Albspirit

Media/News/Publishing

Gjergji Mihallari: Buzëmbrëmje në qytetin e huaj, takim me fantazmën…

Tregim

 

Ditët po rrëshqisnin si pa kuptuar. Ishin ditë kur bëhej gati të largohej për në shtetin e huaj me studime.Përkthente çdo dokument në qytet dhe përgatiste atë për ambasadë. Lodhjen e ndiente kur kthehej në fshat, në ecjen e zvarrët, në mpirjen e qafës dhe shpatullave. Ndalte hapat për disa çaste në çezmën ku kishte takuar Fridan, për të pirë ujë të freskët si një kalë i babëzitur. Ndalte pa frikë se mund të shfaqej Frida. Tashmë edhe hija e saj qe tretur tutje në horizontin e harresës. Ishte zhdukur pa lënë gjurmë, disa ditë më pas kur kishte puthur atë, atje në oborrin e shtëpisë së saj. Kishte ndodhur si me mjegullën që mbulon fshatin dhe kur del dielli, pylli i ahishteve e përthith brenda trupit të saj. Nuk u pa më në rrugët e fshatit. Ata që pyetën për të dhe fatin e saj ishin të pakët. Po të ishte folur shumë për të, me siguri ai, do kishte dëgjuar ndonjë fjalë të tepërt. Fashitja e saj në rrugët e fshatit i ngjante fjollës së erës së ftohtë që humbet pa u kuptuar. Në fshat kishin qarkulluar fjalët e thata dhe të pa komentuara “Frida ka ikur”! Nuk u kërkua shkaku pse u largua, apo të pyetej me kureshtje të tepruar për të marrë përgjigje se ku shkoi, pse shkoi, a do të kthehej prapë në këto rrugica të fshatit… etj… etj. Zakonisht në kësi rastesh thuren fjalë që ngacmojnë biseda të gjata për netë dimri, kurse në rastin e Fridës, ishte një kërshëri e mbyllur, pa fjalë. Ka ikur, u përshpërit dhe u harrua, a thua se nuk kishte ekzistuar kurrë në këtë fshat.

Ai nuk kishte dashur ta besonte. Mendoi se ishte thjesht ndonjë nga ato çmenduritë e saj. Ai besoi vetëm kur kaloi shumë kohë, kur Frida nuk ndihej me frymë dhe trup në ato rrugica të gurta. Dhe kur era, që merrte ison e saj në ngushtësinë e tyre dhe nuk e sillte më, atëhere ai e besoi plotësisht. Nuk ndiente rrahjet e frikshme të zemrës dhe frikë në ecjen e tij nëpër rrugë, pasi u bind në largimin e Fridës. Ajo ishte tretur kushedi se ku, u tret edhe në atë pjesë të trurit të djaloshit që e frigonte. Fshati e harroi plotësisht, ashtu si ai. U përpoq ta harronte atë plotësisht, por ajo ngeli si mugëlltirë në kujtesën e tij. Në buzë ende ndiente shijen e puthjes së saj, si thithja e lëngut të qershive belice.

Në atë shesh ndriçimi ishte i dobët. Mbrëmja kishte rënë. Në shesh gjendej edhe instituti femëror. Frekuentohej nga qindra vajza. Ishte koha kur nga dyert e institutit vërshoi zbatica femërore. Të shpenguara, të lirshme në bisedat e tyre me tone të larta. Ilariteti i të qeshurave, mbushën sheshin. U gjend mes turmës, pa mundur të largohej, duke marrë goditje në trup nga bërylat e vajzave.

Ndjeu butësinë e një krahu, të harkohej në mesin e tij, ta tërhiqte drejt një vëndi më pak të ndriçuar, më të rrahur nga kalimtarët. Pa mundur të mbledhë veten nga ç’po ndodhte me të, atje në gjysëmerrësirë, ndjeu dy buzë të ngrohta që kërkonin buzët e tij. U puthitën mbi to plot zjarr dhe afsh. Më pas një rënkim gjysëmmbyturazi nga kënaqësia e vajzës që e kishte tërhequr në atë cep. Ndjeu mbi buzë shijen e lëngut të qershive belice të fshatit të tij. Në dobësinë e dritës u përpoq të dallojë sytë e vajzës. Pak turbullt  vuri re flokët kaçurela të ndritshme, dy sy të mëdhenj gati në fikje. Ishte vajzë me pamjen e një kukulle të madhe të gjallë, me një fytyrë ovale, me dy buzë të kuqe.

Nuk mund të besonte. Jo! Patjetër që gjendej në një ëndërr, në mankthin e tij më të keq. Do kishte besuar se mund të kthehej i vdekuri nga bota e përtejme, por jo të takonte në këtë qytet të largët vajzën e çuditshme të fshatit të tij, Fridën. Nuk ka mundësi, është vetëm një shëmbëlltyrë dhe kaq, u përpoq ti japë kurajo vetes. Po ajo shije buzësh, po ajo zjarrmi. U lirua nga krahët e saj, por jo plotësisht. Dora e tij nuk mund të shkëputej nga mbërthimi si me darë e dorës së saj. Në përpjekjet për të dalë në një vend disi më të ndriçuar, sikur tërhoqi zvarë trupin e vajzës që nuk dëshironte të shqitej prej tij. Ndali në një nga ato dritat e pakta që ndriçonin sheshin. Dallga e furisë femërore ishte përpirë nga nata, duke u tretur në rrugicat e shumta që nisnin nga ai shesh, po ashtu edhe që niseshin nga ky shesh. Në ndriçimin e dritës u bind plotësisht se ajo vajzë ishte Frida.

Frida në hijen e natës, kujtimet e tij kishte tjetërsuar veten. Sytë kishin humbur shkëlqimin, rathët e zinj rreth tyre të maskuar nga një tualet i lehtë, nuk zhdukeshin plotësisht. Tek-tuk në pyllin e dendur të kaçurelave të saj, kishin mbirë flokët të bardhë. Kukulla e madhe ishte bërë tepër e madhe. Sytë kishin mundur të ruanin diçka nga shkëlqimi i dikurshëm.

-Budallai im i vogël! -shqiptoi Frida, si dikur në oborrin e shtëpisë së saj. Harkoi sërish dorën tjetër rreth qafës së tij, duke lënë të lirë trupin e saj që u puthit pas trupit të tij. Bëri një përpjekje lehtësish të shkëputej prej saj. Ajo vetëm shtërngohej pas tij, duke ndjerë shtërngimi e gjoksit të saj mbi gjoks. Kishte një aromë të mirë, që ngacmonte hundën dhe trupin e tij, atje në fund të barkut. Edhe pak dhe mund të shpërthente ai. Atëherë si kundërpërgjigje ai e puthi fort. Ishte gati duke kafshuar ato buzë të përskuqura, më keq se drita e një rrufeje. Ndjeu lëngun e ëmbël nga buzët e fryra. Ajo vetëm rënkoi, rënkoi shuar si në prag të vdekjes. Trupi i saj ishte gati i këputur si pa jetë, që u nder në krahët e tij. Iu kujtua Aurelia, iu faneps me një vështrim të fiksuar tek ai. Ajo po e vështronte me sytë e  errësirës. E shtyu tutje Fridën, duke u liruar prej saj. Nxori shaminë nga xhepi dhe filloi të fërkojë buzët e tij. Por as shamia nuk mjaftonte për të zhdukur njollën e puthjes mëkatare. Frida nga shtyrja kishte rënë përdhe. Ajo rënkoi. Nuk kishte faj ajo, por edhe ai nuk mund të kishte faj. Vrullet dhe gëlimet e brendshme të ndjenjës ndonjëherë është vështirë ti kontrollosh dhe frenosh. Instiktet janë më tepër shtazarake, sesa të natyrës humane. Ato mund të dalin jashtë kontrollit, pse të tilla janë hormonet që frutëzojnë ato. I erdhi keq për Fridan. I zgjati dorën që ajo të çohej në këmbë.

-Më fal Frida! -as vetë nuk kuptoi si shqiptoi ato fjalë, kur hasi lotë në sytë e saj. -Nuk prisja diçka të tillë, aq më tepër nga ti. Je një fantazëm, si për mua dhe gjithë fshatin.

-Dhe ti ke frikë fantazmat! Apo trembesh nga puthja e të vdekurit? -kishte një dritë të zvenitur brenda irisit të syrit të saj. Të pafajshëm apo hileqare, nuk mund ta kuptonte ai.

-Jo, nuk kam frikë! -pohoi. -Nuk të puth fantazma. Por e di ti se njollosa me mellan një zemër të dlirë, që beson tek unë dhe ndjenja ime. Por ndruaj se ti nuk ke për të më kuptuar!

-Ke ngelur naiv! -sytë e saj kishin një përhumbje, sikur bashkoheshin me ato mendime që kushedi ku fluturonin. -Shumë vonë, pasi isha larguar nga fshati, mora vesh se ti ishe në këtë qytet!

-Po si dreqin u zhduke në atë farë mënyre! U zhduke sikur të ishe tretur në ujrat e lumit në fund të fshatit. Ishe kthyer një shpirt në pyllin e ahishteve. Askush në fshat nuk mundi të marë vesh se ku ishe, të dinte fatin tënd!

-Hëm! -nënqeshi hidhur Frida. -E përse duhej të dinin fatin tim në fshat?  Fundja kishin shpëtuar nga çmenduritë e një vajze të marë. Apo nuk më quanin të çmendur?… Djali i doktorit më mbushi mendjen të vija me të në këtë qytet. Unë nuk duhej të shkoja jetën me njerëz që nuk më kuptonin, që më konsideronin një të shkarë nga trutë. Ndaj nuk e vura në peshore zgjidhjen që më afronte djali i doktorit. Në këtë vend duhej të kavardisesha vetë, djali nuk më mbante si zonjë në shtëpi. Tha se më kishte gjetur një punë. Janë ca shtëpi të mbyllura. Pranova… Pastaj plaka e shtëpisë, e lumturuar nga mua dhe pamja ime, pas disa ditësh pune si pastruese e shtëpisë, më tregoi se duhej të bëja një punë të re, me leka shumë…

-Edhe? -rrathët e zinj tek sytë e Frides dolën më në pah. Lotët kishin larguar cipën e hollë të pudrës vendosur tek to.

-Punoj aty! Pres dhe përcjell burrat që duan përkëdheli dhe atë plaçkën tonë. Dal me preteksin për të marrë pak ajër të pastër nga shtëpia… Ti ndjek shkollën, kështu kam mësuar. Po përse the ato fjalë më parë, për njollosje me mellan? Jam pak e trashë, por kuptoj. Kë njollose me puthjen time?

-E thashë ashtu kot! -dëshira për tu larguar sa më shpejt, tashmë që mësoi për jetën e Fridës,  u bë më e madhe. Kushedi kush mund ta shihte në shoqërinë e saj. Ajo njihte shumë burra. Frida kishte kuptuar mendimet e tij.

-Tani budallai im i vogël, largohu shpejt nga ky shesh. Zëre se takove një fantazëm dhe që ke puthur një fantazëm! -u zhduk edhe ajo në njërën prej rrugicave të shumta, ndriçuar dobët. Vërtet të kishte qënë fantazëm dhe ai ishte kapur nga një mankth i vjetër, tashmë i liruar. Fridën as e pa dhe as e takoi më pas asaj mbrëmje. Edhe pse kaloi shumë herë nga ai shesh, edhe pse ngeli shumë herë brenda zbaticës femërore që vërshonte nga instituti. Sërish nxori shaminë nga xhepi dhe e kaloi mbi buzë. Por a pastrohej puthja e një fantazme? Më tepër friksohej se Aurelia gjente gjurmë të asaj puthje. Kishte frikën e një njolle, njollë pafajësie siç do ta quante ai më vonë. Kishte frikën mos kjo ndikonte në atë që kishte lindur këtë mbasditë me Aurelën. Lëshoi një vështrim përreth në shesh. Tek-tuk ndonjë kalimtar i vonuar ose ndonjë djalosh si puna e tij, që përpiqej të jetonte në një ëndërr të vërtetë. Do të dëshironte të shkonte në breg të lumit, si për tu larë nga mëkati i puthjes së Frides, por ishte vonë. Edhe ai duhej të kthehej në dhomë. Deshte vetëm të flinte, të binte në një gjumë plot ëndrra, ku ai të ishte vetëm me Aurelian. Të tjerët ishin vetëm pjesë mekanike të funksionit të asaj që quhet jetë. Vetëm ai dhe Aurelia ishin jeta…

*         *       *

Maj-Tetor 2002./albspirit.com

Please follow and like us: