Albspirit

Media/News/Publishing

Agim Neza & Çerçiz Loloçi: Krime serbe në Kosovë (7)

III. DOKTRINAT SERBE PËR SPASTRIMIN ETNIK TË SHQIPTARËVE

 

 1. “Naçertanija” e Ilia Grashaninit, ministër dhe ideolog

 

Ilia Grashanini ishte funksionar i Strukturave të Brendshme të Serbisë dhe përgatiti dokumentin sekret “Naçertanie” (1844) që përkthehet Projekti, ku serbët konsideroheshin pasardhës të perandorisë mesjetare të Stefan Dushanit (1308-1355), e cila u thërmua nga Perandoria Osmane. Në projekt synohej që serbët të ishin udhëheqës të sllavëve të Jugut dhe brenda territorit të saj të përfshiheshin edhe ato shqiptare, boshnjake, kroate, maqedonase e malazeze.

Për të gjitha këto popullsi ato kishin justifikimin e tyre: boshnjakët janë serbë të fesë islame, malazeztë janë serbë nga gjuha dhe nga feja, maqedonasit janë Serbi Jugore, kroatët janë serbë të fesë katolike dhe shqiptarët janë popullsi turke në Ballkan. “Naçertania” u realizua në një pjesë të konsiderueshme gjatë Luftës së Parë Ballkanike (1912) kur Serbia, në bazë të vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1912-13) aneksoi Kosovën dhe viset e tjera lindore të Shqipërisë me një politikë shkombëtarizuese.

 

 

  1. Vaso Çubriloviç: “Shpërngulja e shqiptarëve” (1937)

 

Politikën e “Naçertanies” e çoi më tej Vasa Çubriloviçi (1897-1990). Në memorandumin e tij “Dëbimi i shqiptarëve”, që hartoi për qeverinë e Stojadinoviçit, ai propozoi metodat dhe mënyrat e zgjidhjes së “problemit shqiptar”.

Doktrina flet në mënyrë të detajuar për shpopullimin e Kosovës, ndërsa në preambulën e saj shkruhet “Problemi i shqiptarëve në jetën tonë kombëtare dhe shtetërore nuk ka lindur dje. Ai ka luajtur një rol të madh në jetën tonë në periudhën e mesjetës, por një vend tejet të rëndësishëm ka zënë nga fundi të shekullit XVII, kur popullata serbe, prej trojeve që dikur kanë qenë vatra luftërash, shpërngulet drejt veriut dhe në vend të tyre vijnë malësorët shqiptarë. Dalëngadalë, prej kodrave të tyre ata vendosen në luginat pjellore të Metohisë dhe të Kosovës dhe duke depërtuar drejt veriut, shtrihen në drejtim të Moravës perëndimore dhe jugore; nëpër Malin Sharr bien në Pollog dhe që andej drejt Vardarit. Deri në shekullin XIX është krijuar në këtë mënyrë trekëndëshi shqiptar, pykë e cila, në saj të mbështetjes etnike të vijës Dobar-Rogoznë është ngulur thellë në trojet tona dhe ka arritur deri në Nish, duke i ndarë trojet tona të vjetra të Rashkës nga Maqedonia dhe nga lugina e Vardarit…

Këtë pykë shqiptare, Serbia filloi ta krasitë që nga kryengritja e parë duke e dëbuar popullsinë shqiptare të viseve më veriore, që nga Jagodina”.

 

  1. Ivo Andriç: Spastrimi i shqiptarëve

 

Nobelisti i letërsisë dhe diplomati i njohur ka përgatitur një dokument që e botoi në Beograd, më 30 janar 1939

 

Ndarja e Shqipërisë

 

Me rastin e vlerësimit të tërë kësaj çështjeje, duhet të kemi parasysh se në çdo mënyrë duhet të shikojmë që t’i shmangemi çdo konflikti qoftë të fshehtë qoftë të hapët me Italinë. Gjithashtu duhet ta evitojmë pushtimin e tërë Shqipërisë nga ana e Italisë se në këtë mënyrë do të na rrezikonte në vendet më të ndjeshme – në Bokë të Kotorrit dhe në Kosovë…

Ndarja e Shqipërisë do të mund të vinte në konsiderim për ne vetëm si një e keqe e domosdoshme dhe e paevitueshme, të cilës nuk do të mund t’i bënim ballë, dhe si një dëm i madh nga i cili duhet të nxjerrim aq dobi sa është e mundshme, do të thotë nga dy të këqija duhet ta zgjedhim atë që është më e vogël.

Kompensimet tona

Këto kompensime gjenden në materialin e përpunuar para 20 vjetësh, kur shtrohej çështja e ndarjes së Shqipërisë. Maksimumi që kemi kërkuar në atë kohë ishte kufiri që do të shtrihej buzë Matit e Drinit të Zi dhe që do të na jepte sigurinë strategjike të Malit të Zi dhe të Kosovës. Gjithashtu duhet t’i sigurojë luginat e liqenet të Ohrit dhe të Prespës, duke përfshirë Pogradecin dhe fshatrat sllave të Malit të Thatë, si dhe ato midis Prespës e Korçës.

Marrja e Shkodrës do të kishte rëndësi të madhe morale dhe ekonomike. Kjo do të na mundësonte zhvillimin e punimeve të mëdha hidroteknike dhe përfitimin e tokës pjellore për ushqimin e Malit të Zi. Shqipëria Veriore, në kuadrin e Jugosllavisë, do të mundësonte krijimin e lidhjeve të reja të komunikacionit të Serbisë Veriore e Jugore me Adriatikun.

Me ndarjen e Shqipërisë do të zhdukej qendra tërheqëse për minoritetin shqiptar në Kosovë, i cili, në një situatë të re, do të asimilohej më lehtë. Ne, eventualisht, do të kishim edhe 200 000 deri 300 000 mijë shqiptarë më tepër, por këta janë, të shumtën, katolikë, marrëdhëniet e të cilëve me shqiptarët myslimanë nuk kanë qenë kurrë të mira. Shpërngulja e shqiptarëve në Turqi gjithashtu do të bëhej në rrethana të reja, sepse nuk do të ekzistonte kurrfarë aksioni më i fortë për pengimin e saj.

 

  1. Dobrica Çosiç: Shqiptarët, barrë barbare për Ballkanin

 

Shkrimtari i njohur serb Dobrica Çosiç konsiderohet si ‘babai’ i popullit serb dhe si një nga mbështetësit e politikës së Rankoviçit, ministrit të brendshëm famëkeq në kohën e Titos. Si akademik dhe shkrimtar ka qenë një nga njerëzit që ka hartuar shpesh ide kombëtare dhe ka pasur polemika me shumë njerëz. Çosiç i ka quajtur shqiptarët si barrë barbare e Ballkanit, është pajtuar me idetë për Serbinë e madhe dhe ka folur se si pjesë të Kroacisë e Bosnjës duhet t’i kthehen Serbisë.

 

  1. Sllobodan Millosheviçi: Spastrimi përfundimtar

 

Lëvizja për pavarësinë e Kosovës mori përmasa të gjera në mesin e viteve ’80, por serbët ishin kundër autonomisë dhe më 1987 Sllobodan Millosheviç u zgjodh udhëheqës i Partisë Komuniste me premtimin për rikthimin e sundimit serb në Kosovë. Më 1989 Millosheviçi u bë Presidenti i Serbisë dhe menjëherë ndërhyri në Kosovë, duke e ulur fare autonominë më 1990, nëpërmjet dërgimit të trupave ushtarake që rrëzuan qeverinë kosovare. Synimi për të zgjeruar shtetin serb dhe ndërmarrja e disa luftrave çoi në shkatërrimin përfundimtar të Federatës Jugosllave më 1991-1992, kurse Kosova pak vite më parë do të shpallte shtetin e saj. Millosheviçi përfundoi në Gjykatën e Hagës dhe vdiq pa iu mbyllur procesi i krimeve ndaj njerëzimit, që i rëndonte mbi supe. Ai bëri një shpërngulje gati biblike të shqiptarëve në fund të viteve ’90 nga më famëkëqet e shekullit të shkuar.

 

  1. Marrëveshja turko-greke-serbe për shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e tyre

 

30 janar 1923

Marrëveshja Turko-Greke-Serbe për shkëmbimin e popullatës u firmos në Lozanë të Zvicrës.  Më 30 janar 1923 u nënshkrua në Lozanë marrëveshja e veçantë turko-greke, mbi shkëmbimin e grekëve të Anadollit me ‘turqit’ e Greqisë (turq konsideroheshin shqiptarët e besimit musliman nga Çamëria). Me një dekret mbretëror Greqia përvetësoi pronat e shqiptarëve myslimanë dhe jo-zyrtarisht i trajtoi si popullsi shkëmbyese, ashtu siç e parashihte Marrëveshja e Lozanës për turqit e Greqisë. Njësoj veproi dhe Jugosllavia duke nënshkruar Marrëveshje me Turqinë në 1938 për emigrimin e popullsisë ‘turke’ (turq konsideroheshin shqiptarët që për 5 shekuj të sundim osman nuk u njihej e drejta e kombësisë).

Sipas marrëveshjes, duke filluar që nga 1 maji i vitit 1923: “…duhet të kryhet shkëmbimi, i detyrueshëm i shtetasve turq” të besimit ortodoks. Grekët e vendosur në tokat turke, gjithashtu edhe i shtetasve grekë të besimit mysliman të vendosur në tokat greke. Të shkëmbyerit duhet të linin vendin e origjinën dhe duhej të fitonin atë të vendit ku shkonin, pa të drejtë kthimi. Ndërsa, në verë të vitit 1924, procesi i shkëmbimit mori karakter masiv. Pas kësaj në vitin 1938 qeveria e mbretërisë jugosllave nënshkroi një konventë me qeverinë e Republikës së Turqisë për emigrimin e popullatës turke (në të vërtet ishte fjala për shpërnguljen e popullsisë shqiptare të besimit musliman), nga pjesa jugore e Serbisë, pra nga Kosova dhe trevat tjera shqiptare që shtriheshin në 3 vendbanime: Zetë, Moravë dhe Vardar.

Konventa mbi rregullat e emigrimit të popullatës turke

Qeveria e Republikës së Turqisë dhe Qeveria e Madhërisë së Mbretit të Jugosllavisë konstatojnë:

– Emigrimin (shpërnguljen) e muslimanëve nga rajoni i Serbisë së Jugut,

– Njëherësh vlerësojnë se kjo popullatë nga ana tjetër, në përgjithësi, i ka humbur të drejtat e regjimit të lirë në Jugosllavi dhe së bashku janë përcaktuar ta braktisin territorin e Mbretërisë, me dëshirën e tyre legjitime, në mënyrë që t’u bashkohen etnikëve të tyre natyralë në Turqi. Ata shfaqën dëshirën që të nënshkruajnë konventën, sipas së cilës caktohen mënyrat e shpërnguljes si dhe me përgjegjësitë e tyre përkatëse, të Madhërisë së tij, Mbretit të Jugosllavisë dhe Ekselencës së tij, Zoti Kryetar i Republikës së Turqisë.

Ato do të komunikojnë dhe do t’i përmbushin dëshirat e tyre, sipas mënyrave të caktuara me dispozitat vijuese:

Neni 1

Me këtë konventë identifikohen shtetasit jugosllavë me fé, kulturë dhe kombësi muslimane dhe që flasin gjuhën turqishte. Ndërsa, me këtë konventë nuk identifikohen, personat për të cilët hyrja në Turqi është ndaluar sipas ligjeve dhe rregullave të Turqisë, të cilat janë në fuqi, edhe atë: popullata nomade dhe ajo jevge.

Neni 2

Regjionet, të cilat i nënshtrohen emigrimit sipas kësaj konvente, janë si vijon:

Rajoni i Vendbanimeve të Vardarit që përfshin: Rajoni i Malit Sharr (Prizreni); Gora (Dragashi); Podgora (Suha-Reka); Nerodimja (Ferizaj); Donji Pollog-Pollogu i Ulët (Tetova); Gornji Pollog-Polloga i Sipërm (Gostivari); Galica (Rostusha); Dibra (Dibër); Struga (Strugë); Graçanica (Prishtinë); Kaçaniku (Kaçanik); Gjilani (Gjilan); Presheva (Preshevë); Prespa (Resnja); Poreçi (Juzhni Brod-Makedonski Brod); Prilepi (Prilep); Bitoli (Manastiri); Kavadarci (Kavadari); Marihovo (Manastiri-Marihovë); Negotin Na Vardaru (Negotini i Vardarit); Skopje (Shkupi), Kumanova (Kumanovë); Velesi (Velesi); Ovçe Pole (Ovçe Pole); Radovishte (Radovishte); Strumica (Strumicë); Dojrani (Valandova); Gjevgjelija (Gjevgjelija); Kriva Pallanka (Kriva Pallanka); Kratovo (Kratova); Carevo Sello (Carevo Sello); Malesi (Berovo).

Rajoni i Vendbanimeve të Zetës që përfshin: Pejën (Pejë); Istokun (Istog); Mitrovicën e Kosovës; Gjakovën (Gjakovë); Podrimjen (Rahovec).3. Rajoni i Banovinës së Moravës përfshin: Llapin (Podujevë); Vuçiternën (Vuçitërnë); Drenicën (Sërbicë). Qeveria jugosllave do të caktonte se nga cili regjion do të fillonte emigrimi (shpërngulja).

Neni 3

Numri i familjeve, për të cilat Qeveria turke merr obligimin që t’i pranojë nga regjionet e përmendura në Nenin 2, sipas kushteve të kësaj konvente, përbëhet prej 40.000 familjesh. Këtu përfshihen familjet e përbashkëta dhe anëtarët e tyre (personat) dhe fëmijët e një gjaku, të cilët në momentin e nënshkrimit të kësaj konvente, jetojnë në një bashkësi familjare të pandarë dhe nën një kulm të përbashkët.

Neni 4

Riatdhesimi i këtyre 40.000 familjeve do të realizohet për gjashtë (6) vjet, sipas këtyre proporcioneve: 1. Në vitin 1939 4.000 familje.  2. Në vitin 1940 6.000 familje  3. Në vitin 1941 7.000 familje  4. Në vitin 1942 7.000 familje  5. Në vitin 1943 8.000 familje. Në vitin 1944 8.000 familje. Nëse ky numër i familjeve nuk mund të realizohet sipas viteve të parapara për shkak të pengesave-vështirësive eventuale, dy palët kontraktuese, do të bëjnë marrëveshje sipas dispozitave përkatëse ligjore mbi numrin e të emigruarve (të shpërngulurve), të cilët do të evakuohen nga njëra anë, dhe do të pranohen nga pala tjetër, tre muaj para fillimit të emigrimit. Por, kuptohet se këto ndryshime eventuale të numrit të të emigruarve (të shpërngulurve) në vit, nuk mund të zgjatet më tepër se një vit gjatë gjashtë (6) viteve të caktuara -të fiksuara për emigrim (për shpërngulje). Koha e emigrimit (shpërnguljes) për çdo vit do të zgjasë (do të fillojë) prej muajit maj deri më 15 tetor, pos kontingjentit të vitit të parë, i cili do të fillojë në fillim të muajit korrik të vitit 1939.

Neni 7

Qeveria jugosllave duhet t’i paguajë Qeverisë turke shumën prej 500 lirash turke për një familje, ndërsa shuma e tërësishme do të jetë 20.000.000 lira turke për 40.000 familje, në bazë të së cilës shumë, këto familje do të merren në konsiderim. Përkundër kësaj pagese globale, të gjitha pasuritë e patundshme fshatare që u përkasin të shpërngulurve, në pajtim me Nenin 6, mbeten pronë e Qeverisë Jugosllave. Sa i përket pasurisë së tundshme dhe të patundshme fshatare, e cila i takon kombësisë myslimane ose Evkafit (Vakafit), kuptohet se kjo konventë nuk i dëmton dispozitat e Ligjit ekzistues, i cili i rregullon ato.

Neni 8

Qeveria jugosllave më 1 prill dhe më 1 tetor të çdo viti do të kryejë (bëjë) pagesën periodike (semestrale), e cila do të jetë në proporcion me familjet që shpërngulen, të cilat do të evakuohen gjatë vitit, e që mund të zvogëlohet ose të rritet në proporcion me numrin e tyre. Pagesa, shuma e së cilës është caktuar me nenin e mëparshëm (Neni 7) do të bëhet në 12 këste e ndarë për gjashtë (6) vjet.

Neni 9

Qeveria jugosllave, secilën pagesë do ta bëjë në këtë mënyrë: 30% në valutë, të cilat duhet t’ia lejojë në dispozicion Qeverisë së Republikës së Turqisë përmes Bankës Popullore të Jugosllavisë; 70% në dinarë, duke i depozituar në Bankën Popullore të Jugosllavisë, në dobi të Qeverisë së Republikës së Turqisë. Banka Popullore e Jugosllavisë, për secilën pagesë do ta njoftojë menjëherë Legatën e Turqisë në Beograd, se depozita është bërë në llogarinë e tyre.

Neni 10

Për shndërrimin e dinarëve në lira turke, Banka Popullore e Jugosllavisë dhe Banka Qendrore e Republikës së Turqisë do të realizojnë, në marrëveshje të përbashkët, sipas kursit të ndërrimit në lira turke, i cili vlen ditën e ndërrimit, përkatësisht në ditën e secilës pagesë.

Neni 11

Shumat e vendosura në Bankën Popullore të Jugosllavisë do të shfrytëzohen nga ana e Qeverisë së Republikës së Turqisë, qoftë në të gjitha format ose pagesat dhe shpenzimet, të cilat do të bëhen në Jugosllavi, qoftë për blerje në tregun jugosllav, përveç mallrave, eksportimi i të cilave është i ndaluar dhe i kushtëzuar me pagesat e tyre në deviza (siç janë): bakri, leshi, prodhimet nga lëkura, prodhimet nga druri i arrës, frutet e vajrave, ullinjtë, gruri dhe misri. Blerja e të gjitha këtyre mallrave do të realizohet, duke ia destinuar ato Turqisë. Këto mallra do të lirohen nga çdo tatim, taksë ose nga çdo ngarkim tjetër i eksportimit. Kuptohet se për eksportim nuk do të zbatohen dispozitat e parashikuara në bazë të marrëveshjeve tregtare të lidhura ose që do të lidhen, por ajo do të bëhet në pajtim me dispozitat e kësaj konvente.

Neni 12

Personat që do të evakuohen gjatë periudhës së shpërnguljes, të cilët do të shpërngulen sipas listës vjetore, duhet të paraqesin deklaratë me shkrim para autoriteteve jugosllave në bazë të nenit 53 të Ligjit mbi shtetasit jugosllavë që është në fuqi, se heqin dorë nga shtetësia Jugosllave me dëshirë. Këta persona do t’i kenë cilësitë dhe do t’i gëzojnë të drejtat e të shpërngulurve sipas ligjeve turke, që nga momenti kur përfaqësusit e Turqisë, të cilët do të emërohen për këtë çështje, do t’i nënshkruajnë listat vjetore të emigrimit në Turqi.

Neni 13

Të shpërngulurit, në përgjithësi, do të jenë të lirë t’i likuidojnë ose t’i bartin me vete të gjitha mallrat (e pasurinë) e veta të tundshme të të gjitha llojeve, me të cilat posedojnë (si pronë personale), pastaj shtazët e shpezët nga fermat e tyre, instrumentet, makinat etj. të cilat përdoren në punë bujqësore ose industriale ose për ushtrimin e zejeve e profesioneve të tjera. Megjithatë, për transportin e mallrave dhe të pasurisë së tyre të tundshme, veglave bujqësore, pastaj nga 4 kafshë të trasha dhe nga 10 kafshë të vogla, duke mos i llogaritur të vegjlit e tyre, vjetat etj. Qeveria Jugosllave merr përsipër që ato t’i transportojë falas deri në limanin e zbarkimit të tyre në Selanik. Për transportin e mallrave, të shpërngulurit gëzojnë zvogëlimin e taksave sipas tarifës në fuqi. Megjithatë, nuk gëzojnë zvogëlimin e taksave për kafshë, si p.sh. gjashtë kafshë të trasha dhe 20 kafshë të imëta (të vogla) duke mos i llogaritur të vegjëlit e tyre, për secilën familje që shpërngulet. Eksportimi i kafshëve bëhet sipas dispozitave të konventës ekzistuese veterinare dhe në bazë të çertifikatës së veterinarit, të cilat do të sigurohen falas për ata që shpërngulen.

Neni 14

Ata që shpërngulen janë të autorizuar, që në mënyrë të barabartë të importojnë: ekskluzivisht stolitë e tyre personale, pikërisht qaforet ose pjesët e tyre, gjerdanët nga ari, argjenti, të cilat i mbajnë në qafë femrat, si dhe secili nga ata nuk mund të importojnë më shumë se një sosh. Përkundër kësaj, secili kujdestar i familjes është i autorizuar që të importojë, në të dalë nga Jugosllavia, shumën prej 2.000 dinarësh, si dhe shumën prej 4.000 dinarësh të shndërruar në kundërvlerë në valutë. Pas likuidimit të pasurisë së tyre të tundshme dhe të patundshme në qytet e në fshat, mallrat, eksportimi i të cilave nuk është i kushtëzuar në valutë ose i ndaluar në Jugosllavi si dhe importimi i të cilave nuk «është i ndaluar në Turqi”. Të gjitha këto mallra do t’i nënshtrohen taksave dhe ngarkesave të tjera të eksportimit dhe të importimit.

Neni 15

Banka Popullore e Jugosllavisë do të hapë llogarinë speciale në emër të Qeverisë së Republikës së Turqisë në Bankën Qendrore të Republikës së Turqisë, në të cilën secili i shpërngulur do të ketë mundësinë të deponojë të gjitha shumat që i takojnë dhe me të cilat disponon, në pikëpamje të garantimit të transferimit përmes blerjes së mallrave në Jugosllavi, Banka Popullore e Jugosllavisë do ta njoftojë Legatën e Turqisë në Beograd për secilën pagesë të bërë në efektiv, me udhëzim të detajuar të deponuesit. Këto shuma, kështu të transferuara në Turqi, përmes mallrave të blera në JugoslIavi, do t’u kthehen të interesuarve nga ana e Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë.

Neni 16

Fondet, mallrat, vlerat, mobiljet dhe të gjitha objektet e tjera, të cilat u përkasin të miturve dhe anëtarëve të tjerë të familjes, të cilëve ua ka besuar kujdestari i familjes dhe të besuara nga organet kompetente jugosllave, do t’i paguhen ose do t’i lejohen Qeverisë së Republikës së Turqisë, që në të ardhmen do t’i sigurojë administrata dhe mbrojtja e tyre, deri sa të rriten ata, ndërsa shpagimi i tyre do t’i bëhet kryetarit të familjes, i cili e gëzon këtë të drejtë në pajtim me ligjet e Turqisë.

Neni 17

Të gjithë të rinjtë muslimanë, familjet e të cilëve janë regjistruar në listat vjetore të shpërnguljes, e të cilët ende gjenden në rradhët e armatës jugosllave, menjëherë do të lirohen nga shërbimi ushtarak i mëtejmë, dhe në të njejtën kohë do të shpërngulen së bashku me familjet e tyre. Nën të njejtat kushte, nuk do të përfshihen, të rinjtë myslimanë turq që jetojnë në regjionet, popullsia e të cilave është caktuar të emigrohet gjatë vitit vijues.

Neni 18

Nga ana e Qeverisë jugosllave do të emërohet një Komision Special, i cili do të angazhohet për hartimin e listës vjetore për të shpërngulurit, duke e detalizuar me të gjitha shënimet e nevojshme mbi kushtet, profesionin dhe zejet e emigrantëve. Listat duhet t’u prezentohen përfaqësuesve të Qeverisë turke, dhe njëherit duhet të zbatohen nga ana e tyre, ato do të shërbejnë si bazë për lejimin e dhënies së pasaportit turk, si dhe për llogaritjen e numrit të familjeve të të shpërngulurve. Ky Komision jugosllav do të mbajë bashkëpunim të përhershëm me të deleguarit turq dhe në kërkesë të tyre, duhet t’u ofrojë atyre të gjitha informatat për të cilat ata kanë nevojë.

Neni 19

Nisja dhe ngarkimi i të shpërngulurve do të bëhet në bazë të pasaportave turke kolektive, të cilat do t’u lejohen atyre nga autoritetet konsullare të Qeverisë së Republikës së Turqisë në Jugosllavi. Pasaportat kolektive turke si dhe të gjitha dokumentet e tjera të nevojshme, të cilat vlejnë si dëshmi, përgatitja e listave vjetore dhe e vizave përkatëse në pasaporta për të dalë nga Jugosllavia, absolutisht do të bëhen falas.

Neni 20

Në zonën e lirë të Jugosllavisë, në Selanik do të ngihet një komision i përbashkët greko-jugosllav i përbërë nga nënpunësit, të emëruar nga të dy qeveritë, i cili do të angazhohet, në marrëveshje të përbashkët, për të ndëmarrë të gjitha masat e domosdoshme, sipas rrethanave dhe kushteve të ngarkimit dhe të zbarkimit të të shpërngulurve.

Neni 21

Kjo konventë hyn në fuqi ditën e ratifikimit të saj nga ana e të dy qeverive. Njëherit, nënshkruesit, këtë konventë do ta vërtetojnë me vulat përkatëse.

Hartuar në frëngjisht në vitin 1938.

 

 

Please follow and like us: