligjor, por edhe brenda një afati të arsyeshëm kohor parashikohet shprehimisht jo vetëm në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, por edhe në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut sepse faktori kohë është një element thelbësor jo vetëm për cilësinë e procesit të rregullt ligjor, por edhe për të marrë drejtësi sipas frymës së postulatit ligjor se ‘nëse drejtësia vjen e vonuar është drejtësi e munguar’. Kjo do të thotë se mosmarrëveshjet duhet të gjykohen brenda një kohe optimale të shkurtër, pra në një periudhë kohore arsyeshëm të shkurtër, në përputhje me dispozitat proceduriale dhe kjo duhet të gjejë pasqyrim si në proceset civile ashtu edhe në ato penale.

E drejta për gjykim brenda “afatit të arsyeshëm” është një standard kushtetues në shumicën e legjislacioneve dhe shihet si garanci për mbrojtjen e palëve në proces gjyqësor, pasi brenda një afati të arsyeshëm me anë të vendimit gjyqësor do të përfundojë pasiguria e subjekteve të së drejtës në proces. Kjo do të thotë literalisht në praktike se gjykatat duhen të marrin masat e duhura me qëllim ndalimin e zgjatjeve të panevojshme të proceseve gjyqësore. Në kushtet kur gjykatat tona po funksionojnë me gjyqtarë të përgjysmuar për shkak të Reformës në Drejtësi pyetja shtrohet se çfarë do të quhen afate të arsyeshme për gjykimin dhe a do të konsiderohen kohëzgjatje për arsye objektive tejzgjatjet e proceseve gjyqësore nëpër gjykata nën këto kushte? A duhet të përfitojnë dëmshpërblime qytetarët për shkak të vonesave nëpër gjykata të shqyrtimit të çështjeve të tyre, nën këto kushte?

Duke marrë parasysh që bihet dakort gjerësisht se si moment në të cilin fillon llogaritja e afatit është momenti kur vihet në lëvizje gjykata ndërsa si afat i perfundimit është momenti i ekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë, pra kur e drejta mund të gezohet sepse është bërë efektive atëhere kuptohet qartë që çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë që i është drejtuar gjykatës në kushtet e vonesava të tejzgjatura nuk ka garanci si palë në këtë proces gjyqësor. Shtuar kësaj edhe faktin që në legjislacionin tonë nuk kemi të parashikuar në mënyrë eksplicite taksative afatet brenda të cilave duhet të përfundojë një proces gjyqësor atëhere nuk mund të kemi as një kontroll rigoroz mbi gjyqtarët, prokurorët ashtu dhe mbi avokatët, të cilët të gjithë së bashku kontribuojnë në ecurinë e një procesi gjyqësor.

Në Shqipëri ka një numër të konsiderueshëm procesesh gjyqësore por edhe hetimesh për procedime penale që zgjasin për vite të tëra. Personalisht nuk mendoj që tejzgjatjet e proceseve gjyqësore në gjykata edhe për shkak të Reformës në Drejtësi duhen konsideruar si shkaqe objektive sepse kanë qenë të gjitha mundësitë që reforma të kishte parashikuar mekanizmat për të shmangur vakumin që do të krijohej nga dalja e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga sistemi dhe mbushjen e boshllëkut me gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë.

Kjo reformë nuk duhet të bëhet në asnjë mënyrë në kurriz të së drejtës dhe të qytetarëve përkundrazi qëllimi i saj është vënia e së drejtës në shinat e ligjit dhe në dispozicion të qytetarit kur kjo e drejtë i takon. Duke qenë se nuk ka arsye objektive për tejzgjatje të gjykimeve si edhe duke qenë se cenohen rëndë parimet e së drejtës proceduriale atëhere qytetari në përputhje me ligjin duhet të dëmshpërblehet. Por duke qenë se nuk ka një praktikë ligjore të konsoliduar si edhe mungesa e dispozitave taksative për afatet e arsyeshme në një gjykim, vlerësimi nëse një proces gjykimi është zhvilluar brenda një afati të arsyeshëm ose jo, ngelet subjektiv dhe çmohet vetëm nën dritën e rrethanave të çështjes dhe kësisoj qytetarët nuk kanë asnjë garanci nëse dëmi i shkaktuar për shkak të vonesave në gjykim të paktën,do ju dëmshpërblehet. Vetëvlerësimi nga vetë sistemi së brendshmi i objektivitetit apo subjektivitetit të një afati të arsyeshëm të një gjykimi në vetvete është problematik dhe duhet adresuar jo vetëm nëpërmjet dispozitave eksplicite por edhe nëpërmjet qëndrimeve unifikuese të Gjykatës së Lartë e cila është vetë e munguar në këtë kohë reforme./albspirit.com

Please follow and like us: