Albspirit

Media/News/Publishing

Agim Neza & Çerçiz Loloçi: Krime serbe në Kosovë (8)

ÇERÇIZ LOLOÇI: KOSOVA, GJYSMA SHQIPTARE E PANJOHUR

 

1.

Botimi i tregimit tim të parë fillimisht në të përjavshmen kulturore ‘Drita’ në Janar 1981 dhe disa ditë më pas në të përditshmen ‘Rilindja’ të Prishtinës do të më detyronte vetvetiu të mësoja më shumë për këtë vend, që ishte pjesë shqiptare, por që ndodhej në administrimin e Jugosllavi-Serbisë, me statusin e një krahine. Në librat tanë të historisë, në ciklin 8-vjeçar dhe të mesëm, mësohej se ajo ishte pjesë natyrale e jona, por që kishte mbetur jashtë kufijve nga konferenca e ambasadorëve në Londër në 1913, një vit pas shpalljes së Pavarësisë dhe nga vendimet që u morën në 1946, pas Luftës së Dytë Botërore (L2B).

Edhe në botimet jo të pakta, deri te ato akademike, i mëshohej idesë se ky ishte vullneti i Fuqive të Mëdha dhe në këtë çështje nuk kishte se çfarë të bënte regjimi i Enver Hoxhës. Natyrisht nuk thuhej asgjë se pushteti i instaluar pas 1945 kishte pasur emisarë të rëndësishëm jugosllavë që kishin themeluar Partinë Komuniste, kishin caktuar udhëheqësit e tij, madje ishin bërë kumbarë edhe në shumë fejesa të kupolës së lartë. Kuptohet nuk flitej as për zërat nacionalistë në formacione të tjera politike, por edhe në radhët e Frontit Demokratik, që ishin eleminuar me ose pa gjyq.

Lëvizja kundërfashiste nuk ishte e njëllojtë në dy pjesët e të njëjtit komb: në Shqipëri me përmasa më të gjera dhe në Kosovë me një përfshirje më të vogël, por duket se të dy udhëheqjet komuniste ishin më shumë të prirura të koordinoheshin me jugosllavët për të ruajtur pushtetin e tyre se sa me njeri-tjetrin, madje edhe formacionet ushtarake që shkuan deri në Vishegrad nuk e panë të arsyeshme që të diskutonin mes njeri-tjetrit dhe për fatin e mëtejshëm të një popullsie të ndarë fill pas përfundimit të luftës. E njëjta gjë mund të thuhej edhe për grupimet nacionaliste në të dy territoret që gjithçka e lidhnin me Italinë ose me Gjermaninë, pavarësisht se ato pak kohë më vonë do humbnin, siç edhe ngjau në vitin 1945.

Shqipëria komuniste u nda shpejt nga Jugosllavia komuniste dhe e paangazhuar dhe u mbështet te ish-Bashkimi Sovjetik, por as ajo dhe as mbrojtësi i saj në kampin socialist, nuk e ngriti qoftë edhe një herë çështjen e Kosovës, si pjesë e natyrshme e territorit dhe popullsisë së saj.

Edhe një fare dakortësie e Tito-Kardelit, gjatë periudhës së L2B që Kosova mund t’i bashkohej Shqipërisë u shua në 1946, kur Serbia bashkë me Kosovën u përfshinë në Jugosllavi me kufijtë e përcaktuara disa dekada më parë.

Pikërisht në kohën e marrëdhënieve mjaft të mira mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë që nga themelimi i PKSH e deri në prishjen e raporteve ndër-shtetërore, 1941-1948, pra në këtë periudhë 7-vjeçare kishin ndodhur shumë ngjarje, mes të cilave më kryesorja ishte traktati ekonomik dypalësh, nënshkruar në Beograd më 20 shkurt 1945 nga Josip Broz Tito dhe zëvendëskryeministri Myslim Peza, kaçak në vitet 1924-1929 dhe emigrant politik i fshehur në Serbi në vitet 1930-1939 për vrasjen e Osman Balit, i cili njihej si përkrahës i Esad Toptanit. Traktate të tilla të ngjashme Jugosllavia kishte nënshkruar edhe me Bullgarinë, Poloninë, Çekosllovakinë e Hungarinë, që kishim shumë gjëra të përbashkëta, por edhe dallonin nga shteti në shtet.

Interesant është vendimi 117, datë 5.9.1945 i Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar “Për dhanje dekoratash”, ku nga 13 të vlerësuarit, 11 janë jugosllavë, pra 2 ‘Hero Kombëtar’ për Ivan Milutinoviç e Lolo Ribar, 6 ‘Urdhër Flamuri” për Ivan Ribar, Eduard Kardel, Bllazho Jovanoviç, Radovan Jogoviç, Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, 4 ‘Ylli Partizan’ për Arso Jovanoviç, Aleksandër Jankoviç, Milovan Gilas e Petko Dapçeviç.

Ky veprim është i justifikueshëm për kohën që është bërë, por mbetet mister përse nuk janë hequr këto dekorime, kohë më vonë pas prishjes së marrëdhënieve shtetërore Shqipëri-Jugosllavi dhe sidomos pas reprezaljeve dhe genocidit të Ministrit të Brendshëm Rankoviç ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Ish-themeluesi i policisë sekrete në periudhën 1946-1966, Rankoviç akuzohej për vrasjen pa gjyq të mbi 70 mijë shqiptarëve, ndërsa 250 mijë të tjerë i ka detyruar të shpërgulen e të emigrojnë në Turqi e në shtete të tjera; ai konsiderohet si person kryesor edhe për Masakrën e Tivarit ku janë vrarë rreth 8 mijë shqiptarë dhe u shkarkua nga Tito në 1966 jo për krimet e përndjekjet që tejkalonin edhe ato fashiste, por se u dyshua se kishte vënë nën përgjim udhëheqësin sipëror.

Pavarësisht se koalicioni fitues kundër nazistëve nuk ishte vetëm Bashkimin Sovjetik, por edhe anglo-amerikanët, vërehej prirja e regjimit të ri të Tiranës për t’u lidhur vetëm me sovjetikët, për largimin sa më parë të misionit amerikan dhe përfaqësuesve britanikë e duke përdorur si portë hyrëse, Jugosllavinë. Pikërisht kjo lidhje e bënte më të largët afrimin mes dy pjesëve shqiptare, pasi Kosova ishte gati të bashkohej me këdo shtet tjetër përkundër dyshes Rusi-Serbi që kishte vuajtur disa vite me radhë.

Midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe që kërkonin zgjedhje të lira, rend demokratik, respektim të të drejtave të njeriut, Enver Hoxha nuhati se këto parime nuk kërkoheshin as nga Jugosllavia dhe as nga Bashkimi Sovjetik (në të dy vendet si dhe në të gjitha shtetet e ish-kampit socialist zgjedhjet ishin formale, zakonisht votohej mbi  nëntëdhjetë për-qind, nuk pyetej fare për respektimin e të drejtave njerëzore dhe udhëheqësi kryesor rrinte në pushtet derisa e merrte vdekja).

Përkundër vendeve perëndimore ku kryhen zgjedhje të ndershme e demokratike dhe ku qeverisësit nuk mund të rrinë në pushtet më shumë se dy mandate, përjashto vendet ku ka këmbim dinastish, në kampin socialist ato bëheshin formale, sekretari i parë i partisë ishte edhe kryeministër, kryegjyqtar, kryepronar, zotërues i gjithçkaje, që mund të mbetej në krye për tri-katër dekada.

Aso kohe shteti jugosllav kishte marrë përsipër të përfaqësonte edhe interesat shqiptare, të kishte përfaqësues nga vendi ynë në të gjitha selitë e tij diplomatike, madje edhe në konferencën e Paqes në Paris, për ndarjen e reperacioneve të luftës, për shkak se Shqipëria mori shumë pak, ishte gati të ndante dëmshpërblimet e saj me fqinjin e vet.

Në këtë konferencë kryeministri grek Kaldaris kishte kërkuar edhe ndarjen e Shqipërisë mes dy vendeve, por kjo ishte kundërshtuar ashpër nga përfaqësuesi jugosllav si edhe nga vetë Stalini që këshillonte titistët të bënin kujdes me pretendimet greke se kishte një presion të madh nga anglo-amerikanët për moscenim kufijsh.

Me gjithë dëshirën e padurueshme të Tiranës zyrtare për një lidhje të drejtpërdrejt me Moskën, kjo nuk pranohej nga Stalini, që e kishte lënë nën përkujdesin e Jugosllavisë, por edhe nuk donte që Shqipëria të kthehej në republikën e shtatë të saj, sidomos pas firmosjes së marrëveshjes për krijimin e federatës jugosllavo-bullgare, që dilte nga ombrella e Bashkimit Sovjetik.

Përkundër shteteve të tjera të rreshtuar pranë shteti të stërmadh sllav, Jugosllavia kishte epërsinë e luftës kundër nazifashistëve pa ndihmën e tij, çka e bënte atë më të pavarur dhe që të shkëputej shpejt nga ndikimi rus.

Shqipëria çuditërisht përjetoi një periudhë të artë në kohën e pushtimit fashist sepse qeveria kuislinge arriti të shtrihej pothuaj në gjithë hapësirën natyrale të saj, por kjo gjë nuk u reflektua në asnjë akt zyrtar ndërkombëtar, pra në atë periudhë nuk pati ndonjë njohje nga Organizata e Kombeve të Bashkuara me këtë territor; pas fitores mbi fashizmin Kosova figuronte nën Serbi dhe në 1946 me kushtetutën e re të Jugosllavisë ishte një krahinë më vete nën federatë, me status natyrisht të kufizuar.

 

2.

Në 1982 do të isha student i vitit të parë të gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe bashkë me mua do të ishin edhe një grup studentësh të arratisur ilegalisht nga Kosova që ndiqnin ciklin universitar në degë të ndryshme, madje edhe në fakultetin tim; në mesin e tyre edhe bashkëshortja e Jusuf Gërvallës, Suzana Gërvalla me tre fëmijtë e vegjël.

Ishte periudha kur po ngushtoheshin hapësirat e autonomisë e lirisë dhe të gjithçkaje në Kosovë dhe vendi ishte përfshirë në një rebelim të gjithmbarshëm, protestonin minatorë e studentë, kishte një vetëdijësim më të madh të arsimtarëve dhe mësimdhënësve, madje edhe punonjësit fetarë, kryesisht ata muslimanë, po edhe të tjerë e kishin vënë si parësor qënësinë shqiptare.

Shqiptarë nga Kosova kishin ardhur edhe kohë më parë, por ata ishin vendosur në Fier, Vlorë, Durrës, Shijak, Krujë dhe në disa rrethe, kryesisht në Shqipërinë e Mesme dhe pak ose aspak në Jug të vendit. Të gjatë, të bukur, të hijshëm, siç ndodhte edhe me të ardhurit e tjerë të dy përkatësisë joshqiptare ata përshtateshin me fshatin apo qytetin ku banonin, merrnin zakonet e vendasve; fati i tyre nën diktaturë ishta pak a shumë i njëjtë me pjesën tjetër të popullsisë: kish prej tyre të vrarë, të burgosur e të internuar, madje edhe bashkëpunëtorë të policisë sekrete.

Një periudhë zbutjeje e lëshimi i regjimit të Jugosllavisë i dha një hop të jashtëzakonshëm sistemit shkollor deri në universitetin e Prishtinës, madje pati një numër të konsiderueshëm mësuesish e pedagogësh që shkonin në Kosovë për të dhënë leksionet e tyre. Intelektualët që vinin asokohe në Shqipëri ndaheshin në dy kategori, në të pëlqyerit dhe të papëlqyerit e regjimit, por kjo nuk ndaloi të vinte përballë dy sisteme komuniste me natyrë të ndryshme: njëri i administruar nga jugosllavët dhe me mjaft liri dhe tjetri i mbyllur e i kthyer në një burg të madh, përfshi edhe strukturat administruese.

Nuk ka diskutim se diferencat ekonomike mes Jugosllavise apo edhe krahinës autonome të Kosovës dhe Shqipërisë ishin mjaft të mëdha, diferenca këto që u thelluan më pas pas ndërprerjes së marrëdhënieve me Republikën Popullore të Kinës.

Tregojnë se diku në një postë të thellë kufitare takoheshin çdo mëngjez një ushtar serb me një të uniformuar shqiptar dhe pyetjes së serbit “Kako si dobro”, shqiptari i përgjigjej “Dobro si kaka”. Për të mos ngatërruar pellazgollogët e rinj që dalin edhe me megafonë para Akademisë së Shkencave ushtari serb pyeste “A je mirë” dhe shqiptari që me fjalën ‘kako’ nënkuptonte diçka tjetër, një fjalë të zhargonit lab, ia kthente “Mirë si kaka”.

Ndryshimet e mëdha që përfshinë gjithë Europën Lindore dhe në Bashkimin Sovjetik doemos do të linin gjurmë edhe në federatën e Jugosllavisë, një krijesë e formësuar pas përfundimit të L2B me 6 republika dhe përkatësisht të Serbisë, të Kroacisë, Maqedonisë, Sllovenisë, të Malit të Zi, e Bosnjë–Hercegovinës dhe 2 krahinave autonome, të Kosovës dhe Vojvodinës. (Megjithëse popullsi e tretë, Kosova u la thjesht një territor krahinor sa Vojvodina e papërfillshme, por me popullsi hungareze që i kishte shkaktuar mjaft drama republikave të tjera në periudhën e mbretërisë austro-hungareze).

Një federatë e paangazhuar, jashtë bllokut të NATO-s dhe Traktatit të Varshavës, Jugosllavia ishte dikur e suksesshme me vijën e ndjekur, gjysmë socialiste e gjysmë kapitaliste, por në thelb zhvillonte një ekonomi të centralizuar që dështimin e barte me vehte.

Falë hapjes që kjo federatë kishte pasur me botën perëndimore, prej andej do të merrte edhe goditjen e madhe sepse serbët, kroatët, sllovenët, maqedonasit, malazestë, boshnjakët, kosovarët e vojvodinasit kishin disa dekada që gjendeshin në shtete europiane dhe atje askush nuk u kërkonte çfarë ishin, çfarë besimi kishin, çfarë partie dëshironin, por u jepnin mundësi pothuaj të barabarta me vendasit dhe kjo i bënte qytetarë më të dinjitetshëm.

Shembull domethënës për epërsinë e dy sistemeve ishte se rrallë gjeje persona nga një vend perëndimor që të arratisej në një shtet të ‘demokracisë proletare e të diktaturës së proletariatit’, ndërsa nga ana tjetër miliona vetë nga Europa Lindore merrnin arratinë për një jetë më të mirë. Madje për t’i vënë vulën hendekut që konfigurohej mes dy botëve, vajza e Stalinit dhe djali i Hrushovit u arratisën në SHBA dhe e konsideronin këtë vend sikur kishin shkuar në planetin ‘Mars’!

Por në federatën e gjashtë republikave dhe dy krahinave, shteti më i përbuzur dhe më i prapambetur ishte Kosova, çka do ta rrebelonte atë më shumë se shtetet e tjera të ‘bashkim-vllazërimit’. Kosova e viteve tetëdhjetë i kishte të gjitha: edhe shpirtin kundërshtues, edhe elitën pranë pushtetit, edhe grupet ilegale, edhe trushplarët që ndiheshin të kombësisë tjetër, pra turq, serbë, boshnjakë, të dëndur me xhamira e tyrbe dhe të nëpërkëmbur nga shkollat dhe arsimimi e megjithatë ata u ngritën në masë për të kërkuar ndryshimin e madh.

Ishte e kuptueshme se rënien e federatës jugosllave do ta përqafonte në masë dhe me padurim popullsia e Kosovës, përjashtuar elitën politike e shtetare, mercenarët, të financuarit e përhershëm nga Beogradi, shtresa këto që gjenden me shumicë edhe në popuj dhe kombe të tjerë, që edhe kur ka luftë mes tyre, pra ka të vrarë, të përdhunuar, të denigruar, asnjëherë financuesit nuk i nxjerrin emrat ose familjarët e tyre.

Lëvizjet e shqiptarëve të Kosovës në vitet tetëdhjetë detyrimisht do të kishin ndikim edhe në Shqipëri, që tashmë kishte shkuar shumë larg saj, megjithëse e shkëputur nga bashkëpunimet ekonomike me Bashkimin Sovjetik dhe me Kinën. Ekonomia shqiptare ishte në pikën më të rëndë të saj, nuk kishte më asnjë mbështetje dhe tashmë ndodhej në një presion të brendshëm që nuk kishte ndodhur dekada më parë.

Shqiptarët nga Kosova sërish e kishin shumë të vështirë, që për t’i ikur represionit serb, të gjenin një strehë të përkohshme në pjesën tjetër të tërritorit të tyre sepse për vite të tëra e kishin bërë këtë gjë, por sërish ishin kthyer andej nga kishin ardhur, përpos shumë të tjerëve të dënuar me akuza false, si të dërguar të regjimit të Beogradit apo të reaksionit botëror, që donin të përmbysnin ‘pushtetin demokratik të larë me gjakun e 28 mijë dëshmorëve”.

Shqipëria vijonte të prodhonte akuza monstruoze kundër bashkëkombasve të vet (pa u hyrë në hak edhe arratisjeve të stisura nga regjimi sllav), madje edhe në vitet e fundit të jetës së Enver Hoxhës diskutoheshin kuota shumë të vogla pranimi të atyre që arratiseshin ilegalisht, por dyshimi mbetet se kupola e lartë e Tiranës zyrtare ka qenë e rekrutuar ose në shërbim të Beogradit. Ky dyshim shtohet akoma më shumë kur ambasadori i jashtëzakonshëm në Beograd bëhet figurë qëndrore pas prishjes me jugosllavët dhe dy figura të tjera që vinin nga çetat nacionaliste, por me investim jugosllav qëndruan të paprekur në postet dhe privilegje e tyre deri sa u shemb sistemi diktatorial.

 

5.

Kosova ose Dardania e hershme që daton çprej shekullit IV p. K. është shteti më i ri i Europës (17 shkurt 2008), që kufizohet më Shqipërinë, Malin e Zi, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. Dikur por edhe në ditët e sotme ka qenë tërësi kryesisht me shqiptarë dhe me disa pakica serbe, turke, boshnjake, rome, ashkali, egjiptianë dhe goranë. Si pjesë e qytetërimit të kahershëm iliro-dardan dhe e të folmes shqipe, Kosova ka qenë e përmendur për pasuritë e shumta nëntokësore, të cilat janë shfrytëzuar nga perandoritë e njëpasnjëshme e deri te regjimi titist që u shemb pas rënies së komunizmit.

Kosova në 1990 u shpall republikë dhe në 1991 shtet i pavarur, por nuk arriti ta vinte në jetë pavarësinë nga shkaku i pushtimit të regjimit të Millosheviçi, që zgjati rreth 10 vjet (1989–1999).Qëndresa paqësore mbarëpopullore, Lufta e Ushtrisë Çlirimtare (1997–1999) dhe ndërhyrja ajrore e NATO-s në pranverë të 1999 i dhanë fund genocidit të Serbisë mbi popullsinë vendase. Trupat perëndimore hynë në Kosovë në qershor 1999, ndërsa po largohej ushtria serbe dhe ajo u administrua nga një mision i OKB-së deri në 2008.

Ka shumë botime dhe arsyetime për këtë ndërhyrje perëndimore në një konflikt që dukej si brenda një shteti, por që në fakt ishte krejt tjetër: më parë në Bosnjë dhe më pas në Kosovë po ndodhte një holokaust po aq i egër serb sa ai nazistëve kundër hebrejve katër dekada më parë dhe pikërisht për këtë arsye pati një vëmendje të madhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO dhe trekëndëshi perëndimor Angli-Francë-Gjermani. Natyrisht kishte nisur sakaq edhe rezistenca e brendshme me armë, fillimisht nga disa trupa shqiptare ushtarakësh të quajtura FARK dhe më pas në mënyrë më të organizuar dhe më masive nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).

Është vështirë të parashikohej se si do të shkonte fati i kësaj rezistence mes UÇK-së dhe një ushtrie të mirorganizuar serbe, që dikur nën juridiksionin e Jugosllavisë së pashpërbërë përbënte një nga pesë ushtritë më të fuqishme të Europës. Gati 100 vjet më parë shqiptarët e të gjitha viseve, në të ashtuquajturat luftëra ballkanike kishin luftuar më shumë dhe kishin lënë në betejë mijëra të vrarë dhe tekefundit kishin dalë të humbur, të copëtuar, të shkatërruar në shtëpi e katandi.

 

6.

Nga të gjithë studentët e ardhur ilegalisht në Shqipëri në vitet tetëdhjetë, kur vërehet edhe rritje e represionit serb ndaj shqiptarëve, kam ndjerë neveri për dy individë, njëri që mbaroi shkëlqyeshëm në fakultetin e Shkencave të Natyrës që në kohë të mëvonshme, jo thjesht nga dalldia për të bërë përshtypje, u rreshtua në një grup zërash që flisnin për komb kosovar; s’do mend se ishte një përpjekje serbe për të thënë se Shqipëria ndryshon nga Kosova, pra janë dy kombe të ndryshëm, gjë që nuk pranohej as nga vende shumë të largëta jashtë kontinentit europian. Vështirë të besohet se ky individ ishte një nga 70 mijë të rekrutuarit nga UDB në vitet tetëdhjetë, kurrsesi nuk bënte pjesë në atë pjesë fundamentalistësh që zakonisht rreshtoheshin më afër fesë se sa qënies shqiptare dhe mendja të shkonte se kishte marrë një dorë të hollash për të mbajtur këtë qëndrim.

Përpos të parit, një student tjetër që mbaroi shkëlqyeshëm në Fakultetin e Filozofisë dhe ishte pedagog për një kohë të gjatë në Fakultetin e Shkencave Sociale, nëpërmjet një teme që udhëhiqej nga një profesor i emërtesës së lartë diktatoriale, ndërmori një sulm, madje mbrojti edhe doktoraturë duke sulmuar një figurë që sa i përket Shqipërisë, aq ka qenë dhe vijon të jetë i vlerësuar në shkallë planetare.

Marrja në mbrojtje e Hamza Kastriotit, një eksponent i lartë që iu bashkua ekspeditave otomane kundër popujve të tjerë dhe kundërvënia e hapur ndaj Skënderbeut, shtonte dyshimet se ishte një prej falangave sllave pasi kishte kryer edhe dy vite studimi në Beograd ose se kishte marrë financim për t’iu bërë ‘ferrë’ një personaliteti që vlerësohej botërisht për sakrificat dhe qendrimin e tij. Është e kuptueshme se për Skënderbeun ka edhe një varg legjendash, por edhe mbi një mijë botime, biografë shqiptarë e të huaj, bashkëkohës të tij, ku më parësori ishte Dhimitër Frangu, 25 vjeç kur vdiq Gjergj Kastrioti.

Kohë më përpara gjatë viteve nëntëdhjetë në Tiranë doli edhe një revistë e përkohshme, me kopje të pakta dhe me helm të madh që mblidhte ato pak studiues të huaj që kontestonin Skënderbeun, gjasme nën emër të çmitizimit dhe çlegjendizimit të figurës së tij, e drejtuar  fatkeqësisht nga një i ashtuquajtur i burgosur politik, që e kishte fituar këtë satus jo për ndonjë akt kundër regjimit diktatorial, por thjesht e vetëm sepse ishte pinjoll i një familje që ishte dënuar nga regjimi komunist, me grupet e radhës ‘armiqësore’ që shpalleshin çdo 5 vjet.

Çmitizuesit, shpura e atyre që ndiheshin marksisë-leninistë, e të tjerëve që kishin ndryshuar kom-bësinë, e mercenarëve dhe spiunëve, e kapedanit të çdo fshati që mjaftonte të bëhej i dëgjuar qoftë edhe duke kryer një akt antishqiptar, pra kjo aradhë neveritëse dhe e përbuzur befas merrte një goditje rrënuese me vendosjen e dy shtatoreve të Skënderbeut dhe Nënë Terezës në Prishtinë dhe Shkup, të cilat ktheheshin në përjetime të jashtëzakonshme për fetarë dhe jofetarë të kombësisë shqiptare.

Mund të jetë rastësi, por është një ndodhi e treguar për një pseudo-hoxhë në Republikën e Maqedonisë së Veriut që shfrynte në çdo shërbesë me të pavërteta kundër Skënderbeut dhe pak ditë pas vendosjes së shtatores mori një goditje të pakthyeshme duke u kthyer në një gjysmë njeriu, gjysmë i vdekur e gjysmë i gjallë dhe i përbuzur edhe nga familjarët e vet. Po kështu tregohet edhe për një gjysmëintelektual që shkruante vjersha, por më shumë spikaste për ligjërata kundër personaliteteve më të mëdha shqiptare, të djeshme dhe të sotme; deklarohej me mburrje herë grek, herë turk, herë sllav nga ata të bardhët e megjithatë goditjen e mori mu në lunkth, diku atje kur formësohet zëri dhe që tashmë detyrohet të artikulojë tinguj duke lëvizur pipëzën e një kaceku.

 

7.

Është fakt i ditur se Kosova, ashtu si dhe pjesa dominuese e shqiptarëve të Maqedonisë pësuan procesin masiv të islamizmit nga Perandoria Osmane, çka do të përkthehej në humbje të ndjeshme identiteti, shpopullim në masë të shqiptarëve dhe zhdukje tërësore e ortodoksëve shqiptarë nga njëra anë në Maqedoninë e Veriut dhe nga ana tjetër tkurrje e popullsisë dhe e territorit natyral te pasardhësit e Dardanëve. Shpopullim dhe emigrim patën edhe disa vise të tjera shqiptare në Malin e Zi, por jo të atyre përmasave me shtetet e mësipërme, për të mos harruar largimet e ndjeshme në Preshevë, Buja-novc e Medvegjë.

Përkundër përndjekjeve e privacioneve të parreshtura për vite e dakada të tëra, deri edhe ato nga më të rëndat dhe më shtazaraket që u shfaqën nga regjimi i Millosheviçit, banorët e këtyre viseve nuk e kishin humbur ndjeshmërinë e tyre të të qënit shqiptar, jo vetëm nëpëmjet gjuhës shqipe, por edhe nëpërmjet ‘një arme’ të brendshme: ata ringriheshin nga hiri duke shtuar vazhdimisht pjestarët e familjes. Krahina më e përbuzur dhe e lënë qëllimisht më e pazhvilluar, jo thjesht dhe vetëm nga administrate serbe por edhe nga administrata të kombësive të tjera, shfaqej megjithatë jetësore, me djem dhe vajza të hijshme sikur për to të përkujdesej një fuqi e panjohur, jo tokësore.

Por jo vetëm kaq, emrat më të bukur të qyteteve, lumenjve, të viseve të bukura shqiptare, madje edhe atyre të kahershëm iliro-romakë do t’i gjeje në mijëra familje në fshat e qytet. Vlora, Saranda, Argjiro, Shkumbini, Vjosa, Valbona, Erzeni, Devolli, Drini, Buna, Cemi, Fani, Prespa, Korabi, Tomorri e shumë të tjera lëviznin përherë e më shumë në përditshmërinë shqiptare që si kumbim këmbane përsëriteshin nga mëngjezi në darkë dhe ruante pa zhumë qënësinë e tyre të shumëhershme.

21-22 qershor 1982/Ditari sekret i Enver Hoxhës për Haxhi Lleshin dhe Myslim Pezën: Financohen nga serbët!

Përmbajtja e lëndës

 

Xhorxh W. Bush: Mjaft është mjaft – Kosova është e pavarur

Parathënie nga Çerçiz Loloçi

I. Krime pa koment të regjimit të Millosheviçit

  1. Shqiptarë që vriten me armë e me thika
  2. Pesë kufoma të pavarrosura
  3. Një fëmijë masakrohet me hanxhar
  4. Kamion i mbushur me kufoma shqiptarësh
  5. Një krim më makabër se tjetri
  6. Tre burra të varur në pemë
  7. Tetëdhjetë e nëntë shqiptarë të vrarë dhe të djegur
  8. Tre djem të vdekur në rezervuar
  9. Tiradë masakrash
  10. Reagime të ashpra të komunitetit ndërkombëtar
  11. Krime monstruoze në Kosovë sipas burimeve të qeverisë amerikane
  12. Raporte për krime lufte
  13. Njëzet e gjashtë të vrarë në një ditë
  14. Katër masakra në katër dëshmi
  15. Kufomat bllokojnë rrjedhën e përroit
  16. Vrasje e tortura
  17. Digjen kufoma shqiptarësh
  18. Foshnje e vrarë në gji
  19. Serbët djegin të gjallë 15 shqiptarë
  20. Mbi 200 gra e vajza të përdhunuara
  21. Copëza barbarish
  22. Dhjetë mijë të vrarë në Rahovec
  23. Varr masiv në Krushë të Madhe
  24. Llapi e Turjaka, male të masakrave dhe të dëbimit të mbi 100 mijë banorëve
  25. Vrasje dhe përdhunime në Malishevë
  26. Të masakruarit në Krushë të Madhe
  27. Të masakruarit në Drenicë dhe Izbicë
  28. Serbët të rrëmbejnë fëmijët po nuk u dhe para
  29. Dyzet dëshmi në prokurorinë e Durrësit
  30. Granatimi i Nagovecit
  31. Masakrimi i njëzet mësuesve
  32. Plumba në gojët e foshnjave
  33. Grabitet zyra e OSBE dhe krime të tjera
  34. Gjymtime të adoleshentëve
  35. Zetorët mbushur me kufoma varrosen në gropa masive
  36. Serbët ekzekutojnë edhe klerikët
  37. Rrugët e Podujevës mbushen me kufoma
  38. BBC: Përdhunimi i vajzës në sytë e babait
  39. Të rinjve u shpërthejnë fytin me kaçavidë
  40. Të vrarët në kampin e Lezati
  41. Serbët mbajnë pengje shqiptare kundër bombardimeve të NATO-s
  42. Përgjakje e burimit të Javiçit
  43. Ushtarakët serbë: Do t’iu djegim të gjallë
  44. Kronikë krimesh
  45. Letra e togerit serb: Jam krenar që u nxorra sytë 10 fëmijëve
  46. Qindra-mijëra banorë, nën goditjen e artilierisë
  47. Fëmijë të vrarë e të varur në shtylla telefoni
  48. Djem perëndimorë përkrah UÇK-së
  49. Krim serb ndaj pesë të rinjve
  50. Mbi 100 varre masive në Kosovë
  51. Djem dhe burra shqiptarë, rezerva gjaku për të plagosurit serbë
  52. Nëna serbe i shkruan djalit: Mos më eja gjallë pa më sjellë një kokë shqiptari
  53. Skica kriminale e kapterit Radko Mirkoviç
  54. Rrëfimi i Vasfije Krasniqit, pas tmerrit të përjetuar të përdhunimit seksual në luftë
  55. Vasfije Krasniqi Goodman, apel Kongresit Amerikan që të kërkojë drejtësi
  56. Fakte për genocidin serb në Kosovë të institucioneve ndërkombëtare
  57. Shimon Perez: SHBA dhe NATO t’i japin fund dhunës dhe diskriminimit
  58. Beniamin Netanjahu denoncon krimet serbe në Kosovë dhe koncert humanitar në Tel Aviv
  59. Manipulimi i Serbisë në Kosovë: Kush i fshehu trupat e hedhura në Danub?
  60. Martirizimi i 20 pjestarëve të familjes së Adem Jasharit, mes tyre 10 fëmijë
  61. Akuzat ndaj Thaçit dhe Veselit dhe maja e ajsbergut e krimit shtetëror serb
  62. Raporti i Komisarit të Lartë për të Drejtat e Njeriut mbi situatën e të drejtave të njeriut në Kosovë                                                                                                      II. Shteti dhe kombi amerikan përkrah shqiptarëve në dekadat e fundit

 

  1. 25 dhjetor 1992/Paralajmërimi i presidentit amerikan Xhorxh Bush për presidentin serb Millosheviç
  2. 15 janar 1999/Masakra që tronditi botën perëndimore
  3. Bill Klinton: Bombardimi i Beogradit në 24 Mars 1999
  4. Madlen Ollbrajt dhe Kosova e lirë
  5. Madlin Olbrajt: Krenohem me ndihmën që i dhashë popullit të Kosovës
  6. Kur gjenerali amerikan Uesli Klark drejtonte bombardimin e Beogradit
  7. Bombardimet e NATO-s mbi Beogradin, 24 mars-1 qershor 1999
  8. Fushata ajrore e NATO-s pa asnjë viktimë
  9. Marrëveshja e Kumanovës dhe territori i Kosovës ai i vitit 1974
  10. Ibrahim Rugova, njeriu i paqes

 

III.  Doktrina serbe për spastrimin etnik të shqiptarëve

 

  1. “Naçertanija” e Ilia Grashaninit, ministër dhe ideolog
  2. Vaso Çubriloviç: “Dëbimi i shqiptarëve” (1937)
  3. Ivo Andriç: Spastrimi i shqiptarëve
  4. Dobrica Çosiç: Shqiptarët, barrë barbare për Ballkanin
  5. Sllobodan Millosheviçi: Spastrimi përfundimtar
  6. Marrëveshja turko-greke-serbe për shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e tyre

 

IV. Kosova, gjysma shqiptare e panjohur, pasthënie nga Çerçiz Loloçi

 

Please follow and like us: